Bota e stinës së pestë

Valdet N. Berisha: «Përtej së dielës» botoi «fjala» Prishtinë 1995

BOTA PËRTEJ SË DIELËS
Ecja pas një bote, në të cilën nuk do të kishte ndikim tragjedia dhe pikëllimi, do të thotë gjurmim pas një hapësire të veçantë, karakteri dhe koncepti të ri krijues. Njëkohësisht,krijohet një raport i ri, më modern dhe pa fiksacione në mes komunikimit poetik dhe efektit shpirtëror . Poeti Berisha kërkon trollin e vet ende të paprekshëm. Kërkon botën, në të cilën impulset e jetës nuk përzihen me emocionin e deformuar të kohës e as me tragjiken si burim të vetëm frymëzimi.

Në Stinën e pestë, diku përtej së dielës, del poeti dhe thërret Zotin për të shembur gjithçka që është ngritur mbi përbindëshat e moralit hermetik të rregullores abstrakte të së kaluarës. E lutë ate për shembjen e gërmadhave të vjetruara, dhe ate pikërisht të dielën. Aty ku mbaron java. Java e tmerreve të krijuara nga morali që shtrëngon vetëdijen e kohës dhe le ate pafrymë. Kjo është parimorja, që paracakton origjinalitetin krijues te ky poet. Daljen nga bota e rrënduar dhe e pakuptimtë, në të cilën tragjedia është përshëndetja e parë e ditës. Ai nuk e bën këtë me mjetet e zakonshme që përdori njeriu i historisë njerëzore, por, me një armë krejt tjetër; «Ditën e diel/ dalim nga albumet/ kryengritës të buzëqeshjeve». Buzëqeshja i jep atij forcën e çlirimit nga çdo shtrëngim, valëvitje dhe përhumbje nëpër labirintet depresive të shpirtit të ngrirë, që mbizotëron njeriun e këtij fundshekulli.
Nga gjithë kjo mund të parakuptojmë domethënien e simbolikës «Java», e cila në mënyrë perfide është shtjelluar me plotë precizitet nga poeti Berisha. Java është epoka e dështimeve tona historike. «E diela», momenti vendimtar kur duhet të ndërgjegjësohemi për të kaluar në një konstrukt tjetër shpirtëror dhe mendor. Thirrja serioze e poetit e bën njeriun e këtij shekulli të mendojë për karakterin e rrugës se vet jetësore, se a do të vazhdojë të jetojë si përbindësh dhe nostalgjik ndaj ndjenjës së poshtëruar, apo do të zgjedh rrugën për ate botë që e ka zbuluar poeti; Botën e stinës së pestë, përtej së dielës. Botën e mbretëruar nga arti i të bukurës, të ndërtuar nga fjala vizionare e shpirtit poetik.

ARTI NË STINËN E PESTË
E tërë fuqia shprehëse e autorit është e shoqëruar me një tonacion të matur mirë dhe ritëm të përmbajtshëm. Filozofia e vargut është definitive, nuk mbetet asnjë mendim i përgjysmuar, gjë që demonstron formimin dhe kompetencën për të krijuar pa pasur ndonjë kompleks të përsiatjes dhe stagnimit në krijim (një ndër problemet më të dukshme tek krijuesit e tjerë të kohës). Asnjë varg nuk ndërtohet mbi themelin e paragjykimit. Konstatimi; «U zgjuam në mëngjesin e sëmurë…» (motivi i pafund) dëshmon për aftësinë organizative të poetit për të sintetizuar një histori në një varg të vetëm. «Cila këngë është djegur më së bukuri « (Ju nuk e dini), është një perlë që mund të lind vetëm nga shpirti i pastër e i virgjër i një poeti të merituar. Poeti edhe në sakramentin, terrorizimin më të madh që i bëhet atij, kur i digjet kënga, ai kërkon bukurinë si shtyllë të vetme ngushëllimi. Kjo argumenton bagazhin e madh dhe integrativ të poetit në rrënjët e misionit të arteve të bukura në mendjen njerëzore. E gjithë alkimia e fjalës poetike është e përafërt konsiderueshëm me stilin autentik të poetit, i cili jo vetëm artistikisht di të përpunojë idenë para plasimit, por edhe nga ana e teknikës shkencore nuk lejon asnjë zbrazëtirë, asnjë gropë që mund të na jepte dozën skeptike gjatë të ndierit të poezisë.
Vëllimi poetik «Përtej së dielës» është një libër që krijon një botë të re në vete. Mundësia e vetme e realizimit të kërkesave që i parashtron poeti qëndron vetë në vargun e tij «…njerëzit janë gjethe nëpër hënat dhe kryqet e varreve» (Gjeografi).

UDHËTIMI PËR NË AMSHIM
Poeti Berisha me vëllimin e tij «Përtej së dielës» bëhet një ndër përfaqësuesit e denjë të poezisë postmoderne shqiptare e sidomos rëndësi të veçantë ka ajo e përfaqësimit në botën e jashtme (në diasporë). Prandaj edhe poezia e Berishës meriton përkthimin, kështu që poezia shqipe të prezantohet denjësisht në poezinë botërore, e jo në ate mënyrë duke përkthyer (si deri tani) «bejte odash» të shekullit XII vetëm për arsye se autori ka simpati tek klani i privilegjuar nga kushtet materialo-politike.

Duke kuptuar tendencën, identitetin dhe stilin jashtëzakonisht të mprehtë e personal të poetit mund të sigurohemi për vazhdimin e këtij misioni nga ana e krijuesit. Por, siç shkruan edhe vetë: «Udhëtimet e mia / zgjasin si misteret…si heshtja/ si dashuria e humbur/ zgjasin…». Udhëtimi për në amshim është i gjatë, aq i gjatë sa vetë kulmi i poezisë së Berishës! (1995)

Related

Lùlu – demiurgu i subjektit të lirë!

Analizë romanit «Rebelimi i Lúlus» të autorit Albatros Rexhaj,...

Arshi, sllavët, Pipa dhe fashistët

Arshi Pipa konsiderohet ndër kritikët më të mëdhenj shqiptarë?...

Një ndodhi në Helveci

Për tre ditë rresht në kryeqendër të Zvicrës komedia...

Revolta e shkronjave

ESE / Mbizotëron spekulimi se intelektualët vegjetojnë. Ata bëjnë poza dandish dhe janë vetëburgosur qelive të imagjinatës së tyre që është larg realitetit dhe brengave aktuale të masave. Sa qëndron kjo akuzë?

Poetja e (r)evolucionit të trëndafilave

Poetja Blerina Rugova Gaxha suksesshëm ia del të trajtojë dhe shpërfaq letrarisht një proces deri më tani të patrajtuar askund (ose fragmentarisht e dobët), në asnjë fushë, gjini arti përbrenda kulturës që fabrikohet shqip.