“Le style c’est l’homme méme”

Mustafë XHEMAILI: “Sëmundjet e botës”, botoi SHB “Dukagjini”e Pejës, 2001

Një Zog i zi, mbi gjethet e kalbura të vjeshtës, paralajmëron vdekjen bukur të dimrit shpirtëror. Hyjt shqiptarë përpiqen të kthejnë rrotën e fatit në favor të shërrimit të trupit duke djegur sëmundjet e mbarrë botës. Atyre u bashkangjitet gjuetari i përrallave vrasëse që përskuqin ajrin ballkanik me gjakun e urrjetjes. Pas çdo beteje një ditë e zbrazët, një ditë ku asgjëja detyrueshëm i nënshtrohet diktatit të mendimeve të vetmuara të poetit, që ai të mund t’i shkruajë atdheut letrat e premtuara: poezitë! Pastaj udhë. Udhë anash varreve, përmes ajrit e dritës dhe përmbi mjegullat e acarruara të qiellit pa ngjyrë. Eskurzion nëpër ëndrrat e gjalla të kohës. Vizitë legjendave që janë duke dhënë shpirt para se t’i pëlcasë kupa ndërgjegjes humane nga vetmashtrimi. Brenda grilave prej akulli të trurit e shpirtit njerëzor vërdallet një pëllumb i bardhë që do të shpërthejë e ikë jashtë, një pëllumb që përngjason me shpirtin e revoltuar të një poeti që do t’i thejë kufinjtë e injorancës së mondanitetit për t’iu nënshtruar lirisë absolute. Drama ka aq akte sa ka shkronja çdo varg i poetit që se durron mashtrimin origjinal të magjisë së vdekjes. Po si Ikarusi poeti gjen krahët që e shndrrojnë në zog; kapërcen pragun, grilat e ngritura nga shpifjet e sëmura dhe fluturon nëpër humnerë, nëpër shkallë, nëpër përrallë e drejt për në lirinë përtej mjegullave, përtej kohës për në Pikën e Nisjes për të marrë frymë me fjalë.
Tragjedia bëhet edhe më e ashpër, veçse vdekja e humb kuptimin përballë shpejtësisë së Pëllumbit që fluturon drejt pikës së nisjes.

Ardhja
Duke filluar nga fillimi i viteve të gjashtëdhjeta dhe deri kah fundi i viteve të tetëdhjeta, në Kosovë është bërë një letërsi (duke theksuar: me përjashtime) që si në substancë e ashtu në formë ka përflakur çdo diktim jashtëletrar e ideologjik. Krijuesit letrarë të këtyre viteve, letërsisë shqipe i dhanë një identitet të pavarur, ia kthyen asaj autenticitetin e vetë dhe e radhiten dinjitetshëm atë në botën e letërsive dhe arteve të lira. Një periudhë që luajti një rol mjaft të rëndësishëm në farkëtimin e identitetit të natyrshëm kombëtar të shqiptarëve si dhe në rikthimin e sundimit të shpirtit të lirë mbi jetën intelektuale të Kosovës.
Dihet se njëra nga “mediumet” qendrore për transmetimin e kësaj lirie të domosdoshme shpirtërore në masë ishte Poezia. Ishin poetët, të cilët rebelshëm i kishin vënë detyrë vetes për të thyer murret që mbanin të izoluar e burgosur shpirtin shqiptar në kështjellën e një ideologjie të padurrueshme.
Në grupin e krijuesve të kësaj periudhe bën pjesë edhe poeti Mustafë Xhemaili, respektivisht poezia e tij.

Kritika
Që me veprën e tij të parë “Netëve të verës” (1982), Mustafë Xhemaili zgjon kurreshtjen e kritikës së letërsisë. Domethënë, kemi të bëjmë me një autor që jo vetëm se i ka takuar statistikisht grupit të lartëpërmendur, por që edhe është njohur si i tillë. Duke filluar që nga kritikët më seriozë të asaj kohe si; Ibrahim Rugova, Ali Aliu, Agim Vinca, Ramadan Musliu etj. e deri tek ata që nuk kanë ndonjë peshë (publike) për kritikën e letërsisë shqipe, poezia e këtij autori afirmohet si kualitative dhe me vlera të veçanta artistike, pra me vlera të rëndësishme për artin e të shkruarit bukur. Këta kritikë, çdonjëri duke rrahur një segment specifik të poezisë së Mustafë Xhemailit, kanë krijuar një fond themelor faktesh e zbërthimesh të nevojshme (por jo të mjaftueshme) të cilat shërbejnë si hyrje e zhytje në botën poetike të autorit.
Si në veprën e parë ashtu edhe në atë të dytën “Fusha e plagosur”, ndër definimet më të shpeshta vlerësuese në mbarë kritikën e shkruar (1982 – 1998) për poezinë e Xhemailit janë: “Poezi e imazhit konkret”, “Poezi e gjallë, e çliruar”, “drejtpërdrejtshmëria reale në funksion të drejtpërdrejtshmërisë artsitike”, “unitet i brendshëm”, “natyrshmëri e ligjërimit poetik” etj. Vlerësime e kriterie, që kanë të bëjnë me identifikimin e vlerave të një autori të saposhfaqur. Elemente, të cilat poezia e Xhemailit i plotëson në çdo plan e në mënyrë kontinuitative që nga poezia e parë e librit të parë e deri në përmbledhjen e tij më të re me titull “Sëmundjet e botës” që botoi Shtëpia Botuese “Dukagjini” e Pejës.

Kushtetuta e Parnasit
Para nisjes për në hapësirën e Përtejshme, poeti me plotë ankth shkund sëmundjet që ia janë ngjitur trupit nga bota perplekse e qenieve të “zakonshme”. Sëmundje, të cilat po të merrnin rrugë bashkë me të edhe atje, në atë zonë ku banon vetëm Uni i tij, në atë fortesë të ngritur enkas për tu mbrojtur nga ataqet e helmta të urrjetjes së botës që e rrethon, do t’ia dëmtonin pastërtinë Shpirtit të tij të Lirë. Poeti nuk do që të mbrrijë deri tek pika e nisjes së krijimit të librit të tij pa u shporrur nga sëmundjet e botës.
Kjo është kuintesenca e poezisë “Përpara pikës së nisjes” me të cilën hapet libri më i ri i Mustafë Xhemailit. Poezi që nuk mund ta anashkalosh për shkak të peshës së problemit që shpalon si temë. Një temë dhe njëkohësisht anathemë, së cilës teoria e letërsisë përpiqet t’i japë përgjigje duke u sjellur hutueshëm përreth kërkimit të formulave me të cilat do që të sqarojë raportin në mes poetit dhe kohës, lirikës dhe këngëve vajtuese mbi realitetin, në mes artit dhe kiçit dhe sidomos për të përshkruar gjendjen shpirtërore të poetit, metodën e tij, gjatë fazës së kalimit nga një botë në tjetrën, nga realiteti në fiksion pa u shkëputur as nga njëra e as nga tjetra.
Përkundër kokëfortësisë së kritikës për mos pranuar se jo kritika mbi poezinë, por në fund të fundit është ajo vetë që bën ligjin në atë hapësirë të Përtejshme ku banon Mustafë Xhemaili dhe ata të konsojit të tij, “Përpara pikës së nisjes” demostron dëshminë absolute në disfavor të kritikës. Poezia në fjalë përveç se tradhëton krijuesin e saj, duke ia bërë publik çelësin me të cilin ai hap portën e fortesës së tij, unit të tij, ajo merr rolin e një mësuesje duke ligjeruar prerazi parakushtin themelor, që një qenie duhet ta plotësojë për tu bërë pronar i një “fortese vetjake” në mbretërinë e arteve.
Gjithë kjo, sipas Xhemailit, ka të bëjë me qëndrimin shpirtëror të atij që pretendon të hyjë në art. Nëse ai nuk ndahet dot nga thasët e mbushur përplotë vese e “sëmundje të botës” që heq zvarrë pas vetes, nëse ai nuk shpor dot zinxhirët që ia mbajnë këmbët lidhur e s’ec dot lirshëm, nëse ai nuk është në gjendje “të vdes pa i rënë sëmundjet” nuk mund të ngjallet në botën e artit. Ky është një aludim konkret në shpirtin e papranguar nga ideologjitë, nga të qenurit shërbetor i një “morali” të kufizuar, shërbetor i urrejtjes apo i një botë… pra një bote të sëmurë. E, fatmirësisht, kategoria e artit të sëmurë nuk ekziston!
Në mënyrë shumë të mençur Mustafë Xhemaili, me këtë poezi, shkruan nenin, kushtin e parë të Kushtetutës që duhet të plotësojnë gjithë ata pretendentë të artit para se të pranohen si qytetarë të Parnasit poetik.
Duke shfrytëzuar këtë poezi – forca tematike e së cilës dhunshëm të detyron e imponon, madje edhe strukturën e shkrimit kritik që patjetër të nisesh nga thotë ajo, edhepse skica se si duhet të ishte shkrimi im është krejt ndryshe – si prirëse gjatë eskurzionit në botën e preokupimeve, filozofisë dhe natyrës së artit të Mustafë Xhemailit.

Një strukturë që prish sisteme
Poeti, (dhe njeriu i paftuar) Atdheu, Pikëllimi, Vdekja, Kohët, janë shtyllat kryesore figurative në “Sëmundjet e botës”. Madje mund të themi se janë kryetemat kryesore ( natyrisht me atë numrin e papërcaktueshëm të temave që mund të thithen nga çdo varg) që përbëjnë ligjërimin poetik në veprën më të re të Xhemailit. Mënyra e ballafaqimit me to, po i shikuam me një sy pak më naiv, të sinqertë do t’i shpallim si një veprim tautologjik të një intelektuali që di të manovrojë me fjalën. Këtu qëndron edhe mjeshtria e autorit, mjeshtri e cila me të drejtë është vënë në dukje nga shumica e kritikëve që kanë shkruar për të më parë. Edhe çështje të koklavitura filozofike si vdekja, koha e pikëllimi ai di t’i ligjerojë me një gjuhë aq të thjeshtë e të bukur saqë lexuesit të çdo shtrese i duket një punë aq e njohur, madje sikur ta kishte të njohur që nga mosha e njomë e tij. Është një irritim optik (në kontekstin e pranimit dhe kuptimit të sendeve dhe fenomeneve) e ndiesor që poezia me perfiditet e përdor për të depërtuar në shpirtin e atij që gjendet përballë saj. Për të mbrritur në këtë nivel, natyrisht se përveç dhuntisë, intuitës, dhe shumçka tjetër që e karkaterizojnë një poet, duhet edhe një kapital i veçantë intelektual, një njohje të gjuhës përtej asaj që grafikisht është e dukshme dhe asaj që na është ngjitur natyrshëm për gjuhe. Për të mbrritur deri tek konstatimet formëvargu si: “Akti moral dhe akti mortal kanë ngjashmëri të madhe” ose edhe më qartë:

Zënie Kohe

Unë nuk lëviz aspak
Ti nuk lëviz fare
Ai fle ditenatë

Të gjithë ngarrendim për së vdekuri
Ta zëmë kohën
(F9. 90)

së pari është dashur një diskutim insistues, gërryes, është e nevojshme një shëtitje mbi prushin e realitetit të kohës, përballë dhelpërive dhe egërsisë të së cilës vdekja del si stacioni më fisnik i mbarë rolit teatral që ka qenia në univers. Me poezinë e lartëcituar dhe të tjera si: “Baiser du serpent” (60), “Kufomë” (64), “Majëpikëllimi” (39) e shumë të tjera dëshmon edhe për një aftësi tjetër të veçantë, të cilën rrallë e hasim tek ndonjë autor tjetër dhe që ka një funksion tjetër se ç’jemi mësuar ta identifikojmë ne me metodat tona studiuese: Në poezinë e Xhemailit ideja del si sintezë e përmbajtjes intelektuale e jo si nxitje (shpërthim i pakontrolluar emocional që jo gjithmonë sjell diçka të përdorshme) për krijimin e përmbajtjes intelektuale! Pra një sistem që prish atë “natyrshmërinë” e kalkulacioneve tona piramidale që kemi mbi bazën dhe majën e mendimeve dhe botëkuptimeve – se ideja është pikënisja e gjithçkaje – në aspektin e frymës intelektuale.
Madje edhe më kokëçarëse është mendimi i tij “judaik” në rreth, siç është rasti me poezitë të llojit të “Pika e nisjes” (95):


Pika e nisjes mbarimi
Mbarimi pikënisje
Brenda fjalëve pikënisje e re
Përsëri pika e nisjes fjala

Pra kemi të bëjmë me një poezi, me një botë ku kritika gjendet në stadin e “para pikës së nisjes” sa i përket ndërmarrjes për zbërthimin edhe më të thellë të saj.

Muzika e një shpirti të lirë
Fshehtësia tjetër – përveç përjashtimit absolut të terminologjisë shkencore nga ligjërimi poetik- që e bën të lehtë, depërtuese dhe të këndshme poezinë e Mustafë Xhemailit është loja e zanoreve brenda tekstit. Është ky një aksion i qëllimshëm i autorit për t’i ikur rrëshqitjes në një gjuhë të ngurtë, të rënde e pa melodi apo ashtu është shpirti i tij? Versioni i parë nuk qëndron për shkak se siç thotë Ernst Jünger në artikullin e tij “Lavdrimet e zanoreve” (Hamburg, 1934); “asnjë tekst i bërë enkas për të vënë në pah me çdo kusht diktatin e zanoreve në tekst nuk del i arrirë, i tillë del vetëm nëse është spontan, del nga shpirti…”. Domethënë, muzika në lirikën e Xhemailit, burrimin e ka në shpirtin e tij. Pse themi kështu? Ja një shembull tipik krahasues ndërmjet një strofe latine, një të Verlaines dhe poezisë së Mustafë Xhemailit “Mallkim”(86):

Nulla unda
Tam profunda
Quam vis amoris
Furibunda

Et jem’en vais
Au vent mauvais,
Qui m’emporte
Deçà, delà,
Pareil à la
Feuille morte

I pari
T’u shoftë zjarri në gji
Të rëntë shkrumbi përmbi!
i pari i dyti dhe i fundit
Të gjitha sëmundjet e kësaj bote
U djegshin në zjarrin e kësaj bote!

Nga ky krahasim shohim se nuk kemi të bëjmë me një strukturë tekstore të shpifur ku loja e zanoreve apo rimës e përcaktojnë gjallërinë e poezisë, por një shpirt i lirë që këndon për vuajtjet e tij në botën e sëmundjeve.

Njeriu – Stil!
Mustafë Xhemaili, në përmbledhjen e tij më të re “Sëmundjet e botës”, arrijnë që të gjithë gurrët që gjenden në shtratin e lumit të mendimeve dhe shpirtit të tij t’i vë në mënyrë të mrrekullueshme në funksion të kontinuitetit, të një rrjedhshmërie relaksuese që depërton në shpirtin e çdo përjetuesi të artit që ai të kuptojë me gjithë zemër preokupimin kryesor të poetit: lirimin e shpirtit nga grilat e konvencave të moraleve të rraskapitura të kohëve, historive e legjendave shpifëse që në çdo varg të poetit, edhe pse bukur, por megjithatë vdesin. Është e dukshme se edhe në këtë vepër, po si në përmbledhjet “Netëve të verës” dhe “Fusha e plagosur” Xhemaili, përdor një gjuhë – e cila për ithtarët hundëlartë të terminologjisë skolastike është e varfër – që dëshmon pjekurinë dhe aftësinë e tij për të bërë një komunikim të gjallë nëpërmjet skenave e imazheve me lexuesin e çdo shtrese. Për të mbrrirë në nivelin e Xhemailit, domethënë për të arritur që të rrëfesh apo të këndosh për drama e situata abstrakte që vërtiten në shpirtin e mendjen e botës së poetit me një gjuhë të kapshme për të gjithë, pa rënë në grackën e banalizimit të gjuhës artistike e estetike është një meritë e madhe dhe për tu pasur zili. Një nivel që kërkon shumë punë ose gjenialitet.
Mustafë Xhemaili dallon edhe për diçka tjetër nga bashkëkohasit e tij që kanë marrë një huj shumë të keq dhe tepër të përhapur: e shkruajnë poezinë duke e koncentruar vetëm në integritetin e vargut dhe domethënien e tij pa çarrë kokën se a i shkon ai tërrësisë së poezisë apo jo, gjë që në fund “poezia” duket si një mozaik konstatimesh proverbike mbi probleme të kohës e që nuk hyjnë asfare në stadin e temës që mëton të rrahë autori në vjershën e tij, kështu që kjo mungesë përqëndrimi e nxjerr në shesh mishërimin e mangët të synimit të tij: për të shkruar poezi!
Përmbledhja “Sëmundjet e botës”, në krahasim me dy veprat e para të autorit, është, padyshim më e suksesshmja, jo për nga stili, origjinaliteti e pasuria tematike që nuk mungojnë në dy veprat e para, por nga përkryerja e poezisë si artefakt në vete dhe mbarrë veprës si terrësi funksionale e një shpirti që nuk bën lëshime, nuk rrëshqet jashtë vetes, por i përmbahet më përkushtim diktatit të Unit pa u solidarizuar me idhujt e tij.

Përveç vallëzimit harmonik të vokaleve dhe vlerave që folëm më lartë (e që duhet të gjurmohen ende) poezinë e Mustafë Xhemailit, të suksesshme e bën edhe qëndrimi besnik i një stili, pa u endur e kërkuar shpëtimin tek ata që ka lexuar, tek idolët e tij apo diku tjetër. Konstatimi i Benedetto Croce- s “Le style c’est l’homme méme” (stili është njeriu vetë) duke lexuar Mustafë Xhemailin poezi pas poezie apo libër pas libri del më se i saktë dhe pozitiv. Stil që nuk përbëhet vetëm nga spektri intelektual i kuptimit dhe intepretimit të jetës poetikisht, por edhe nga gjuha e tij e pakodifikuar (drejtpërdrejtshmëria), struktura e të menduarit të veçantë, kapitali intelektual – duke mos rënë në grackën e mendjemadhësisë gjatë ligjerimit, lirizmi i gjallë dhe skenik (imazhi konkret) etj. etj.

Libri “Sëmundjet e botës” është edhe një dëshmi plus që arsyeton preokupimin serioz të kritikës mbi poezinë e Mustafë Xhemailit që paraqet kërkesa të reja për një zbërthim të mëtutjeshëm.

Related

Lùlu – demiurgu i subjektit të lirë!

Analizë romanit «Rebelimi i Lúlus» të autorit Albatros Rexhaj,...

Arshi, sllavët, Pipa dhe fashistët

Arshi Pipa konsiderohet ndër kritikët më të mëdhenj shqiptarë?...

Një ndodhi në Helveci

Për tre ditë rresht në kryeqendër të Zvicrës komedia...

Revolta e shkronjave

ESE / Mbizotëron spekulimi se intelektualët vegjetojnë. Ata bëjnë poza dandish dhe janë vetëburgosur qelive të imagjinatës së tyre që është larg realitetit dhe brengave aktuale të masave. Sa qëndron kjo akuzë?

Poetja e (r)evolucionit të trëndafilave

Poetja Blerina Rugova Gaxha suksesshëm ia del të trajtojë dhe shpërfaq letrarisht një proces deri më tani të patrajtuar askund (ose fragmentarisht e dobët), në asnjë fushë, gjini arti përbrenda kulturës që fabrikohet shqip.