Nuk duhen shumë llogaritje për të bërë të dukshme piramidën e krijuar nga Isuf Sherifi që ka këtë destinacion: autoidentitet (themel) – universalitet (bota e kulturave, zhvillimi kulturor) – art (kulmi i piramidës, poezia). Kështu është i ndërtuar Olimpi në veprën “Ndarjen nuk e nënshkruaj”(Shtëpia Botuese “Rozafa” –Tiranë). Kjo strukturë përmbajtësore na bën të qartë sistemin e disciplinuar dhe të arrirë artistik të autorit si dhe meritën për ta konsideruar si poet me një shkallë të lartë kulture, gjë që automatikisht na bind se kemi të bëjmë me një krijues të rëndësishëm të letërsisë shqipe.
Harta e udhëtimit të poetit Isuf Sherifi i përngjan një skalpeli që çanë lëkurën e trashë të ndërgjegjes humane. Trup që nuk pikon gjak, por një lëng të çuditshëm ngjyrëdielli. Poeti ia heq kokën species me dy këmbë, që rastësisht është pagëzuar me emrin Njeri dhe ia zëvendëson me një bërryl. Ai nuk durron dot lajkat e maskave dhe bashkë me kokën e tij të mbuluar me plis i hypë në majë të kryes globit për ta çtaktizuar atë. Globi ka nevralgji ndaj kupolës së tij të bardhë. Misioni i tij është gjigant dhe pothuaj i parealizueshëm; ai do që me diellin – që shtrrngueshëm e mban nën sjetull – ta shkrijë akullin që mban nën pushtet epokën, që ka ngrirë lëvizjet e shpirtit të saj të shtangur në një stacion të vetëm të jetës.
Kush përveç poetit është çmendur të ndërmarrë një hap të tillë? Kush përveç kësaj qenieje fatale i shpall luftë Vdekjes? Ky rebelim, kjo protestë është vetëm njëra nga dimensionet që gjenden në përmbajtjen e veprës «Ndarjen nuk e nëshkruaj» të poetit Isuf Sherifi!
- Biografia ose banori i adresës së dënuar me shuarje
Për herë të parë, tetovari i lindur më 1967, u paraqit në vitin 1992 me përmbledhjen e poezive «Plisi», pra në moshën e tij njëzet e pesë vjeçare. Libër që sjellte në pah; shpërthimin e mllefit të një shpirti që ishte robëruar e rrahur me qëllim për të ndaluar funksionimin e tij, një sanksionim që kishte për synim automatizimin, robotizimin e tij. E prekim këtë segment me qëllim për ta bërë sa më qartë historinë biografike e psikologjike të autorit – faktor tejet i rëndësishëm për ta kuptuar sa më qartë gjuhën poetike të tij. Isuf Sherifi është rritur në një adresë, të cilën shteti e ka konsideruar si burrim të dramës, të shuarjes, të kobit të tij. Pra në një adresë që me çdo kusht është dashur të shuhet! Ky presion e ka shoqëruar poetin Sherifi deri në largimin e tij nga vendlindja, së cilës ai i këndon një këngë krejt ndryshe nga ato siç i thurrin shumica e kolegëve të tij. Kjo është arsyeja, përse ky poet në asnjë moment nuk mund ta ndajë veten nga gjeneza, rrënja, etnia dhe fati i përgjithshëm i hartës kulturore e nacionale të origjinës së tij. Dhe ashtu siç është konstatuar që nga kohët homerike, eskiliane e niçeane: muzika e bukurisë së shejntë: Arti lind nga shpirti i tragjikës! Dhe kështu lind vepra poetike «Ndarjen nuk e nënshkruaj», kështu lindin vargjet e Sherifit! Me «Plisin» ai sjell vulën e mbijetimit të identitetit të tij nacional e kulturor, ndërsa me «Ndarjen nuk e nënshkruaj» ai sjell vulën e përkatësisë së tij në botën e artit të përbotshëm të poezisë.
Aktualisht, nga kritika e çinstitucionalizuar, e degraduar në nivelin e salloneve (si në atdhe ashtu edhe në diasporë) Isuf Sherifi injorohet për shkak të bindjeve të tija politike. Ndaj tij si dhe ndaj shumë krijeusve të tjerë të ambientit letrar shqiptar – pra një kriter tejet jashtëletrar – ushtrohet një anatemim i heshtur për shkak të përkatësisë së tij ideo-politike.
Që prej disa vitesh Sherifi jeton në Zvicër.
- Tematika
Tematika në librin «Ndarjen nuk e nënshkruaj» mund të ndahet në tre pjesë kryesore; a) në atë të identitetit kulturor të autorit ; b) në atë trajtimit të çështjeve universale dhe c) në atë metapoetike. Për këtë, me disa përjashtime të vogla, duhet lëshuar një kompliment në adresë të sistemuesit të veprës, recenzentit, redaktorit a vetë autorit. Në të gjitha pjesët përbërëse të tematikës së veprës Sherifi del i kompletuar dhe qëllimor, d.m.th. i arrirë si për nga aspekti artistik ashtu edhe në atë ideor.
a) Identiteti
Autori, me poezitë e përfshira në ciklin «Zjarrmi” konfrontohet me disa nëntema që përbëjnë boshtin kryesor të preokupimit të tij meditues; duke filluar me poezinë e parë të këtij cikli, nëpërmjet së cilës flet për raportin shqiptar-botë, ose më saktë thënë e përshkruan statusin e tij në sytë botës kur ai ndëshkohet nga invazionet “e korbave” që është sinonim për robëruesit; pastaj duke vazhduar ecjen e tij nëpër hartën e identitetit të copëzuar shpalon gjendjen e vetë shpirtërore prej poeti duke diskutuar me qenien, Zotërat dhe faktorët tjerë që mbajnë të rrethuar jetën e tij. Një poet i kohës së tashme që flet e mendon për identitetin shqiptar e nuk bie në grackën e domosdoshme të temës së mërgimit, vërtet duhet të gjendet aq i ngulitur në fiksion sa që më të mos jetë në gjendje të ballafaqohet me realitetin, veçanarisht autorët që vetë janë pjesë e atij fati. Sherifi në këtë cikël, ose strukturë tematike, endet herë në vendlindje, për të cilën ndjen dhimbje, e herë në vendin ku ai është duke jetuar, atje, pra në Zvicër, i fshehur nga dielli i tij natyror, pas hijeve të alpeve zvicerane.
Cikli përmbyllet me poezinë “Monolog i shekullit XX”. Një epilog jashtëzakonisht i qëlluar sa i përket kësaj tematike, sidomos për shpjegimin e rëndësisë së identitetit kulturor të një populli dhe varrësinë e asaj “kulturës mondane”, pra universale, nga ky identitet kulturor. Nëse identiteti shqiptar i poetit Isuf Sherifi është në krizë apo para asgjësimit, atëherë ajo është një humbje për atë të përgjithshmen, atëherë është si një fillim i fundit të kulturës universale, e cila si parim qëndror e kryesor të saj ka; mbrojtjen e lirisë dhe qenies së kulturave e identiteteve kulturore si pjesë përbërëse të – siç e kërkon të quhet moda postmoderne – kulturës universale. Mjeshtria nuk qëndron vetëm në theksimin e kësaj problematike aq të përfolur teoretikisht, por në mënyrën ndërlidhëse, sistemi se si ndërtohet tema nëpërmjet simbolikës, figuracionit poetik të autorit. Sherifi ec mjaftë i releaksuar nga udhëkryqet e identitetit të tij kombëtar në epilogun e kësaj teme, të cilën njëkohësisht e shfrytëzon si portë për në temën tjetër, pra në temën:
b) Preokupimet universale
Cikli „vertikalja e vështirë“, me disa përjashtime fare të imta, të cilat janë një intermeco apo përplotësim i temës së përfolur më lartë, është një dokument shpirtëror kushtuar problemeve universale, ekzistenciale e që kalojnë kufinjtë e një gjuhe, populli a kulture. Peozia e parë që në plan të parë duket se prek në nerv vetëm tre elementet; karrierizimin, anatemizmin dhe mediokritetin (si policia speciale antiart), në vete përmban një dimenzion më të gjërë filozofik, një dimenzion që tradita e letërsisë e ka trajtuar me veprat madhore si “Gjeniu” i Drajzerit, “Idioti” i Dostojevskit, “Pater Sergej” i Tolstojit, “Feliks Krull” i Thomas Manit, “Zhozef Fushe” i Shtefan Cvajgut, “Ujku i stepave” i Hesses, etj. Isuf Sherifi i rrumbullakson refleksionet e tij në lidhje me këtë temë, që më shumë ka karakter psikologjik, në një poezi të vetme dhe kjo është ajo mjeshtria që finalizohet me vulën e kualifikimit të një vepre me titullin “artefakt”, pra një poezi e përkryer.
Përveç përshkrimit psikanalitik të pozitës së qenies në tre elementet e sipërmendura Sherifi kapet edhe për problemeve tjera që shoqërojnë jetën, duke cekur probleme me të cilat përleshet përvdekshëm rendi botëror në çdo plan të organizimit shoqëror; ai ndeshet me mjerimin (vertikalja e vështirë), lumturinë (“Kënga për të mrrekullueshmen”- e cila është titulluar gabimisht, sipas mendimit tim ajo është “Simfonia e dielltë e qenies”), fatalitetin apokaliptik dhe me trokétë e kuajve (njëra nga poezitë që shpërthen kufinjtë gjinore të poezisë, sentencës, proverbit dhe definicionit filozofik mbi fiziologjinë shpirtërore të njeriut) etj.
Përsëri përmbyllëse e temës është një poezi që ka të bëjë me shekujt. Kalimin nga tema e parë në dytën, nga identiteti në universalitet, Isuf Sherifi e bën nëpërmjet të rentgenimit të shpirtit të epokës së shekullit njezet, pra duke i qëndruar besnik së tashmes, ndërsa kalimin në stadin tjetër, për të cilin do të zgjerohemi më poshtë, ai bën duke shpërthyer njëkohësisht kohët.
Cili është ai stad ku nuk vlejnë më konditat mbi matjen e kohës, e as problemet e fiksuara kulturore, sociale e të ngjajshme të qenies humane?
Ne njohim vetëm një hemisferë të tillë; Artin vetë.
c) Metapoezia
Poezitë; “Fletarrest”, “Letër Xhevahirit”, Statistikë kryeneçe”, “Poezia që pret ta përfundoj”, “Arratisja e poetit”, “Mbrojtja” etj. Merren drejtëpërdrejtë me majat, përplasjet, krenaritë, raportet që zhvillohen në botën e poetit. Ose më drejtë; janë vjersha që sjellin një imazh se sa e koklavitur është jeta me poezinë, bashkëjetesa me figurat, metaforat, simbolet dhe inspiracionin dhunues që të shtyn të dalish nga disciplina e moralit të çdo kohe a kulture që preferojnë turmat . Një ritëm jete që të suspendon nga çdo përjetim banal i përditshmërisë, për të cilën padyshim që edhe poeti ka nevojë. Sherifi e ka kuptuar gjendjen dhe rolin e tij kur klithë me gojën e armiqve të artit; “ç`ka njerzore në të / Mbytjani” (Fletë-arrest) ose; “Dhe sa herë duke u thirrur në njerzoren / Plagosëm kuptimin e emrit njeri” për të përfunduar me pledoajenë “Mbrojtja”: “C`thua ti, vargu im/Do të gjenden kund/ Lajka e maska/ Diç fataliste do të gjendet/ Që mund të na vrasë/ Pasi të kemi bërë Poezinë/ Që nuk vritet”! Ky është edhe realiteti që është drejtëkuptuar nga Autori, duke krijuar në këtë mënyrë botëkuptimin, teorinë mbi metapoetikën nëpërmjet gjuhës së tij artistike, fare të thjeshtë e me një forcë mega-depërtuese në vetëdijen e çdo sorte të trurit njerzor.
- Struktura, simbolika dhe statusi i autorit
Nuk duhen shumë llogaritje për të bërë të dukshme piramidën e krijuar nga Isuf Sherifi që ka këtë destinacion: autoidentitet (themel) – universalitet (bota e kulturave, zhvillimi kulturor) – art (kulmi i piramidës, poezia). Kështu është i ndërtuar Olimpi në veprën “Ndarjen nuk e nënshkruaj”. Kjo strukturë përmbajtësore na bën të qartë sistemin e disciplinuar dhe të arrirë artistik të autorit si dhe meritën për ta konsideruar si poet me një shkallë të lartë kulture, gjë që automatikisht na bind se nuk kemi të bëjmë me një poet, siç do ta quanin anglezët të “Minority literatures”, por kemi të bëjmë me një krijues të rëndësishëm të letërsisë shqipe.
Ajo që më së shumti bie në sy qoftë si element krahasues, qoftë për të dëshmuar situatat interliterare si simbol është “Dielli”. Dielli si kryesimbol i gjuhës poetike të Isuf Sherifit. Në çdo aspekt ai ka karakter pozitiv, duke mos përjashtuar edhe atë të forcës, të gjiantizmit të tij sundues mbi tokën e ftohtë. Tek Sherifi nuk kemi të bëjmë me një poet që merr me qira simbolet nga pararendës, por me një krijues që legjitimitetin e vetë nuk do ta ndajë as me traditën as me të tashmen. Një botë me parime dhe strukturë të vetë mendimi e veprimi artistik.
Dominante dhe diçka e veçantë në mbarrë poezinë e Isuf Sherifit është dhuntia e të qenurit konkret. Shkruar më përafërt: Isuf Sherifi përdor një fjalor të thejshtë e konkret, i cili kuptohet e përpihet nga çdo shtresë, për të krijuar imazhe të përmasave fascinuese artistike e filozofike, imazhe me një vlerë të madhe artistike, që do të thotë se poeti ka zbuluar se cilat janë mjetet që mundësojnë përkryerjen e një poezie; gjuha e pangarkuar me terminologji dhe krijimi sa më i qartë i imazhit brenda tekstit. Që të dyja ai i ka arritur. Një lirik konkret që rrallë e gjenë në poezinë e sotme shqipe.