Roli i Shaip Beqirit në letërsinë shqipe. Ose: poezia absolute në letërsinë shqipe
Shaip Beqiri i takon grupit të atyre pak emrave të hapësiës shqiptare, që kah fundi i viteve të gjashtëdhjeta dhe fillimi i viteve të shtatëdhjeta i shpallën luftë të hapur botëkuptimi të kufizuar të soc-realizmit mbi letërsinë dhe artet në përgjithësi. Ky grup luajti një rol të rëndësishëm historik për shkëputjen e letërsisë shqiptare nga kthetrat e mediokritetit të vijës që imponohej nga Moska, respektivisht udhës kah ecnin Majakovski, Shklovski dhe epigonët e shumtë pas perdes së hekurt. Më këtë aksion Beqiri me kolegët e tij vunë në konkurrencë të denjë letërsinë që krijohej në Prishtinë me letërsitë e tjera të botës së lirë.
Poezia e Beqirit është e përshtatshme si objekt studimi për kritikun formalist, aq sa edhe për atë që ka si model vlerësimi «New criticism»- in anglosaksonik, po në të njëjtën mënyrë poezia e tij mund të shqyrtohet edhe me metodën e «Literaturkritik»- ës gjermane dhe «Critique genètiques»-ës franceze. Pse? Sepse poezia e këtij autori vë në funksion aq harmonik, të barabartë dhe pa privilegj të gjithë faktorët përbërës të një poezie. Aty Forma, Struktura, Gjeneza dhe Përbërja qëndrojnë të gjitha në të njëjtin nivel pa shkelur asnjëra mbi territorin e tjetrës, gjë që tek shumica e poezisë së sotme shqipe mungon dhe shërben në rezultimin e devijimit dhe rrëshqitjes nga kualiteti i përkryer poetik.
1. Shaip Beqiri dhe letërsia shqipe e pasluftës
Letërsia shqipe, tradicionalisht e sanksionuar, edhe pas Luftës së Dytë Botërore vazhdonte të vallëzojë brenda kornizave të botëkuptimeve të një polisi a salloni të huaj. Krijuesit artistikë ishin të detyruar që të vizatojnë shpirtin e tyre sipas konditave që pillnin sallonet e Institutit Gorki, që përfaqësoheshin kryesisht nga pasardhësit e shkollës formale ruse. Në Shqipëri ligjeve moskovite u shprehej një respekt i ekzagjeruar dhe i përdalë. Ndryshe do të ndodhë në qendrën tjetër të rëndësishme të letërsisë shqiptare, në Prishtinë. Atje kah fundi i viteve të gjashtëdhjeta do të fillojë një luftë e ashpër në mes të ithtarëve zyrtarë të soc-realizmit dhe «rebelëve letrarë» që kishin përvetësuar rolet në teatrin beketian dhe përpiqeshin të minonin urën e letërsisë së Drinit. Mirëpo gjithë ky konflikt artistësh, gjeneratash e botëkuptimesh për artin nuk shpërtheu automatikisht edhe në krijimtarinë konkrete të artistëve që përfaqësonin këtë «revolucion letrar». Për një gjë të tillë, natyrisht që duhej kohë dhe mbi të gjitha guxim intelektual. Rezistenca e policëve të artit, që zëvendësonin kritikët e njëmendtë, u shndërrua në një institucion akuzash dhe mbrojtjeje të parimeve të të ashtuquajturës teori formaliste mbi artin, duke marrë në këtë kontekst si shembull për mbrojtje letërsinë e Tiranës zyrtare (e cila që moti kishte larë hesapet me të rebeluarit e vet duke i rrasur ata nëpër burgje). Ky factum u pamundësoi shkrimtarëve oborrtarë të Tiranës letrare pjesëmarrjen në këtë ofensivë të rëndësishme kulturore të historisë së letërsisë shqiptare. Kështu, duke lënë Prishtinën si qendër kryesore konsoliduese në lidhje me çlirimin e letërsisë shqipe nga kthetrat e pseudoteorisë marksiste dhe krijimit të botëkuptimeve universale mbi artet.
Kah mesi i viteve të shtatëdhjeta do të vijë njëra nga veprat e para («Fontana e etjeve») që bindshëm do të dëshmojë shpartallimin e ligjeve mediokre të socrealizimit dhe hyrjen e poezisë shqipe në konkurrencë me poezinë e çliruar nga parimet ideologjike të «soc-realitetit». Libri «Fontana e etjeve» i Shaip Beqirit është njëra nga vulat e para të një epoke të ndryshimeve të mëdha që do të pasojnë në vijim në poezinë shqipe deri në ditët e sotme. Poeti Beqiri do t`u hapë rrugë artistëve të tjerë që në mënyrë kolektive të demonstrojnë shpirtin e tyre të papranguar, të lirë dhe mondial. Poezia e tij ngacmoi në nerv intelektin e frikësuar shqiptar për të shpërthyer në revoltë për të mirën e letërsisë shqipe dhe për këtë ai ka një meritë historike, të cilën ne të rinjtë natyrisht se e kemi për detyrë morale e intelektuale ta zhvillojmë si një fakt të rrallë historiko-shkencor deri në kufinjtë e tij të merituar.
Me të drejtë ndonjëri që nuk e njeh poezinë e Beqirit, ose që e njeh atë vetëm sipërfaqësisht, do të më kërkojë përgjegjësi për mendimin e dhënë më lart. Përse poezia e Beqirit na qenka e karakterit të një ndërmarrjeje përmasash kaq të madhe e të rëndësishme kulturore? Nëse poeti nuk ka vepruar në bazë të kriterieve formaliste, atëherë cilës rrymë poetike i takon ai? Poqese është ashtu, prej nga një poet i tillë në letërsinë shqipe? Dhe shumë pyetje të tjera të ngjashme.
2. Poeti antikult
Poetët pararendës çelësin e kodit krijues, ndoshta edhe për shkaqe mbijetese, e kanë huazuar në një vend komprometues për artistët. Deri në kohën para poezisë së Beqirit pothuaj nuk gjejmë poezi të vlefshme të ndonjë autori që të mos i ketë himnizuar kultet e realitetit politik të kohës për t`i shfrytëzuar ato si pasaportë për hyrje në jetën publike të artistit. Kjo ndoshta ka qenë e domosdoshme, mirëpo tejet e dëmshme sa i përket identifikimit të letërsisë dhe gjuhës shqipe, e cila deri vonë, nga qarqet letrare botërore, është konsideruar si pjesë e mendësisë artistike sllave. Ndokush me gjithë zemër e ndokush tjetër ndoshta prej zori i kanë kënduar epokës komuniste, figurave të Leninit, të Stalinit, të Titos e shumë të tjerave, mirëpo ky nuk është ai elementi vendimtar i gabimit fatal të letrarëve shqiptarë. Gabimi kapital qëndron në pikëpamjet dhe relacionin e tyre me artin e ndërtuar mbi bazat e doktrinës së „filozofive“ të atyre që përmendëm më lart. Çdo objekt i involvuar në poezinë e tyre detyrimisht është dashur të trajtohet sipas mendimit e boshtit soc-realist e formal. Kjo është arsyeja qendrore përse të huajt kanë menduar se shqiptarët janë fis sllav dhe gjuha e tyre i takon familjes së gjuhëve sllave.
Poezia e Beqirit (për nga koha) është e para e atij lloji që vë themelin e eleminimit të një irritimi të tillë, sepse ajo poezi nuk është e bërë në bazë të kritereve të Majakovskit, Ejhenbaumit dhe shkollës formale ruse. Cilët janë elementët dëshmues eksperimentalë të një vështrimi të tillë? Pikësëpari, sado që të kërkosh në poezinë e Beqirit nuk do të gjesh himne mbi bartësit e botës soc-realiste. Në këtë drejtim ajo është artefakti i parë antikult. Qëllimisht është lënë në baltë duke u injoruar e shpallur i paqenë realiteti ekzistues i virusit së formalizmit në artin shqiptar. Këtë kapërcim Beqiri e bën në emër të të gjithë artistëve me këtë përqeshje cinike: «Prapa perdeve të përflakura / S’e sheh dot pyllin e djegur/ As flatrat e tua të përgjakura» («Flatra pa hije»). Ndërkaq policët e formalizimit në mënyrë fare të butë i kërcënon me fatkeqësinë që do t`ua sjellë e ardhmja: «Nëse heshtjen e bëjmë të flasë si historia / Ç`do të thotë për arin e vet të ndryshkur» („Kthetra mesnate“, kushtuar Beqir Musliut dhe shkruar në vitin 1976 në Deçan). Se Beqiri e ka bërë të flasë heshtjen për arin e ndryshkur të historisë së asaj kohe, është edhe përpjekja jonë për të dëshmuar edhe në këtë vështrim. Kjo është ajo ndërmarrja peshëplotë në kulturën shqiptare, të cilën e vetargumeton vepra e Shaip Beqirit.
Prej nga një poet i përmsave të tilla në letërsinë shqipe? Është meritë e drejtpërdrejtë e autorit të librit «Prangat e praruara». Çdo poezi në vete dëshmon për një thellim të përkushtuar në literaturën kulturologjike të autorit, por ajo që më së shumti e bën të madhe veprën e sipërpërpemndur është ndjenja e autorit, mjeshtëria e tij për të gdhendur mendimin, idenë dhe ndjenjën e tij në mënyrë të përkryer artistike duke e shndërruar atë në poezi…
3. Forca e fjalës
Poeti është qenie që pamëshirshëm ndjek, stërmundon e përlan ndjenjat e veta nëpër thellësitë e shpirtit. Ai vetëdijshëm shndërron brendinë e vet në stadium masakrash që therin e shkaktojnë dhembjen shpesh të padurueshme për çdo nerv në anatominë e çrregulluar dhe të pasigurtë të ndërgjegjes së pashpirt njerëzore. A nuk është ky krimi më i madh që një njeri mund t`ia bëjë vetvetes?! Është kjo një sakrificë e çmendur, absurde dhe vetëvrasëse apo natyra e zakontë e një shtrese njerëzish të zgjedhur e të „privilegjuar“ enkas për një vetëviktimizim të tillë?
Këto janë mendimet e para, të cilat m`u paraqitën posa lexova dy vargjet e para nga poezia e Shaip Beqirit. Dyluftimi i këtij poeti me Unin e vet është një përleshje pa kompromis, e ashpër dhe plot zjarr. Asnjëherë më parë tek asnjë poet tjetër lirik i kohës në gjuhën shqipe nuk kisha mundur të përjetoja dhe përcaktoja më pastër dhe pa turbullirë fuqinë e artit poetik të lirikës shqipe se sa te poezia e këtij autori, ose më saktë: për herë të parë, pa dilema e ekzagjerime, me sinqeritetin më të madh jam detyruar të flas me vetveten duke thënë: ky është kulmi i lirikës moderne shqipe! Pas kësaj, një kohë të gjatë kam qenë spektator-viktimë i luftës që u zhvillua në mes të mendjemadhësisë, egoizmit dhe inferioritetit të intelektit tim me sinqeritetin e shpirtit: a duhet të pranoj një gjë të tillë edhe publikisht? Sa kohë mund ta mbaj të burgosur këtë të vërtetë për hir të ruajtjes së miqësisë me kolegët e mi të epokës fëmijërore dhe injorante? Asnjë sekondë! Edhe po të mbetem vetëm për shkak të shqiptimit publik të kësaj të vërtete, e kam poezinë si shëruese kundër të gjitha sëmundjeve e plagëve të çdo lloj vetmie.
4. Uni
Mënyra e të komunikuarit poetik e Beqirit me të gjitha pjesët e botës së tij të brendshme është konfliktuoze, përplot pakënaqësi dhe shpërthime. Qëndrimi i këtij poeti ndaj dhembjes, dashurisë, urrejtjes, origjinës, të bukurës dhe jetës nuk është spontan e as i menduar mirë, por rezulton si një gjurmë e pashlyeshme e dhunës së tij shpirtërore në vetëdijen e kohës. Në krye të herës ai thotë: „Ky libër nuk është i imi/ As i dhembjeve të huaja“ (Zhapëllima). Poeti është i vetëdijshëm se librin të cilin ai e ka krijuar nuk mund të jetë kurrë pronë e tij personale, një ditar dhembjesh vetëm për të, por ai është ditar i fiziologjisë së frymëmarrjes reale të kohës. Pronë e poetit është vetëm dhiata e dhembjeve që nuk shkruhet dot. As shkurt e as kulluar. Ajo mbetet e farkëtuar dhe gërryen ngadalë si një përbindësh nëpër skutat më të thella të shpirtit të Shaip Beqirit. Ai ndien lëvizjet e thikës që pret papushuar damarët e tij dhe shpëtimin e gjen përsëri tek klithma shpërthyese, duke u përpjekur ta trembë përbindëshin: „Veten s`do ta shohësh kurrë/ Në pasqyrën time diellore“ (Zemra në shkëmb). Përkundër kësaj rezistence, duke kundërshtuar në çdo çast ekzistencën e armikut të muzikës shpirtërore poetike, ai e di, ai është i vetëdijshëm se vetëm në një moment, në një gjysmësekondë, kur do të arrijë të ndahet nga shkaktari i dhembjeve të tij, do të këndohet në refren kënga e dytëshorit: „Shtatë shekuj pasi zbardhi drita/ Për të parën herë u ndamë…/ Diku larg ra tërmeti“ (Dytëshori). Tërmeti në këtë rast identifikon shuarjen, shkatërrimin, përhumbjen e dhembjes që strehohet tek shpirti i poetit. Po a zhduket dhembja e poezisë? Aq sa mund të zhduket dashuria bashkë me poetin. Kurrë! Këtë gjë poeti, kundër vullnetit të vet, e pranon në një poezi tjetër: „Në këtë lojë pa fund/ Askush s`fiton/ Besomë“ (Ninulla e gurtë). Nuk ka ndarje: njeriu poet është poet njeri dhe pikë. Përballë këtij fakti poeti pranon ceremoninë sakrifikuese të vetësyrgjynosjes: „Erdhi koha të hyjmë/ Në lëkurën e njëri tjetrit“ (Ritmi e asgjë).
Edhe kur ky poet flet për veten e dytë ka të bëjë me unitetin e universit të tij. Dytëshori i tij është pjesa tjetër e padukshme e vetes, e fshehur thellë në humnerën plot kurthe të shpirtit të tij. Cili është parimi themelor që jep përcaktueshmërinë e një poezie si lirike? Uni. Kush e ka Unin më të kompletuar, më autonom, me një integritet të pacenueshëm dhe të koncentruar, pa rrëshqitjen më të vogël në territorin e një objekti tjetër, sa ky poet?
5. Transliterariteti
Duke u rikthyer qëllimisht tek poezia „Ritmi e asgjë“ ndeshemi me një karakteristikë të veçantë që përshkon në mënyrë të pakëputshme tërë poezinë e Shaip Beqirit: muzikaliteti. Poezia e lartpërmendur nuk merret si objekt vështrimi vetëm se në të mund të gjejmë muzikalitetin, por se edhe si temë e trajtuar i përket demonstrimit më të thjeshtë të asaj që tentojmë ta materializojmë. Harmonia e zërit të notave të brendshme krijon një sistem efikas të vënies në lëvizje të ndjenjave të çdo lexuesi, pavarësisht nga përvoja e tij kontaktuese me artin poetik. „Muzika e pagjumësisë“ është „fryerja e fshehtë“ që poetit pandalur i del si produkt megjepesës në çdo varg. Në këtë poezi Shaip Beqiri ndërton skeletin e lidhjes së dashurisë humane me universin. Loja e yllit nëpër pyllin e fshehtë për të ndezur dëshirën e shikimit sy më sy ndërmjet dy qenieve me të njëjtën zemër, pjell ritmin e kërkimit të shoqëruar me vaj gazmor. Po të ndjekim mirë tingujt e kësaj loje ndërmjet objekteve në fjalë do të konstatojmë një rrahje të brendshme muzikore që vë në lëvizje jo vetëm shpirtin tonë, por edhe mendjen, me një fjalë shndërron tmerrësisht tërë qenien tonë në një instrument funksional sipas melodisë që imponon poezia. Pikërisht në kulmin e këtij gazmendi të kërkuar përjetësisht, tragjikja vjen e paftuar: „Ah koha është të vdesim moj/ Ende pa jetuar“ (Ritmi e asgjë). Si në çdo operë, sonatë e formë tjetër muzikore, edhe në këtë varg ndiejmë atë të vërtetën e përjetshme mbi qenien njerëzore, e cila edhe në vaj, me muzikë, pranon se nuk ka përjetuar asgjë, sepse jeta është e shkurtër, tejet e shkurtër për të realizuar gjithë atë oqean dëshirash njerëzore.
Sa e gjatë duhet të jetë jeta që krijuesi i këtyre poezive të librit „Flatrat e gjymta“ të riparojë botën e dërrmuar mendore të qenies njeri, që qëndron symbyllur para dashurisë si akt final i shpirtit të çiltër. Edhe sa therje dhembjeprurëse mund të bartë shpirti rebelues i këtij poeti që koha të kuptojë sinqeritetin e klithmave të tij, dashurinë që është duke predikuar para çdo „pikëpyetjeje“ dhe „pikëçuditjeje“ të vargut të tij.
6. Qëndrimi ndaj traditës
Brum i kujt dhe i çkahes është poeti Beqiri? Kur shkruajmë për stilin e një krijuesi zakonisht mëtojmë të zbulojmë sipas metodës shkencore fondin, bagazhin e pasurisë kulturore a letrare prej nga është frymëzuar autori. Këtë e bëjmë me qëllim që të favorizojmë sistemin e trashëgimisë letrare si dhe zhvillimin e proceseve të letërsisë në një gjuhë të caktuar, në këtë rast të gjuhës shqipe. Pra, cili autor i mëparshëm është inspiratori, nxitësi i shpirtit të këtij poeti për të bërë një art të tillë? Nga niveli artistik që gjejmë në poezinë e Beqirit mund të themi me plot bindje të plotë se kultura e tij është e gjerë dhe intelektualisht komplete. Mirëpo a mund të themi se stili, gjuha dhe fenomenet që ai i nxjerr në pikëpyetje kanë të bëjnë me pasurinë dhe përvojën tradicionale të poezisë shqipe? Mbi të gjitha, a ka ndonjë poet shqiptar që ka gdhendur pezinë lirike në këtë mënyrë, me këtë muzikalitet të përkryer si ky? Jo. Për çdo studiues të mirëfilltë, pa xhelozi dhe frikë ndaj vetë gjykimeve të veta, dilemat në këtë drejtim do të ishin faza e parë e dështimit të tij profesional, inkompetencë apo servilitet ndaj kodit tradicional të ecjes në rreth pa guxim dhe shpresë zhvillimi të lirikës shqipe në tërësi. Shaip Beqiri respekton dukshëm të kaluarën, traditën, duke e lënë atë në hapësirën dhe kohën e merituar. Dhe jo vetëm kaq, ai kërkon përgjegjësinë inekzistente të saj për çështje të caktuara: „Ç`të duhet ajo urnë e huaj ashtziu im“ (Një asht i mashtruar).
7. Mesazhi
Vizioni artistik i poetit Beqiri nuk korrespondon vetëm me „objektet“ e padukshme që natyra e karakterit njerëzor u ka shpallur kontestimin e përjetshëm, por edhe me ata faktorë të dukshëm që truri i sterilizuar i epokës mendon se i ka studiuar dhe i njeh mirë. Pozitën e kësaj gjendjeje të kohës sonë poeti e përshkruan me këto vargje: „Dy sfinksët e verbuar përgjithmonë/ Ende vërtiteshin rreth kullës/ Pa takuar njëri tjetrin“ (Qielli në frëngji). Mijëra vjet sillet vetëdija e njeriut rreth e rrotull për të gjetur kuptimësinë e tij në univers, varësinë e tij nga drita, uji, qielli, mjegulla e zjarri dhe përgjithmonë mbetet në epiqendrën e vetëshkatërrimit. Pse? Atij i mungon forca për të luftuar frikën dhe dobësinë e tij të brendshme. Gjithçka e bën me pjesët më sipërfaqësore të intelektualitetit të tij. Hapat e mëdhenj nuk bëhen me gishtërinjtë e dorës: „Me gishtërinj çelnim udhën/ Nën qemerët e përmbysur të ankthit“ (Qielli në frëngji) i rrëfen poeti të së ardhmes. Ai i lë dokumentin e dëshmisë ardhmërisë me qëllim të mospërsëritjes së epokës në dështim e sipër. Ky poet don shumëçka, por atij në vend të përgjigjes i jepet vetëm një grusht i hidhur vdekjeprurës nga shoqëria e „intelegjencies“ në fuqi, nga intelegjencia që në trupin e saj ka injorancën dhe komplotin ordiner ndaj ardhmërisë së vetvetes.
8. Gjuha
Libri „Flatrat e gjymta“ (1983) i Shaip Beqirit është një konfirmim fuqiplotë i forcës së fjalës artistike shqipe, fjalë dhe gjuhë e cila nga vetë natyra e saj është lirike, vetëm se është dashur të lindin mjeshtrit që dinë t`ua japin në mënyrë kompetente vlerave të saj vendin që u ka dhënë poeti Shaip Beqiri.
9. Vizioni
«Në të njëjtën pjatë shqyenim/ Mishin e gjallë të jetës/ Për fitoret e vdekjes» janë vargje të shkëputura nga cikli «Arkivoli i kohës së mbetur», poezia «Xhelati im i ngopur». Shikuar nga spektri sipërfaqësor dhe naiv këto vargje mund t`i zbërthenim në këtë mënyrë: poeti paska qenë duke vdekur urrie dhe një ditë ka gjetur një pjatë me mish dhe ka dashur të fitojë mbi vdekjen duke e ngrënë atë. Mirëpo problemi paska qenë se ai në atë moment paska pasur një rival që ka dashur poashtu të shpëtojë nga vdekja dhe këtu paska qenë gjithë problemi. Po të zhytemi edhe pak më thellë, në rast se e marrim parasysh vendin ku e ka shkruar poeti poezinë, pra në Kralevë, si dhe vargjet e tjera: «Shpiknim kupat me verë qindvjeçe/ Për luftën që do të bënim nesër/ Deri në të mbramën pikë të gjakut», atëherë do të thoshim: ja, ky interpretim vlen, sepse këtu poeti, qysh në vitin 1991, e ka ditur për luftën që po zhvillohet sot në Kosovë dhe del si një profetizues i shkëlqyshëm i një luftë të re. Dakord. Në fakt, edhe është ashtu. Mirëpo ç`të bëjmë me vargjet përmbyllëse: «Në jetën time kur të dojë/ Hyn t’i marrë rraqet e veta/ Po kurrë s`mund të dalë». Nëse nuk jemi të pajisur pak më mirë me njohuri, do të mbetemi në zgrip, sepse, kur studiojmë poezinë e Beqirit shohim se ajo nuk është pesimiste si dhe del kontradiktore me faktin se s`ka pushtues që njëherë nuk do të shporret nga koka e lirisë së tjetrit, atëherë çka? Beqiri është vizionar kur ciklin e titullon «Arkivoli i kohës së mbetur» dhe i sigurtë se koha që ai e portreton ka mbetur, që do të thotë se vjen një tjetër kohë. Në këtë mënyrë ai na shtyn që të shohim më kthjellët poezinë e tij dhe të gjunjëzohemi para konstatimit se poezia e Beqirit, para së gjithash, është një ese përshkruese që ka të bëjë me një problem edhe më global, edhe më të madh, siç është konflikti universal i kulturave ose botëve orient-oksident. Mijëra vjet të dy botët luajnë rolin e xhelatit të pangopur nga luftërat për të rezultuar në arkivol, duke përmbysur vazhdimisht tendencën e artit për t’i shpëtuar ato. Poeti shqiptar është lodhur nga ky konfrontim shpatash të përgjakura dhe kërkon që kënga e tij të bëhet udhë drejt shuarjes së konfliktit dhe përkryerjen e aktorit numër një të teatrit ngatërrestar: njeriun. Ai kërkesën ia drejton pasardhësve të tij me vargun: «Udhë po bëhet kënga ime veç udhë», („Nata e fundit në atdhe»). Në këtë cikël poeti identifikon arkivolin e së kaluarës para botës së artit me qëllim të varrimit të përhershëm të tij në dheun e thellë të ndërgjegjes. Në atë arkivol, pranë të cilit poeti klith: «Kam hedhur/ Lule/ Gjethë/ E bar/ Duke bërë varrin tim të bardhë» («Dimri i parë në dhe të huaj»). Kështu, duke prekur edhe një segment tjetër që ka të bëjë poashtu me formulën e zgjidhjes së një konflikti tjetër nëpërmjet gjuhës artistike; nëse pranojmë tezën e kritikëve të kulturës Lukas, Hajdeger dhe Vajda se modernja është një arkivol me kufomë të shqyer mbi të cilën po lind postmodernja, atëherë sinjalizimi i poetit Beqiri për t`u mbrojtur nga ky vampir konfliktpjellës është më shumë se një triumf i poetikës së tij në planin perspektiv të fjalës, duke na tërhequr kështu: «Si do të gdhijë dita jote nesër/ Dita e flatrave të mia të gjymta/ Arkivoli im i kohës së mbetur». Ky arkivol do të shoqërojë njeriun deri në përjetësi, nëse ai nuk tregohet i gatshëm të bëjë përmirësimin e domosdoshëm.
10. Morali krijues
Njeriu si testament për kohën e ardhshme. Testamente që zhvillohen në traditë dhe u shërbejnë kohëve si dokumente origjine e identiteti. Poezia «Zhapëllima» e ciklit «Prapa hijeve të purpurta» është njajo dhiata e famshme e Shaip Beqirit mbi poezinë dhe krijimin e librit – testament që përçon dhembjet e bukura të poetëve nga një epokë në tjetrën, duke kërkuar prej tyre që të bëjnë parim seleksionim të mirëfilltë të vlerave. Kjo është edhe arsyeja përse menjëherë pas saj paraqitet poezia për Martin Camajn, lordin e poezisë dhe prozës shqipe, të cilit poeti i thotë: «Më mirë që jemi poetë/ E në fytyrën e madhe të vetmisë/ Lëmë gjurmat e dhëmbëve të rënë» («Gjysmëbiseda»). Natyrisht që fjala është për dhëmbë të thyer nga injoranca e kohës së vetmisë, kohë që patjetër do të dënohet nga koha pas saj, sepse mendimi i ri di të hakmerret për poshtërsitë e moraleve shpellake të inkuizicionarëve soc-realistë. Këtë ia siguron Beqiri duke i hedhur një lule të rrallë mbi varr kolegut të vet që prehet në bjeshkët e Parnasit.
Në poezinë «Ilirishte» poeti sintetizon faktografinë mbi prejardhjen si krenari, për lashtësinë dhe autenticitetin që ka. Ai këtë e bën me ngulm në disa poezi, duke vizatuar kështu hartën thelbësore origjinore të atdheut të tij, gjë që vazhdon ta bëjë në drejtim të krijimit të një sistemi orientues për konsumuesit e artit poetik, që ata të mos bien në kurthin e shprishjes së identitetit kombëtar, me kusht që ata mos t`i marrin legjendat si realitete dhe situata me të cilat mund të veprohet edhe në konkurrencën e mendimit të digitalizuar të së sotmes. Kujdes nga krijimi i miteve të kota! – është mesazhi i poetit për të dashuruarit në traditën. Ky cikël korrespondon në mënyrë të mrekullueshme me tjetrin që pason: «Ndër shtjellat e mllefit». Aty poeti trajton relacionin njeri – atdhe, një relacion që domosdoshmërisht, sidomos tek shqiptarët, kërkon vëmendje kolosale. Se jo pak shqiptarë e kanë keqkuptuar nocionin atdhe, sidomos po të kihen parasysh gjithë ato punë të fëlliqura që bëjnë ata në emër të tij, nuk është ndonjë fenomen i ri e i panjohur. Keqkuptimi dhe sjellja më e keqe që po zhvillohet ndaj atdheut është maskimi, fshehja e realitetit si dhe ekzagjerimi i të paqenave nëpër histori. Në këtë mënyrë kreatorët e doktrinës së hiperbolizimit të moralit atdhetar stagnojnë regjistrimin e dobësive për të mundur të eleminohen ato dhe njëherë e përgjithmonë për të startuar vërtet në dobi të atdheut. Beqiri është një nga personalitetet e pakta të letërsisë dhe kulturës shqiptare që di të flasë me një ton kritik dhe të drejtpërdrejtë për fizionominë, anatominë dhe fiziologjinë e problemeve të atdheut të tij. Do të lexojmë vetëm disa vargje nga njëra prej pozive antologjike të tij në këtë aspekt: «Të ranë dhëmbët/ Dhe nofullat të ranë/ Veten duke ngrënë…/U bëre ishull brenda vetes / Të ribëhesh duke u zhbërë gjithnjë… /Historinë ta shkruan kopilët/ E udha t`u mbyll në hanxhar“ («Shqipëria»). Kjo poezi është një debat që Beqiri e ka filluar në nivel të botës letrare, debat që sigurisht është me aq peshë të madhe sa që kërkon vënien e tij edhe në shumë nivele të tjera institucionale kuluturore-shqiptare. Ky debat, kushtin për t`u filluar do ta kishte marrë vetëm atëherë kur: «Tash e vë në majë të gjuhës/ Shpirtin e shenjës së mirë» („Flamuri“).
11. Poeti dhe humaniteti
Cikli «Deri te tërmeti i harruar» i librit „Prangat e praruara“ është një punë rentgenike e poetit Beqiri për të zhveshur e për të bërë të dukshme brendësinë e shpirtit dhe të menjdjes së njeriut nëpër kohë, maskat e trilluara që njeriu i vë sa herë që të ketë nevojë të manovrojë me morale të ndryshme, vesi narcisoid për të mashtruar parimet elementare të estetikës me fytyrën e zgërdheshur prej injoranti, «zbukurimi» me proteza për të pakësuar erën ndotëse të gojës që pjell vrer, deri tek Sizifi i cili duhet të bartë gurin e mëkateve të njerëzve që e mashtruan duke ua vjedhur zotëve zjarrin, figurë që përshkruan artistin, poetin. Njeriu, ashtu siç ka preokupuar pjesën më të madhe të mendjeve të mëdha të artit, nëse mund të përmendim këtu veprat: „Feliks Krull“ e Tomas Manit, „Idiotin“ e Dostojevskit, „Fushenë“ e Cvajgut, „Gjeniun“ e Drajzerit, „Haxhi Muratin“ e Tolstoit etj. edhe në artin e Beqirit zbërthehet në mënyrë të plotë si karakter shumëngjyrësh dhe bartës miliona moralesh individuale që të gjithë në kundërshtim me njëri-tjetrin. E veçanta në këtë kontekst, në poezinë e Beqirit, përveç analizës psikologjike që ai i bën njeriut, gjithmonë në përmbyllje e ka atë klithmën e virtytshme që e kërkon arti për përmirësim ose më mirë thënë për shpëtim. Të njejtën analizë, ku çdo poezi është botë më vete, e bën edhe në ciklin „Mes nofullave të vdekura“, ku gjenden poezitë: «Pasqyra e fshehur», «Këlyshët në muzg», «I zoti i qenit», «Plakat e bukura» etj. Që të gjitha kurorëzohen me poezitë: „Himn për asgjë“ dhe sidomos me „Përshkrimi i ankthit“, e cila flet shumë hapur, gjerë e shtruar për marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, flet për helmet që prodhojnë farkëtarët e llojeve të shkrimeve të ndryshme me shpirt të deformuar nga narcisoizmi, xhelozia dhe ndjenja e inferioritetit. Cikli i fundit «Harku i klithmës së këputur» është një tërësi e mendimeve dhe ndjenjave të poetit për botën në të cilën jeton, ku ato shpërthejnë me revoltën që mban në shpirt poeti bashkë me gjakimin për të ndryshuar ligjet e ngrira të vetëdijes apokaliptike. Me gjithë forcën që ka ai përpiqet të kthejë kursin në drejtim të vizionit të bardhë, të bukur e të mirë, mirëpo, si gjithmonë, i vetëdijshëm për realitetin në të cilin jeton, shpërthen: «Jam i vetmi virus/ Që shumohet/ E s`shtohet/ Në natën tënde të kthjelltë“ (Akuariumi“).
12. Konteksti
Poeti, kjo qenie e përjashtuar me të drejtë nga „Shteti“ i Platonit, kurrë nuk do t’u bindet konditave të konfirmuara filozofike, religjioze e tradicionale mbi jetën, vdekjen, të bukurën, origjinën njerëzore, dashurinë etj. Shpirti i trazuar i poetit Shaip Beqiri vazhdon me ngulm të ndjekë gjurmët e pashpirtshme të sakrificës dhe vetësyrgjynosjes. Aty ku ushtron pushtetin ky poet, paravdes çdo besim në kultet e „shenjta“ (primitive, parake) të njerëzimit, në kultet që injoranca e çdo epoke i ka ushqim ekzistence dhe përforcimi të dhunës së saj mbi ndërgjegjen e plasur të vetëdijes apokaliptike. Jo të gjithë krijuesit e poezisë së sotme mund të radhiten në listën e poetëve të këtij lloji përbindësh që nuk njohin sistemin e imponimit të traditës dhe të përvojës në vargun e tyre sintetizues dhe therës. Ky lloj krijuesish është i rrallë, i paktë, ashtu siç është poezia lirike e Beqirit në krijimtarinë e tërësishme poetike moderne shqipe. Pothuaj çdo shekull numëron vetëm disa qenie të tilla, të jashtëzakonshme dhe brutale për „ligjet e adaptuara“ psikologjike në fuqi. Dhe ky brutalitet përcillet me një buzëqeshje ironike drejtuar logjikës së përhirtë humane.
13. Universaliteti
Në disa raste, ku Shaip Beqiri është paraqitur me lexime të poezisë së tij në gjuhët e huaja, shpejt është shfaqur interesimi për përkthimin e poezisë dhe publikimin e saj në shtypin e huaj, sidomos në atë që del gjermanisht. Praktika e deritashme e studimit të letërsisë botërore na mëson për pamundësinë e mbylljes së një krijuesi të përmasave të tilla brenda kornizave të gjuhës, kombit dhe hapësirës që ai i takon dhe ku ai vepron. Përkundër pengesave që paraqet procesi teknik i përkthimit të fjalës artistike nga një gjuhë në një gjuhë tjetër, si dhe disa pengesa të tjera ordinere, vlerat e tilla nëpërkëmbin çdo kufi të mundshëm dhe prekin denjësisht kulmin e artit të përbotshëm poetik. Ja, ky është shkaku i interesimit të rretheve të huaja letrare për poezinë e Shaip Beqirit! Kush e ka lexuar poezinë e Shaip Beqirit në gjuhën gjermane nuk ka mundur të paramendojë se ajo poezi, të cilën ai krijon, nuk është e shkruar nga ndonjë bashkëkombës i tij. (Për këtë një meritë të madhe ka edhe përkthyesi H. J. Lanksh për përkthimin në gjermanisht që i ka bërë kësaj poezie). Pra nuk ka gjuhë ku muzikaliteti dhe forca e këtij poeti nuk do të mund të përvetësonte bindshëm shpirtin e përjetuesit (lexuesit) të poezisë. Ky është një fakt që nxjerr në pah universalitetin e pakontestueshëm të lirikës së Shaip Beqirit, lirikë që nuk mund të konsiderohet si një pasuri vetëm e letërsisë kombëtare, por edhe si perlë në gjirin e artit të përbotshëm poetik.
Përkundër elementeve zbutëse që përmban një poezi me natyrën e vetë estetike, ajo është tepër therëse, e ashpër dhe demaskuese e skajshme e realitetit të epokave të ndryshme të historisë humane. Në këtë kontekst patjetër që e kemi fjalën për peozinë e njëmendtë e jo për konstruktet që dalin si akte imitante të saj. Poezia ka qenë ajo që ua ka bërë jo vetëm gjuhën njerëzve, por edhe strukturën e kahjes së të menduarit praktik. Mbi të gjitha ajo është identifikuesja kryesore e problemeve dhe konflikteve të mëdha të përbotshme që ka për qëllim asgjësimin e tyre. Kjo është edhe arsyeja përse ne detyrohemi t`i nënshtrohemi e të pranojmë tezën shkencore se poezia mund të quhet nacionale vetëm për shkak të gjuhës që prezenton, e në plan më të gjërë ajo refuzon kategorikisht të qenit nacionale, sepse është i pamundur izolimi i saj nga përmasat universale, mbinacionale e mbigjuhësore. Ky është një fakt që ndoshta do t’i bëjë nervozë neoromantikët, mirëpo jemi të sigurtë se po ua ndaluam atyre leximin e poezisë së Gëtes, Bodlerit, Valerysë etj. ata do të lëshonin pe dhe do të sakrifikonin kryeneçësinë e tyre. Poezi e një gjerësie të tillë është poezia e Beqirit.
14. Stili
T`i kthehemi pyetjes që e parashtruam në fillim: nëse Beqiri nuk i takon gardës së poetëve formalistë shqiptarë, atëherë ku radhitet ai? Për dallim nga bashkëkohanikët e tij, Beqiri shihet se është tejet i vetëdijshëm dhe e njeh mirë procesin e harmonizimit artistik të të gjithë faktorëve përbërës të një poezie. Kjo do të thotë se ai nuk i jep Formës hiç më shumë përparësi se sa Përbërjes, poashtu ndodh edhe me Strukturën etj. Të gjitha këto segmente – që në vete përmbajnë edhe qindra elemente të tjera e që ne mund t`i marrim si objekt studimi për të kompletuar analizën tonë hermeneutike mbi librin «Prangat e praruara», ai i baraspeshon me qëllim të krijimit të një sistemi në art, i cili bën të mundshëm prezencën e ço faktori në harmoni me tjetrin me përparësi të njëllojta, një sistem që e vë kritikën para përgjegjësisë për të vepruar me të gjitha modelet e afirmuara vlerësuese. Pra, nëse dëshirojmë të merremi me poezinë e Beqirit dhe të njohim atë, atëherë ne duhet, deshëm apo ajo, të kërkojmë deshifrime formulash në teorinë e «New criticism»-it anglosaksonik, po aq sa edhe në teorinë e «Literaturkritik»-ës gjermane dhe «Critique Genetik»-ës franceze. Nga ky aspekt shihet se poezia e Beqirit mund të kapet nga spektri formalist, strukturalist, poststrukturalist etj. etj. për shkak se çdonjëra prej këtyre rrymave të vlerësimit letrar të kritikës ekzagjeron vlerat e njërit nga faktorët përbërës artistikë duke vënë në shkallë të dytë vlerat e tjetrit përbërës, gjë që e kundërshton me forcë sistemi që Beqiri ka krijuar në artin e tij. Siç provuam më lart, poezia Beqirit në librin «Prangat e praruara» karakterizohet në dy rrafshe mbizotëruese. E para: ajo u ikën imazheve që reflektojnë situata të realitetit social e shoqëror të jetës, d.m.th. nuk do të ketë asgjë të përbashkët me të ashtuquajturën lirikë sociale apo të eksperiencës, gjë që e zëvendëson me krijimin e pikturave abstrakte për të sotmen tonë, vizionare për mendjen me perspektivë etj. E dyta: Beqiri bën krijimin e një harmonie në mes të të gjithë faktorëve përbërës të poezisë. Krejt njësoj siç kanë bërë Bodleri, Malarme, Valery, Ben dhe gjithë ata pak poetë absolutistë të letërsisë botërore. Beqiri, përveç që është poeti i parë kundërformalist, ai është njëkohësisht edhe poeti i parë absolut në letërsinë shqipe.
15. DHE ...
Si për nga stili ashtu edhe për nga botëkuptimi që ai reflekton mbi artin poetik, poeti Shaip Beqiri i takon grupit të poetëve absolutistë si Bodler, Valery, Malarmè, Ben etj. Me këtë ai i ka rezrevuar vetes fronin e përfaqësuesit të kompletuar të poezisë absolute në letërsinë shqipe. Gjatë procesit studimor heremeneutik të lirikës së Shaip Beqirit vërejmë një burim të pashtershëm prej ku vetëm ai, në mënyrë të veçantë e origjinale, di t’i nxjerrë objektet nga shpirti i tij, duke u dhënë atyre një muzikë tejet të këndshme, duke i vënë ato në tablon e imazheve të një pikture që flet dhe diskuton me shpirtrat tanë në mënyrë fare harmonike. Poeti Shaip Beqiri është një poet që i është dashur letërsisë shqiptare. Dhe si të tillë ajo i ka dhënë atij një vend në parinë e saj. / Bern, 1996 – 199
Biobibliografi: Shaip Beqiri lindi më 25 mars 1954 në Gllamnik të Kosovës. Fillimisht ka punuar profesor i gjuhës dhe letërsisë shqiptare, një kohë të shkurtë ka qenë redaktor i kulturës në gazetën studentore „Bota e re“ dhe pastaj një kohë të gjatë në javoren e njohur shqiptare "Zëri". Para se të largohej nga vendi i tij ka qenë editor i revistave "Forumi" dhe "Zeniti". Që nga viti 1995 Shaip Beqiri jeton në Zvicër.
1. Fontana e etjeve (1976) „Rilindja», Prishtinë | 2. Flatrat e gjymta (1983) „Rilindja», Prishtinë |3. Ndërmjet dy humnerave (1988) „Jedinstvo“, Prishtinë, në serbokroatisht | 4. The glow of the passion 1991) „Jeta e re“, Prishtinë, në anglisht | 5. Rekuiem për veten (1997) „Buzuku», Prishtinë, përzgjedhje | 6. Prangat e praruara (1998) „Toena», Tiranë, përzgjedhje |7. Küsse und Heilige Rosen (1998) „Limmat», Zürich, në gjermanisht |8. Bin Kristall zersprungen (2000) „Metaphorà“, München, në gjermanisht.