Në St. Gallen të Zvicrës u bë promovimi i librit dygjuhësh «Kuartet poetik – Ein dichterischs Quartett» i autorëve Fred Kurer, Mustafë Xhemaili, Ivo Lederberger dhe Isuf Sherifi. Një libër poetik që bën jehonë në mediat zvicerane.
St.GALLEN, 22 MARS – Në St. Gallen të Zvicrës, të premten me 19 mars, u bë promovimi i përmbledhjes dygjuhëshe me poezi «Kuartet poetik / Ein dichterisches Quartett». Në libër janë të prezentuar me nga një cikël poezish autorët zviceranë Fred Kurer dhe Ivo Lederberger si dhe autorët shqiptarë Mustafë Xhemaili dhe Isuf Sherifi. Inicijativa – e ndërmarrë nga Shoqata Shqiptare «Mëmëdheu» që vepron në këtë rajon – është e para e këtij lloji dhe ka hasur në një jehonë për respekt në mediat vendëse. Kjo kishte ndikuar që salla e «Klubschule Migros» të St. Gallenit, ku u zhvillua leximi, të jetë e mbushur përplotë, kryesisht me zviceranë dhe me një numër modest shqiptarësh.
Promovimin e hapi poeti dhe botuesi Ivo Ledergerber për ta vazhduar pastaj grupi i njohur muzikor në skenën zvicerane e shqiptare «Kapsamun» i cili udhëhiqet nga saksofonisti shqiptar Arsim Leka.
Para se të dalin poetët në skenë u lexua një vështrim kritik për përmbledhjen. Një fjalë hyrëse që mëtonte të theksojë rëndësinë e nismës në plan të komunikimit kulturor ndërmjet zviceranëve dhe diasporës shqiptare dhe atë në këtë mënyrë: «njëri nga aspektet e rëndësishme të këtij libri është dëshmia që sjell për ekzistencën e mundësisë së një komunikimi kulturor ndërmjet vendëseve dhe diasporës shqiptare pa e përjashtuar njëri tjetrin».
Leximi u bë në dy gjuhë. Poetët zviceranë i lexonin poezitë (të vetat dhe të kolegut) në gjermanishte ndërsa poetët shqiptarë (poashtu) në gjuhën shqipe. Ndërmjet leximeve ekzekutohej nga një pikë muzikore nga grupi i lartpërmendur.
Autorët dhe përkthyesi
Libri hapet me një cikël poezishë të lirikut të mirënjohur në skenën letrare zvicerane Fred Kurer. Për herë të parë në skenën letrare zvicerane Kurer (1936) shfaqet në moshën njëzetvjeçare dhe atë me një përmbledhje poezishë dhe një roman. Pas një pauze gjatë studimeve të gjermanistikës, angistikës, publiscistikës dhe teatrit në Zürich, Wien dhe London vazhdon sërish të botojë kryesisht poezi. Ndërkaq njëri nga librat më të mirëpritur nga kritika vendëse është përmbledhja me poezi «Kreta» e botuar gjatë vitit 1996. Kurer jeton në St. Gallen.
Poeti i dytë me rradhë është Mustafë Xhemaili (1954) nga Komogllava e Ferizajit. Ish – gazetari i RTP-së dhe disa mediumeve tjera shqiptare që nga viti 1984 jeton dhe vepron në Biel-Bienne të Zvicrës. Xhemaili në letrat shqipe si poet bëhet i njohur me librin e tij të parë «Netëve të verës» (1982). Libër, që pas një kohe ndalohet nga pushteti jugosllav, duke anatemuar autorin deri me rënien e sistemit. Xhemaili ka botuar edhe libra të tjerë me poezi, letërsi për fëmijë dhe është përfshirë në antologji të shumta në gjuhë të huaja si: gjermanisht, rumanisht, italisht, etj.
Ivo Lederberger (1939) veprën e tij të parë poetike «Me kohën» e boton gjatë vitit 1972. Është autor i më shumë se dhjetë përmbledhjeve me poezi. Përveç kësaj ai ka bërë emër edhe si botues, shtëpia botuese e të cilit këtij viti shënon dhjetëvejtorin e saj. Ka studiuar në Milano, Insbruck dhe Kosntanz. Poshtu një emër i respektuar në kantonin e St. Gallen-it ku jeton.
Autori që përmbyll «kuartetin poetik» është poeti tetovar Isuf Sherifi (1967) i cili afirimin si poet e mori sidomos me librin e tij të tretë poetik «Udha e kripës» (2002). Isuf Sherifi përveç aktivitetit letrar dallohet në diasporën shqiptare edhe për nsimat që ndërmerr në lidhje me afrimin kulturor ndërmjet shqiptarëve dhe zviceranëve. Kjo ngjarje poashtu shkon në konto të kontributit të tij në këtë drejtim. Përveç kësaj ai tashmë është inkuadruar në rrethin e poetëve të Zvicrës lindore.
Përkthimin e poezivë në gjermanishte dhe shqip e ka bërë përkthyesi i kontestuar Fedinand Laholli. As kësaj rradhe nuk ka munguar kritika për «jokorrektësinë kuptimore dhe rikrijimin» që bën gjatë përkthimit. Në sy sidomos bie edhe parathënia e librit të shkruar nga një zonjë me emrin Rosmarie Schulak (Wien), e cila pjesën më të madhe të shkrimit ia kushton Ferdinand Lahollit e për librin i thotë vetëm ca fjali sipërfaqësore. Megjithatë vullneti dhe kontributi i Lahollit për të përkthyer sa më shumë autorë shqiptarë duhet respektuar, ashtu siç duhet ai ta respektojë kritikën mbi punën e tij si diçka pozitive, duke u përpjekur ta korrigjojë dhe avancojë veten.
Kritika
«Kuartet poeti – Ein dichterisches Quartett» ka bërë jehonë në mediat shqipe e më shumë në ato zvicerane. Gazeta kryesore e St. Gallenit për këtë eviniment tashmë ka sjellë tre artikuj të gjërë për librin. Njëri ndër ta është një bisedë e gjerë me poetin Isuf Sherifi, të botuar të ejten e kaluar, ku flitet gjerësisht për poetët e prezentuar aty si dhë për rëndësinë që ka një aksion i tillë sa i përket diasporës letrare shqiptare.
Edhe revista letrare «Saiten» boton një artikull me titullin «Poetët shqiptarë po vijnë». Një analizë dhe njëkohësisht një portret i suksesshëm për koloninë e krijuesve shqiptarë në Zvicër ose siç shprehet autori Etrit Hasler «libri dëshmon për gjallërinë e letërsisë shqiptare në Zvicër». Gjallëri që megjithatë nuk u vërejt gjatë promovimit, pasi që përveç nja dy a tre prej tyre – që Isuf Sherifi i përmend, i preferon dhe previligjon në artikull – askush prej atyre «dyzet poetëve», të shpallur në artikujt e botuar për librin nuk kishte gjetur kohë të marrë pjesë në një ngajrje të tillë.
Libri është përfolur edhe në radio e media tjera lokale.
Turneu vazhdon…
Autorët e prezentuar në libër si dhe të tjerë tashmë janë të ftuar në një turne leximesh nëpër vende të ndryshme të Helvecisë. Kjo tregon se nisma është e qëlluar dhe se duhet të përsëritet. Përshtypje të veçantë tek të huajt ka lënë edhe gatishmëria e shqiptarëve «që kësaj rradhe edhe vetë të ndihmojnë për afirimin e letërsisë së tyre në Zvicër», siç u shpreh njëri nga organizatorët e promovimit, para se t’ia «dorrëzonte» mbrëmjen «Kapsamun»-it, i cili në fund zhvilloi një koncert të shkëlqyeshëm.
Libri i ka 262 faqe dhe është botuar nga SHB «Prokultura» e Tetovës dhe Shoqata Kulturore «Mëmëdheu» e St. Gallenit, ndërsa është financuar nga DPÇJ pranë Ministrisë së Kulturës së Kosovës, Enti për Kulturë i St. Gallenit, Qyteti i Biel-Biennit, Bernës etj.