Albatros Rexhaj – kryedashnori i letërsisë shqipe

Albatros Rexhaj, «Ditar dashurie i një shkrimtari», Botimet Dudaj, Tiranë, 2012.

«Tak…tak. Ritëm elegant. Simfoni e përkryer». Mjafton vetëm ky varg [Fq. 36] i autorit si aksiomë, akumulator dhe kryefjalë për të paralajmëruar literaritetin (si total kualitetesh artistike) e veprës që trajtojmë. Po ky varg thelbësor na e manifeston kuintesencën dhe kualitetin e librit «Ditar dashurie i një shkrimtari» të Albatros Rexhaj-t.

Jo «cogito, ergo sum», por «dashuroj, pra jam» [28] është lajtmotivi antikartezian i Rexhajt. «Ditari» suspendon dualizmin historik «trup-shpirt» të descart-istëve jo me «lumturinë» epikuriane, atë të Stoa-s, të Hippo-s, Kant-it apo deri edhe të Marcuse-s, por bën rokadë, rirendit e krijon një sistem të ri: trup – dashuri – shpirt – lumturi! Bën dashurinë kushtin e parë postnatal, nëpërmjet të cilit paracaktohet ekzistenca  (apo mosqenia) e shpirtit estetik, një kusht pra pa të cilin shpirti katranohet mëkeqas se «Hadi i Greqisë antike në Hade të Kosovës» [15]. Pandehim se suksesin autorit ia jep edhe perspektiva: Albatros Rexhaj nuk filozofon mbi dashurinë nga froni, nga kolltuku i ndonjë fabrike terminologjike, nga pozita e mbikëqyrësit, siç është zakon i shumë kolegëve të tij, por nga baza, nga aorta, nga mesi, ai përmbledh sekuenca dashurie në përditshmëri, i filtron brenda shpirtit të vet, i rikrijon të estetizuara, herë nëpërmjet vargjeve e herë nëpërmjet rrëfimit, paralelisht duke e thyer me elegancë edhe kufirin ndërmjet prozës dhe poezisë.

KOPERTINA DHE PARAGJYKIMI
Përballja e parë me librin detyrueshëm të imponon si ftesë paragjykimin: Kopertina e librit me rruazat, këmbët, çorapët, trëndafilin, grafikën dhe zilen paralajmërojnë atmosferën e ndonjë bordeli nga koha e Al Capone-s. Lexuesi paramobilizon batalionin e shqisave në funksion të epshit. Ai bëhet gati për skena orgjish, pret udhëzime dhe receta që garantojnë orgazmën kurdo, me çdokë dhe gjithandej. Sapo recipienti t’ia nis leximit dëshpërohet dhe kupton se proza e Albatros Rexhajt përveç ca gërvishtjeve në shpinë [35] dhe mjeshtërisë së zonjës së moshuar që ia mëson «zanatin e shtratit» shkrimtarit [81-83] nuk dekonspiron më shumë në këtë drejtim. Skenat janë diskrete dhe përherë përfundojnë në stilin «mund ta imagjinosh se çka ndodhë pastaj» dhe me propozimin «tash fute imagjinatën në përdorim dhe vizatoja vetes skenën që të çliron».

TJETRI SI KUSHT PËR TË QENË NJERI
Është dashuria e mundshme vetëm nëpërmjet «shkrirjes» përbrenda ndonjë «zonje aristokrate, shpirtmadhe dhe me bukuri magjike që nuk i heq takat as në shtrat» [34-36] e që të detyron të ulërish simfoni në pikë të natës? Bën edhe kështu, mirëpo ky është vetëm njëri nga dimensionet në «Ditar dashurie i një shkrimtari» të Albatros Rexhajt. Muzën, veten bashkë me femrën shkrimtari nuk i sheh si njësi biologjike të determinuara në funksion të majës erotike; të eksplodimit final epshor, ai donë të na imponojë diçka më të rëndësishme po si edhe urtia e vjetër daoiste kineze e yīn yáng-it: ai na rikujton se dashuria nuk reduktohet dot në asnjë akt sado vullkanik të momentit, por është proces ndërmjet dy poleve të kundërta që nuk transformohen, nuk korrelojnë, nuk përbashkohen dhe nuk realizohen dot pa dashurinë reciproke. Ky kryedimension është linja dominante e prozës: Shkrimtari e thirr nënën jo vetëm për t’ia dëgjuar zërin asaj, por parasëgjithash për ta bindur veten se gjendet vetë ndër të gjallët [17]; i quan hipokritë dhe (vetë)mashtrues gjithë artistët që duan të na bindin se frymëzimin ua kanë falë zogjtë cicërues, sepse sipas tij, «frymëzimi vjen vetëm nga njerëzit, sepse ne marrim kuptim vetëm në bashkëveprimin me njerëz tjerë» [64]. Vetëm atëherë kur qenia humane merr guximin t’i shpalojë tjetrit; «do të dua, sepse vetëm nëpërmjet teje vetë qenia ime merr kuptim» [75], vetëm asohere, qenia mund të braktis anonimitetin dhe të nis udhëtimin drejt vetënjohjes. Tjetri është ai nëpërmjet të cilit njeriu mund ta shpor frikën dhe bashkë me të ta ndërtoj lirinë [133]. E ky nuk është vetëm parakushti mundësues i erotikes, por edhe problem i rëndë dhe epokal i filozofisë dhe humanitetit vetë, është problem që nuk zgjidhet jo se mungojnë teoritë dhe apelet si këto të Rexhajt, porse njeriu me këmbë, trup e pushkë i reziston emancipimit, humanizimit me Tjetrin qoftë edhe duke bartur në trastë përjetësisht rrezikun e zhbërjes.

FEMRA – «NËNA» E DASHURISË
Albatros Rexhaj «çmendet» pas femrës. Ai beson se vetëm nëpërmjet saj njeriu mund të emancipohet me dashuri. Për këtë si dëshmi ai sjell jetën e tij kronologji: duke filluar si nxënës i klasës së pestë, si gjimnazist, si shkrimtar dhe si dashnor – një tip dashnori që rehabiliton qëllimshëm dhe bindshëm të gjithë «Lolitat» duke ua kthyer atyre dinjitetin dhe atë pikërisht në një vend, në një shoqëri, në një Gadishull ku libri, apeli dhe vetë shkrimtari përbëjnë supraparadoksin e radhës. Në fakt s’kemi se si mos të jemi dakord se nëna, femra, ajo qenie shpirtbutë është më e bukura dhe më e përshtatshmja për ta vizualizuar fiziologjinë dhe idealin e dashurisë. Është natyra e saj që derdhur, farkuar dhe dokumentuar bëhet muza dhe emblema e ditarit të shkrimtarit prizrenas.

LOVING AND LIFE SHQIP
Kush ka lexuar romanet: atë të Rousseau-së «Julie ou la Nouvelle Héloïse», respektivisht «Letrat e dy të dashuruarve të një qyteti të vogël rrëzë alpeve»; atë «L’education sentimentale» (Edukimi i zemrës, ndjenjave) të Gustave Flaubert-it; atë të Gabriel García Márquez-it «El amor en los tiempos del cólera» (Dashuria në kohë kolere); atë të Henry Green «Loving» (Të dashurosh) dhe shumë të tjerë të këtij lloji, «Ditarin e një dashurie të një shkrimtari» pa dyshimin më të vogël mund ta lexojë si epilogun e tyre, si një ishull ideal ku gjithë femrat e meshkujt e Flaubert-it, Márquez-it, Green-it, Hesses, Rexhajt, Nobakov-it, etj. dashurohen shqip. Nga ky ishull artistik, njerëzimi  mund të nis përpjekjen e radhës për ta ndërtuar botën e re: atë të dashurisë ndërnjerëzore! Wow!

Bio/ Albatros Rexhaj është shkrimtar shqiptar i lindur në Prizren (1975). Jeton në Prishtinë dhe aktualisht është shkrimtar pranë shtëpisë botuese DUDAJ në Tiranë. Është autor i disa dramave teatrore, librave të botuar, tekste këngësh si dhe publikimeve elektronike. Ka botuar edhe romanin «Bombë në Beograd» (2012) dhe «Lettera a un amico italiano dal Kosovo», të botuar nga Rizzoli, Itali (Corriere dela Sera) në vitin 1999.

Related

Lùlu – demiurgu i subjektit të lirë!

Analizë romanit «Rebelimi i Lúlus» të autorit Albatros Rexhaj,...

Arshi, sllavët, Pipa dhe fashistët

Arshi Pipa konsiderohet ndër kritikët më të mëdhenj shqiptarë?...

Një ndodhi në Helveci

Për tre ditë rresht në kryeqendër të Zvicrës komedia...

Revolta e shkronjave

ESE / Mbizotëron spekulimi se intelektualët vegjetojnë. Ata bëjnë poza dandish dhe janë vetëburgosur qelive të imagjinatës së tyre që është larg realitetit dhe brengave aktuale të masave. Sa qëndron kjo akuzë?

Poetja e (r)evolucionit të trëndafilave

Poetja Blerina Rugova Gaxha suksesshëm ia del të trajtojë dhe shpërfaq letrarisht një proces deri më tani të patrajtuar askund (ose fragmentarisht e dobët), në asnjë fushë, gjini arti përbrenda kulturës që fabrikohet shqip.