Revolta e shkronjave

ESE / Mbizotëron spekulimi se intelektualët vegjetojnë. Ata bëjnë poza dandish dhe janë vetëburgosur qelive të imagjinatës së tyre që është larg realitetit dhe brengave aktuale të masave. Sa qëndron kjo akuzë? 

Pjesërisht qëndron kritika ndaj autorëve të mos jenë aktiv për të mirën e shoqërisë, veçmas nëse tentojmë ta analizojmë rolin e tyre në mendësinë e shoqërisë në Shqipëri. Atje gjenerata e vjetër e autorëve mezi mbijeton nga skamja dhe përpjekja e mërzitshme e vetërehabilitimit. Kjo e reja duket «të ketë humbur rrugën» dhe mëkatandiset vullnetarisht më shpesh sferave të huaja kulturore se aty ku jeton. Kjo ndoshta për arsye se letrarët e rinj në Shqipëri duket të preferojnë azilin gjithashtu për shkak të realitetit aq të prostituuar politik, social e ekonomik në vendin e tyre, edhepse muzat përbotshëm nuk dashkan që arti të jetë banor vetëm dhe ekskluzivisht i Atopive. Disa prej tyre këtë e bëjnë madje me iluzionin se «universaliteti» (përkthimi) do t’i rikthejë me famë e epoleta në atdhe. Bazuar në rezultatet e derisotme aksioni del i humorshëm mirëpo joprofitabel, jo atraktiv.
Në Maqedoni dhe hapësirat tjera «periferike», përtej dy epikulturosferave shqiptare gjendja është më e rëndë; autorët që përpiqen të ndikojnë në shoqëri ndihen faktikisht të gjallë e falënderues vetëm nëse lexohen «jashtë» se brenda as që ekziston auditoriumi i mjaftueshëm perceptiv.
Në Kosovë gjendja ka qenë dhe është tjetër. Letërsia dhe artet në këtë hapësirë kulturore gjithmonë kanë mbartur edhe revoltën e «organizuar me vete». Që nga këtu nuk mundemi më të flasim për sfera të izoluara shqiptare (gjeografike, rajonale) por vetëm për një hapësirë të caktuar sociokulturore ku shkrimtarët shqiptarë (ku shumë më pakë se në qendrat luan rol origjina, vendi, provinca) aktualisht janë shumë më intensiv në përpjekjen për emancipimin e masave sesa diku tjetër. Pse Kosova e ofron këtë, pse është kështu?

MEHMET KRAJA – KONTINUITETI DERI SOT
Mehmet Kraja na siguron kontinuitetin (si shembull jo si i vetmuar). Biografia dhe vepra e këtij autori ndoshta do të mjaftonin edhe pa këtë ese ta dëshmojnë teorinë, historinë dhe tezën se Kosova si dje ashtu sot është epiqendra e revoltës së shkronjave. Si sferë, qendër ndërshqiptare e protestës ndaj «regjimeve» të djeshme, të sotme dhe ndaj të gjitha anomalive që duhet korrigjuar si socialitet, si shtet e kulturë. Që në fillim të viteve të 60-ta, autorë si Beqir Musliu (Rima të shqetësuara:1965), Anton Pashku (Kulla:1968), Teki Dërvishi (Pirgu i Lartë:1972) e ca tjerë braktisin revoltshëm tangon e realizmit socialist me shkronjat shqipe. Plotë të tjerë edhe pse bëhen viktima të një hiperhermetizmi të panevojshëm, janë poashtu të kësaj vije funksionale. Po në këtë kohë fillon botimet Mehmet Kraja (Dritat e mesnatës:1974) duke mbetur, në këtë kontekst camus-ian shqiptar, ndër më aktivët deri sot. Me romanet «Portali i perëndive të fyera» (1980), «Edhe të çmendurit fluturojnë» (2004), «Im atë donte Adolfin» (2005) bën rëntgenet më se të nevojshme të shpirtit, gjendjes dhe përhumbjeve shqiptare. Në dramë dhe publicistikë njëjtë. Të ndalemi te «Kukumi» i realizuar edhe si film nga Isa Qosja: analizë e shkëlqyeshme, psikanalitike, sociale, kulturore, e kosovarit, respektivisht njeriut të pasluftës, tragjikomedi siç dinë vetëm krimet, deplacimet masive dhe dramat më të shëmtuara kolektive t’i prodhojnë. Në analizë e sipër të karaktereve brenda romanit «Edhe të çmendurit fluturojnë» nuk ndeshemi vetëm humorin e zi të tipit anglosaksonik të autorit ndaj realitetit, por më shumë me zemërvuajtjen dhe thirrjen e tij: kështu u katandisëm, këtu na humnerizuan, si mëtutje! Përveç se me prozë Mehmet Kraja me librat e tij publicistikë dhe paraqitjet publike vazhdon të jetë ndër primatët e revoltës intelektuale shqiptare.

GËZIMI, BLERINA, AGU DHE ALBATROSI
Anatominë, thellësitë e traumave e pasluftës, «paskukumiane», na i sjell letrarisht bukur Gëzim Aliu me prozën e tij «Libri i fundit» (2012). Ecshëm tregimeve të tij nuk mësojmë vetëm dramën e të përhumburve dimensioneve të indiferencës, imunitetit ndaj rënieve humane, por shohim se autori ka arritur saktë e tmerrshëm ta bëj diagnozën e individit të sotëm, rrëfen vizatueshëm agresionin e turmës duke përdhunuar lirinë, vdekjen, epshin para se të vetëshembet paperspektivës. Vetëm po e lexuam në hipnozë apo me vetëdijen harruar diku pub-eve mund të na lë të parevoltuar vepra letrare e këtij autori.

Blerina Rogova Gaxha me poezinë e saj unike në përmbledhjen «Kate» (2013) kërkon të djeshmen për ta kuptuar të sotmen dhe britshëm i drejtohet mendësisë për dështimin parimisht vetëfabrikues të viktimës, asaj që s’lëshon robërinë sikur atë ta kishte gjendjen e vetme që i ofron ekzistencën komode. Më mirë se diku tjetër, në poezinë e saj lokalizojmë kremtaoriumin e idealeve shqiptare moderne e postmoderne, i gjejmë të identifikuar, pa dorëza dhe me një guxim të paparë dorasit e çdo mëngjesi kosovar. Me të njëjtin intensitet dhe palëkundshmëri, me një stil edhe më të mprehtë se ç’e kishte dikur kroatja Tanja Torbarina (Danas) dhe mëme letraritet Blerina Rogova Gaxha revoltën e saj rregullisht e ofron edhe në mediat e përditshme.
Kërcënueshëm, egër, brutalisht, me të drejtë, “akuzon” shkrimtari Ag Apolloni në romanin e tij «Ulurima e ujkut» (2014). Esencën e romanit e zbërthen vetë gjatë një interviste me një portal: «Ujku paraqet një qytetar shqiptar të dëshpëruar që ulërin kundër jetës së tij që bënë, kundër historisë që trashëgon, historisë kolektive dhe personale dhe kundër shoqërisë hipokrite që e rrethon». Kjo do të jetë kryendjenja e shumicës së qytetarëve shqiptarë – jo vetëm në Kosovë. Dakord. Revolta është.
Pjesa dërrmuese e lexuesve – ata që konsumojnë letërsi e jo ata që mjaftohen vetëm të dëgjojnë për letërsinë – e percepton ndoshta revoltën e këtyre autorëve si mllef personal të tyre, si qortim – çka nuk është. Shkrimtarët, artistët e njëmendtë – dhe këta që përfolëm janë ndër më të mirët – edhe kur qortojnë, veprojnë nga dashuria ose nga frika për mos të humbur dashurinë ndaj jetës, botës dhe personazheve të tyre, qofshin ata qenë, ujq, të çmendur, dashnorë, prostitute apo skllav syresh që kanë frikë lirinë e tyre. Se kështu është, si dokument vërtetësie thirrmi «Ditar dashurie i një shkrimtari» (2012) të Albatros T Rexhajt, eposin e tij që del si program për individin, shoqërinë, kulturën, politikën, udhërrëfim për të katiturit se si të dalin nga Hadi ku gjenden: duke dashur! Duke u nisur nga premisa se asnjë revoltë nuk mund të ketë kuptim dhe nuk do të ndryshojë asnjëherë nëse nuk është e motivuar nga dashuria për njeriun, lirinë, dinjitetin e tij.

CYBERPOETIKA
Rrjetet sociale janë sfera tjetër ku autorë seriozë, me vepra të botuara e të dëshmuar  si Gjergj Anton Filipaj (prozë) Sabit Gecaj, Fran Tanushi, Sadik Krasniqi, Naim Fetaj, Adem Gashi, Vaxhid Xhelili, Xhemajl Rudi (poezi) e tjerë shpesh «ulërijnë si ujqërit» e Ag Apollonit, që veçse nuk plasin kundër devijimeve të politikës, klaneve, institucioneve e të sojit. Edhe pse në këto rrjete nuk mungon shundi, ose ai dominon, kohëve të fundit ato kanë filluar të kenë ndikim ekstra në krijimin e opinioneve e sidomos në agregimin e revoltës, kërkesave qytetare përtej ideologjive, partive, klaneve, kastave kriminele, atyre fetare e grupeve tok që meritojnë atë të përfolurin «refuzim estetik».

KONSTATIMI
Nëse nuk mundemi të hedhim poshtë argumentet e kësaj sprove atëherë nuk kemi alternativë tjetër përpos të flakim në erë atë spekulimin se intelektualët, respektivisht letrarët, autorët nuk merren me hallet e masave nga të cilat lexohen. Spekulimi do të jetë gjellë e atyre që nuk lexojnë. Që nuk duan të lexojnë. Ata që lexojnë dhe njohin botët intelektuale ballkanike e dinë se autorët kosovarë janë ndër më aktivët e rajonit në këtë drejtim. Kanë qenë gjithmonë!

Ajo që mbetet për studim pas këtij eseu është pyetja: Pse pikërisht në Kosovë kjo revoltë historike, e sotme, e theksuar?

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...