«I kujt je, Atdhe» është sprova më e re që mëton të jetë antologji. E përpiluar nga hiç më pakë se Ali Podrimja. Ajo është e mangët, mirëpo megjithatë e para mbi autorët e viteve të 90-ta.
Ali Podrimja paradokohësh doli edhe me një sprovë për antologji. Nëpërmjet një postskriptumi përpiluesi shpjegon se në të janë përfshirë kryesisht autorët që i përkojnë brezit (sipas publikimeve) të viteve të 90. «I kujt je, Atdhe» është libri i dytë i këtij lloji që mban firmën e Podrimjes. Për autorët, përfshirja aty është një përparësi e rëndësishme, sidomos duke llogaritur namin e përpiluesit si poet e njeri publik, pa përjashtuar faktin se kësaj përparësie i qëndron përballë edhe rreziku i pashmangshëm i prezentimit jo të denjë të njërit apo tjetrit autor, kur kihet parasyshë se gjatë procesit të ndërtimit të një antologjie zgjidhet një numër fare i vogël i poezive. Shtoi kësaj edhe shijen e veçantë, referencat e kufizuara teorike të përpiluesit (si individ dhe si formim) etj. atëherë patjetër se për disa autorë kjo do të thotë; prezentim i mangët dhe i njëanshëm!
Asgjë e re. Edhe në ato antologji (madje edhe tek ato që konsiderohen si universale) që janë nënshkruar nga njerëz që kanë hyrë në historinë e letërsisë si «Arbiter litterarum», janë regjistruar defekte të tilla. S’ka pse të jetë ndryshe as te poeti Podrimja. Këtij, lëshime të tilla madje as që duhet t’i merren si diçka dramatike, sepse nuk pretendon të jetë kritik apo teorik i vlerave të lirikës, por thjeshtë mbledh poezi i lexon dhe kur konstaton se në to ka vlera që ai i përdefinon si të tilla, i boton. E këtu s’ka asnjë sherr. Përkundrazi!
Të gjitha spekulimeve – që sillen vërdallë përreth tavolinave të «shkollave letrare e teorike» në lidhje me iniciativat e «dyshimta» të përpiluesit – u bën ballë faktumi: Ali Podrimja bën diçka e tjerët jo! Ndërkaq çështja se si ai i bën ato – bazuar në parimet për konceptimin e një antologjie – është krejtësisht diçka tjetër.
«Arsyetimet» për përpilimin e sprovës…
Ekzistojnë tre mënyra seleksionimi të autorëve për një antologji: 1) përpiluesi zgjedh prodhime të tilla artistike që atij i duken interesante ose të atilla që shkojnë në favor të një drejtimi interesant. 2) zgjedhja në bazë të temës, zhanrit, rajonit në bazë të shembujve të arrirë e reprezentativë dhe 3) përzgjedhja në bazë të vlerave të konfirmuara (nga kritika) si një tip i veçantë poezie e me një vlerë «dokumentare» për një stil, rrymë e të ngjajshme.
«I kujt je, Atdhe», sipas arsyetimit të përpiluesit në fund të librit, titullit dhe shumë elementëve tjerë përcaktues, është sajuar kryesisht në bazë të parimit të parë dhe me ca komponentë të parimit të dytë – antologjia është rajonale, me temë edhe pse abstrakte (Atdheu – marka më e preferuar në industrinë e interpretimit!) mund të merret si me vend, mirëpo a e përmbush elementin e tretë të këtij parimi? A janë autorët e përfshirë aty reprezentativë? Nëse po, atëherë çka reprezentojnë ata, në bazë të çkahit justifikohet antologjia?
Këtyre pyetjeve Ali Podrimja iu përgjigjet shumë qartë me postskriptumin e tij në kursiv dhe pasthënies: Të gjithë autorët e prezentuar aty kanë botuar librat e tyre kryesisht në vitet e 90-ta. Kjo është arsyeja kryesore për përpilimin e antologjisë. E dyta arsye është se ata përbashkohen tematikisht rreth: «ndjenjës së përkatësisë» dhe «mbrojtjes së identitetit» nacional. Kjo është e vërtetë. Asnjëri nga autorët, me poezitë e prezentuara aty, nuk mohon identitetin nacional dhe secili prej tyre në një mënyrë apo tjetër i këndon atdheut. Edhe tek ata që nuk përmendin këtë nocion e që është rëndë të kuptosh se pse shkruajnë, hetohet se megjithatë shkruajnë shqip e me këtë automatikisht zbërthehet përkatësia e tyre në çdo segment biografik e letrar.
Cilët janë ata që kanë mbetur jashtë?
Në këtë kontekst Ali Podrimja nuk ka bërë zbulimin e ndonjë rryme të re letrare. Këtë, siç shihet as që e pretendon në pasthënien e tij. Ai është tepër modest karshi vlerave të këtij brezi dhe s’bën asgjë tjetër perpos prezentimin e tij ashtu siç është: me të mirat dhe të këqijat e tij. Tani mund të parashtrohet kontrapunkti i përfolur nëpër media pas daljes së antologjisë: nëse ai ka ndërtuar këtë libër të tij vetëm në sajë të prezentimit sipas parimeve të përmendura më lartë, atëherë pse nuk i ka përfshirë edhe ca të tjerë, që kanë më shumë vlera se shumë vjershëtarë që gjenden aty? Që të mos spekulojmë: kësaj pyetje duhet t’i përgjigjet vetë Ali Podrimja!
Mungon argumentimi konkret
Debati rreth vlerës së antologjisë më së shumti shkon në disfavor të 17 autorëve të prezentuar aty, sepse ata as kësaj rradhe nuk trajtohen ashtu siç duhet. Kjo s’ka ndodhur as në vetë antologjinë. Mungon arsyetimi shkencor mbi kualitetin dhe rolin e këtij brezi, sqarimi i idesë se pse këta autorë qenkan të rëndësishëm për t’ua bërë një antologji. Brenda këtij brezi ka autorë që janë vërtet reprezentativë, nëse jo për diçka tjetër më të madhe, por së paku si «dokumentues të kohës», të një periudhe jashtëzakonisht të rëndësishme në aspektin social – kulturor të rajonit prej nga janë. Aty s’mungojnë as poetë cilësor për nga vlerat artistike, të cilëve po t’iu bastisej poezia ashtu siç duhet me të gjitha mjetet shkencore që janë në disponim do të mundej madje të flitej edhe për «një frymë re…në rrjedhat e poezisë shqipe sot». «I kujt je, Atdhe» me të gjitha të metat është një shans që më parë nuk ishte. Ai mund të shërbejë si pikënisje e një diskutimi mbi këtë brez, mbi autorët e veçantë dhe vlerat e tyre. Tash ekziston një pasqyrë – qoftë edhe e një pjese të autorëve – e cila duhet ta shtyjë kritikën të kërkojë vlerat brenda saj dhe ato që kanë mbetur jashtë. Nëse për jo diç tjetër, për ketë ka meritën e vetë Ali Podrimja: atë të nxitjes për të trajtuar këtë temë!
Defekti është i përgjithshëm
Antologjia «I kujt je, Atdhe» nuk është e përsosur. Ajo ka defekte. Me defekte është i gjithë sistemi industrial i librit: që nga struktura e manuskripteve, dorrëzimi i tyre, botimi, distribuimi, prezentimi e deri te injorimi i veprave letrare nga lexuesi (që mungon). Prandaj edhe funksioni i kësaj antologjie do të jetë minimal. E së shpejti ka mundësi– siç është bërë zakon kohëve të fundit – do të flitet për të në formën «se ç’na ishte njëherë», ata që do të mbeten do të jenë autorët, të cilët do të vazhdojnë rrugën e tyre, ca vertikalisht, ca horizontalisht e ca të irituar nëpër labirinthe do të humben thellësive duke mos gjetur rrugën e kthimit më. Kështu e ka kjo punë! (2003)