Rrymat letrare të postmodernës shqiptare

Letërsia shqipe (si tërrësi) e krijuar pesë dekadave të fundit mund të kualifikohet si gjithçka tjetër, por jo edhe si letërsi e realizmit socialist.

Në fillim të viteve të nëntëdhjeta, në vendet që kishin qenë nën sundimin e komunizmit, filloi një tendencë e “shpëlarjes” kulturore, veçanarisht në fushën e letërsisë. Nisi përpjekja për ripozicionimin dhe identifikimin e asaj që mund të konsiderohej si vlerë dhe asaj që dukshëm kishte vepruar si virus në shkatrrimin e sistemeve tradicionale – sisteme që duhej të shërbenin si bazë e detyrueshme për të ruajtur e zhvilluar kontinuitetin kulturor të popujve në fjalë.
Përderisa në vendet tjera postkomuniste si Çekia, Sllovenia, Kroacia e ndonjë tjetër nisi një debat i kuptimtë mbi këtë çështje, në hapësirat shqiptare kjo inicijativë u veçua për nga joserioziteti dhe nuk arriti të ngritet në proces e me këtë as në kontribut që do të çonte drejt definimit e rolit të letërsisë gjatë epokës komuniste në dy shoqëritë kryesore shqiptare dhe atë në Shqipëri dhe Kosovë. Më shumë ajo u deklasua në një konflikt banal ndërmjet brezave. Ndërkaq me theks të veçantë, sa i përket Kosovës, një rol stagnues në këtë drejtim ka luajtur edhe gjendja dramatike politiko-sociale e këtij vendi, konkretisht konflikti shqiptaro-serb që u finalizua me tmerret e luftës së fundit.
Gabimi tjetër, që në start, ishte hyrja në problem me përpjekjen për të ngritur formulat e vijat se kah duhet të shkojë letërsia shqiptare pa u bërë analizat themelore mbi atë që ishte, domethënë pa u identifikuar ajo që ekzistonte. Mungoi angazhimi i organizuar shkencor i kritikës dhe institucioneve kompetente.
E në rastin e letërsisë së Kosovës kjo është çështja esenciale.
Letërsia në Kosovë, me gjithë përjashtimet, nuk mund të konsiderohet si letërsi kryekëput në shërbim të realizmit socialist, përkundrazi ajo rradhitet në listën e atyre pak letërsive disidente të bllokut të atëhershëm socialist, e cila nuk përfillte konditat e teorisë marksiste mbi letërsinë. Këtë e dëshmon edhe fakti se autorët e “letërsisë zyrtare” qysh në fillim të viteve të 60-ta vetvetiu humbën ndikimin e tyre, pa mundur që të kyçen në sistemin e letërsisë shqipe të Kosovës.
Nëse letërsia e Kosovës nuk është letërsi real-socialiste, atëherë ç’është ajo?

KONTINUITETE LETRARE
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, të gjitha vendet që iu nënshtruan bllokut të internacionales komuniste u detyruan që të pranojnë edhe diktatin socio-politik mbi letërsinë, diktat i ngritur mbi parimet e të ashtuquajturës “Teoria marksiste mbi shkencën e letërsisë”. Një katalog urdhëresash të përpiluara në “Kongresin e I-rë të shkrimtarëve sovjetikë” (1934), të udhëhequr nga Maksim Gorki. Program, që paralajmëronte vënien në praktikë të realizmit socialist në letërsi.

Për t’u realizuar ky synim moskovit prej çdo vendi u rekrutuan letrarë të talentuar që do të studionin në institutet e ngritura enkas për këtë punë. Shqipëria dhe Jugosllavia ku krijohej letërsia shqiptare, për shkak të përkatësisë në këtë bllok, poashtu u bënë pjesë e kësaj ndërmarrje të ideologjisë  ruse.
Mirëpo koha që nevojitej për t’u shkolluar studentët mundësoi një hapësirë; në njërën anë vakuumi e në anën tjetër shfrytëzimi të atij kapitali që ishte në disponim, materie, të cilën mësuesit e atërhershëm “popullorë” – që frekunetonin në hapësirat shqiptare – e përdornin si program ligjërimi. Në këtë program ishin të përfshirë autorë të letërsisë romantike, paramoderne dhe asaj moderne shqiptare të viteve të 30-ta.
Në Shqipëri si paraprirës, udhërrëfyes u zgjodhën shkrimtarët e poetët shqiptarë të traditës me karakter social – ashtu siç kërkonte Maksim Gorki në parimet e tij – ndërkaq, në Kosovë u përqafuan modernistët universalistë.
Pikërisht në këtë pikë edhe ndahet në dysh letërsia shqipe:
a) në atë që do t’i mbetet besnike letërsisë së realizmit socialist dhe
b) në atë që në mënyrë tepër perfide u ikë parimeve të teorisë marksiste, duke mbetur në rrjedhat e përgjithshme të letërsisë, pa përjashtuar edhe atë të parën.
Në Tiranë për idhuj e shembuj se prej ka duhet të nis letërsia merren Asdreni i vonshëm, Migjeni, Nonda Bulka (Chri-Chri), Qemal Stafa (Brutusi), Shefqet Musaraj e të tjerë të këtij lloji, ndërsa në Kosovë preferohen Jeronim de Rada, Ndre Mjeda, Çajupi, Asdreni i fillimeve, e ngritet deri në piedestal si frymëzues kryesorë poeti universal Lasgush Poradeci.

a) Realizmi dhe natyralizmi

Pas vendnumërimit në dilemë dhe frikë dolën frytet e para. Në fund të viteve të 50-ta dhe fillim të viteve të 60-ta dalin poetët dhe prozatorët e parë: Din Mehmeti, Adem Demaçi, Martin Camaj, Rrhaman Dedaj, Fahredin Gunga, Enver Gjergjeku, Qerim Ujkani etj.
Ky grup shkrimtarësh përpiqej që të arrijë një koncensus në mes kontinuitetit të letërsisë kombëtare dhe “obligimeve” ndaj shoqërisë, pjesërisht duke prodhuar edhe poezi ose prozë që rradhitet në ato të frymës konform ideologjisë, vepra ose cikle të caktuara veprash, të cilat megjithëkëtë mbeten minore në aspektin tërrësor e me të cilat nuk krijohet korpusi faktik për t’i cilësuar të përmendurit si shkrimtarë të realizmit socialist.
Është jorelevante, sidomos për kushtet e kulturës në Jugosllavinë e atëhershme, t’i hyhet problemit se a e kanë bërë këta autorë rrëshqitje të tilla për shkak se kanë qenë të detyruar apo për arsye se ashtu kanë qenë bindjet e tyre. Kryesorja është se ata kanë krijuar letërsi që në plan artistik nuk mund të injorohet, pavarësisht pozitës së tyre sociale e pa marrë parasyshë elementet tjera autobiografike, të cilat kanë ndikuar në formimin dhe prodhimin e tyre artistik. Edhe në kohën kur kanë shkruar poezinë politike – që sot cilësohet si dëm (ose edhe më rëndë) në plan të interesave kombëtare shqiptare – ata kanë arritur që në plan artistik të krijojnë vepra të mirëfillta letrare.
Shikuar në kontekstin jashtëkombëtar shumica nga këta autorë nuk patën mundësinë që të kapin hapin e proceseve të ndryshimeve epokale në letërsi e arte, proces që po ndodhte në këtë periudhë: kalimit nga modernja në postmodernë. Besnikëria për të paraqitur realitetin sa më origjinal në gjuhën artsitike; preokupimi me temat sociale e reale të përditshmërisë me një gjuhë të zhveshur nga lirizmi; lidhja e fortë me sistemin e trashëguar poetik të romantizmit bëri që ky brez të mbetet në një epokë, e cila në skenën botërore të letërsisë njihet si epoka e realizmit dhe natyralizmit. Rrymë letrare e gjysmës së dytë të shekullit 19, e cila më së shumti kultivohet në prozë e dramë e që fillon me romanin e Stendalit “Kuq dhe zi” (1830), Gustav Flaubertit “Zonja Bovary” (1857), atë të Charles Dickens’it “David Copperfield” (1850), Dostojevskit “Vëllezërit Karamazov” (1879) e deri tek Bernard Shaw në fillimet e krijimtarisë së tij.

MODERNA

b) Neoromantizmi
Azem Shkreli dhe Ali Podrimja, poashtu të kësaj periudhë, në krahasim me të tjerët shprehin një revoltë të brendshme ndaj rrymës së përfolur më lartë. Si modernistë ata kultivojnë teknikë dhe strukturë krejtësisht tjetër të rrëfimit poetik. Ata i lënë më shumë hapësirë spontanitetit që t’i japë formë artit të tyre, pa qenë të robëruar nga ai “riprodhimi i famshëm i realitetit ashtu siç është” që udhëhiqte realistët dhe natyralistët. E përbashkëta në mes këtyre dyve dhe të tjerëve qëndron vetëm tek raporti me historinë, gjunjëzimi total ndaj të kaluarës (lokale), gjë që i pengon këta dy autorë të shkëputen nga rrymat tashmë historike e t’i bashkangjiten lumit të zhvillimeve të proceseve letrare botërore.

Shkreli dhe Podrimja megjithatë janë dy shkrimtarët themelorë të kësaj kohe, sa i përket pozicionimit të letërsisë shqiptare. Ose sjelljes së një rryme që letërsia shqiptare nuk e njihte: neoromantizmin! (= Hoffmannsthal, Hesse etj.)
Edhepse jashtë modës së epokës në letërsi këta dy krijues luajnë një rol të rëndësishëm, veçanarisht në krijimin e kontinuitetit (pas një ndërprerje të “shkurtër”) të letërsisë moderne shqiptare. Si të tillë ata nuk shkaktojnë ndonjë tërmet disident karshi formave të kërkuara nga traktatet e teoricientëve të instituteve ruse, duke iu bashkangjitur “tregut të lirë” të rrymave e drejtimeve letrare botërore, por bëhen në një mënyrë pengesë që letërsia shqipe të shndrrohet në një prototip i atyre letërsive eksperimentale që kishin marrë turrin nëpër vendet e bllokut socialist duke asgjësuar sisteme letrare nacionale, duke anatemuar e shkulur gjithçka “dekadente” në memorien e kulturave të ndryshme.
Konkretisht: Ali Podrimja dhe Azem Shkreli me veprat e tyre (“Bulëzat”, “Karvani i bardhë”, “Thirrje” “Hija e tokës”) bëhen përfaqësues të neoromantizmit dhe përmbyllës së epokës moderne në letërsinë shqiptare. Dy krijues që do të veprojnë edhe në periudhat tjera, madje edhe me shkollat e tyre, por që do t’i mbeten besnik drejtimit letrar të fillimeve sa i përket frymës, stilit dhe shumë elementeve tjera tipike e karakterizuese.

POSTMODERNA
c) Simbolizmi dhe surrealizmi
Hermetiku Anton Pashku dhe heretiku Teki Dërvishi. Këta dy emra e hapin letërsinë postmoderne shqiptare.

Ndikimi i modernistëve Joyce, Eliot, Rilke, Musil, Lorca reflektohet në prozën e Pashkut dhe Dervishit si stil, formë e rrëfimit shumëperspektivësh dhe si metodë e veçantë trajtimi e fenomeneve historike-kulturore. Me kulturën intelektuale të modernistëve dhe të filozofisë së kohës që origjinën e kishin në mendimet filozofike të Kierkeegard dhe Huserl, Pashku e Dervishi me sukses vënë në diskutim çështjet e ekszistencializmit në letërsinë shqipe. Ashtu si proza e Sartrit edhe ajo e këtyre dyve trajton në mënyrë të thelluar nocionin e lirisë dhe atë të angazhimit të vetëdijshëm për të gjetur kutpimësinë e qenies pas murrit të asaj lirie.
Hermetiku Pashku nëpërmjet simboleve historike vë në pikëpyetje kualitetin funksional të vetëdijes shoqërore të asaj kohe duke e shpallur atë si absurde ose të izoluar në një kullë mesjetare që nuk shpërthen dot jashtë murreve. Për dallim nga Pashku Teki Dervishi bëhet më i përimtësuar dhe më konkret në këtë drejtim; ai si “objekt” qëndror në prozën e tij nuk i merr fenomenet në përgjithësi, por vetë kryeprotagonistin e këtij teatri mondan: Njeriun! Nëpërmjet këtij objekti të tij ai ka më shumë mundësi të manovrojë për të ardhur deri tek pasqyrimi i realitetit të qenies në hapin e tij të parë në postmodernë. Dervishi – që beson në realitetin e formave të shumta asociative të vetëdijes; gjithëfuqinë e ëndrrës dhe pushtetin shumëqëllimshëm të mendjes – shndrrohet në një André Breton shqiptar, duke krijuar, nëpërmjet prozës së tij lirike “manifestin shqiptar të surrealizmit”.
Gjë që nuk vlen edhe për poezinë e tij të fillimeve; në këtë gjini Dervishi është i fascinuar me metodën e krijimit të “poésie pure”, një poezie të pasur për nga format, por të kursyer nga idetë, si ajo e “kryepriftit” të simbolizmit francez Mallarmé.
Që të dy këta autorë, njëri si ekzistencialist e simbolist e tjetri si surrealist e simbolist bëhen krijues të simbolizmit në letërsinë shqiptare.
Po të bëhet një krahasim në mes bashkëkohësve në letërsinë postmoderne evropiane dhe këtyre dyve shihet jo vetëm bashkërezonimi intelektual, por më shumë ajo përkatësia e përbashkët në ato elemente tipizuese që përcaktojnë letërsinë postmoderne, bartës të së cilës shpallen: amerikani Pynchons, argjentinasi Borges, kolumbiani Marques, meksikani Fuentes, austriaku Handke, zvicerani Frisch etj.

LUFTA EKZISTENCIALE MBI KONCEPTE
Vitet e 70-ta njihen si vitet më komplekse në letërsinë shqipe. Është po e njejta kohë si në atë të pasçlirimit ku mbizotërojnë, pasiguria, dilema dhe frika. Në krahasim me atë të parën, në këtë periudhë tashmë nuk ekziston as vakuumi teorik po as mësuesit popullorë, të cilët për shkak të mungesës së teorive nga Moska e mund të ligjërojnë romantizmin e modernizmin kombëtar letrar. Tashmë janë prezente; teoritë e përkthyera (edhe pse ende në mënyrë fragmentare) gorkiane, kritikët e parë dhe shkrimtarët e parë të realizmit socialist dhe ndikimi i ashpër i letërsisë zyrtare nga Tirana e prirë nga Kadare, Agolli, Arapi e të tjerë.

Në Shqipëri tenedenca për të vënë në diskutim kahjen e rrugëtimit të mëtutjeshëm të letërsisë shqiptare u varros me arrestimin e dy liberalëve Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami, kështu duke parandaluar për disa dekada të ardhshme çdo inicijativë do të kishte këtë karakter “dekadent”. Në Shqipëri do të vazhdojë të shkruhet në frymën socrealiste. Jo edhe pa kualitet.
Në sajë të kësaj gjendje në Kosovë shpërthen një konflikt i hapur, gjurmët e të cilit ende nuk janë shlyer as në ditët e sotme. Konflikt që edhe sot vazhdon të krijojë konfuzitet rreth zgjedhjes së problemeve dhe ngritjes së një historie unike, objektive, jashtëideologjike dhe shkencore të letërsisë shqipe.
Konflikti në Kosovë nuk pati të njejtin fat si ai në RPSH. Agresiviteti i soc-realistëve për të marrë masa si në shtetin amë hasi në vesh të shurdhër tek instancat e shkrimtarëve të Jugosllavisë së atëhershme, në përbërjen e së cilës, gjendeshin poashtu “dekadentë” e “disidentë” që më shumë anonin nga pluralizmi kulturor e letrar se sa nga ndonjë monopol të formalizmit rus mbi kulturat e popujve të kësaj bashkësie. Nga ana tjetër tashmë i gjithë zhvillimi letrar kishte marrë udhë në drejtime të ndryshme.
Si në prozë ashtu edhe në poezi, viteve të shtatëdhjeta, shumëfishmëria e rrymave letrare ishte bërë një “dukuri” që nuk i ndalej dot hovi. Të përballur me këtë fakt itharët e letërsisë së realizmit socialist atëherë morrën një qëndrim tjetër rreth këtij problemi: T’i edukojnë “viktimat” e dekadentizmit me vlerat e larta të formës krijuese të diktuar nga Majakovski dhe Shklovski, thjeshtë për të sqaruar se si shkruhet letërsia dhe atë në këtë stil:
“…letrari e ka fare të qartë se e vetmja rrugë shpëtimi, nga kjo gjendje është arësimi, emancipimi i gjërë; e di se vetëm në këtë mënyrë do të mund të formohej baza dhe shansa reale për t’u afruar kah horizonti i ëndrrës jetike, kah majet e fazës më të lartë të shoqërisë njerzore…drejt një ardhmërie më të lumtur; mandej se shansa më reale dhe e vetmja për të realizuar këtë besim është doktrina marksiste” (Ali Aliu: Kërkime poetike (1969)
Ky leksion “qëllimmirë” nuk ndikon aq shumë që grupe të caktuara letrarësh të këtyre viteve të vazhdojnë rrugën e tyre, të rebelohen dhe të përqafojnë pikërisht ato rryma letrare që më së shumti ç’taktizonin synimin socrealist, siç ishin simbolizmi, parnasizmi, arti absurd beketist, imazhizmi paundian etj.

d) Realizmi socialist
Rrugën praktike letrare letërsisë të realizmit socialist ia hap Din Mehmeti (i këtyre viteve), Enver Gjergjeku dhe Rexhep Qosja. Ky i fundit jo vetëm si prozator, por edhe si teoricineti më serioz i kësaj lloj letërsie në mbarë hapësirën shqiptare. Pasi shqiptarët kanë një alergji ndaj nocionit “realizëm socialist” – sa herë që të përmendet ky togfjalësh mendohet në diçka të urrejtshme, tradhtare ose si ndonjë kob antishqiptar – duhet shpjeguar, se gjithë këto kulaifikime nuk kanë të bëjnë me këtë rrymë letrare.

Mendimet se kjo rrymë është kontraproduktive, vë artin në shërbim të luftës së klasave shoqërore etj. etj. në plan të përgjithshëm janë shumë të drejta, mirëpo këto kualifikime nuk kanë të bëjnë me Qosjen si autor i romanit “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, pra nuk i hyjnë në punë kritikës rreth Qosjes letrar. Rexhep Qosja është formalist e strukturalist për nga raporti i tij ndaj veprës artsitike, ithtarë i idesë priret nga mendimi se materia bëhet vetëm atëherë e kompletuar kur asaj i jepet struktura, forma. Pra një rrymë letrare që koncentrohet fanatikisht në formën dhe strukturën e një teksti letrar dhe nxjerr si të parandësishme aspektet: historike, sociologjike, autobiografike dhe psikologjike. Këtu qëndron problemi e jo se Qosja është …ku ta dijmë se çka që të mos biem viktimë e etiketimeve.
Veprat e këtyre autorëve janë
jithçka tjetër se sa të dështuara, ato kanë vlera artistike dhe, në kornizën e botëkuptimit të lartëpërmendur, me vlera të konsiderueshme letrare, qoftë në poezi e qoftë në prozë. Kësaj rryme letrare (jo si ideologji, por vetëm si formë letrare) ndër shqiptarët e Kosovës i përkojnë edhe një numër i konsiderueshëm prozatorësh e poetësh para e pas këtyre autorëve si; Murat Isaku, Nazmi Rrahamani, Shefqet Canhasi etj., të cilët madje – përveç Agim Malës si sjellës i realizmit urban – edhe nuk laujnë ndonjë rol të përcaktueshëm rreth asaj se në cilën rrymë bëjnë pjesë, por më shumë dalin si kronistë të etapave të caktuara kohore (Lufta Nacionalçlirimtare e të ngjajshme).

e) ‘Romani i Ri’ (Autoktonëtt)
Në të njejtën kohë prozatorët si Musa Ramadani, Ibrahim Kadriu, Mehmet Kraja, Ymer Shkreli dhe Jusuf Buxhovi i japin më shumë rëndësi dimensionit përmbajtësor si kontrapunkt ndaj inovacioneve të modernës e postmodernës në lidhje me metodën e rrëfimit, domethënë nuk i bashkangjiten eksperimentimit postmodern përplotë rreziqe rreth teknikës rrëfyese, por sa i përket kësaj preferojnë klasikët e modernës, ndërkaq në aspektin e temës, përmbajtjes e strukturës bëhen pionerë të rikthimit të autenticitetit shqiptar në veprën artistike.

Ramadani, Kadriu dhe Kraja nuk taborizohen në asnjërën nga rrymat ekzistuese. Këta përqëndrohen në krijimin e një proze shqiptare si për nga gjuha, etnosi, tematika, botëkuptimi ndaj kohës, jetës e kështu me rradhë. Në këtë kontekst refleksioni mbi aktualitetin i ndërtuar poashtu me një simbolizëm të matur, me një realizëm të dozuar, u mundëson atyre që të tejkalojnë barierat e përvojës së krijuar, pa mohuar atë, por duke shfrytëzuar si kusht për të ngritur një formë vetjake të rrëfimit.
Këta tre transcendentë autentik shqiptarë të veçantë i bën edhe vetë ideali për të krijuar një “Roman të ri” ku çdo segment përbërës i veprës artistike hyjnë në shërbim të idealit letrar që përfaqësojnë.

f) Parnasizmi (dhe poezia absolute)
Me shfaqjen e parnasistëve dhe atyre që përvetësuan artin e teatrit absurd si rrugë letrare, “dekandentizmi” i brezit të viteve të 70 shkakton thyerjen e madhe në skenën letrare të Prishtinës, ikjes së organizuar e përfundimtare të letërsise si sistem në Kosovë nga nënshtrimi i saj nën diktatin e vetëm të një rryme letrare – ku pushtetin absolut do ta kishte koncepti formalist (apo më vonë edhe strukturalist) mbi letërsinë.

Të nxitur nga liriku absolut surrealist Teki Dërvishi nuk kanë më nevojë që hapat e parë të hyrjes në letërsi t’i bëjnë duke eksperimentuar raportin e tyre me artin. Dikush qysh në fillim e dikush më vonë, ata konsolidohen si rrymë letrare (kryesisht në poezi) në përbërjen e sistemit letrar shiptar. Beqir Musliu, Shaip Beqiri, më vonë edhe Ramadan Musliu janë tre bartësit kryesorë të kësaj rryme letrare. E përbashkëta në mes këtyre tri karaktereve të veçanta krijuese është; dimensioni i fuqishëm i shprehjes gjuhësore – fjalori dhe metrika e kalkuluar deri në skaj; përkryerja e formës pa dekompozuar muzikalitetin lirik; intelegjenca kritike (therrëse) e mesazhit artistik; krijimi i një botë të kundërt nga negacioni, vënia e çdo të keqje përballë së bukurës artistike, me qëllim të krijimit të një efekti pozitiv. Gjithçka në funskion të artit, ose ekskluzivisht “l’art pour l’art”, siç njihet nga lirikët francez që bënë këtë rrymë: Gautiers, de Lisle (ecole parnassiene + Parnass contemporain), Heredia, Baudlaire, Mallarmé ose gjermani i kontestuar Gottfried Benn etj.
Në këtë frymë poeti i magjisë abstrakte Beqir Musliu shkundë edhe njëherë mitet shqiptare dhe i vë ato përballë një drite të re, mundëson shikimin e tyre pa atë nurin përreth që e kishin instaluar romantikët dhe i postmodernizon figurat historike, me një fjalë i bën ato të kapshme, i “gjallëron” madje edhe në kohën kur vetëdija sociale e politike i konsideron si lugetër çrregullues të qetësisë shoqërore. Është arti parnasist i Musliut – i këtyre viteve, sepse më vonë tek ky autor vërehet një labilitet përqëndrimi në lidhje me raportin e tij ndaj kulaitetit të vlerës artistike – i cili të le përshtypjen sikur objekti (mitet historike) luan rol sekundar e që në të vërtet është mesazhi kryesor.
Forma e përkryer e parnasienëve irriton deshifrimin qëllimisht për të kapërcyer në vetëdijen e njeriut mesazhin, metodë që vetëm pas “gëlltitjes” lejon procesin e përkthimit konkret, kuptimit të plotë të botëkuptimit që përcjell poezia.
Tek Musliu fillon shqiptarizimi i artit parnasik.
Shaip Beqiri i jep më shumë rëndësi vetë konceptit parnasien mbi artin. Dhe arrin më mirë se Musliu t’i mbetet besnik, po si Baudlair (‘Lulet e së keqes’), këtij vizioni letrar me poezinë e tij; në formë totalisht logjike e të qartë; me një gjuhë tejet precize dhe atë që i mungonte të parit; zbulimin e kufirit në mes fjalës dhe muzikës (integriteti i lirikës karshi ndikimeve nga zhanret e përafërta), duke e nxjerë atë nga përdhunimi statik (e cila ngurtësi vërrehet sidomos tek lirikët gjermanë të kësaj rryme letrare) duke i dhënë mjeshtërisht poezisë të gjitha elementet e nevojshme të frymës lirike shqiptare, të cilën Shaip Beqiri e ka gjenetike (Poradeci). Me këto karakteristika Shaip Beqiri njëkohësisht bëhet edhe përfaqësuesi i parë i poezisë absolute në letërsinë shqipe.

g) Beckettizmi
Është vënia në skenë e dramës së nobelistit irlandez Samuel Beckett “Duke pritur godonë” (1969) në Prishtinë që shpërthen në një valë të re frymëzimi letrar po edhe botkuptimor. Filozofi, e cila burrimin kryesor nuk e ka tek Becketti, por në letërsinë filozofike të Albert Camus (‘Miti i Sizifit’, ‘Kaligula’, ‘Murtaja’ etj.). Becketti, nëpërmjet ligjeve të reja mbi dramën, e ngrit teorinë e absurdit në rrymë letrare. Epiqendra e kuptimit të kësaj rryme qëndron në “dështimet e humanitetit”. Ndoshta kjo është edhe arsyeja kryesore për krijimin aq të shpejtë të simpatisë ndaj këtij drejtimi letrar nga autorët aktual të Kosovës së atëhershme.

Ku më shumë se në bllokun socialist, dështimet njerzore në përditshmëri ishin aq të dukshme?
Kjo rrymë u rezistua nga realistët socialistë sepse ishte një përforcim i botëkuptimit antikult, që simbolistët e parnasistët e kishin shpallur qysh më herët, pra një letërsi e cila nuk ngurron të vizatojë me përpikmëri karakterin absurd të njeriut pavarrësisht nga pozita e tij sociale; është ai kryetar komiteti apo bujk, nuk ngurron të vë në tallje shtresa të caktuara shoqërore; qofshin ato edhe të parët e partisë së shtetit e kështu me rradhë. Thelbi i këtij botëkuptimi; pritja pa rezultat ose absurdi i paskajshëm i pritjes së përkryerjes humane, binte në kundërshtim me ata që mendonin se gjithçka tashmë ishte përkryer nga doktrina e mbiçmuar marksiste.
Beckettizmi edhe pse u përfol dhe u prit me aq shumë pompozitet në skenën letrare të Prishtinës, në studim e sipër të veprave letrare kjo rrymë përfaqësohet më së pakti (për nga numri i shkrimtarëve të suksesshëm në këtë drejtim) nga autorë shqiptarë.
Emri kryesor i kësaj rryme në Kosovë është Eqrem Basha (me veprën e dytë të tij “Stacionet e fisnikëve” (1972). Në lidhje me këtë autorë kritika shqiptare ka të drejtë sa i përket kosntatimit se “është i vetmuar” edhe pse ajo deri tash nuk ka ditur ta materializojë si duhet këtë qëndrim të drejtë të saj. Basha mbetet i vetmuar sepse është bartës i vetmuar i një rrymë letrare aq të simpatizuar në Kosovë, por pa sukse së masovizimit të saj.
Është kjo paaftësi e atij brezit për të bërë një art beckettist apo pas kësaj qëndron ndonjë pengesë tjetër mbetet çështje për t’u sqaruar.
Kësaj rryme i takon edhe poeti (me poezitë e para të tij) Sabri Hamiti, i cili për shkaqe deri më tani të paditura më vonë tërhiqet nga mënyra “absurde” e krijimit dhe bëhet “më serioz”.

RIKTHIMI I AUTOKTONITETIT LETRAR

h) Autentikët
Nëse vitet e 60 dhe 70 i konsiderojmë si periudhë e rëndësishme e integrimit të letërsisë shqiptare në atë kontinentalen, botëroren ose kyçjen e artit shqiptar në atë universal, nëpërmjet përshtatshmërisë konceptuale, duke u ndikuar dhe duke vënë si shtyllë themelore trajtuese konceptet rreth rrymave, drejtimeve letrare, autorët e viteve të 80-ta marrin mbi vete një mision tjetër: ata e bëjnë parim themelor krijimin e frymës intelektuale postmoderne në letërsi, që do të thotë; shtylla kryesore problemore e artit të tyre do të jetë vetë identiteti nacionl i letërsisë shqipe.

Një ndërmarrje që sa i përket aktualitetit është e barabartë me të të ashtuquajturën epokë postkoloniale e që fillimet e saja i ka në fund të viteve të shtatëdhjeta dhe fillim të viteve të tetëdhjeta – në të njejtën kohë me këtë të Prishtinës. Në krahasim me lëvizjet tjera të kësaj epoke, të cilat janë militante si “letërsia feministe” etj, ajo e Prishtinës dallohet për nga niveli intelektual dhe kultura e mirëfilltë e angazhimit, mirëpo për shkak të rrethanave që mbizotëronin atëherë në Kosovë ajo për nga qëllimi i saj rradhitet ndër lëvizjet avantgardiste të asaj kohe.
Ky brez, ndryshe nga ata pararendës, ndeshet edhe me ashpërsimin e brutalitetit shtetëror ndaj kulturës e etnisë shqiptare në përgjithësi. Për autorët që si bosht të krijimit kanë zgjedhur pikërisht avancimin e identitetit etnik në art situata bëhet edhe më me pasoja. Këtë e dëshmon edhe rasti i poetit Mustafë Xhemaili, i cili është njëri nga përfaqësuesit më tipik të kësaj gjenerate. Me të kuptuar bindjet e poetit hiqet nga qarkullimi një antologji kur përfshihet poezia e tij dhe i ndalohet libri. Ky aksion përmban një simbolikë pak më të madhe për skenën e atëhershme letrare, se sa vetëm përpjekjen për të anatemuar poetin antishtet: Për shkak të Mustafë Xhemailit ndalohet antologjia «Lulet në Ballkon», ndalohet një pasqyrë prezentuese e mbarë «poezisë më te re të Kosovës» së atëhershme. Qoftë si i mallkuar, qoftë si i simpatizuar ky autor shkakton një dridhje e tronditje në atë skenë letrare.
Aksioni i shtetit kundër poetit nxjer në pah edhe njëherë më shumë devizën e tij: Bën çka të duash, mirëpo me kusht që ta përheshtish, mohosh, djegësh brenda teje ndjenjën e identitetit nacional, kërkesën e konsolidimit politik në baza etnike! Gjë që është e barabratë me urrejtjen racore. Jo më konkretisht: Racizëm pur, pra. Urdhër, të cilin poeti e refuzon.

Krijuesit e kësaj periudhë dallohen edhe për shkak të kombinimit frytëdhënës dhe përdorimit kompetent të të gjitha elementeve përcaktuese të ligjërimit poetik (si në poezi ashtu edhe në prozë), pa hiperbolizuar rolin e ndonjërës prej tyre (forma, struktura, përmbajtja, etj.), kjo për arsye të shkollimit të tyre, njohjes akademike e të kompletuar të të gjitha stileve e rrymave që përmendëm më lartë. Ky segment i motivon ata për t’i hyrë atij misionit që folëm më lartë.
Mustafë Xhemaili, Milazim Krasniqi, Basri Çapriqi, Sali Bashota etj. janë autorët kryesorë të këtij brezi, të cilët me poezinë e tyre zhyten në jetën shqiptare, duke sjellë imazhe konkrete të përditshmërisë, duke i nivelizuar ato artistikisht në një lirikë të lehtë, shumëkuptimshme dhe autoktone. Jo pa qëllim këta pandërprerë shëtisin nëpër datat e rëndësishme të historisë dhe gjenezës shqiptare, instalojnë në gjuhën e tyre poetike elemente mitologjike, etnike etj., duke i paralelizuar me situata të përditshmërisë kosovare. Ky aksion nga konsumuesi i artit të tyre nuk kishte se si të kuptohet ndryshe përveçse një alarm mbi rrezikun e ripërsëritjes së historisë. Autorë tjerë të rëndësishëm që kanë luajtur rol në drejtim të autoktonizimit të letërsisë postmoderne shqipe dhe ngirtjen e një letërsie me identitet të kompletuar nacional, por të barabartë nga aspekti kualitativ (aktual) me atë që quhet universale, në këtë periudhë janë edhe: Adem Gashi, Ibrahim Berisha dhe Halil Matoshi.
Në aspektin e rrymës letrare – pra ajo më e rëndësishmja sa i përket temës që mëton të sqarojë ky shkrim – autorët e këtij brezi janë kultivues të poezisë imazhiste, e cila, tek këta poetë (ashti si te Pound, Lowel, Flint) bëhet edhe më e bukur si poezi për shkak; të involvimit aq të natyrshëm të gjuhës së përditshme në funksion të asaj poetike; liria absolute për të zgjedhur materien; shprehja e ekonomizuar nga tepricat gjatë estetizimit të fjalës, shprehje poetike që poezinë e tyre e shndrron në imazh piktural e fotografik të idesë dhe temës në trajtim e sipër.
Këta autorë suksesshëm ia garantojnë në çdo aspekt pamjen kombëtare- si tip i veçantë letërsie në gjirin e asaj universales – identitetin e saj specifik me kualitet të merituar. Ata i dolën zot meritueshëm misionit të vetë.

Përfundim
Letërsia shqipe (si tërrësi) e krijuar pesë dekadave të fundit mund të kualifikohet si gjithçka tjetër, por jo edhe si letërsi e realizmit socialist. Rryma letrare e realizmit socialist brenda kësaj letërsie nuk është e parëndësishme, por ajo nuk plotëson kushtet e as të një rryme të përkrahur mjaftueshëm qoftë nga numri i autorëve e qoftë nga konsumimi i saj nga masat, por vetëm si një “letërsi zyrtare”, e cila në realitet në Kosovë ka pësuar dështimin më të madh të saj.

Letërsia shqipe e Kosovës, sidomos ajo që është krijuar brenda viteve ‘55-‘89 është letërsi e standardeve universale (për shkak të shumësisë së drejtimeve) dhe si e tillë ajo nuk ka stagnuar e as që ka vendnumëruar gjersa ka sunduar sistemi komunist. Pasi që letërsia shqipe e Kosovës është pjesë e letërsisë shqiptare, çdo rajonalizim do të shpiente në përdhunim të identitetit të saj të plotë dhe do të ishte një verzion i mohimit të rolit të saj dinjitoz në postmodernë.

(Version i përplotësuar, tetor 2004, në krahasim me atë të botuarin muaj më parë në mediat shqipe. Gjatë vitit 2003 teksti është botuar në Fjala (Tiranë) dhe «Jeta e Re», (Prishtinë). 

Related

Lùlu – demiurgu i subjektit të lirë!

Analizë romanit «Rebelimi i Lúlus» të autorit Albatros Rexhaj,...

Fantomi i operas – ose historia e shëmtisë, artit dhe dashurisë

Personazhi i fantomit të operës është fascinumi më i...

Arshi, sllavët, Pipa dhe fashistët

Arshi Pipa konsiderohet ndër kritikët më të mëdhenj shqiptarë?...

Një ndodhi në Helveci

Për tre ditë rresht në kryeqendër të Zvicrës komedia...

1960 – 2013: Epokë e artë e shqiptarësh?

Natyrisht që popujt e tjerë të Jugosllavisë (përveç elitës...