Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që vetëm shkruan pa pasur një qëllim, një strategji afatgjatë se si të ndikojë në fushëveprimin ku angazhohet është vetëm statist i një mentaliteti e fryme që zhvillohet pa (vetë-) dijen e tij. Cili është projekti i Albin Kurtit intelektual? E cili ai i Kurtit politikan? Apo u soll qëllimisht si marionetë e frymës së revoltuar të masave, projektit pa autorë të masave, që ato ta vënë në krye për ta marrë pushtetin dhe hiç më shumë?  

I  – «Me fuqinë e frymës ta ndryshosh botën», është postulati i hobinoetistes Lynne McTaggart. Libri i saj «Intencionet» [2007] është i menduar si doracak me synimin për ta vetëdijesuar humanitetin rreth fuqisë dhe energjisë mentale që ai ka për ta ndryshuar botën. Nëse kolektivat, thotë ajo, ia dalin që energjinë e tyre mendore ta fokusojnë në qëllime të përbashkëta saora jeta duket tërësisht ndryshe . Dhe atë: sine adjuvante Deo

Të njëjtin mision si të zonjës McTaggart e ka edhe «Institute of Noetic Sciences»(IONS) me seli në Petaluma të Kalifornisë, i cili hulumton tash e dekada Telepatinë, Psikokinetikën, profecitë dhe efektet e meditimit me synimin për ta zhveshur strukturën e kësaj dukurie. Antipapiku Dan Brown, romanin e tij «Simboli i humbur» poashtu e ndërton pikërisht me teza si ato të McTaggart-it mbi fenomenin. Kjo vetëm sa për ta shënuar trendin e fundit të industrisë që merret me konsumerizimin e temës.  

Si fenomen trajtohet diçka deri atëherë kur ende askush nuk mundet ta determinojë burimin faktik, autorin e tij. Andaj ideja e noetistëve që përmendëm lartë nuk përbën sensacion, nuk shkundullon hartën mentale të gjuhosferave imperiale për t’u bërë edhe një herë kryetema intelektuale e njërit nga diskurset në vibrim e sipër.  

 Këto institute  e yje të industrisë në fjalë siç vërejmë nga tezat e tyre nuk mëtojnë të kërkojnë përgjigje rreth asaj se nga vijnë frymët e caktuara (-në formën e mentaliteteve, kulturave, religjioneve, filozofive), por i marrin ato si të qena, në treg dhe të gatshme për t’i instrumentalizuar për një projekt të vendosur nga dikush konkret e për interes të mainstream -eve? A nuk qenka e rëndësishme të hulumtohet edhe autori që lanson këto frymë eterit? Që të dihet se kush është ai agnostos theos-i që pneumatizon res extensa-t, duke i shndërruar në res cogitans-a të Descartes-it për ta formësuar atë «Weltgeist»-in [frymën e botës] e Hegelit? Ose për të mos ua vjedhur autorësinë paraardhëse të Hegelit: kush është vërtet ai Demiurgu që pompon Hominidët me heliumin e tij mistik për ta rezultuar atë psychḗ tou pantós-in [ψυχή τοῦ παντός = shpirti i botës] e Platonit [Dialogu Timaios] që latinët dikur e përkthyen në «anima mundi»? Parasëgjithash pse e bënë ai këtë, cili është projekti i tij me botën?

II –  Për ta ndritur këtë punë, se kush qëndron pas projektit të manipulimit të botëve me fryma të caktuara, njerëzit, vektorë të rëndësishëm të historisë kulturologjike gjatë hulumtimit të tyre kanë ngritur një megapiramidë, katet e së cilës i përbëjnë plotë religjione, teori, filozofi, doktrina e paradigma. Disa, si Platoni që e përmendëm, autorin e projektit për frymimin e gjëve të gjalla e quanin Demiurg, disa e pagëzuan si JHW apo Allah, tjerët i thanë Buddha; filozofi i shekullit 17 J.H. Alsted tha e gjithë kjo përpjekje të jetë Noetikë, atëherë si sot, parashkencë, disiplinë, e cila mund të ekzaminohet nëpërmjet instrumenteve trinitare: terminus, tema dhe aksiomë; logjiku William Hamilton i shekullit 19 akuzoi të parin të shes lakra ngase çështja sipas tij del shumë më e komplikuar se sa ta zbërthesh me treshen mitike dhe se duhet ndarë atë nga Theletik-a (paradigma e dëshirës si konkurrencë e arsyes); tjerë e lanë Pneumaliferantin pa emër duke u përqendruar vetëm tek efekti qoftë edhe me dëshirën për t’i bërë njëvend vetes (Hegeli) dhe në fund erdhi Edmund Husserl duke thënë se Noetika është Fenomenologji e Arsyes, e cila «i bën vetëdijes së arsyes një hulumtim intuitiv? Cilës vetëdije, cilës arsye? Asaj humanes apo asaj të Demiurgut që e përcjellë atë tek njerëzit? U desh Hominidi t’i bëjë gjitha këto projeksione e ekskursione kanaleve qumështore mentalitetit të tij, që më në fund ta zbulojë pasqyrën për ta gjetur veten? 

Problemi mbetet i pazgjidhshëm deri në atë ditë  gjersa këtë planet ta banojnë dy njerëzit e fundit: Pyetja se kush është projektuesi i frymës së botëve vazhdon ta ruaje diversitetin e saj – frymës. Fatmirësisht. 

III – Çka, brenda gjithë këtij debati sot me siguri mund të thuhet se vërtet ekziston është dukuria, pra fenomeni i frymës: ajo e proceseve, të cilat manifestojnë një strukturë projekti sikur ta udhëhiqte dikush. Librat si «Projekti i iluminizmit», «Projekti i individualizmit [sot Singularit] ose industrializimit», «Revolucioni i Tetorit si projekt i bolshevikëve» mbushin vitrinat e bibliotekave mondane.  Ishte vërtet Iluminizmi projekt? I kujt?

Iluminizmi zgjati ca shekuj dhe atë nga ai i 15-ti e deri në shek. 19. Shpërtheu me «Rilindjen italiane» dhe ‘mbaroi’  brenda kopertinave të polemikave të «Shkollës së Frankfurtit». Disa si iniciues të Projektit pandehin Sokratin, ca tjerë  Giovanni Boccaccio-n e kështu deri tek  filozofët si Steven Pinkerët dhe Blerim Latifët e ditëve tona.  Nga i morën këta idetë, frymën për ta iniciuar procesin, projektin? Nga Demiurgu, Zeusi? Projekt donë të thotë (sipas gjitha ISO-normave): aktivitet i paramenduar, me qëllime të definuara, kontrolluara, i cili parasheh gjatë zhvillimit të tij kohën, resurset, kushtet, buxhetin, kualitetin dhe finalen, përfundimin. Që një projekt të funksionojë i duhet menaxhmenti. Kush ishte apo ishin menaxherët e Iluminizmit; e thirri Sokrati Boccaccio-n në telefon dhe e pyeti se a bëhet shef i projektit dhe ky i tha „paj vallahi, vetë s’po mundem“ dhe i shkroi një letër Kantit dhe ky iu përgjigj „ani por pa Volterin s’po bën“ e kështu deri tek Adorno, i cili qëllimisht e sabotoi projektin që ai mos të ndez? Parodizojmë patjetër. Përkundër që s’pati menaxhim, as parti, as religjion a shkollë [në trajtën klasike të termeve], Iluminizmi megjithatë funksionoi vërtet si një projekt, si njëri nga projektet më të përkryera që njeh historia deri sot dhe gjithçka nis vërtet jo me Sokratin që vetëm pyeste dhe kur i kërkonin përgjigjen thoshte shkoni tek Pythia se ua jep ndonjë orakull dhe e merrni vesh, por ai nis vërtet me Giovanni Boccaccio-n, respektivisht me «Decameronen» e tij. Si e lind këtë vepër Boccaccio, në cilat kushte dhe ç’ndodhë në kontinentin e «gjenive» nga ai e deri tek koha e Volterit, Kantit dhe tjerëve? Pandemitë, tërmetet dhe luftërat inter-krishtere ndodhin! Gjithçka nis me të ashtuquajturën «Vdekje e zezë», e cila shpërthen në vitin 1353 dhe zgjat 60 vite. Ajo qe motori që vuri Evropën në kërkim të shpëtimit dhe që deri pas «Pandemisë së Madhe në Londër» (1665); tërmetit shokues të Lisbonës [1755]; epidemisë në Evropën Lindore të viteve 1708-1714  dhe pas valës së tretë asgjësuese në Kinë të shekullit 19 ia doli Alexandre Émile Jean Yersin në vitin 1894 ta identifikojë bakterin «Yersinia pestis». Po  i asaj bakterie, asaj monarkie virusesh, princëreshë e së cilës familje (Nidoviraleve) është edhe Corona e sotme. Sa për ironi: ajo vjen po me kurorë në atë pjesë të civilizimit, i cili beson të jetë kurora e përparimit dhe zhvillimit në historinë  [tashmë të mbyllur, të] e planetit. 

Historia e përparimit shkencor të botës lidhet ngushtë me vullnetin e tij supra-epokal për ta mundur, për t’i shpëtuar egërsisë së natyrës, viruseve dhe tërmeteve të saja. Dhe këtë luftë njeriu është i detyruar ta bëjë sine adjuvante Deo, pra pa asistencën e zotave.  Ngase nëse dëgjojmë disa nga religjionet dhe futurologun ateist Mathhias Horx [Libri: «E ardhmja pas Coronës», 2020] atëherë janë zotat  apo vetëm demonët e njerëzve, të cilët herë pas here ndëshkojnë humanitetin për sjelljet e tij të dëmshme ndaj botës dhe natyrës. Sanksione nëpërmjet të cilave ata duan ta më-emancipojnë e tej-evoluojnë qenien kokëfortë e eutanazike. Ashtu siç donin të emancipojnë jo pak sisteme deri sot që besonin se duke u vjedhur formë këtyre projekteve pa autorëve t’i bëjnë të vetët për ta ndihmuar njerëzimin që sa më shpejtë t’i ikë rrezikut. Projekte të këtij karakteri gjigant por me autorësi të identifikueshme ishin revolucionet. Si ai i tetorit. I cili si çdo projekt tjetër madhor që bëhet nga njerëzit dështon në grykësinë e tyre për pushtet mbi pikërisht ata që donte t’i shpëtojë. Prandaj nuk bie iluminizmi e u pordhi internacionalja. E para ishte vullnet i humanitetit (apo i zotave) për të shpëtuar brenda këtij evoluimi të frymës me sa më pak viktima, ndërkaq internacionalja ishte projekt njerëzish t pavarësisht viktimave donin ta realizonin utopinë e tyre për qëllime pushteti.  

IV – Ky rrëfim kaq i gjatë dhe i mërzitshëm këtë qëllim kishte, të argumentojë se Projektet pa autorë lindin nga lufta mentale, frymore e sa më shumë njerëzve për të shpëtuar nga gjendjet kur u kërcënohet jeta, mirëqenia, kultura, identiteti. Prandaj Lynne Mctaggart dhe kolegët e saj kanë të drejtë me eksperimentin e tyre, procesi është i mundshëm, por ai dështon pikërisht saherë t’i dalë përballë  ajo Theletika e William Hamilton-it: Noetistët e sotëm janë një grup njerëzish që duan ta sajojnë një «anima mundi», një Weltgeist, por sipas cilit projekt? Ta shpëtojnë Gaia-n (ekologët) nga ndotja? Punë e mirë. Por kush i prinë kësaj pune? Fund i debatit. Grupi rreth saj do ta zhvillonin eksperimentin shumë më bukur nëse ato dilnin jashtë shoqërive ku ende sundon luksomirëqenia dhe Singulari perëndimor, i cili të vetmin shok që kërkon është vakcina sa më efektive dhe asgjë më shumë.  Instituti i kozmonautëve të Kalifronisë duhej të mësonte më shumë nga «Revolucioni i Tetorit» dhe eksperimentin ta hierarkizonte ndryshe: jo duke sajuar programe meditimi për të bashkuar sa më shumë frymë rreth një kërkese të kohës, por duke lexuar frymën e shumicës së një shoqërie për ta projektuar pastaj metodën e fuzionimit të energjisë së asaj fryme drejt zhvillimit e jo mëgropimit. Natyrisht me kushtin që ai, instituti të disponojë me një menaxhment kongjenial, i cili parimisht do merrej me hutinë, frikën, nevojën për shpëtim të masës e jo me dëshirat e veta për të zgjedhur trendi-problemet e caktuara. 

Njerëzit dëshirojnë shumëçka, ndërkaq bashkohen vetëm kur duan të shpëtojnë nga diçka. Ironi është por e vërtetë: vetëm nëpërmjet dramave mobilizohen masat, kolektivat, grupet, etnitë e shoqëritë për të përbashkuar ato energjitë e frymës drejt një kauze. Ashtu siç u përpoqëm edhe shpresojmë se ia dolëm në paragrafin kur argumentojmë me pandemitë dhe tërmetet dhe projektet e rezultuara prej tyre. Kauzën pastaj, respektivisht strategjinë e shpëtimit e menaxhojnë elitat e kohës. 

Kur mungon ajo çka ndodhë?

Rasti i Kosovës si eksperimenti i radhës i kësaj eseje.

V – Albin Kurti ishte politikani i vetëm shqiptar që në mënyrë fantastike diti të lexojë [qoftë edhe në analizat e autorëve tjerë] dhe instrumentalizojë hutinë mentale të shoqërisë së vetë, frymën e saj, në fazat e krizës. Tjerët as që donin e kuptonin se për çka bëhej fjalë. Ai duke shfrytëzuar këtë frymë në formësim e sipër [pa autorë dhe që gatuhej sidomos nga kriza e mungesës së narrativeve kuptim-gjeneruese ] bëri një projekt të tij politik. Asgjë imorale. Përkundrazi gjeniale. Ashtu dukej sidomos për ata që besonin [që edhe sot besojnë] se ai ka fuqinë intelektuale të iniciatorit për ta përbashkuar energjinë e asaj fryme që për çdo ditë shndërrohej në shumicë brenda institucioneve të shtetit të tij me qëllimin që të thith revoltën e riprodhuar atë si energji të re zhvillimi. 

Të dish të lexosh mirëpo nuk donë të thotë që dinë edhe të prodhosh projekte të kanalizimit të atij vullneti drejt realizimit të po atyre dëshirave të masave. Po cila ishte fryma, problemet, që i shkaktonin hutinë asaj e që Kurti diti ta lexojë mirë? 

Masat e Kurtit «i hodhën në liri» dhe askush nuk u tregonte se si duhet të sillen me të. Narrativet e vetme që u ofroheshin ishin ato që i listuam lartë,  të tipit: «na ka nëmur Zoti, Jahve, Allahu, Buddha me këto hajdutë e me të huaj dhe veç ai na shpëton». Si rëndom këto rrëfime mallkojnë këtë botë për sa më shumë pushtet mbi njerëzit. Ndërtimi i vendit totalisht të djegur rrëfehej si tendencë për vjedhje të asaj toke nga demonët e jashtëm; shteti prefigurohej si armik i identitetit të tyre e jo si edhe një mjet plus për forcim të atij identiteti. Disa i urdhëronin; bëhuni kështu, disa jo bëhuni ashtu e askush nuk u thoshte se shteti është projekt që parakushtëzon frymën e një mase që është në gjendje edhe të vuaj për ta ndërtuar atë. As elita nuk pati që t’i bindnin masat se shteti është projekt që i përngjanë fëmijës dhe që nuk ndërtohet pa qëllimin suprem (për ndërtimin e tij) dhe duke pritur pompimin nga zotat e  Olimpit apo ringjalljen e Manuve pellazgë dhe ndoshta vullnetin e komandantëve të ndonjë “Weltgeist”-tit që të merren pak edhe me projektin lokal të tyre. 

Se këtë nuk ua thoshte masave as Kurti u morr vesh, ngase donte pushtetin; ai thoshte se ata tjerët nuk e kanë kuptuar se projektet shqiptare [trajta lokale e projekteve si Iluminizmi apo Revolucionet] si ai «Kosovës Republikë»,  «UÇK-së», nuk janë projekti i vërtet i «anima albanicas» historike por ai «Bashkimit kombëtar» [i cili de fakto asnjëherë nuk mund të analizohet si projekt i përmasave të një fryme me apo pa autorë]. Dakord tash ja pushteti. Çka tash? Qeveria e tij del aq e paaftë saqë as një projekt për përdorimin e vaksinave të dhuruara nuk është në gjendje ta bëjë, para se t’i skadojnë. Në kulmin e Pandemisë. 

Nuk deshi apo nuk ka fuqi se nuk gjen menaxherë të mjaftueshëm të për t’i bërë ballë projektit që ia besuan masat në duar – atë të kanalizimit të frymës, mentalitetit të tyre në favor të ardhmes më të mirë të atij vendi; në favor të mbrojtjes së qytetarëve të atij vendi nga pandemitë; nuk e dimë ende saktësisht. Askund asnjë gjurmë as në diskurse, as në persona, as në institucione e as tek ai vetë që do të demantonte akuzën ta ketë pasur vetëm për pushtet e asgjë tjetër. Fatkeqësisht. 

VI – Mentaliteti në apori. Fryma në krizë. Masat nën frikë. Shteti harron t’i përdor vaksinat. Pandemia bën kërdinë – edhe më shumë se që ishte e nevojshme. Gjitha këto tregojnë se Kurti dhe qeveria s’dinë të bëjnë projekte (me autorë), s’dinë të menaxhojnë projekte (pa autorë dhe si vullnet masash). Tash pra çka, si më tutje? Duhet të dal po e njëjta masë shesheve dhe të veprojë sipas udhëzimeve të Lynne McTaggart e noetistëve tjerë  duke medituar, lutur, – para se të fshijë pandemia – që ndonjë nga ata zotat e shumtë t’ua falë liderin e radhës, një që jo vetëm ta lexojë frikën dhe hutinë e tyre por që di edhe të realizojë shpëtimin e tyre nga kriza aktuale, nga pandemia e radhës?

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

Testamenti i Milladinit

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis...

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...