Forca e pushtetit të 4-t

Vitit që lëmë pas mediat demonstruan faktin se sa i pushtetshëm mund të jetë i ashtuquajturi pushtet i katërt. Në politikë dhe në luftën kundër korrupsionit ato shtynë demokracitë shqiptare disa hapa përpara. E kjo është më tepër se shumë në kushtet në të cilat mbijetojnë ato.

Duoja Carl Bernstein dhe Bob Woodward vazhdojnë të jenë legjendat, ikonat dhe referencat historike e çdo storie mbi pushtetin, fuqinë e medias. Dy gazetarët e Washington Post-it që në filmin «All the President’s Men» të Alan J. Pakula-s (1976) zëvendësohen nga Dustin Hoffman dhe Robert Redford janë pionierët e asaj gazetarie hulumtuese nga e cila edhe sot dridhet, trembet çdo pushtet i kacavarur cergës  së merimangës ku tjerret korrupsioni, nepotizimi dhe çdo ves e veprim tjetër ilegal, antidemokratik.

Deri në fillim të viteve të 80-ta mediat e hapësirës anglofone dhe gjermanofone zhvilluan një kulturë denoncimi të ngjashme me atë të „Watergate“-s. Ndikonin në mënyrë permanente jo vetëm në korrigjimin e pushteteve, por edhe të vetë demokracive perëndimore. Ato ishin nergut aktive, konstruktive edhe në luftën e tyre kundër monopolizimit të kapitalit global nga „fondacione e banka“ oligarkësh si dhe çmaskonin kampanjat e industrisë në kapjen (blerjen, korruptimin) e  pushteteve të botës së tretë nga koncerne e „fondacione“ kryesisht eksploatuese.

Dy dekadave të fundit është krijuar përshtypja sikur vrullit medial për ta shpëtuar botën nga e keqja t’i jenë harxhuar bateritë. Njëri tabor i medianalistëve këtë zhvillim e lidhë me banalizimin e imazhit të mediave që solli interneti, ndërkaq tjetri mendon se vetë mediat kanë rënë nën kthetrat e oligarkëve monopolistë që blejnë, instrumentalizojnë apo shuajnë mediat serioze. Sido që të jetë: mediat gjithandej, në perëndim e më hiç në anët tjera të globit nuk janë më ato që ishin dhe nuk u ka mbetur shumë sa për tu krekosur të jenë fuqia e katërt në shoqëritë ku veprojnë.

Cila është gjendja e mediave shqiptare në këtë relacion? Gjenden ato jashtë këtij trendi teposhtëz apo edhe në ketë sferë shqiptarët sillen ndryshe, si ekzotë të papërmirësueshëm që janë?

MEDIAT SHQIPTARE

Mediat shqiptare funksionuan gjatë sistemeve moniste nuk mbijetuan. Ose nuk patën mundësi reformimi për të vazhduar (si në hapësirën e ish Bashkimit Sovjetik ose në ish – Jugosllavi) matej si gazeta shtresash ende të pashkëputura nga e kaluara parademokratike. Kjo vlen vetëm për aspektin ideologjik e jo edhe për atë profesional, sepse deri vonë shumicën e mediave të reja i popullonin gazetarë të shkolluar dhe formuar në sistemet e vjetra. Sot situata ka ndryshuar. Pothuaj në pjesën dërrmuese të gazetave, telivizioneve dhe portaleve (serioze) informative shqiptare redaksitë përbëhen nga redaktorë, kollumnistë e gazetarë të shkolluar e të pashkolluar në fazën tranzicionale. Përkundër defekteve që manifestohen si pasojë e diktatit të botuesve, interesit dhe njëmendësisë së tyre pothuaj në çdo media veçohen gazetarë, individualistë që duken të frymëzuar nga soji i Bernstein-ëve, Woodward-ëve e të ngjashëm. Është meritë e tyre që mediat shqiptare – përkundër presionit të pronarëve, grupeve, politikave – dallojnë esencialisht (sidomos ato të Kosovës) nga simotrat e tyre në rajon dhe ecin madje drejt një trendi diametral në krahasim me ato të perëndimit e veriut europian.

Në dy aspekte, gjatë vitit që lëmë pas, mediat shqiptare demonstruan pushtetin dhe ndikimin e tyre si kurrë më parë: në politikë dhe në luftën kundër korrupsionit ato nuk justifikuan vetëm ekzistencën e tyre profesionale por edhe triumfuan.

MEDIAT, POLITIKA, KORRUPSIONI

Në mos me vite me muaj së paku dy media nëzë (Tema dhe Dita) të Shqipërisë ushtruan denoncim të hapur të çdo dështimi, çdo lidhjeje të dyshimtë të pushtetit dhe grupeve mafioze që favorizonin atë. Rokada që pasoi as që mund të paramendohet pa luftën sistematike të këtyre mediave pro çlirimit të politikës nga bestialiteti i klaneve dëmtuese për parademokracinë shqiptare.

Edhe më fuqimadhe dhe me ndikim të pakontestueshëm media u tregua gjatë zgjedhjeve komunale në Kosovë (Tribuna, Zëri, Express, KlanKosova, RTK, Kosova Sot).Atje, ku askush, muaj më herët, nuk besonte se vetë elektorati do të shembte „kullat“ e pushtetit të disa warlord-ëve që silleshin aq të sigurtë në fitoren e tyre. Disa javë me radhë gazeta e telivizione (duke përjashtuar ato që haptazi u prononcuan të vënë mediat në shërbim të ndonjë partie a alternative) organizuan debate, emisione dhe ballafaqime objektive, profesionale që padyshim se do të jenë objekt i historisë së mediave të rajonit dhe më gjërë.

Nëse zgjedhjet ishin një episod ku „pushteti i katërt“ mezi mblodhi energjinë e dukur për të rikonfiguruar perceptimin e masave ndaj politikës, lufta kundër korruspionit material, strukturor e ideologjik del një proces shumëvjeçar, të cilin shumica e mediave kosovare duket ta ken bërë motivin qëndror të tyre. Me dhjetra artikuj e hulumtime ato u bënë shkaktare të proceseve të ndryshme gjyqësore në luftën e shoqërisë kundër korrupsionit dhe anomalive të shumta që kanë përlarë shoqëritë në konfizionin parademokratik.

ASPEKTI KONTRAFAKTIK

Padilemë se edhe sferat shqiptare i ka kapur moda ku „populli“ e „atdheu“ me zor por të detyruara ikin në pension duke ua lëshuar vendin zëvendësve të tyre „shoqëri“ e „individë“. Përkundër këtij procesi të individualizimit, çka është edhe paradoksi esencial sidomos në relacionin individ-shoqëri: brenda masës subjekti nuk identifikohet më me konture të qarta, qenie specifike për ta dalluar, por më së shumti regjistrohet si një element abstrakt brenda lumit alkimik të idesë kolektive. Mediat (serioze) janë ato që krijojnë urat e domsdoshme të komunikimit ndërmjet sociosferave të ndryshme; ato absorbojnë idetë dhe propozimet e individëve në një sintezë frymore të domosdoshme në favor të shoqërisë. Përveç kësaj rëndësie ato – folur në mënyrë kontrafaktike – po njohën si kolegët e tyre perëndimore nevojën e koordinimit gjatë krijimit të agjendave të përbashkëta mediale (në shumicën e vendeve ekzistojnë „konferencat e kryeredaktorëve“ që diskutojnë për rregullat, etikën dhe agjendën e vitit) do të ndikonin edhe më shumë sa gjatë këtij viti në përparimin e shoqërive ku publikohen. Atëherë madje nuk do të detyroheshin shpesh të shndrrohen në Jerry Fletcher e Alice Sutton (Conspiracy Theory; 1997) por do t’iu qëndronin më besnikë kolegëve të tyre nga afera „Watergate“.

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

Testamenti i Milladinit

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis...