Analizë romanit «Rebelimi i Lúlus» të autorit Albatros Rexhaj, botoi «Pegi», Tiranë, 2015.
«Vetëm një roman», me këtë dilemë e hap politologu Claus Leggewie esenë[1] e tij për romanin «Nënshtrimi»[2], të shkrimtarit Michel Houellebecq. E njejta pyetje të shfaqet sapo të mbyllësh fletën e fundit të romanit «Rebelimi i Lúlus» të Albatros Rexhajt. Të dyja veprat, ajo e autorit francez dhe kjo e këtij shqiptar janë më shumë se një roman, ngase njëkohësisht janë edhe traktate për probleme madhore të kohës, të atilla me të cilat aktualisht merren edhe një mori shkencash.
Si rëndom tek veprat e kësaj kategorie, ende pa i hapur ato, mjafton vetëm një kod brenda titullit që të përhumbesh galerive të nëndheshme të intertekstualitetit, atyre «transformacioneve dhe permutacioneve»[3] të Julia Kristeva-s.
I. HISTORIA E LULUSË
Lúlu nga vjen, kush je ti?
Çka simbolizon theksi mbi u-në e parë?
Çdo kompetenti të arteve, sa ta dëgjojë apo kapë me sy kodin «Lulu», detyrueshëm i përplasen si referenca të domosdoshme dramat «Frymëtoke» dhe «Kutia e Pandorës» (1913) të Frank Wedekind-ut, nga të cilat postmortem kompozitori Alban Berg ia realizoi një opera (1937) dhe nga viti 1917 e deri në vitin 2015[4] u bë materiali për realizimin e 7 filmave, qindra pjesëve teatrale dhe një romani «Lulu – historia e një gruaje» (1998) të autores spanjolle Almudena Grandes.
Gjithandej, që nga lindja, vdekja dhe rishfaqja si inkarnate tek Grandes Lulu është simboli simbiotik jo vetëm i një «femme fragile» apo «femme fatale» por i qenies së përdhunuar në tërësi nga shoqëria, koha, fati: Si portagoniste e Wedekind ajo është një grua që lufton për status të denjë social, mirëpo i ndodh të humneroset sapo ia ekzekutojnë dashurinë e parë. Luluja e Wedekind përfundon si prostitutë mjekësh, piktorësh, porfesorësh, afrikanësh dhe për fund vritet nga njëri prej «dashnorëve» të saj. Grandes e ringjall atë duke ia shtuar një theks[5] në u-në e fundit. E perverton sadomazo-orgjive me transvestitë edhe më tmerrshëm se ç’bën Marquis de Sade me gratë dhe bijat e atyre katër libertinëve tek «120 ditët e Sodomit».
Është kjo edhe Lùluja e Albatros Rexhajt? Jo dhe po. Me një dallim esencial, që nuk ka të bëjë vetëm me zhvendosjen e theksit në u-në e parë, por më shumë, ai ndërmerr çlirimin jo vetëm të saj, por të individit në përgjithësi. Qysh në paratekst, në dedikim ai paralajmëron premisën mbi të cilën do ngrihet e gjithë gramatika e rrëfimit të tij: Ai kërkon individin e përhumbur të brezit të tij [Faqe 7], i cili funksionuaka si asylum gjykimesh eksterne dhe që identitetin e vetë e ndërtuaka nëpërmjet reagimeve ndaj urdhëresave të kolektiveve, sekteve, partive e jo nga brendia e tij, nga ajo sferë e natyrshme që nuk ia njeh askush dhe që duhet ta zbulojë vetë. Aksion që Albatros Rexhaj nuk e bën as si Dickens-i, i cili nëpërmjet demaskimit të brutalitetit të të rriturve shpëton Oliver Twist-it duke e burgosur apo çliruar brenda rregullave të një familjeje monotone e as nuk e trajton atë si Emilin Rousseau, me ligjet brutale pedagogjike që rezultuan pashtegshëm me mbylljen e fëmijës internateve ose jetimoreve (siç bëri me të vetët). Krejt ndryshe dialogojnë subjekti me individin dhe anasjelltas në «Rebelimin e Lúlus», ashtu si asnjëherë më parë, në ndonjë roman tjetër brenda gjuhozonës shqipe
II. RRËFIMI
Në një kafeteri prishtinase, emnake të saj, takon Albatros Rexhaj Lùlunë e tij[6] – pa gjini, vetëm njeri! Si ta determinojë: Arketip të fisnikërisë më të lartë apo ka para vetes një trashanik, sylesh, lolo [9],? Cili nga këto dy versione do të jetë esenca e Lùlusë, ajo individualja pasi t’ia heqim përshkrimet mveshëse që ia injektojnë pamëshirshëm mentalitetet çdo qenieje deri sa e shtrijnë përdhé, deri sa ai të kapitullojë dhe të nis të vetëperceptohet si «personazh i arratisur nga një libër i papërfunduar» [10].
Ligjërimi i autorit nuk nis me shpërndarje të recetave morale, këshillave për t’ia konfirmuar e arsyetuar Lùlu-së ndjenjën pse të jetë «delja e zezë e shoqërisë»[11], se çka nuk shkon në karakterin e tij dhe pse ai ka gjasa të mos jetë «normal». Që në fillim antidemiurgu i Tjetrit, autori, shpalon brendabotën e vet se si ndihet e vepron ai vetë për t’iu bërë rezistencë komandoreparteve të ndryshme që programimin me dhunë të individit në favor të ideologjive të tyre e kanë detyrë parësore ekzistence [12-16]. Vetëm nëpërmjet rrëfimit personal Albatros Rexhaj beson t’iu ikë skemave dhe paragjykimeve ndaj Lùlu-së. Vetëm këtë metodë ai e konsideron të denjë e njerëzore për të depërtuar terra incognita-s së frymës, të së vërtetës dhe shpirtit të bashkëbiseduesit të tij, ashtu siç është brenda e jo si funksionon jashtë nën «trysninë e negativitetit të derdhur në atomet e botës reale […]» dhe «bitet» nervoze, psikotoksike «e të panumërta të botës virtuale» [13].
Eksziton ndonjë «formulë magjike» [17] për t’i ikur këtij realiteti «copy paste të tragjedive të Shekspirit» (18)? Po, thotë Albatros Rexhaj dhe i shqipton katër shkronjat në të cilat është strehuar e gjithë bota e tij e jo vetëm formula magjike: Arti! [20] Ai është i vetmi, që brenda frymës së tij ia bën pushtetit të së keqes subversionin e nevojshëm dionisik. S’ka fuqi tjetër përveç tij, artit, që mundet çdo shprehje ta shndërrojë në akt për dashuri [22].
Atdheu – i thotë autori – Lùlusë kërkon dashurinë e tij dhe ai ia jep me një kusht, me reprocitet që ai, vendi i tij, t’ia siguroj lirinë [23-27]. Atë liri që ai të mos varret e as shtypet nga «elitat» e vetëshpallura, ato fabrikat e konvencioneve gongoriste, hermetike, të cilat nga droja se dikush do t’ua heqë perden e qendisur me citate të huaja dhe terminologji për t’i kapur ashtu siç janë, sajojnë çmos për ta spostuar vëmendjen e kohës në gijotinat ku presin kokat e gjenive, një nga një [28-34].
Pasiqë shpall Artin si të vetmen monarki brenda së cilës adoleshenca kolektive detyrohet të mos e reduktojë dashurinë në akt seksual (simbolika këtu dekodon dhe implikon stadin zero të Lùlusë si individ i dalë nga dashuria dhe jo gjimnastika seksuale disasekondëshe) ecën me ligjërimin drejt lindjes dhe kapjes së «emocionit» [41-42] – vikitmën dhe urën e parë nga ku depërtojnë të gjitha doktrinat, idetë, konceptet, të «mira» e të «këqija» për të përdhunuar frymën e individit, për ta shfrytëzuar atë si «tokë pjellore» të eksperimenteve të tyre [43-50].
Me një ekspozim sipërfaqësor e filmik dhe nën tutelën e skepsit personal ia rrëfen Rexhaj Lùlusë historinë e popullit të tij që nga epoka e Zogut e deri tek aktualja, kjo siç gagariset sot nga bioapostujt e shumtë të identitetit dhe: «A e di ti se ku jemi ne? Në Lindje? Në Perëndim? Apo, në të vërtetë, jemi në një pikë të asaj dreq ure të ndërtuar mbi një lumë të frikshëm? Unë mendoj se nuk jemi në asnjërën nga këto, por jemi thjesht në vendin tonë, po aty ku kemi qenë kaherë, përpara se bota të ndahej në Lindje dhe Perëndim». [50-75].
Pse gjithë kjo apori? Ku është atëherë kuptimi i jetës sonë? [97]. Kush i mallkoi këto shoqëri të jetojnë si «dyzet hajdutët e ngujuar në shpellën e Ali Babës» [79]. Përgjigjet dy bashkëbiseduesit i lokalizojnë kërkueshëm elitave të korruptuara, mediokre, politikës, legjendave të sajuara për hipnozë, lëvizjeve sociale, religjioneve, indiferencës apatike të masave dhe, dhe [79 -101] në fund fiken që të dy nga frika: « jemi kthyer në gurina, në marioneta në duart e dikujt tjetër, si dhe në aktorë që aq shumë janë përfshirë në rolin që u është caktuar, saqë nuk mund ta bëjnë më dallimin mes vetes së tyre të vërtetë dhe personazhit, rolin e të cilit luajnë?» [102].
Si të ikë Lùlu nga kjo akrasi? Autori ia nis këngës së grupit «Utopia» (1977): Dritë e botës, shkëlqe mbi mua/ dashuria është përgjigjja/ shkëlqe mbi të gjithë ne /çlirona! Dashuria është përgjigjja [110].
III. Konsistenca dhe kualiteti i rrëfimit
Brenda pesë kodeve[7] të interpretimit dhe analizës së Roland Barthes romani nuk dështon në asnjë segement, përkundrazi: veprimi aksional i figurave «konkrete» dhe atyre implicite madje që në dy kapitujt e parë shpalosin jo vetëm aitēmat, por edhe formën e gërshetimit të rrëfimit, gramatikën e veprës (Kodi proairetik). Pa e rirrëfyer fare origjinën e Lulusë ai e përball lexuesin me një enigëm të madhe se si do duket ai/ajo/asnjësi/ individi, njeriu sot; çka e dallon atë Lulu të vitit 1913 me këtë të vitit 2015 që Rexhaj e rrëmben nga antika, nga gjuhët e kulturat tjera në letërsinë shqipe. Enigmë që nis ta dekodojë, shpalosë, me kujdes dhe mjeshtëri që nga përcaktimi i kuptimit të vetë identitetit, emrit (Kodi hermenutik). Konstituimi i analogjive, paralelet, antitezat dhe dekonstruksioni e shoqërojnë që nga fillimi e deri në fund rrëfimin, janë brumi lidhës, unazat e zinxhirit rrëfyes (Kodi simbolik). Është e pamundur ta kalosh një rresht brenda rrëfimit të «Rebelimit të Lùlus» pa ta pushtuar përfytyrimin, kujtesën e imagjinatën subjektet me aktantët e tyre, arenat dhe shpellat ku festojnë hajdutët e Ali babës, figurat dhe ndodhitë me «elitat» e tyre barkplote e truzbrazët të realitetit. Lexuesi gjatë gjithë leximit gjendet në një autorefleksion permanent (Kodi semik). Pikërisht tek kapitali i »dijes« së mykur kolektive, asaj që arsyetohet me «perla» të peshkuara puseve të «kujtesës kolektive» gjendet – sipas autorit – shkaku kyç i krizës identitare, induividuale që e pamundëson subjektin, lirinë, autonominë e njeriut të tij. Qenkan pikërisht këto falsifikate anakronike, të konstruktuara nga pseudoelitat si histori, politikë, kulturë, besime, këto zhvillime që bllokojnë shoqëritë e kulturosferës ku gjendet ai me Lulunë drejt lirisë pozitive (Kodi referencial ose gnomik).
IV.PAUZË MUZASH?
Ashtu si Houellebecq, Kundera e plotë të tjerë edhe Albatros Rexhaj nuk arrin t’i bashkëshkrijë plotësisht e gjithandej rrëfimit informatën semantike me kërkesat estetike[8] të artit të prozës. Në fragmente të caktuara teksti del i zhveshur dhe duket si referat shkencor mbi botën, kozmosin, socialitetin, artin dhe dashurinë. Ndërkaq thyerjen, mbylljen e rrëfimit aq lehtësisht me një strofë kënge, duke e lënë të pametarializuar se për ç’dashuri konkrete e ka fjalën, si duket ajo – siç bën me temat tjera – recipienti e fakturon dorëzim, humbje energjie të autorit për t’i dalë në fund ndoshta temës më të madhe. Edhe vetë Lùlu-ja në fund rebelohet dhe e pyet autorin; me çka të rebelohem? Të dalë vërdallë trotuareve, kafeneve, shkollave e stacioneve të autobusëve dhe ta puth kë ta gjej?
E ndërpret Albatros Rexhaj këtu rrëfimin se nuk mundet mëtej? Jo, ngase është i sprovuar me temën në veprat paraprake. Diçka tjetër është më e mundshme: thellimi në një temë të relacionit identitet-individualitet-subjekt në korelacion me artet, dashurinë, lirinë, shoqërinë dhe konceptet e shumta mbi to ia privon edhe autorit më të ushtruar privilegjet për të qenë aty vetëm për e me muzat. Një zhytje e këtillë e prirë nga premisat e Wilhelm Dilthey-t që thotë «të kuptuarit është rigjetja e vetes tek tjetri» dhe «natyrën e shpjegojmë e frymën, botën shpirtërore e kuptojmë»[9] nuk lejon që tjetrin ta përshkruash vetëm si do ti e gjithandej me simbolikë e metafora, ta bombardosh atë me kërkesa (edhe autori do të shpallej soldat i atyre «elitave» që kritikon) por më shumë ashtu siç është dhe si e lexon botën e tij ai. Çështja për shpjegim këtu pra është më shumë se sa shkalla estetike e autorit ajo pyetja: sa art duron individi që nuk është subjekt, por më shumë objekt, aktant i detyrimeve, konvencave, ritualeve të imponuara, atij që si asket «funksionon» brenda atij «solidaritetit mekanik» siç e përcaktoi fillimisht dikur Durkheim? Rikujtojmë: «Rebelimi i Lùlusë» nuk është vetëm një roman! Lùlu është personazhi i arratisur nga libri i papërfunduar [10], pra një libri si copëz e një projekti në zhvillim dhe që si të tillë autori tashmë në disa intervista edhe e ka paralajmëruar!
V. LULU NË POSTMODERNITET
Nga tërësia e rrëfimit kuptojmë qartë se përse Rexhaj në këtë roman çliron Lùlunë nga pjesët historike të habitusit të saj. Në këtë dramë të rradhës ajo nuk është më demonia e pushtuar nga seksi apo ndonjë nimfë tjetër maniake që me bukurinë e saj i vret të tjerët dhe në fund veten. Ai e çliron femrën edhe në letërsi nga kjo hipotekë për ta përjetuar parimisht si qenie të barabartë! Në këtë aspekt «Rebelimi i Lùlus» mund të lexohet edhe si pjesë e një trilogjie për rehabilitimin e femrës e që nis me «Ditarin e një shkrimtari» dhe «Zonjën Z» nëpërmjet të cilave aq suksesshëm dhe me elegancë çarmtatos optikën e vagjinizuar të puritanëve që me aq egërsi nëpërmjet tabuzimit duan të mbajnë në kafazin e nënshtrimit në emër të «imoralitetit të natyrshëm« të saj – si shkaktare dhe profete të amshueshme të perversitetit!
Autori Lùlunë e takon si një qenie të shkoqur e të bërë copë fare, një të gëzuar se dikush ia ka dhuruar lirinë por që s’di çka të bëjë me të. Ai përballet me një qenie të atillë siç e ndeshi edhe Lacan duke përforcuar argumentimin e Althusser-it kur shkroi për njeriun e postmodernës se: « […] nuk është zot i shtëpisë së tij»[10], por i tëhuajsuar deri në brinj! Autori ulet përballë një Lùluje të shpërqëndruar, të skllavëruar, të hutuar që është rritur duke konsumuar një art që in toto (me përjashtime) duket porsi një kolektiv autorësh «elitarë» që suksesshëm kanë bërë fuzionin e «graveyard poetry»[11]-së së shekullit 18, «estilo culto»[12]–s së de Gongora y Argotes me barzelletta[13]-ve (shaka) të Lorenzo de Medici-t. Ai është formuar në gjirin e një shoqërie që fanatikisht e deri dje besonte e ende sot funksionon sipas mostrës që thotë se «njeriu, lirinë dhe autonominë e tij mund ta realizojë vetëm me ndihmën e proletariatit – partisë, pra vetëm nën ombrellën e subjektit kolektiv»[14]. Ai jeton në një shoqëri që rrugës për të gjetur veten brenda blloqeve, pakteve, feve e modave qëkuri ka humbur edhe vetë tokën nën këmbë; i çorientuar dhe pa intelegjencë që do t’ia lehtësonte kërkimin.
VI. BRENDA KATËR DIMENSIONEVE TË BOTËS
Vetëm kështu, duke na rizbuluar individin Rexhaj ia arrin shkëlqyeshëm t’iu dalë zot porosive të Friedrich Schleiermacher, i cili si kushte apriori për trajtimin e qenies humane në art e kërkonte aplikimin e domsdoshëm të dy metodave të tij, asaj divinatores dhe asaj komparatives[15] – autori vetëm me shndrrimin e vetes në tjetrin, nga një pozitë krejtësisht e barabartë ka mundësi të depërtojë në katër dimensionet e botës që përbëjnë atë: në qenien e tij si trup, ndjenja, instinkte (natyra e brendshme: McIntyre 1999: 68); në perceptimin e tij për yjet, kozmosin, lulet, oqeanet ( natyra e jashtme: Taylor 1986:3); në botëkuptimet e tij për dukuritë që nuk i shpjegon dot si lindja, vdekja, mbinatyrorja, transcedenca (metafizika: Levinas 1969: 33-34); në format e tij të koekzistencës brenda familjes, shoqërisë, kulturës, institucioneve (shoqëria). Rexhaj vetëm pas çarmatimit të Lùlusë nga epitetet, trysnia kolektive mund ta sjellë atë si Individualitet (dimnesioni i katërt) dhe ta bindë atë se është unik, origjinal, i veçantë dhe se lirinë për ta formësuar veten në Subjekt me vlera, kulturë, sjellje, pra që mos endet rrugicave plotë baltë duke vegjetuar si një biokonstrukt i parëndësishëm, duhet ta nisë ndërtimin e botës së tij jo nga konceptet e «turmave», sekteve, partive politike, «elitave», por mundësisht duke u nisur nga vetënjohja dhe dashuria të dijë të seleksionojë të mirën nga e keqja, t’ia sendërtojë lirinë e vetvetes jo nisur vetëm nga koncepti negativ i saj (liri nga), por më shumë nga perspektiva e saj pozitive (liri për), pikërisht ashtu siç kërkonte Isaiah Berlin[16] me tezat e tij mbi lirinë.
Nëpërmjet «Rebelimit të Lùlus», shkrimtari i suksesshëm Albatros Rexhaj – ndër të vetmit aktualisht që ka krijuar kodin më efektiv të komunkimit me brezin e kohës – na dëshmon se nuk është vetëm fisnik, por edhe i domsdoshëm, tejefektiv, qenësor veprimi i Artit në favor të njeriut. Vetëm Arti duket të jetë në gjendje që nëpërmjet demokratizimit të dijes të gjejë gjuhën ndikuese që mund ta shpëtojë qenien humane, ta bëjë atë vërtet të lirë rrugës për tu shndrruar në subjekt me vlera – pra hero pozitiv i lindur nga dashuria!
Referencat
[1] LIT, 109/2015,
[2] Houellebecq Michel. Soumission, Flammarion, Paris, 2015.
[3] Kristeva, Julia. Bachtin, Fjala, dialogu në roman Në: Literaturwissenschaft und Linguistik. V. 3: Botuar nga. v. Jens Ihwe. Frankfurt/M., 1972, S. 345-375.
[4] Lulu (Opera), NY MET, Gjatësia e filmit 267 min. SHBA, 2015. Filmi i parafundit ishte ai i regjisorit spanjoll Bigas Luna më 1990.
[5] Grandes, Almudena. Las edades de Lulú. Tusquets Editores, Barcelona 1989.
[6] Rexhaj, Albatros. Intervistë në Radio Kosova, botuar në Gazeta 55, 24.11.2015
[7] Barthes, Roland. Introduktion à l’analyse des recits, 1966 në: L’Aventure semiologique, 1985. Teoria materializohet duke interpretuar novelën Sarrasine (1830) të Balzakut.
[8] Bense Max. Metafizika e letërsisë, Stuttgart, 1950.
[9] Dilthey, Wilhelm. Ndërtimi i botës historike në shkencat humane – vëllime, 1910, Fq.143
[10] Lacan, Jacques. Uni (mua) në teorinë e Freudit dhe në teknikën e psikanalizës, Seminaret, Libri II, Paris 1978, Fq. 354
[11] Poetika e varreve, stil letrar meditivo elegjik i nisur nga Thomas Parnell (1679–1718; A Night-Piece on Death, 1721) dhe që kultivohet nga shumica e autorëve të kohës.
[12] Estilo culto ose Culteranismo është drejtimi i shkaktuar nga liriku spanjoll Luis de Gòngora y Argote; stil i errët hermetik i përbërë kryekëput nga eksploaltimi i mitologjisë, citateve, fjalëve e huaja.
[13] Pseudolirikë vicioze që shoqërohej me instrumente muzikore oborreve aristokrate për të argëtuar publikun.
[14] Lukács, Georg. Historia dhe vetëdija e klasave. Darmstadt 1992, Fq.31
[15] Schleiermacher, Friedrich. Hermenutika dhe kritika, postum, 1838, Fq. 169f.
[16] Berlin, Isaiah: Dy koncepte të lirisë […], Oksford, Clarendon Press, 1958, Fq. 16