Me veprën «Dorëshkrimi nga dheu» (Rozafa 2003, Prishtinë) Mustafë Xhemaili e ngre përmendoren më të bukur letrare që është bërë ndonjëherë për Nënën. Njëkohësisht sjell dokumentin faktik për pozitën e Letërsisë në Kosovë gjatë periudhës së komunizmit jugosllav.
Ja skenari: një Nënë, ulur në shkallët parashtëpisë ka mbuluar fytyrën e saj me duar dhe përpiqet të parafytyrojë herë qelitë, grilat dhe policët fytyregër të regjimit e herë ato vendet e largëta të europerendimit, mijëra kilometra larg oborrit të saj të braktisur. Ajo fluturon me shpirtin e saj nëpër korridore, ndeshet me murret e tyre të stërpikura me gjak dhe amanete dhe hap derët e qelive të burgjeve duke kërkuar një pjesë të fëmijëve të saj. Heq duart nga sytë dhe drejton shikimin kah qielli për të gjetur rrugën më të shkurtër për të mbrrirë atje, pas alpeve, në ato vende të huaja ku e ka pjesën tjetër të fëmijëve.
Në kulmin e këtij pikëllimi dikush i bie portës me grusht. «Është vallë njëri nga bijtë e mi?», bën ajo duke marrë frymë thellë. Ajo hap krahët ashtu sikur vërtet paraderës të jetë njëri nga djemtë e saj. Miku i fëmijëve të saj duke ecur oborrit për të dalë në atë anë nga s’ka hyrë ia lëshon në dorë një tufë letrash. Nëna ulet në prag të shtëpisë dhe fillon t’i lag me lotë konturët e hartës së Albës, asaj Albe pas së cilës kishin qenë të dashuruar gjithë fëmijët e saj. Bukuri, magjia e së cilës, nuk shijohej atëbotë dot pa haraç. E kush e dijnte më shumë se Nëna se sa i tmerrshëm, dhimbës e dërmues është çmimi i atij haraçi.
«Jo kësaj rradhe jo. Nuk m’i marrin edhe këto shkronja, këto letra. Këto janë gjithçka që më kanë mbetur» është e vendosur ajo dhe fillon të kërkojë atë copë dheu që më së shumti ia ka besimin. Atë copë dheu që s’është derdhur as nga shiu e as nga rrëmuja duke ruajtur të fshehtat e vatrës. Lëshon shikimin anembanë dhe fillon të hapë dheun me gishta. Fut letrat e konzervuara mirë në gropë dhe i mbulon shpejtë. Fytyrën e saj e mbulon një ndriçim që të le përshtypjen sikur të jetë Nëna më e gëzuar në botë. Mu në mes të oborrit me plotë vetbesim fillon të flasë, me zë, sikur të bashkëbisedonte me dikë: «E di. Ti patjetër do të kthehesh për të marrë Albën tënde. Ju gjithë keni për tu kthyer. Pa Albën s’keni ku shkoni. Askund, përveç se këtu në këtë oborrin tim», shikon edhe njëherë vendin ku ka fshehur dorëshkrimin dhe futet në shtëpi duke lënë pas derën hapur.
Nga ky moment, një dorëshkrim, fillon të bëj jetë nën dhé. Po ç’përmban ai dorëshkrim që e ka mallkuar epoka, shoqëria e atëhershme duke e dënuar me «varrim» të zhveshur nga çdo lloj ceremonie?
VLERA DOKUMENTARE E LIBRIT
Vepra më e re e Mustafë Xhemailit «Dorëshkrimi nga dheu» është padyshim dokument shumë i vlershëm dhe real mbi gjendjen e letërsisë dhe mendimit të lirë në kohën e komunizmit jugosllav. Vepër, që pa asnjë dilemë mund të mbante edhe nëntitullin: Poezia si dokument historik mbi gjendjen e Letërsisë së Kosovës gjatë sundimit jugosllav!
Ajo rrëfen jo vetëm për fatin e një krijuesi, një individi që bie ndesh me regjimin, por shumë më shumë për rrethanat, atmosferën se ç’letërsie ka qenë e lejuar e ç’letërsie ta ka dhënë biletën gratis për në burg apo arratisje.
Pse pikërisht «Dorëshkrimi nga dheu», pse pikërisht Mustafë Xhemaili të merret si një dokument dëshmimi mbi egërsinë e një regjimi ndaj letërsisë në Kosovë?
Thjeshtë për këto arsye: Mustafë Xhemaili ka qenë një poet i afirmuar, me vepër të botuar, pjesmarrës antologjishë dhe për vlerat e të cilit janë shprehur shumica e kritikive në zë (me të drejtë) pozitivisht. Këtë e dëshmon vepra e tij në kontinuitet. E sidomos poezitë në përmbledhjen «Dorëshkrime nga dheu», të cilat shikuar në kontekstin analitik të poezisë jo vetëm se i plotësojnë të gjitha kriteriet e të qenurit art i mirëfilltë e që duhej të botoheshin kurdo, porqë shikuar po nga ai sistem vlerash do të duhej të ishin poezitë kryesore e më të mirat në përmbledhjen e tij të parë, sidomos «Alba», «Në mesin e studentëve» etj.
Tjetra: Me të kuptuar bindjet e poetit hiqet nga qarkullimi një antologji kur përfshihet poezia e tij dhe ndalohet libri i tij. Ky aksion përmban një simbolikë pak më të madhe për skenën e atëhershme letrare, se sa vetëm përpjekjen për të anatemuar poetin antishtet: Për shkak të Mustafë Xhemailit ndalohet antologjia «Lulet në Ballkon», ndalohet një pasqyrë prezentuese e mbarë «poezisë më te re të Kosovës» së atëhershme. Qoftë si i mallkuar, qoftë si i simpatizuar ky autor shkakton një dridhje e tronditje në atë skenë letrare.
Aksioni i shtetit kundër poetit nxjer në pah edhe njëherë më shumë devizën e tij: Bën çka të duash, mirëpo me kusht që ta përheshtish, mohosh, djegësh brenda teje ndjenjën e identitetit nacional, kërkesën e konsolidimit politik në baza etnike! Gjë që është e barabratë me urrejtjen racore. Jo më konkretisht: Racizëm pur, pra. Urdhër, të cilin poeti e refuzon.
Gjitha këto ia japin këtij libri karakterin e një dokumenti, pa përjashtuar në këtë kontekst edhe formën mjeshtërore se si autori prezenton këtë vepër.
Nga ky konkretizim dhe baraspeshim argumentativ del e qartë se jo vlerat e poezisë si artefakt kanë qenë shkaku i ndalimit dhe anatemimit të Mustafë Xhemailit, por tema, përmbajtja e tyre antisistem.
Revolta ndaj sistemit më së bukuri ilustrohet me poezinë e tij «Kali i zi» në kohën kur nëpër kokat e një pjese të konsiderueshme të kolegëve të tij kishte marë hatanë figuracioni i llojit «Shoku Tito n’ kali të bardhë» duke kalëruar fushave të gjelbërta të Kosovës. Një poezi që po të mos kishte rënë ndesh me atë figurën e përmendur dhe po të mos dihej se kush e ka shkruar mund t’i kushtohet çdo tirani në botë.
UNIONI TOKË – PARNAS
Në librin «Dorëshkrimi nga dheu» jo pa qëllim autori i jep hapësirë të madhe edhe një figure tjetër, poetit dhe gazetarit Jusuf Gërvalla, një kolegu, miku dhe siç shprehet autori në parathënien e vetë «kritikut më të mirë» të poezisë së tij. Hyrja në «bashkautorësi» me atë personalitet të shquar shihet se vjen nga respekti, dashuria dhe dhimbja për mungesën e tij e jo për ndonjë arsye tjetër. Mirëpo nga ana tjetër, për kritkën objektive, duke lënë anash subjektivizmin që del si pasojë e një dashurie të sinqertë ndër dy miq (në art e në politikë), ky dysh ka edhe shumë pika të tjera përbashkuese, sidomos sa i përket qëndrimit të regjimit ndaj tyre, qëndrimit të skenave letrare e deri tek anatemimi i vlerave të tyre artistike. Janë dy autorët që për nja dy dekada s’është dashur t’i zësh në gojë e lere më t’i nderosh si poet a intelektualë. Dy autorë të merituar, arti i të cilëve përnjëmend dhe faktikisht është anatemuar me urdhër të regjimit. Për shkak të bindjeve dhe aktivitetit të tyre politik e «pëson» për një kohë të caktuar arti i tyre, i cili sot po na rikthehet më i freskët dhe më me vlerë se kurrë.
NËNA FATIME
Megjithatë figura kryesore në «Dorëshkrimin prej dheu» është portreti i asaj Nëne që na del parasyve sa herë që ta hapim një faqe të re të librit. Sa herë që ta shohim një letër, që ka marrë formë pergameni, na shfaqet fytyra e Fatime Xhemailit duke pritur me derën hapur. Ajo kishte të drejtë. Ajo e dijnte se dikur, qoftë edhe pas 16 viteve i biri i saj do të kthehet në Komogllavë, në oborrin e saj që ajo t’ia dorrëzojë në shenjë mirseardhje dhuratën më të shtrejntë: Albën bashkë me krushqit e saj. Kësaj rradhe jo duke shikuar anembanë se mos e sheh ndonjë spiun i UDB-së, por duke bërë me gisht e lotë në sy «u kam thëne se s’kini ku ikni nga Alba, shkoni ka të doni sërish do të më ktheheni këtu, në pragun tim!». Mustafë Xhemaili, pa e shkruar asnjë poezi që do të kishte motiv dhe figurë kryesore Nënën, ka arritur të ngre përmendoren më të bukur letrare që dikur e diku ka mundur t’i bëhet Nënës. E Fatime Xhemaili e ka merituar këtë. Ajo me aktin e vet, mu në aortën e dramës që përjetonte, kujdeset për poezinë më shumë se për veten, kështu duke u bërë simboli letrar i dashurisë së nënës shqiptare ndaj fëmijërisë së këtij vendi! Pa diskutim: «Dorëshkrimi nga dheu» është i saj!
INFO
Mustafë Xhemaili u lind më 19 shtator 1954 në Shkup. Shkollën fillore e kreu në Komogllavë, ndërsa gjimnazin në Ferizaj. Mbaroi Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Për shkak të veprimtarisë politike për çlirimin e Kosovës nga Serbia, i ndjekur nga policia, në fillim të vitit 1984, u detyrua ta lëshojë Kosovën dhe të strehohej në Zvicër, ku edhe sot jeton bashkë me gruan e tre fëmijët. Nga viti 1976 e deri në fillim të vitit 1983 punoi gazetar në Televizionin e Prishtinës, ndërsa gjatë vitit 1983 gazetar në të përditshmen «Rilindja» të Prishtinës. Vazhdimisht është marrë me gazetari dhe publicistikë. Ka qënë publicist e kolumnist në shumë revista dhe gazeta që dilnin e dalin në Kosovë.
VEPRA
Gjatë viteve 1984-1991,ka punuar si redaktor e kryeredaktor i revistës së mirënjohur „Zëri i Kosovës», në Zvicër, ndërsa gjatë viteve 2000-2001, kryeredaktor i revistës «Ekskluzive» në Cyrih-Prishtinë-Tiranë. Në vitin 1982 Shtëpia Botuese «Rilindja» në Prishtinë ia boton librin e parë me poezi «Netëve të verës». Në vitin 1993 Shtëpia Botuese «Naim Frashëri» në Tiranë - librin me poezi «Fusha e plagosur». Në vitin 2001 Shtëpia Botuese “Dukagjini” e Pejës ia boton librin me poezi “Sëmundjet e botës”. Në vitin 2003, shtëpia botuese « Rozafa », në Prishtinë ia botoi librin poetik «Dorëshkrimi nga dheu». M. Xhemaili ka shkruar edhe poezi për fëmijë. Librin e tij “Banon ëndrra në syrin tim”, e botoi « Zgjimi » në Ferizaj, në vitin 2001. Në fillim të vitit 2004, iu botua libri poetik «Arkitektura e stinëve», në gjuhën gjermane, në bashkautorësi, brenda librit voluminoz «Kuarteti poetik», i përkthyer nga Ferdinand Laholli. Përveç në disa antologji në gjuhën shqipe, poezitë e M. Xhemailit janë të përkthyera dhe të përfaqësuara në disa antologji dhe revista në gjuhët gjermane, italiane, rumune etj. (...) Kritikë tjetër për autorin: “Le style c’est l’homme méme”!