Libri «Shqip» , i autorëve B. Shader dhe Femzi Braha, më shumë i përngjan një reviste informativo-kulturore, ku autorë të ndryshëm në mënyrë spontane kanë kontribuar duke mbledhur ( e më shumë shkrujatur vetë) poezi, receta për ushqime të ndryshme si hallva dhe sarma, gjëegjëza, fjalëkryqe, këngë, skeçe, humor të Nastradin Hoxhës, tregime, biografi njerëzish etj. etj.
Këto ditë doli në qarkullim libri «Shqip» që ka për autorë mësuesin zviceran Basil Shader dhe atë shqiptar Femzi Braha. Libër, teknikisht i realizuar mirë. Në realizimin e këtij projekti kanë marrë pjesë, përveç autorëve, institucione zyrtare zvicerane dhe gjermane. Ideja për krijimin e një mjeti të tillë mësimor për mësuesit (shqiptarë e zviceranë) që kanë të bëjnë me edukimin e fëmijëve shqiptarë, është më se e qëlluar. Tek nxënësit shqiptarë, të ardhur këtu në moshën parashkollore, vërehen defekte të shumta gjuhësore gjatë komunikimit. Ndërkaq edukatorët dhe mësuesit zvicerane dijnë shumë pak (për të mos thënë fare) mbi identitetin, kulturën dhe mentalitetin e këtyre shqiptarëve të rinj.
Siç del nga parathënia e autorëve, qëllimi kryesor i tyre është që nëpërmjet këtij libri shkollor, të ndihmojnë këta nxënës që mos e humbin kontaktin me gjuhën amtare, traditën dhe kulturën e tyre kombëtare. Dhe njëkohësisht të ndihmojnë edukatorët, duke iu ofruar atyre një program që sa më lehtë të zhvillojnë mësimin me këta nxënës.
Përkundër dëshirës qëllim-mirë të përpiluesve të këtij libri duhet të pyesim; a i plotëson kushtet themelore ky libër për t`u pranuar si mjet mësimor për të gjithë nxënësit shqiptarë nëpër shkollat e huaja? Mbi të gjitha a mund të plotësojë nevojat e parashtruara më lart?
Pas parathënies së librit, janë dy kapituj që titullohen «Mbi kulturën shqiptare» dhe «Mbi gjuhën shqipe» të shkruara nga Janis Ciniker. Ciniker, në kapitullin e parë flet për shqiptarët si popull, historinë e tyre, nivlein arsimues, traditën, pozitën e gruas në shoqëri, religjionet dhe migracionin. Cdo i huaj që do të lexojë këto dy punime të tij në gjermanishte do të fillojë të ketë frikë nga shqiptarët. Ai aty në mënyrë perfide paraqet shqiptarin e kohës së lashtë, i cili as sot në prag të shekullit njëzet, për shkak të varrësisë totale nga i «ashtuquajturi Kanun» (kështu e quan ai) ende nuk ka kuptuar mjaftueshëm rëndësinë e shkollimit, arsimimit dhe integrimit normal në shoqërinë moderne. Në paragrafin mbi «gratë» duke ekzagjeruar rolin patriarakal të mashkullit ( i cili nuk dallon gjithaq nga ai i përgjithshëm evropian) karshi femrës, paraqet fshatin e sotëm shqiptar, si kope e fiseve të kohës së gurrit, etj. Punimi i Janis Ciniker-it nuk mund të konsiderohet si një vështrim i mirëfilltë mbi kulturën shqiptare dje dhe sot, dhe si i tillë dëmton fizionominë reale të shqiptarëve. Përderisa në libër nuk ka të dhëna më konkrete mbi këtë autor, na kufizohet e drejta e interpretimit mbi qëllimin e tij se pse ka vepruar në këtë mënyrë. Një gjë është e qartë: përpiluesit e librit është dashur të jenë të vetëdijshëm mbi rëndësinë e prezentimit të kulturës shqiptare tek lexuesi i huaj, prandaj është dashur të kërkojnë autorë më kompetentë dhe njohës më të mirëfilltë të kulturës shqiptare.
Libri «Shqip» më shumë i përngjan një reviste informativo-kulturore, ku autorë të ndryshëm në mënyrë spontane kanë kontribuar duke mbledhur ( e më shumë shkrujatur vetë) poezi, receta për ushqime të ndryshme si hallva dhe sarma, gjëegjëza, fjalëkryqe, këngë, skeçe, humor të Nastradin Hoxhës, tregime, biografi njerëzish, etj. Pra thjeshtë një fletore ku kanë derdhur dijen disa njerëz me një ide të përbashkët, duke shfrytëzuar çdonjëri për vete mundësinë e shprehjes dhe imponimit të mendimit të tij mbi një problem apo segment të caktuar të jetës shqiptare. Libri «shqip» është simpatik për ta pasur në bibliotekë. Ky libër, në kuptimin didaktik të fjalës nuk mund të përdoret si mjet për të mësuar apo ruajtur gjuhën shqipe, sepse i mungon organizimi dhe sistemimi konkret e profesional i lëndës. Pra ai nuk është libër i gjuhës shqipe ( në kuptimin e plotë fjalës), as tekst shkollor ku mund të bazohet pedagogu për të zhvilluar mësimin e rregullt me nxënës. Libri «Shqip» është rezultat i një vullneti të mirë dhe aktiv për të bërë diçka. Dhe kjo është arrirë!
A nuk do të ishte më mirë që ideatorët, përpiluesit dhe këshilltarët e këtij libri, duke harruar ambiciet e veta personale, të bënin këtë ide publike dhe t`u drejtoheshin institucioneve të arsimit në atdhe, duke kërkuar ndihmë prej tyre, për realizimin e këtij projekti? Apo edhe ata janë bindur nga «ligjerata» e z. Ciniker se shqiptarët nuk njohin metodën evropiane pedagogjike, por dijnë dhe praktikojnë vetëm metodën frontalo-autoritative edukuese, kështuqë mendojnë se një mësues që jeton në diasporë është më kompetent për të bërë librin shkollor se sa një institucion shkencor shqiptar i Prishtinës, apo…
Si për nga niveli, përmbajtja, sistemi ashtu edhe për nga mënyra e përzgjedhjes së materies, Libri «Shqip» nuk i plotëson kushtet e të qenurit «libër mësimor» për nxënësit shqiptarë në diasporë dhe edukatorët e tyre zviceran e shqiptarë. Ai ë nuk është bërë sipas standardeve universale mbi librin mësimor, as sipas parimeve gjermanike mbi tekstin shkollor, dhe as sipas parimeve të librit shkollor shqip. Parasëgjithash nuk ka seriozitetin e një libri prezentues të ndonjë ( cilitdo) segmenti kulturor. Libri «Shqip» është fletore gazmore që fëmijët mund ta përdorin gjatë kohës së lirë!