Për tre ditë rresht në kryeqendër të Zvicrës komedia e Jeton Nezirajt “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” mbush përplot e përtej karriges së fundit teatrin. Aty flitet shqip e kuptohet në të gjitha gjuhët e mundshme falë mjeshtërisë së lartë të aktorëve!
Ata erdhën dhe fluturojnë mbi teatrin zviceran. Jashtë, në kryeqytet, disa minuta para nisjes së shfaqjes kosovare, u zhvillua një spektakël gjigant dritash që pallatin e parlamentit zviceran e shndërroi në kullën e Ajfelit. Vetëm për disa sekonda. Ajo u shemb para syve të mijëra shikuesve. Njëjtë si pjesa paraprake e suksesshme autorit kosovar Jeton Neziraj me titullin «Shembja e kullës së Ajfelit». Nga ky spektakël drejt qytetit të vjetër, për në adresën tashmë kryesore të kulturës post-68, të kryeqytetit, në «Schlachtahaus Theater» ku, ka tri ditë (31, 1, 2 nëntor) që komedia e Jeton Nezirajt “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” mbush përplot e përtej karriges së fundit teatrin.
SKENA DHE KRITIKA
Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Anisa Ismaili, Adrian Aziri dhe Ernest Malazogu flasin shqip. Ata nuk kanë nevojë madje të flasin hiç. «Ata i luajnë rolet e tyre aq të përshpirtëruara saqë vetëm nga mimika, lëvizjet, pozat dhe interaksioni e rrëfejnë tekstin e Nezirajt në mënyrë të shkëlqyeshme», thotë kritiku Ingo Starz që ka udhëtuar enkas nga Bazeli për të parë komedinë. Gativeterani i skenës Bajrush Mjaku mjafton të thyej kurrizin e të lakohet, të çojë dorën apo të përdhos flokët për të inskenuar, personifikuar përnjëherë e bashkë antagonistin, arkaikun, romantikun për ta sjell finalizueshëm antiheroin e postmodernës. I shkëlqyeshëm për ta prodhuar çdo tip antropologjik të rajonit. «Shtriga», e megazgjuar Rozi (Anisa Ismaili) që detyrohet proforma të flijohet në mision për artin (ekzistencën e artistëve skamnorë) tek ministri pervers (Adrian Aziri), censori dhe shteti në një, i cili vitrinizon mrekullueshëm mentalitetin semifedual, patriarkal gati universal ndaj femrës. Regjisori (Ardian Morina) bashkë me Jamesin (ernest Malazogu) që me avion donë t’ia imponojë botës pavarësinë e vendit të tij presin fjalimin e kryeministrit, presin po si Godoja deri në çastin kur…
«Një komedi si kjo e Jeton Neziraj që aq thellë e aq pastër e përshkruan dramën e vendeve në tranzicion ende nuk kam lexuar e parë. Regjisorja fantastike, autori fantastik dhe aktorët sikur me qenë protagonistët real vetë e jo t’i kenë role», flet e fascinuar kritikja gjermane e ardhur nga Stuttgart Elisabeth Maier. Regjisorja Blerta Neziraj ka mundur ta bëjë një skenë kaq të suksesshme ndoshta edhe sepse autori «shikon aq thellë dhe përimtësuar në thellësitë e njeriut» siç konkludon kritiku austriak i teatrit vjenez Wolfgang Kralicek.
E vërtetë rezulton edhe ajo çka vërejti kritikja italiane Anna Maria Monteverdi (La Republica, Itali) kur shkroi se komeditë e Jeton Nezirajt «janë arma më fenomenale për të demoluar klishetë dhe konvencionet (…)» retarde shoqërive të sotme. E kjo bëhet vetëm kur autori, regjisorja dhe aktorët të kenë mbrritur në atë pikë nga ku me lehtësi artin e funkasionalizojnë si shprehje dhe motor të situatave shoqërore jo vetëm për ti ekspozuar por kur janë negative edhe për t’i demoluar.
PERCEPTIMI
Komedia e Jeton Nezirajt u shfaqi edhe në Itali e Slloveni ku pati poashtu sukses.
Ajo ironizon pavarësinë e Kosovës, jo si akt, si ngjarje por më shumë si spektakël shtresash e dukurish që më shumë e devalvojnë atë se sa e nderojnë ose e bëjnë aktin historik të shqiptarëve dinjitoz. Se komedia e Nezirajt shkaktoi aq shumë neveri te pushtetarët është krejt e natyrshme, sepse ata janë subjektet (bashkë me romantikët fluturues) që i thumbon, kritikon, destrukton Jeton Neziraj me veprën e tij.
Raritet ishte se ajo u zhvillua në gjuhën shqipe – me mbitituj të përkthyer – në kryeqendrën e Zvicrës, me një audiencë kryesisht të huaj (dhe shqiptarë) në mesin e të cilëve asnjë nuk e gjeje të mos kishte kuptuar diçka, përkundrazi «ishte një përvojë e re, fantastike të përjetosh një pjesë me njerëz të huaj që flasin në një gjuhë të huaj, mirëpo që i kupton aq thellë, aq bukur në gjuhën tënde si njerëzit e tu. Fenomenale», thotë një çift zviceran që gati kanë vendosur ta mësojnë shqipen, sepse «tingëllon aq bukur, aq muzikale, aq dinamike aq gjallë». Arti e bën edhe këtë: e depërton aortën e një kulture, gjuhën, edhe kur e kritikon shoqërinë deri në qelizat më të thella subkutane të tij.
Legjenda
Skenë nga komedia dhe autori Jeton Neziraj