Poetja e (r)evolucionit të trëndafilave

Blerina Rogova-Gaxha: «Kate», poezi, PA Prishtinë, 2013.

RECENSION /«Guns N’ Roses» – Tungjatjeta postmodernë! Futemi labirinteve të «Kate»-s me shpresën se e Bukura nuk do të na shpor që në prag: I ati nuk ligjëron mbi të bëmat e racës dhe fisit por me pathos hyjnizon Syd Barrett-in e Pink Floyd-it. Jashtë luftë. Diku në juglindje [Faqe 29] prostitutat luftarake urinojnë mbi portretin e diktatorit. Nëpër lloç, angullueshëm, para tempullit të beatles-ave, një grup të rinjsh bën meshë. Ata luten për revolucionin e madh [55]. Me uniforma xhinsi, xhepazbrazur, me «eshtnat» e tyre në trastë dhe nën kërcënimin e Zotit sykeq [19] braktisin qytetin e kuq [22]. Shtegtueshëm e këmbëzbathur, me peshën e natës së historisë në kurriz e qafë kalojnë qyteteve të ngrira [15] për të aguar në kryeqytet [55]. Aty, në Polis dikush këmbëpërpjetë e trupderdhur onaninë në shtrat të huaj; dikush ka zhytur kokën thellë duke ia kërkuar fundin mykut të vetë e s’e gjen dot; tjetri i pastrehë, hundë e buzë akull mallkon copë pas episode e deri në të parin gjen jetën dhe fatin; i treti frekuenton shtëpive të huaja se të tijën më nuk e duron; i katërti është çarë në dysh dhe vajton i dehur të dashurën që e hoqiqafe për një tjetër; dikujt për inat insektet helmuese ia sjellin kujtesën komuniste [Dikur,11]; përmbi këta si çati rri një individ-pushtet-qeveri. Me një legjion heronjsh asocialë politoprimati torturon Zotin, varret, statujat dhe po si Kaligula e Camus-it me duar donë të kap diellin, të rrëzojë avionët e të mbys në substancë çdo embrion që mëton të prarojë diçka me liri [12]. Në sheshin e këtij pseudourbaniteti poetja ndesh më të zhveshur se cullak femrën N, atë N-i mashkull ia ka plaçkitur dhunshëm edhe «atë pjesën e vogël» për ta lënë varr, gropë [22], humnerë ku edhe «eshtnat e valixhes» nga revolta do shndërroheshin hi. N-i «poshtër dhe fatal», ai kacabu edhe më imët e «më pak se ç ‘mund ta perceptonin shqisat njerëzore» [26] me virgjërinë vrau mbarë vegjëlinë. I ziu – patriarku egërsirë – që të bukurën N për «kurvë» e akuzonte, ia fuste ku ta zinte dhe që për fund iku e shpëtoi para se zonja përtokë, ta kapte, ta vriste [22].

INTERPRETIMI
Pasi ta kemi dalë na labirintet, pas ekskursionit vargjeve, strofave, poezive na del qartë pse perceptuam anakroni e jo kronologji. Edhe nëpërmjet strukturës dhe hierarkisë së shenjave, temave dhe sekuencave poetja na imponon hartën radioskopike të hapësirës së fragmentuar kulturore shqiptare. Asaj metasfere, dinamika e vetme e së cilës është ngarendja pas gjymtyrëve të humbura skutave atopike. Përtej fragmenteve që ndërekskluduese Blerina Rogova – Gaxha na e sjell dëshminë për prezencën e hershme (paralel me zhvillimet globale) të pasmodernës (këtu e përdorim termin sipas konceptit të dijes së Jean-François Lyotard) në familjet kosovare. Është i ati i saj që e edukon me Pink Floyd-in, me hard-rockun e «Guns N’ Roses» dhe para-alarmon N-in (Blerinën) për «apetitin destruktiv» që ka ajo bota përtej kalldrëmeve të rrugicave gjakovare. Mu në pikënisjen e «beatles revolucionit» plas edhe metamorfoza e humanes në autobombë. Komunizmin e zëvendëson etnonacionalizmi me heronjtë, piratët, paramilitarët, armiqtë dhe prostitutat sidomos politike. Pas mbarimit të kësaj drame «revolucionarët» e pasmodernës, në vend të lirisë përballen me orgjitë posttraumatike, ato dasma makaber që subvencionohen nga shteti e ekzekutohen nga «yjet», danditë dhe skllevërit si kufoma mobile që me pompozitet defilojnë gjithandej, pandalshëm!

«KATE» NË KONTEKST
Poetja Blerina Rugova Gaxha suksesshëm ia del të trajtojë dhe shpërfaq letrarisht një proces deri më tani të patrajtuar askund (ose fragmentarisht e dobët), në asnjë fushë, gjini arti përbrenda kulturës që fabrikohet shqip.
Ashtu si Ismail Kadare që na rifarkon kujtesës ato pengesa nëpër histori (pushtimi osman, gjakmarrja, komunizmi) që nuk lanë shqiptarin t’i zë epokat me kohë (historia si brumi dhe tema e romanit); po si Anton Pashku, Teki Dervishi, Ridvan Dibra e ca tjerë që na ushqyen e inspirojnë se si duhet frymuar shqip por në pasmodernë; po në atë frymë siç bëri së fundi Albatros Rexhaj që na solli edhe formulën konkrete me çka përfundimisht mund të bëhemi kompatibël me këtë dhe me çdo epokë që vjen, po në të njëjtën vijë  «tradite letrare»  rreshtohet edhe Blerina Rogova Gaxha me «Kate» por me një funksion ndryshe: ajo nuk merret me atë se si kanë qenë ose çka duhet të ishin shoqëritë dhe kultura shqiptare, por më shumë ua bën atyre portretin real aktual. Thershëm, kristaltë, bukur dhe plot dramë Blerina R. Gaxha na shëtit përballjeve, konflikteve dhe sfidave të qenies së penguar për në pasmodernë. Ajo na portreton të gjallë shqiptarin e shekullit 21, i cili është i detyruar ta mohojë (i)realitetin për të mbijetuar. Në çdo varg të «Kate» shohim se në ç’ gjendje të mjerë e të pafuqi mezigjallëron plisi hibrid a polindividual në këtë «high speed» epokë që vetëm hapa dijeje, dinjiteti e kapitali privilegjon.
Domosdo poetja plotë empati se s’ka se si të sillet ndryshe se të shndërrohet në Revoltë vetë: për dështimin e «revolucioneve» idealiste, ajo mallkon zëshëm e kërcënueshëm ata që vrasin për çdo mëngjes zoti këngën që në mitër, para se ajo të pushtojë lirë e si duhet frymën shqiptare.

Që me librin e saj të parë «Gorgonë» (2009) Blerina Rogova Gaxha u rreshtua në vijën e parë të poetëve të suksesshëm shqiptarë. Për  «Gorgonë-n» mori çmimin e Mitingut të Poezisë si për librin e vitit. Lexime në qendra dhe panaire të ndryshme sidomos perëndimit të Evropës. Poezitë i ka të përkthyera në gjuhë të ndryshme dhe fituese e bursës për shkrimtarë në Split të Kroacisë për vitin 2013. Është redaktore e kulturës së gazetës «Zëri».

DIMENSIONI ESTETIK
Poezia e Blerina Rugova Gaxha-s edhe pse vargëgjatë nuk humb ritmin, melodinë dhe të qenurit lokomotivë ndjenjash: lehtë, fluturueshëm duke parafytyruar notat nën apo mbi pentagram ajo udhëheqë lexuesin sferave të realitetit shqiptar. Vargu, qoftë në imperativ, si mesazh, përshkrim, konstatim apo apel sovranitetshëm ruan brenda vetes majën lirike. Madje edhe atëherë kur ai, vargu funksionon njëkohësisht si sintezë e një fenomeni  të thellë social, antropologjik apo kulturor.
«Le të shkrryhen aty e të qihen papushim /sepse s’më duhen për të m’i zgjedhë problemet e mia / As të më analizojnë gjendjen sociale / Sigurohu vetëm të ma gjesh një dëgjues të denj që ta terrorizoj me rrëfimin tim» ky fragment i shkëputur nga poezia «Lule për ndershmërinë» [Fq. 84] drejtuar qeverisë është (në cilësinë përfaqësimit të substancës tematike) kompasi i domosdoshëm orientimi brenda botës së poetes, iu vlen shumë e mirë sidomos atyre që për një apo tjetër arsye bëhen gati të ecin damarëve të realitetit kulturor, social, politik të shoqërive shqiptare.
Po të ishte gjallë filozofi britanik dhe babai i fenomenologjisë estetike Joseph Addison dhe të lexonte përmbledhjen poetike «Kate», definicionit të tij mbi «primary pleasures of the Imagination» që përbëhet nga triniteti kategorizues «great, uncommon and beautiful» do t’ia shtonte edhe një kriter me emrin Blerina Rogova – Gaxha. Pa dyshimin më të vogël.

Related

Lùlu – demiurgu i subjektit të lirë!

Analizë romanit «Rebelimi i Lúlus» të autorit Albatros Rexhaj,...

Arshi, sllavët, Pipa dhe fashistët

Arshi Pipa konsiderohet ndër kritikët më të mëdhenj shqiptarë?...

Një ndodhi në Helveci

Për tre ditë rresht në kryeqendër të Zvicrës komedia...

Revolta e shkronjave

ESE / Mbizotëron spekulimi se intelektualët vegjetojnë. Ata bëjnë poza dandish dhe janë vetëburgosur qelive të imagjinatës së tyre që është larg realitetit dhe brengave aktuale të masave. Sa qëndron kjo akuzë?

Albatros Rexhaj – kryedashnori i letërsisë shqipe

Albatros Rexhaj, «Ditar dashurie i një shkrimtari», Botimet Dudaj,...