Eseistika dhe dilemat rreth saj

Shpesh-herë, në shtypin e përditshëm dhe fletore tjera të mendimit publik na dalin parasyshë tekste të mbititulluara si ese. Shumica e lexuesve injorojnë leximin e një teksti të tillë për shkak të moskuptimit të nivelit gjuhësor, tejngarkimeve simbolike dhe paqartësisë rreth mesazhit që mëton të jap përmbajtja e atij teksti. Mbizotëron mendimi se ky lloj i të shkruarit i dedikohet një shtrese të caktuar lexuesish, pra lexuesve profesionalë apo intelektualëve.

Në të vërtetë, në përgjithësi as intelektualët e letrave dhe vetë autorët që përpiqen ta kultivojnë esenë nuk i kanë të qarta rregullat që përcaktojnë një tekst si të tillë. Disa bile mendojnë se sa më i pakuptueshëm të jetë shkrimi që ka shkruar aq më e arsyeshme dhe më e suksesshme është «eseja» i tij. Të tjerë edhe kur e shohin qartë në horizont mendimin rreth një problemi të caktuar universal, gjë që u mundëson trajtimin në mënyrë konkrete, të pastër dhe të thjeshtë me shkrim, ata koklavisin idenë dhe mendimin me terminologji, stërsimbolizojnë fjalorin dhe nuk arrijnë të shprehin atë që duan.

1.
Debati shkencor rreth gjinisë, formës, përmbajtjes, informacionit dhe pozitës së esesë në stadin e botës artistike dhe të asaj shkencore është ende i papërfunduar. Qarkullojnë mendime dhe qëndrime të ndryshme në lidhje me natyrën dhe karakterin e esesë. Pothuaj për çdo gjuhë, eseja paraqitet me një formë dhe natyrë tjetër. Gjendje kjo që i jep edhe më shumë konfuzitet se sa duhet këtij problemi. Studiuesit gjermanë mendojnë se eseja është «trajtim i shkurtër, me një stil dhe gjuhë të veçantë, mbi çështje aktuale kulturore». Ky shpjegim i kufizuar nuk jep përgjigjen adekuate mbi natyrën e eseut, përveç kësaj, ai bie ndesh me parimet themelore të vëna nga krijuesit e parë të eseistikës. Sa i gjatë duhet të jetë një tekst për të plotësuar kushtin e të qenurit ese, ose a është eseja formë krijuese që duhet dhe trajton vetëm probleme të aktualitetit kulturor (në kuptimin e kufizuar të fjalës) apo ese mund të quhet edhe një trajtesë proshkencore mbi përbërjen kimike të ujit apo mbi polet makromagnetike të planetit të tokës?! Kështu që, mendimi i studiusve gjeman si Curtius, H. Friedrich etj. mbi rolin dhe formën e esesë nuk është kompetent dhe ekzakt aq sa duhet. Ndërsa gjuha dhe stili në këtë kontekst kanë të bëjnë me një kontradiktë krejt tjetër, gjë që është shumë më e potencuar tek mendimi francez.
Francezët mendojnë se eseja është: «prodhimi i parë i një shkrimtari». Pra përpjekje, ashtu siç është edhe përkthimi i egër gjuhësor i këtij termi. Është për t`u habitur se pse ky mendim kaq jokompetent vjen pikërisht nga francezët, bahkëkombasit e gjeniut dhe emëruesit të parë të kësaj natyre krijuese Michel de Montaigne. Sipas kësaj del se eseja është fusha eksperimentale dhe manovruese e një qenie që parapërgaditet për t`u bërë shkrimtar. Atëherë ç`të themi për vëllimin me libra «Ese» të Montaigne, kur kemi parasyshë se ai kryesisht ka kultivuar këtë natyrë shkrimi. Ka mbetur Montaigne vetëm një «eksperimentalist dhe pasionist» për t`u bërë shkrimtar (gjë që sipas këtij konstatimi nuk e paska arritur kurrë) ?!Para se të zhytemi në botën krijuese eseistike të Montaigne, do t`u qasemi zanafillave të këtij lloj shkrimi. Ç`ka është eseja: letërsi, filozofi apo shkencë? Kush i pari filloi të kultivojë këtë stil të të shkruarit? Cili është roli i esesë në procesin e kërkimit të përgjigjeve të shumta në relacionin njeri-kulturë, njeri-univers etj?

2.
Gati shumica e studiuesve në një pikëpamje janë unikë: eseja ka lindur shumë më herët se sa emërimi konkret i saj nga Montaigne dhe Baconi. Pra, shikuar nga aspekti etimologjik eseja paraqitet në skenë tek në fillim të shekullit gjashtëmbëdhjetë. Shkrimet e para që plotësojnë të gjitha kriteriet e konkludimit të një teksti si ese paraqiten qysh në kohët më të hershme, si në atë të parasokratikëve si Herakliti, klasikëve si Sokrati, veçanarisht me shkrimet e tija mbi «Etikën autonome», Ciceroni etj.
Nga fondi i letrave të trashëguara prej Ciceronit, pjesa më e përshtatshme për këtë studim janë shkrimet e përmbledhura nën vëllimin «Gjimnastika shpirtërore». Në tërrësinë e këtyre shkrimeve gjejmë mendimet e tij rreth çështjeve politike të asaj kohe, rreth problemeve të paqartësuara filozofike e më shumë gnoseologjike, juridike, etj. Sidomos proza latine e tij në vete përmban jo thjeshtë vetëm gjuhën e gdhendur artistike deri në përkryerje, por shumë më me rëndësi është karakteri i lëndës që ai trajton aty si përmbajtje. Ciceroni bën dialog; me mendimet e filozofëve të tjerë në lidhje me teoritë e tyre rreth organizimit të masave në plan juridik dhe shoqëror; kërkon burimet e njohjes dhe indikacionet që pollën hipotezat dhe përfundimet e deriatëhershme mbi psikologjinë, mentalitetin dhe manipulimin masiv në interes të një filozofie të caktuar politike, qoftë ajo nënshtruese apo progresive. Për të sjellë përfundime sa më konkrete rreth këtyre çeshtjeve, Ciceroni zhytet edhe në sfera të tjera, për të cilat mendon se janë shkaktaret kryesore për imponimin e një gjendje të tillë të njerzve në atë epokë. Pra fillon të studiojë edhe faktorët metafizikë që kanë ndikuar dhe ndikojnë shpirtërisht tek humaniteti. Ai në një numër të madh shkrimesh zbulon metodat kryesore, nëpërmjet të të cilave më së lehti mund të vëhet në lëvizje tërrësia e brendshme, pra ajo shpirtërore e njerzve.
Njohja e burrimeve dhe pasojave të kësaj metode i mundëson elitës sunduese përparësinë për të kontrolluar masën në mënyrë sistematike deri në mbërritjen e qëllimeve të caktuara që ajo synon. Nga tërrësia e këtyre llogaritjeve mendore të Ciceronit lind edhe «Gjimnastika shpirtërore», në interes të qeverisjes mbi popullin si bazë, mirëpo me këtë nuk lind edhe shkenca e qeverisjes, e cila më vonë u ngrit mbi bazat e përkufizimeve të Ciceronit.
Stili, niveli i lartë i gjuhës intelektuale që Ciceroni demostron në shkrimet e tija janë rezultat i shpirtit dhe kulturës së tij artistike. Ndërkaq lënda, temat qëndrore që ai trajton në ato tekste nuk mund të llogariten si elemente që i shërbejnë vetëm fantazisë dhe imagjinatës metafizike të një mendjeje, përkundrazi ata kanë të bëjnë me bazat faktike të pozitës shpirtërore dhe psiqike të një epoke në zhvillim e sipër.
Deri në shekullin XVI u përdorën terme dhe gjini të ndryshme letrare, shkencore e filozofike rreth pozicionimit të teksteve të tija, mirëpo të gjithë ata nuk përmbushnin emërimin konkret të llojit të shumicës së shkrimeve dhe kulturës shprehëse që ka kultivuar Ciceroni. Tek me zbulimin e nocionit «Ese» u konstatua përfundimisht se pjesa dërrmuese e teksteve të Ciceronit janë ese, duke ndarë ato nën: ese politike, ese juridike ,ese filozofike apo ese mbi qeverisjen etj.

3
Më bindës në këtë drejtim del Epikuri (342-271 p.e.s) me botëkuptimet e tij, të plasuara në lidhje me shpjegimin e disa fenomeneve të caktuara fizike në natyrë, të përmbledhura në librin «Natyra e sendeve».
Stili i të shkruarit, arsyetimi dhe përshkrimi i çdo mendimi me synonime dhe paralelizma të marra nga fusha e artit paraqesin një formë shkrimi krejt tjetër dhe të re nga praktika tradicionale e deriatëhershme. Tri parimet që, Epikuri shpall në shkrimet e tij, në lidhje me origjinën, varrësinë dhe funksionimin e sendeve në natyrë mund të llogariten si burimet e para dhe themelore që inicuan hulumtimet e pastajme për ngritjen e Fizikës si shkencë. Mendimi i Epikurit se gjërat në natyrë funksionojnë sipas tri parimeve themelore të zbuluara nga ai (1. asgjë nuk lind nga asgjëja, 2. Asnjë send nuk mund të shndrrohet në asgjë dhe 3. Gjithësia ka qenë gjithmonë kështu dhe kështu do të mbetet gjithmonë) janë vetëm ide konstatuese të hudhura në letër, të pamaterializuara dhe të paargumentuara. Kështu ata shërbejnë vetëm si një projekt shkencor studimi, i cili sjell domosdoshmërinë e hulumtimit të mëtejshëm për të konfirmuar mendimin epikurian si logjik dhe të arsyeshëm. Edhe pse gjuha dhe struktura e fjalisë që Epikuri përdor në shkrimet e tij i përkojnë një natyre të lartë artistike, tema që ai trajton (bashkë me përmbajtjen dhe informacionin që sjell nëpërmjet të atij teksti) është kryekëput shkencore. Pra, teksti përmban të gjitha elementet e një veprimtarie intelektuale të lartë letraro-artistike. Tema, informacioni dhe mesazhet e këtij shkrimi janë të një karakteri krejt tjetër, pra atij shkencor. Një tekst artistik me esencë studimore shkencore. Në bazë të këtyre elementeve që përmbajnë tekstet e tij, rezulton përfundimi logjik se: Epikuri ka kultivuar esenë mbi Fizikën apo esenë shkencore.E njejta natyrë shkrimi dhe trajtimi të fenomemeve përshkuese jetike u kultivua më vonë edhe tek Seneka; me esetë interpretative etike rreth mendimit stoik përballë moraleve dhe besimeve që impononin perandoritë në sundim, pastaj tek Lukiani me veprat e tij mbi historinë e rrejshme që paraqesin një kapitull të rëndësishëm të esesë historike, e deri tek pasardhësit e tyre si Mishel de Montaigne, Bekoni, Niçeja etj.
4
Michel de Montaigne apo siç e quajnë shumica e studiusve «baba i esesë» është një ndër inspiratorët dhe zëdhënësit më konsekuent të Hhumanizmit dhe Rilindjes evropiane. Vërtetësia e këtij konstatimi fuqizohet kur marrim në studim e sipër punimet e tij të shumta mbi çështje a dukuri , përballë të të cilave mendimi i kohës qëndronte i shtangur, pa fuqi dhe guxim për të trajtuar ato tjetërfare nga kodiku i moralit sundues. Montaigne i frymëzuar thellë nga pikëpamjet e Plutarkut dhe interpretimet diskursive të Senekës mbi formën dhe mekanizmin e faktorëve që shoqërojnë qenien njerzore ndeshet me pyetjet; kush jam unë… ç`ka jam unë?
Për këto pyetje ai gjen një oqean të pafundshëm përgjigjesh. Përgjigje këto që pandërprerë e sjellin në një qendër të vetme- tek vetëvetja! Në marrdhënie të pakëputshme me çdo gjë në natyrë që mund ta kap spektri intelektual i tij. Sa më shumë që thellohet në kërkimin për të gjetur arsyet e ekzistencës së tij në univers aq më shumë zgjerohet diapazoni i kurreshtjes ngacmuese pas gjërave të panjohura.
Përpjekjet e tij të vazhdueshme dhe të përjetshme pas zbërthimit epistemologjik të të gjithë faktorëve ekzistues në natyrë në lidhje me të, ai i shtron në librat e tij «Essais I-II-III», të botuara në periudhën 1580-1588. (Essais, në përkthimin e drejtëpërdrejtë të fjalës don të thotë Përpjekje). Kërkimet, mendimet, dhe Përpjekjet e Montaigne sillen rreth tre preokupimeve qëndrore dhe atë:
1. vetnjohja si kusht për të njohur të tjerët, 2. vdekja dhe 3. Edukimi (i epokës për një jetë më të vyrtitshme dhe më të mirë).
Nga tërrësia e veprimtarisë së tij eseistike, në mënyrë të veçantë mund të dallohen esetë; Thèologie naturelle et le Journal de voyage en Italie (Teologjia natyrore dhe ditari i udhëtimeve në Itali),
u në mënyrë joantagonike dhe komptente sjell definime universale të përjetshme; mbi rëndësinë e ekzistencës së vetëdijes konstruktive pozitive humane; mbi rolin human në mekanizmin e tërrësishëm të natyrës dhe; domosdoshmërinë e edukimit të kësaj qenie me shpirtin e lirë. Duke potencuar në mënyrë kontinuitative shpirtin e lirë si kusht primar për vetëdijësimin e qenies humane me integritetin dhe dinjitetin që duhet ta ketë karshi jetës dhe hapësirës ku jeton. Sipas mendimeve të Montaigne del se vetëm Shpirti i Lirë mund të demostrojë aftësinë e përceptimit të raportit njeri-univers me kusht që ky shpirt të publikojë mendimet, pikëpamjet dhe njohuritë e veta me qëllim të komunikimit me shpirtërat tjerë të lirë të epokës. Montaigne kërkon debat të hapur intelektual që përpjekjet (esetë) individuale mos mbesin vetëm përpjekje, por prej tyre të nxjerren definicionet përfundimtare rreth çdo problemi që preokupon dhe stagnon vetëdijen humane në përparim dhe përkryerje e sipër. Mendimet abstrakte të tij nuk ndahen fare nga përvoja konkrete e jetës.
Veprat e Montaigne nuk janë, thjeshtë reportazhe kronike apo udhëpërshkrime të një epoke në rrugë për të gjetur veten, por fiziologjia e një strukture tejet të lidhshme mendore intelektuale që për produkt ka ligjet se si duhet të funksionojë ndërgjegja humane në interes të ardhmërisë së vet.

Gjuha
Montaigne e do dhe kultivon gjuhën popullore. Disa nga gjuhëtarët francezë e konsiderojnë si një ndër pionerët e parë që, gjuhës frënge i jep përparësi nga terminologjia gjuhësore e trashëguar prej literaturës së deriatëhershme latino-greke. Në tekstet e këtij mendimtari vërejmë një fjalor të pasur, preciz dhe pa fije druajtjeje gjatë përdorimit të fjalëve, të cilat (siç është konstatuar më vonë) janë përdorur në ndonjë rajon shumë të vogël të Francës. Një zgjedhës spontan e i mrekullueshëm i fjalëve të bukura anekënd tërrësisë gjuhësore franceze, me të cilat ka krijuar kopshtin estetik të gjuhës në fjalë. Është një ndër ata që i ka dhënë bukurinë e merituar gjuhës frenge, që shkronjat e saja mos jenë vetëm mekanike por përplot shpirt dhe tingull. Montaigne ka shkruar ashtu siç ka folur; pa stërngarkime terminologjike dhe pa huazuar nocione të huaja gjatë demostrimit të mendimit të ti
. Vetë qëndrimi karshi veprimtarisë së tij; «Jam unë ai që mendon…unë jam vetë materia e librave të mi…esetë e mia nuk janë tregime a historira, por unë vetë, esenca ime», flet për shumëçka në këtë drejtim.

Stili
Po të vështrojmë veprimtarinë e Montaigne nga aspekti kronologjik do të ndeshemi me procesin e perfeksionimit. Ai ka punuar vazhdimisht në përkryerjen e mendimeve të veta. Mendime këto, të shoqëruara me imazhe e metafora që u japin atyre ekapresionin favorit dhe me vete bartin arsyen bindëse pas çdo pikëpyetjeje, pavarësisht nga ajo se sa e komplikuar është në esencë përgjigja që sjell Montaigne. Rezultati del gjithmonë krejt i natyrshëm, logjik dhe i kapshëm. Përkufizime dhe definicione që mund të kuptohen nga çdo shtresë e nivelit intelektual të vetëdijes humane. Stili i Montaigne është i natyrshëm, origjinal. Niveli artistik i shkrimeve të tij është i lartë, shumë i lartë. Kjo bëri që nga ai të frymëzohen më vonë emra të mëdhenj të mendimit të përbotshëm si: Paskali, La Brujer, Roshefukoldi e të tjerë. Montanji është themeluesi i (vetëdijshëm) një forme të re të të shkruarit, të cilën ai e quajti Ese. Formë, kjo me të cilën edhe në ditët e sotme janë të preokupuar disa shkenctarë eminentë botëror të gjuhës dhe shkencave tjera humane në lidhje me studimin dhe përcaktimin e vendit të eseut si Formë krijuese.

5
Edhe filozofi anglez Bekon, bashkëkohës i Montaigne, trajtesat e tija i quajti «Essay». Duke dhënë shpjegimin rreth formës së të shkruarit, të cilën ishte duke praktikuar, në këtë mënyrë: «Përpjekje për të shprehur pikëpamjet mbi Zotin dhe Botën në një hapësirë të kursyer dhe precize, me një konkretësi dhe mprehtësi të lartë intelektuale». Bekon mendon se me këtë formë të të shkruarit krijohen kushte më të përshtatshme për të komunikuar dhe depërtuar sa më lehtë tek të gjitha shtresat dhe nivelet ekzistuese të anatomisë mendore, dhe se, duke u dhënë shpjegime sa më konkrete mbi Zotin dhe Botën do t`u krijohet atyre më lehtë mundësia e gjetjes së arsyes për ekzistencën humane brenda mekanizmit gjigant të universit. Siç shihet, filozofi anglez, për dallim nga ai francez (i cili si epiqendër dhe burim për të mbërritur deri tek shpjegimi i fenomeneve në natyrë merr vetveten), ka një teknikë të kundërt metodologjike për të kërkuar të vërtetën. Mirëpo qëllimi i bashkon ata. Më e rëndësishmja: mbi të gjitha ato i bashkon forma e të shkruarit. Që të dy punimet e veta i quajnë; ese.
Pas baraspeshimit të fakteve që u thanë më lartë, mund të kuptojmë përse ekziston dilema rreth përcaktimit të përkatësisë së esesë. Montanji dhe gjithë të tjerët që unë trajtova deri tani, pikpamjet e tyre filozofike i zbërthejnë nëpërmjet fjalës artistike, ku faktet dhe definimet përzihen me fantazinë, imagjinatën e një shkrimtari.
Kjo dilemë vazhdimisht ka kontribuar për prezencën e hutisë, pasigurisë dhe grindjeve në mes filozofisë dhe letërsisë për të përvetësuar eseun, çdonjëra për vete, në sistemin e tyre.

6
Studiuesit e letërsisë, kryesisht letrarë, dolën më të shpejtë në këtë drejtim. Në vitet e njëzeta të këtij shekulli, shkrimtarë nga e gjithë bota formuan një bashkësi të tyre. Me emërimin e kësaj organizate si PEN (poetët, eseistët, novelistët), kreatorët e saj karakterizuan esenë si refleksion artistik. Eseja, d.m.th. nga bota letrare u promovua si Formë e veçantë dhe e barabartë krijuese Arti, si proza, poezia, novela etj. Argumentet, në të cilat thirret bota letrare në lidhje me pronësinë e esesë janë; stili, gjuha, imazhet, metafora, dhe fantazia artistike në tekst. Elemente këto që pozicionojnë tekstin në familjen e krijimtarisë poetike. Bazuar në këtë arsyetim, shohim se me të drejtë mendojnë studiusit e letërsisë se eseja është Formë Arti. Pra, për nga forma eseja është art.
Tani parashtrohet pyetja: është vetëm forma ajo që përcakton karakterin e një teksti?! Ç`u bë materien, përmbajtjen, informacionin, mesazhet dhe konkludimet e atij teksti? Siç konstatojmë tek veprimtaria krijuese e Ciceronit; përmbajtja e teksteve të tij ka të bëjë me organizimin shoqëror, ligjor dhe shtetëror të masës; tekstet e Epikurit janë studime mbi fizicitetin e sendeve në natyrë; Montaigne bën kërkime dhe studion njeriun ( veten) duke u bazuar në përvojën etiko-filozofike, kështu duke nxjerë konstatime antropologjike, etike, estetike, fizike etj. mbi rolin e qenieve në natyrë, e kështu me radhë.
Poqëse bazohemi për nga përmbajtja, materia, informacioni, fondi dhe maszahi i teksteve në fjalë, atëherë do të konstatojmë se eseu i tyre nuk është eshtë vetëm refleksion artistik, që do të thotë, refleksion mbi ndonjë vepër arti, apo mbi artin vetë, por edhe refleksion filozofik i fenomeneve dhe dukurive natyrore në kërkim të shpjegimit shkencor të tyre. Synim ky që në pjesën më të madhe, me krijimin e shkencave të ndryshme, më vonë është realizuar. Si duket për nga përmabjtja… eseja mund të jetë; filozofike, shkencore, etj. Me kombinimin e të dy versioneve të ligjshme ( të arsyeshme, të drejta…) , pra me atë të botës letrare dhe anës tjetër patjetër të rikonstatojmë: Eseja është forma më e lartë shprehjes artsitike mbi probleme të ndryshme shkencore, kulturore, filozofike etj. Dhe njëkohësisht ura që lidhë të gjitha dijet dhe përvojat intelektuale e gjeniale në mes veti, me qëllim të veprimit të përbashkët!

7
Hipotezat, supozimet, konkluzat… e studiusve të esesë janë të lloj-llojshme dhe kontradiktore. Pavarësisht nga presupozimet, pozitat që mbrojnë ata dhe forcën imponuese që kanë ndaj mendimit studiues të përbotshëm, përballë një fakti mbeten të «pagjuhë»: Eseja (po të bazohemi tek Montaigne para.- dhe pasrendësit e tij ) është kulmi i dijes së lartë intelektuale dhe mjeshtërisë së të shkruarit . E jo «prodhim i parë i një njeriu që synon të bëhet shkrimtar» siç mendojnë francezët. Natyrisht, nëse e konsiderojmë çdo tekst si ese —pa kërkuar kriteriet e domosdoshme që duhet pasur një shkrim për ta karakterizuar atë si të tillë — vetëm pse është mbititulluar si ese, atëherë konstatimi francez qëndron. Mirëpo, menjëherë pas pranimit të këtij kostatimi si të përbotshëm duhet njëkohësisht të organizojmë edhe ceremoninë solemne të varrimit shkencor të eseut.

8
T`i rikthehemi pyetjes së parashtruar më lartë, në lidhje me gjatësinë e eseut. Sa i gjatë duhet të jetë një tekst për të qenë ese? Kjo është e njejtë sikur të pyesim sa vargje duhet t`i ketë një poezi për t`u quajtur si e tillë, apo sa faqe duhet të ketë një prozë për t`u konsideruar si novelë a roman etj. Nuk është sasia kriter që mund të përcaktojë natyrën e një teksti. Psh. forma më e shkurtë e esesë është bërë nga Niçe, nga rrjedhë edhe «eseja aforistike». Niçe ka dhënë përgjigjen më adekuate që mund të përdoret në këtë rast: «unë mund të them me një fjali shumë më shumë rreth ndonjë problemi të caktuar, se sa disa me një libër të tërrë…». Çka thotë Niçe në 80 faqe, dikush (pjesa dërmuese e filozofëve të kohës së tij) ndoshta nuk mund ta shpreh në 1000 faqe. Kualiteti është kriteri parimor që përcakton vlerën e një eseje, e jo sasia. Duhet pranuar se shumica e eseistëve dhe studiuesve të esesë preferojnë parimisht esenë e shkurtë, konkluduese dhe precize. Mbi të gjitha koncentrimi përsëri duhet të mbesë tek forma dhe përmabajtja konstruktive, faktorë këto, përcaktues të tekstit si ese.

9
Eseisti është gjithmonë në gjueti pas gjetjes së çelësit të ndonjë të panjohure. Gjendja shpirtërore e tij është vazhdimisht në gjendje gatishmërie për të filluar luftën me ndonjë temë, e cila duket e paprekshme ose e rrethuar me plotë rreziqe. Rreziku! Kjo është fjala që më së shumti i le përshtypje një eseisti që ai të alarmojë shqisat e ndjekjes. Qëllimi i tij është që atë temë, sado e sokulluar që të jetë me parimet etike të «përvojëshmërisë edukuese», ta bëjë debat. Fillimisht brenda vetes deri në procesin e formulimit të pikëpamjeve të tija me shkrim, e pastaj e hedh atë temë në debat për t`u shfrytëzuar si mjet eksperimentimi nga «lugetërit» e paktë të epokës, të cilët pronësojnë shpirtin e lirë.
Paragjykimi: «eseistëve u mungon virtyti i durimit» është i saktë. Esesisti nuk ka durim që temën, të cilën ka në përpunim e sipër, ta zgjerojë dhe sjellë deri në përfundimin definitiv të saj. Kjo rezulton nga arsyeja e zakonshme e shpirtërave të tillë kureshtarë; gjatë asaj kohe që eseisti është duke zier në mendje pyetjet rreth një fenomeni të caktuar për të arritur në krijimin e botëkuptimeve të tij ( të cilat më vonë i derdh në esenë e vetë), i paraqitet një temë tjetër ngacmuese, e cila i duket se ka diçka të përbashkët me temën e parë, dhe ai, menjëherë fillon vrapin e pamëshirshëm për të kapur kuptimësinë dhe për të gjetur përgjigjet mbi fenomenin tjetër me të cilin është ngacmuar intuita dhe shpirti i tij . Atij i mjaftojnë konkludimet dhe pikëpamjet e nxjerra rreth fenomeneve, pa qenë i interesuar të argumentojë ato përfundimisht. Fantazia, ashtu si shpirti i eseistit, intensifikon çdo poetencial ekzistues për t`iu vënë pas çdo fenomeni për të cilin mendon se ai përpiqet të mbetet i fshehtë nga dija e tij. Mbledhja e përvojës së re, dëshira për pasurimin e pakufijshëm të dijes dhe shpirtit të personit të tij, procesi i pandërprerë për të rinuar shpirtin dhe mendjen, etj. janë pasioni i përjetshëm i një eseisti. Pikëpamjet e tyre janë përfundimtare, dhe në këtë kontekst ato mund të konsiderohen si definicione mbi çështje konkrete dhe abstrakte (varrësisht nga natyra e temës), mirëpo eseisti materializimin dhe argumentimin e tyre e llogarit si «humbje kohe», atij i duket se, për çdo njeri zbulimi që ka bërë, është i kapshëm, logjik, i thjeshtë. Eseisti këtë gjë e arsyeton në këtë mënyrë: «Të gjitha gjërat zbulohen janë sende që ekzistojnë, dhe për këtë nuk duhet maltertuar mendjen e kohës me libra e libra që argumentojnë një gjë të vetme, atyre vetëm duhet treguar vendin dhe hapësirën ku gjendet ai send që, ata ta shohin, ta prekin me vetëdijen e tyre, dhe kjo mjafton që ata të gjykojnë se për çka është fjala»!

10
Për të pasur aftësinë e konstatimit të një teksti si ese, çdo profesionalist e ka të nevojshëm njohurinë mbi parakushtet universale që përcaktojnë një ese si të tillë. Tek të gjithë eseistët, e të gjitha kohëve— si në kohën e Ciceronit, Epikurit, Montaigne, Bekonit, ashtu në atë të Lessingut, Lichtenbergut, Gëtes, Shillerit, Shawit, Gidit, Mannit, e deri te Emerssoni, Kaneti, etj. të cilët kanë shkruajtur esenë me mjeshtërinë më të madhe— gjejmë këto elemente të përbashkëta : kulturën e gjërë; një dozë të fortë skepticizmi; mençuri të distancuar dhe ironike ndaj jetës; përvojën praktike të jetës (duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për të); guximin ndaj Fragmentit; guximin ndaj impresionit dhe mbi të gjitha guximin e pashmnagshëm ndaj hipotezës; maturinë gjatë procesit të studimit të gjërave të veçanta për të mos humbur shikimin e përhershëm mbi atë të përgjithshmen. Më kryesoret: a) vënia e fenomenit apo objektit trajtues në pozicionin qëndror të tekstit, dhe b) rreshtimi konkret i pikëpamjeve dhe konkluzioneve të arritura si përfundime. Pa këto kritere, sidomos pa ato dy të fundit, nuk ka ese!

11
Sa më i lartë të jetë niveli intelektual i masave aq më e akceptuar është Eseistika. Ardhmëria e esesë varret nga ngritja kulturore e njeriut. Eseja, ashtu si artet tjera, shërben për edukimin e shpirtit të lirë, atij human. Pra edukimin e shpirtit të lirë e jo atij të trajnuar sipas konditave të një mekanizmi të ftohtë maqinerik. Depërtimi i esesë tek njerëzit që nënshtrimin e njohin si të vetmin ligj mbijetimi nuk është i mundshëm. Me këtë si kusht themelor, pra, për suksesin e esesë në të ardhmen, paraqitet orientimi i vetëdijes njerzore më shumë drejt ndërgjegjes humane. Kur kemi parasyshë drejtimin e ecjes së njerëzimit (momentalisht) pavullnet duhet të pranojmë se Shpirtrat e Lirë, pra Eseistët, përkundër shumimimit të vazhdueshëm të tyre, do të mbeten të pakët edhe për këtë epokë. (Berne, 1997)

(Pjesë nga një punim më i gjatë)

Related

Fantomi i operas – ose historia e shëmtisë, artit dhe dashurisë

Personazhi i fantomit të operës është fascinumi më i...

1960 – 2013: Epokë e artë e shqiptarësh?

Natyrisht që popujt e tjerë të Jugosllavisë (përveç elitës...

Branko Thanasi ose kur historia bëhet njeri

Asimilimi «t’merr ndërkomb edhe t’mbytën», i tha Branko Thanasi...

Cyberpoetika

Në World Wide Web tashmë bëjnë jetë krijimet e...

Rrymat letrare të postmodernës shqiptare

Letërsia shqipe (si tërrësi) e krijuar pesë dekadave të fundit mund të kualifikohet si gjithçka tjetër, por jo edhe si letërsi e realizmit socialist.