Natyrisht që popujt e tjerë të Jugosllavisë (përveç elitës kroate) me pakënaqësi e pranojnë faktin se shqiptarët kanë qenë promotori kryesor i destruksionit të bashkësisë jugosllave.
Historiani amerikan Eric Hobsbawm periudhën ndërmjet viteve 1945 – 1990 e kualifikon si «epoka e artë» e shekullit njëzet. Epokë, në të cilën ndodhën procese, të cilat për kah intensiteti dhe efekti sollën ndryshime të mëdha në aspektin politik, ekonomik e social të planetit. Si zhvillime konkrete, nëpërmjet të cilave ai argumenton tezën, ai përmend fundin e kolonizimeve në të ashtuquajturën «bota e tretë»; fundin e epidemive me zbulimet e reja shkencore në medicinë; shpërthimin e një lëvizjeje globale rinore, e cila i dha fund moralit liberal – konservativ; fundin e fshatarësisë feudale dhe fillimin e urbanizimit; revoltat studentore të 68; marshin e feminizmit për të siguruar votën politike; shkollimin e masave dhe aspekte tjera të këtij vertikaliteti «civilizator».
TEORIA
Nëse përpiqemi që teorinë e Hobsbawmit ta konfirmojmë ose hedhim poshtë duke marrë sekuenca a episode të caktuara të periudhës për të cilën ai flet do të ndeshemi me kontradikta të shumta, sepse jo në gjithë kontinentet ose në të dyja blloqet (komuniste e kapitaliste) do të ndeshim në zhvillimet shpresëdhënëse që liston. Përkundrazi në botën e tretë vazhduan të ndodhin gjenocide – dhe atë si pasojë e konkurrencës së dy blloqeve, sot të rikonfiguruara në kulturosfera, me të njëjtin synim eksploatimi agresiv, industrial. Në bllokun komunist Bashkimi Sovjetik tregoi edhe njëherë dhëmbët duke shkelur në mënyrë brutale çdo përpjekje të Çekosllovakëve (Pranvera e Pragës) dhe hungarezëve për të demokratizuar shoqëritë e tyre, në Jugosllavi vazhdoi terrori që manifestohej po si në BS me burgosje dhe shuarje me dhunë të demonstratave të shqiptarëve dhe kroatëve. Krahasuar në këtë mënyrë, pra duke analizuar çdo proces veç e veç, atëherë teoria e Eric Hobsbawm – it është tejet romantike dhe optimiste, mirëpo në qoftë se masim proceset nga distanca e veçanërisht duke i shikuar ato si elemente të një procesi shekullor, siç bën autori i veprës «Epoka e ekstremeve – Historia Botërore e shekullit njëzet», atëherë jemi të detyruar t’i japim të drejtë autorit, sepse zhvillimet që fillojnë me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore e përfundojnë me rënien e të ashtuquajturit «Socializëm real», në krahasim me epokat tjera të Historisë së Njerëzimit janë më dramatiket dhe njëkohësisht më efektivet sa i përket ndryshimit të sistemit funksional global.
Shekulli njëzet është vërtet shekull i ekstremeve si në plan pozitiv ashtu edhe në atë negativ. Ekzistenca e këtyre dy poleve (negativ – pozitiv) është baza e spekulimeve që rezulton shpesh në mospranimin e tezës së Hobsbawm-it sa i përket «epokës së artë», sepse çdo proces – nëse ai shqyrtohet si njësi e veçantë – bartë në vetë më shumë çaste dramatike, negative e destruktive, sidomos sa i përket vuajtjeve dhe humbjeve që pëson humaniteti, se sa rezultatet pozitive e optimiste. Këtë aspekt sigurisht se as Hobsbawm nuk e mohon. Çka vlen dhe është kryesore për Hobsbawm është finaliteti dhe përshkrimi i analizës nga perspektiva e «zogut», siç i kualifikon ai studimet e tija, për të me rëndësi është që shekulli të vështrohet nga dy kënde themelore; nga distanca dhe globalisht. Se a qëndron apo jo teza e autorit kur analizojmë «historitë» e popujve e kombeve të veçanta do të shohim me rastin e Ballkanit, respektivisht kur do të ecim anatomisë së fatit të shqiptarëve.
A mund të flasin edhe popujt tjerë, përveç amerikanëve dhe eurperendimorëve, për një epokë kur gjithçka ka ecur vertikalisht? Si është gjendja e shqiptarëve në «epokën e artë» të shekullit njëzet?
FATUMI SHQIPTAR
Shqiptarët bëjnë pjesë poashtu në taborin e atyre popujve që vazhdimisht vajtojnë mbi fatin e tyre. Në realitet, një qëndrim të tillë atyre ua ka imponuar historia dhe rrethanat në të cilat ata vazhdimisht kanë qenë të detyruar të ekzistojnë, mbijetojnë. Kjo sa i përket psikologjisë së masave. As ajo e shkruara, pra prodhimi intelektual, rreth temës së këtij diskursi, nuk dallon në esencë nga «përshtypja e masave» ndaj historisë dhe gjithashtu përshkohet nga të njëjtat tone zhgënjimi, vuajtjeje dhe vaji prej viktime.
Nëse shikojmë historinë nga «perspektiva e zogut» siç na propozon historiani eurokomunist në moshë, atëherë vërejmë se shqiptarët gjenden në mesin popujve që më së shumti kanë përfituar në shekullin njëzet. Pse? Cilat janë arsyet që do të materializonin një tezë të tillë, e cila supozon se shqiptarët e kanë pasur poashtu epokën e tyre të artë ndërmjet viteve 1945 – 1990, respektivisht 2013, kur dihet se pjesën më të madhe të këtij shekulli ata e kanë kaluar të robëruar nga bashkësia e popujve sllavë, kanë qenë të burgosur, diskriminuar e terrorizuar, kanë qenë të izoluar pa asnjë të drejte themelore në sistemin stalinist e autokratik të Enver Hoxhës. Prej nga marrim guximin të filozofojmë se shqiptarët qenkan nga profiterët më të suksesshëm të shekullit kur ende na janë të gjalla parasysh skenat e gjenocidit dhe deplacimit masiv nga trojet e tyre autoktone?
Është logjike se tezën mbi «epokën artë» shqiptare nuk mund ta ndërtojmë vetëm duke u bazuar në disa stacione me finalitet pozitiv në fushën e të së drejtës politike të një populli. Nëse një epokë e tillë ekziston, nëse një proces i tillë vërtet ka ndodhur atëherë ai duhet të ketë përshkuar të gjitha segmentet që përbejnë një kulturë, një etnikum, një popull, domethënë nëse pranojmë të ketë pasur epokë të artë atëherë ajo duhet të jetë manifestuar në të gjitha sferat e jetës: në jetën sociale, në kulturë, në ekonomi, në politikë e kështu me radhë.
DIMENSIONI SOCIOKULTUROR
Pas viteve të 50- ta, përkundër kufizimeve të shumta në plan të të drejtave dhe lirive të njeriut, në Shqipëri fillon faza intensive e arsimimit të masave; reduktohet dukshëm analfabetizmi; krijohet një divizion shkrimtarësh; në Moskë, Berlin dhe qendra të tjera të bllokut specializohen një numër i konsiderueshëm ekspertësh të fushave të ndryshme. Në të njëjtën kohë në pjesët tjera ku jetojnë shqiptarët, veçanërisht në Prishtinë, për një kohë të shkurtër ndërtohet sistemi edukativo-arsimor, hapen shkolla edhe nëpër fshatra. Fillimisht dhjetëra e pastaj edhe më shumë studiojnë universiteteve të Zagrebit dhe Beogradit. Hapet Universiteti i Tiranës, pas pakë kohësh edhe ai i Prishtinës. Ky i fundit qysh në vitin 1979 dispononte me nëntë fakultete dhe numëronte rreth 24 mijë studentë, nga të cilët rreth 18 mijë të përkatësisë kombëtare shqiptare.
Për herë të parë në historinë e tyre shqiptarët dispononin me institucione të arsimimit dhe edukimit si popujt tjerë dhe nisin konkurrimin e tyre me të tjerët në prodhimin dhe absorbimin e dijeve në shkencat humane dhe ato ekzakte. Po në këtë start u hapën edhe mediumet e para publike si gazetat dhe radiot, filloi botimi i librave në gjuhën shqipe.
Ndoshta krijimi i institucioneve dhe reduktimi i analfabetizmit si procese në vete edhe nuk janë ndoshta aq spektakulare si merita autentike shqiptare, kur kemi parasysh rrethanat tjera të asaj kohe (idealet e socializmit për arsimimin dhe internacionalizimin proletar) që detyronin edhe shqiptarët të ndërmarrin hapa të tillë, karakteristike në këtë kontekst është nga njëra anë shpejtësia me të cilën shqiptarët krijuan ato mekanizma dhe nga ana tjetër rezultatet, të cilat do ti radhisim më vonë në këtë diskurs, rezultate që kallëzojnë se si një popull i zhytur në analfabetizëm, arrin që për një kohë të shkurtër të integrohet në garë me etnitë tjera të zhvilluara sa i përket kulturës, e parasëgjthash sa i përket konceptimit të lirisë në senduiçin e konkurrencës së blloqeve ideologjike.
Shkollimi masave bëri që në hapësirat shqiptare të shpërthejë procesi i urbanizimit, i cili krahasuar me vendet tjera, nuk ndodhë vetëm në kufijtë e “shuarjes së fshatit” në favor të qytetit, por më shumë ai pati karakter të urbanizimit social, që do thotë se fshatarët mbetën në lokalitetet e tyre, por kombinuan sistemet e tyre polikratike me vlera të reja në modë si të qytetarisë. E vetmja shtresë që veçohej për nga lëvizja dhe mobiliteti ishte ajo e studentëve dhe intelektualëve, të cilët për shkak të domicileve të institucioneve detyroheshin të përqendrohen në qendrat – qytetet e mëdha. Ky zhvillim ishte i rëndësishëm për “qytetarizimin” edhe të banorëve të vendeve që deriatëhere sundoheshin vetëm nga rite dhe zakone «primitive». Filloi fundi i mënyrës feudale së të jetuarit, nisi zbehja e pushtetit të fortë të patriarkalitetit (pjesërisht edhe matriarkalitetit) që pengonte prosperimin e familjes si njësi e lirë, plurale, poliindividuale vshoqërore. Distancimi nga stili feudal i të jetuarit për shqiptarët nuk donte të thotë vetëm largim nga mënyra arakike, kanunore e mesjetare e funksionimit, por më shumë edhe ikje nga mentaliteti dhe normat që atyre iu ishin imponuar nga pesëshekulli osmano-turk.
Kontrasti i këtij procesi, mund të shihet në lokalitetet ku një ndryshim i tillë ende nuk ka ndodhur ose gjendet në kacafytje me kohën dhe standardet aktuale. Shembull konkret: Maqedonia Perëndimore, ku procesi i arsimimit nuk ndodhi në mënyrë institucionale si në Shqipëri e Kosovë vërehet se dominanca osmano-orientale ende nuk ka dhënë shpirt. Dizajni infrastrukturor i qilimave dhe minderëve, hierarkia familjaro-fisnore dhe struktura e rrjetit social në këto vise ende mbajnë në ballë stampën e epokës së ashtuquajtur «alla turka». Njeriu atje, së paku në pjesën dërrmuese të rajonit, – pavarësisht nga niveli intelektual dhe shkolla ku është formuar – ende funksionon sipas ligjeve të kopesë sektareske që priret nga imami gjysmëanalfabet. Me këtë nuk duam të hedhim tezën në etér se shqiptarët e Maqedonisë kanë mbetur «më primitiv» për shkak të besimit të tyre islam, porse ata, për shkak të pamundësisë (dikskriminimit nga ana e systemit) të kyçen në procesin e modernizimit kanë mbetur rob të nivelit që iu është instaluar dhunshëm nga osmanët shekuj më parë.
Promotori i natyrshëm i qërrimit të hesapeve me vlerat dhe konvencionet e vjetra dhe të demoduara ishte rinia. Në krahasim me rinitë e vendeve të europerendimit, të cilat shkëputjen nga e kaluara e manifestonin në mënyrë antinome dhe që si shtylla të revolucionit kishte zgjedhur drogën, seksin dhe rok muzikën, rinia shqiptare për shkak të pamundësisë për të shpërthyer më tej se sa lejonin sistemet (komuniste) ku jetonin, pra duke pasur të pamundur që t’i bashkangjiten revolucionit sociokulturor panperëndimor ata detyrohen të investojnë kryesisht në rikonstruimin dhe modernizimin e identitetit kulturor, të cilin ata mendojnë se do ta mbrrijnë nëpërmjet të së vetmeve armë që viteve të 60-ta kishin në dorë; arsimimit dhe integrimit në sistemin shoqëror e politik. Përderisa në Tiranë ky integrim prirej nga besimi në vlerat e socializimit real, në Prishtinë qëllimi kishte motive krejtësisht të kundërta, integrim në favor të një destruksioni të mundshëm të sistemit, të cilin ata që në fillimet e tij e konsideronin si të huaj dhe diskriminues ndaj tyre.
Në të dyja sistemet «revolucioni» nuk do të ecë në drejtim të fitimit të autonomisë së individit dhe liberalizmit social si në Perëndim e SHBA, por në drejtim të krijimit të gjeneratave të kualifikuara për të përvetësuar zhvillimet që më vonë do të vënë në lëvizje sidomos shqiptarët jashtë kufirit të mbyllur egërsisht nga diktatura autokratike e Enver Hoxhës. Kjo rini e formuar në vrullin e ndryshimeve epokale dhe globale që inspirimin e konsumonte kryesisht nga shkolla postmaterialiste e Frankfurtit do të marr përsipër jo vetëm rikonstruimin e identitetit kulturor e social por edhe fatin politik të shqiptarëve në ish – Jugosllavi për dekadat që pasonin.
Revolucioni social e kulturor i Evropës së viteve të gjashtëdhjeta rrënjët i kishte në programin e marksizëm – leninizmit dhe bolshevikëve. Revoltat që shpërthyen në mbarë Evropën perëndimore, SHBA e gjetiu në botën kapitaliste gjatë vitit 1968 ishin kundërvënie ndaj riinstalimit të modelit të exliberalizmit të belle epoque -s që nuk përfillte gjithaq sigurinë sociale të klasës puntore dhe minioriteve tjera shoqërore. Shkolla e Frankfurtit, e cila konsiderohej me të drejtë si prirëse intelektuale e këtyre revoltave besonte në vlerat e revolucionit socialist të shkaktuar nga Lenini me kompani qysh në vitin 1917. Këtu qëndron edhe pradoksi pozitiv kur bëhet fjalë për elitën shqiptare jashtë Shqipërisë zyrtare: ata edhe pse – në krahasim me kolegët e tyre perëndimorë të cilët jetonin në sistemet liberal-demokratike – ishin banorë të sistemeve të socializmit real më shumë ishin të orientuar në vlerat e ilumunizmit dhe liberalizmit (të cilin koncept liberal e kishin të trashëguar nga Epoka e Rilindjes) se sa në atë të marksizëm – leninizmit. Nga kjo?
1945 – 1950
Ky orientim prodemokratik politik e kulturor zanafillat e veta i ka – siç përmendëm më lartë në natyrën liberale të Rilindjes Shqiptare, por më shumë edhe në ngjarjet gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Në vitin 1945 del në shesh konkretisht se shqiptarët nuk ishin inkuadruar në luftën partizane kundër nazizmit për tu bërë me çdo kush pjesë e sferës komuniste, por për shkak të shpresës se përfundimisht do të fitojnë shtetin e tyre në kufinjtë e tij natyror. Që me kristalizimin e planeve të botës së kuqe mbi fatin e shqiptarëve, shumica e njësiteve partizane shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë do të transformohen në brigada rezistuese kundër komunistëve. «Çlirimi i trojeve shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni» nis me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në këto vise nga ana e komunistëve jugosllavë. Viktimat shqiptare në mes të viteve 45 – 55 janë me mijëra, mbi 80 mijë shqiptarë detyrohen të ekzodojnë në Turqi dhe për të finalizuar këtë terror ndaj rezistencës shqiptare kundër komunizmit Rankoviçi ndërmerr masat më çnjerzore që mban mend historia e shqiptarëve të mbetur në ish-Jugosllavi.
Në Shqipëri diktatura merr kontrollin edhe më brutalisht në dorë. Për dallim me shqiptarët e Jugosllavisë, ku motivi nacional luan një rol kapital në luftën kundër diktaturës, rezistenca e antikomuniste në Shqipëri është e privuar nga ky justifikim. Numri i madh i internimeve, burgosjeve dhe likuidimeve megjithatë tregojnë për një rezistencë poaq kualitative ndaj diktaturës komuniste dhe dëshmojnë se ideali liberal, i asistuar nga klerizmi, vazhdonte të mbetet rreziku numër një për diktaturën kuazikomuniste të Shqipërisë
Nën presionin e këtyre ngjarjeve ngriten gjeneratat e para shqiptare të pasluftës. Gjeneratat e vjetra, viktimat direkte të këtyre ndodhive, ishin prindët e të rinjve në shkollim e sipër, atyre që më vonë do të integrohen në ndërtimin e shoqërisë realsocialiste shqiptare e jugollave.
Në hapësirat e ish – Jugosllavisë asnjë komb tjetër deri atëherë nuk kishte vujatur më shumë nga diktaturat dhe asnjëri prej tyre nuk i kishte rezistuar më shumë se shqiptarët. Kjo është meritë epokale e shqiptarëve kundër diktaturave moniste. Që nga periudha e Skënderbeut kur shqiptarët luanin rolin dominant në pengimin e osmanëve për të kapërcyer Adriatikun, historia nuk njihte ndonjë akt tjetër të natyrës globale të drejtuar nga raca e kësulbardhëve. Lufta e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë kundër sistemit në të cilin jetonin kishte një karakter të tillë, sepse në vitin 1945 asnjëri nga popujt e bllokut komunist nuk luftonte në mënyrë aq të organizuar kundër sistemit se sa shqiptarët, në asnjërin prej tyre komunizmi nuk festonte fitoren e tij duke shpallur gjendjen e luftës (përkundrazi) ndaj dy milionë banorëve të tij. Shqiptarët janë shkaktarët që përçojnë sinjlalin në botë se integriteti i idealit komunist mund të vëhet në pikëpyetje dhe parasëgjithash se edhe ai nuk është i paprekshëm, siç besonin shumica e popujve në Lindje e Perëndim.
1950 – 1968
Pas një pauze, që ne e kualifikojmësi fazë të regjenerimit dhe rimobilizimit (1950 – 1968) shqiptarët sërish vëhen në lëvizje kundër sistemit. Në tetor dhe nëntor të vitit 1968, në të njejtën kohë më lëvizjet studentore të Evropës që Hobsbawm i quan «revolucioni global kulturor e social» dhe disa muaj pas «Pranverës së Pragës» (21. gusht 1968), në të gjitha viset shqiptare të ish –Jugosllavisë shpërthejnë demonstrata masive. Për herë të parë këto demostrata kanë karakter gjithshqiptar: ato nisin në Prizren, kalojnë nëpër Tetovë, Gostivar, Ulqin, Pejë, Prishtinë për të mbaruar sërish para ndërtesës së Lidhjes së Prizrenit. Edhe pse historia zyrtare e shqiptarëve përpiqet që ato demonstrata t’ia mvesh kryesisht Lëvizjes së mëvonshme për «Republikën e Kosovës», ato megjithatë – gjykuar nga parullat dhe deklaratat e protagonistëve të asaj kohe – në esencë ishin vetëm liberaliste (jo liberale). Kërkesat themelore të asaj janë ato për më shumë të drejta në shkollim (kërkesa për univerzitet) dhe për më shumë liri individuale e kollektive (e drejta për vetvendosje), pra ato janë më shumë revoltë ndaj diskriminimit jugosllav ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut se sa – siç do të petendohet më vonë – një luftë për të krijuar Republikën e Kosovës e në asnjë mënyrë për bashkimin me shtetin amë, me Shqipërinë. Individët dhe grupacionet ilegale me kërkesa të tilla janë tepër të vogla dhe pa ndonjë mbështetje konkrete të masave.
Autonomia e Kosovës dhe krijimi i Universitetit të Prishtinës janë vetëm rezultate të këtyre demostratave e që shkojnë në konto vetëm të shqiptarëve. Këto demostrata, mirëpo, vënë në lëvizje edhe shumë procese tjera. Dy vjet më vonë edhe kroatët kërkojnë më shumë autonomi (MASPOK). Rezistenca e nisur në Prizren rrezikonte të përlajë gjithë Jugosllavinë, kështuqë detyroi qeverinë jugosllave madje të ndryshojë kushtetutën e saj, duke u dhënë më shumë liri republikave dhe duke pranuar një varg lirishë të pazakonshme për shtetet e bllokut të të ashtuquajturit «socializëm real».
Natyrisht që popujt e tjerë të Jugosllavisë (përveç elitës kroate) me pakënaqësi e pranojnë faktin se shqiptarët kanë qenë promotori kryesor i destruksionit të bashkësisë jugosllave, demolim që çonte në drejtim të demokratizimit, pavarësimit të republikave e krahinave dhe demolimit të sistemit, përkundër fakteve se shqiptarët janë të parët që në mënyrë masive nisin dhe mbajnë gjallë këto procese der me rënien totale të jugosocializmit.
1981 – 2012
Faza e dytë e këtij procesi janë demostratat e vitit 1981. Ato shpërthejnë më 11 mars në menzën e studentëve për kushte më të mira. Fillimi i këtyre demostratave nuk dallon shumë nga ato të 68-va. Grupe të ndryshme kryesisht studentore, plurale dhe të atilla me prirje nacionalkomuniste përziejnë në masë parullat për «Kosovën Republikë», «Bashkim me Shqipërinë» dhe u japin demostratave një ngjyrë krjetësisht tjetër nga ajo e revoltës sociale studentore e kulturore kundër sistemit. Janë këto grupe – të pakoordinuara ndërveti dhe me programe proenversite – që instrumentalizojnë masën dhe i «avansojnë» demostratat nga rezistenca qytetare kundër sistemit në luftë për të drejtën e shtetëformimit të shqiptarëve nën Jugosllavi ose për bashkimin e tyre me Shqipërinë edhe më diktatoriale se shteti ku jetonin. Nuk janë të rrallë ata ekspertë që supozojnë se një pjesë e atyre organizatave kanë qenë edhe vetë «zbulime» e «celula» të shërbimit sekret jugosllav nën udhëheqjen e serbëve për të suspenduar kushtetutën e ‘74 në disfavor të shqiptarëve.
Pa u lëshuar në gjykime ndaj këtyre organizatave – gjë që as që është qëllimi i këtij diskursi – ato provokojnë një reagim të shtetit që nga shumica e ekspertëve botërorë do të konsiderohet si «fillimi i shkatrrimit të Jugosllavisë». Ngajrjet e 1981 i përngjejnë një domino-efekti që çojnë në finalen siç e formulon shkrimtari dhe publicisti ungarezo – jugosllav nga Vjena Milo Dor: «Shkatrrimi përfundimtar dhe i vërtet i Jugosllavisë ndodhë me riokupimin e Kosovës nga policia dhe armata serbe në vitin 1989».
Nëse parashtrojmë pyetjen se sa e nxitën shqiptarët reagimin e egër millosheviçian, atë përgjigja duket kështu: shqiptarët e Kosovës më shumë se çdo bashkësi tjetër të ish-Jugosllavisë punuan për dekada për të prodhuar këtë reaksion, përndryshe besonin të mbeten përjetësisht nën diskriminimin permanent të «sllavëve», siç i quajnë ata joshqiptarët në jetën e tyre. Me të drejtë. «Historia» iu dha të drejtë.
Me rënien e «perandorisë së kuqe» shqiptarët (jashtë Shqipërisë) e provuar me metodën kontinuitative të rezistencës dhe organizimit politik ilegal ose polikrat shpejtë jo vetëm që krijuan partitë e tyre, por edhe sisteme paralele shoqërore e shtetërore bënë (LDK në Kosovë). Organizim që frikësoi edhe më shumë shtabet hegjemoniste të fqinjve, të cilët reaguan konform rrezikut që u kanosej. Nga ana tjetër organizatat ilegale, sidomos të instruktuara e kontrolluara nga emigracioni politik shqiptar (LPK) shumë shpejtë kapën faktin se: rënia e realsocializmit dhe vala e demokracisë nuk janë apriori granacia se do të munden të shpresojnë në zgjedhjen e çështjes së tyre nacionale dhe pavarësimit nga të tjerët. Kjo shpjegon edhe arsyen se pse qysh në vitet 1992 – 1993 LPK dhe organizata të spektrit të majtë në diasporë filluan me sajimin e programeve dhe strategjive që çonin drejt një konflikti të armatosur, drejt një lufte që e mendonin të paevitueshme. Në këtë periudhë qarqe të këtij spektri do të fillojnë edhe me kampanjat e tyre për të siguruar aleatët e tyre perëndimorën si dhe ata për asistencë logjistike e materiale. Me sukses. Në anën tjetër krahu paqësor i lëvizjes shqiptare (LDK) ishte në këtë drejtim i përçarë ose më saktë kundër një luftë të armatosur sepse nuk besonte se shqiptarët të kenë potenciale të mjaftueshme për luftë dhe rrinin skeptik përballë «këshilla»-ve të CIA-s dhe shërbimeve tjera që nuk ishin më të interesuara të tolerojnë dominancën e paktit Moskë-Beograd-Arhinë në gadishullin ballkanik dhe kalkulonin për një dominancë tjetër të vijës shqiptare-kroate-çeko-polake.
Shikuar, analizuar pas mbylljes së shumë proceseve rezulton sikur shqiptarët qëllimisht të kenë lujatur me kartën e përçarjes në dy alternativa në atë të «krahut të luftës» dhe në atë të «krahut të pacifizmit», kështu duke ofruar dy platforma të domosdoshme, pa të colat nuk fitohet asnjë luftë: gjersa Ibrahim Rugova bindte diplomacitë botërore se nuk ka zgjedhje tjetër përpos pavarësisë dhe se shqiptarë vetë nuk dalin nga robëria në lirinë e merituar, LPK dhe UÇK i dëshmonin botës se shqiptarët ishin të vendosur edhe deri në vdekje që mos të mbesin nën administratën serbe. Konkretisht: ekzistenca e këtyre dy poleve – që vepronin jo me vetëdije, jo me dëshirën e tyre, madje duke u ndier ta luftojnë njëra tjerën – ishte strategjia më efektive dhe e mençur dhe për nga forma e paparë ndër lëvizjet e djeshme dhe aktuale militante që kanë të njëjtat synime si kosovarët, respektivisht shqiptarët e Jugosllavisë – për shkak se e njëjta strategji vazhdoi suksesshëm edhe në Maqedoni.
Po mos të përfillnim kërkesat e metodës shkencore së shkruajrjes së historisë dhe të pranonim fenomenologjinë mbinatyrore si përcaktuese do të thonim se jo njerëzit zgjodhën çështjen e Kosovës, por një frymë, shpirt (siç besonin edhe filozofët deri dje të ketë një frymë supreme ahumane që dirigjon njerëzit pa dijen e tyre) panshqiptar që detyronte të punojnë njerëz drejt një synimi edhe pse urrenin e sabotonin njëri tjetrin.
2013 SI MËTUTJE
Sot, në vitin 2013, pas zgjedhjeve në Kosovë, pas rokadës politikë në Tiranë dhe duke shpresuar se shqiptarët e Maqedonisë në pushtet mbajnë premtimet që dhanë maleve të Tetovës, ç’mund të themi? Pa hamendje dhe fakteplotë se ora deri sot punoi si kurrë tjetër për shqiptarët. A mundet që finalja të kthej gjithçka prapa? Po. Sepse dukshëm qeveritë shqiptare nuk dalin të kompletuara në dije, aftësi e kompetenca për të menaxhuar lirinë në atë mënyrë që së paku këtë festë fundviti ta përdornin edhe si manifestim të mbylljes së një epoke të suksesshme. Demokracia, shteti ligjor dhe i fortë janë ende larg realizimit konkret. Skamja, pabarazia sociale, pseudoshkencat, paperspektiva janë rreziqe të mund ta kthejnë shumëçka në ferr. Apo mendojnë primatët politikë se këto janë detyra që poashtu kërkojnë një epokë kohë? Jo. Pa realizimin sa më urgjent të tyre gjithë gjaku, djersa dhe mundi shqiptar nëpër shekuj do të shkonin kot: Liria për një shoqëri nuk vjen ditën e fitores por atë ditë kur ajo shumicës ia jep ndjenjën ta ketë merituar atë, ta gëzojë atë. E bazuar në disponimin sociopsikologjik aktual të shumica shqiptare gjithë indikatorët mbarojnë në të njëjtin lumë: shqiptari ndihet ende i robëruar! Jo nga të huajt por nga vetja se nuk ia del si duhet.
TEZA
Po shqiptarët janë fëmijë të një epoke të artë, sipas tezës së Eric Hobsbawm-it. Ora e historisë ka punuar edhe për ta dhe me një finale që edhe shumica prej tyre nuk e besonin se do t’i prekë, megjithatë me një dallim nga tjerët: shqiptarët për ta artëzuar epokën e tyre u dogjën, vuajtën, u shtypën dhe sakrifikuan më shumë se të tjerët, veçanërisht më shumë se ata popujt që i analizon megahistoriani Eric Hobsbawm dhe shumë të tjerë si ai!
(Pjesë nga një studim i gjatë 2012 -2013. Burimet dhe fusnotat janë hequr)