Kosovarët «helvetizohen» kundër partive

Për “Bashkimin e shqiptarëve”, korrupsionin, imazhin e Kosovës në botë dhe për radikalizmat fetare për “Tribuna” flet kolumnisti i saj dhe eksperti i Evropës Juglindore dhe mediave, Xhemal Ahmeti.

Tribuna: Në Ballkan sërish zihet diçka. Serbia nuk heq dorë nga planet e saja për ndarjen e Kosovës. Tashmë janë shtuar edhe zëra ndërkombëtarë që sugjerojnë këtë vijë. Çka do të thotë kjo për shqiptarët?
Xhemal Ahmeti: Ideja për ndarjen e Kosovës është serbe. Atë e asistojnë disa diplomatë pensionerë perëndimorë që nuk dinë më të kalkulojnë si duhet. Qeveritë shqiptare, deri më tani nuk kanë qëndrim preciz për këtë problem. Ndoshta nga dy arsye: E para sepse e dinë se po u afirmua ideja e ndarjes, rezultati do të shkojë në favor të tyre. Shqiptarët e Maqedonisë, Luginës dhe viseve tjera mezi presin. Nëse dikush pa luftë ka të drejtë të ndahet nga diku, atëherë edhe tjerët. E dyta: Politika afatgjate e Bashkësisë Evropiane shkon drejt dobësimet të kombeve, sepse kështu siç shkon shihet se nuk ecë; secili donë të zhvat sa më shumë për ekonominë e vetë nacionale dhe kombin e tij. BE synon rajonalizimin, i cili mundëson apriori dhe rikonfederimin e atyre që duan të bashkohen në mes veti. Kështu që nuk shkon shumë gjatë shqiptarët mund t’i shohësh të bashkuar, natyrisht nëse duan, pa e shkrepur asnjë plumb. Nisur nga kjo matematikë ata, shqiptarët mendojnë se as që kanë nevojë të shqetësohen.

Tribuna: Disa analistë të jashtëm presin konflikte të reja religjioze ndërshqiptare. Muajve të fundit mediat zhvillojnë një luftë të ashpër. Është krijuar një përshtypje sikur fetë të jenë kapur keq ndërmjet veti?
Xhemal Ahmeti: Thonë ose krijojnë përshtypjen sikur t’iu ketë ardhur koha të vendosin ndërmjet perëndimit apo orientit. Mirëpo kjo është një luftë me fantomë. As myslimanët e as katolikët (shumica) nuk jetojnë në hënë, por në Evropë. As njëra e as tjetra nuk e vënë në pikëpyetje rrugën evropiane të Kosovës. Muajve të fundit në Kosovë vërehet të ketë marrë turr një rrjet fanatikësh pseudoislamikë që punojnë për supranacionalizma të ndryshëm: saudit, turk, arab, iranian. Këta e bëjnë zhurmën suksesshëm sepse mediat reagojnë dhe bien në kurthin e agjendave të tyre. Bash këtyre ditëve në rrjetet sociale u hap tema e interdiskriminimit në Kosovë. Katolikët duket të mos jenë në gjendje të mirë. Këtë e dëshmon edhe migrimi i madh i tyre drejt Evropës, bëhet fjalë për të rinj e të reja me suksese të mahnitshme në shkencë, biznes jashtë Kosovës. Këtij diksriminimi duhet rënë në gjurmë; ai duhet të studiohet, analizohet dhe të ndërpritet menjëherë sepse dëmton Kosovën në aortë.
Diskriminim, qarqe të caktuara e quajnë edhe pengimin e disa vajzave që nuk pranojnë të shkojnë me shami në shkollë e punë. Qeveria dhe shoqëria kosovare kanë probleme të mëdha nëse nuk iu bien pas këtyre problemeve, sepse kështu ua lënë si „mish për top“ njerëzit organizatave radikale.

Tribuna: Të lejojë bartjen e shamiave nëpër shkolla?
Xhemal Ahmeti: Jo sepse nuk duket të jetë vullnet i shumicës, nuk dihet ende një gjë e tillë. Ligjet mbizotëruese janë konform shtetit sekular, sepse shumica i ka dashur ashtu. Kërkesat për shami vijnë nga disa individë dhe instrumentalizohen, keqpërdoren nga ata radikalët që, dihet botërisht dhe me fakte, janë të paguar të veprojnë në favor të shërbimeve të huaja. Këto të fundit edhe pse të paafta përpiqen me çdo kusht të futen si ndikuesit e tretë në zonën ballkanike, d.m.th, që jo vetëm rusët dhe perëndimi të bëjnë luftë ndikimi por edhe ato islamike të zënë diçka nga kulaçi.
Nga ana tjetër duhet të analizojmë viktimat konkrete. Pengimi i dikujt në arsimim është diksriminim. E drejta në arsim është e garantuar me kushtetutë. Qeveria kosovare deri në zgjedhjen e këtij problemi – nëse nuk shkon ndryshe – duhet t’iu gjejë madje edhe mundësi private arsimimi atyre pak vajzave, madje duke financuar shkollimin e tyre. Natyrisht ajo në këtë drejtim duhet të bëjë çmos – duke biseduar me të gjitha grupet e shoqërisë dhe duke konsultuar ligjet dhe liritë – që problemi të zgjidhet para masivizimit të problemit nga faktori radikal.

Tribuna: Ata që i quani rrjete radikale, të instrumentalizuara nuk do të ndalen edhe po që se qeveria bën diçka në këtë drejtim, sepse duan më shumë apo jo?
Xhemal Ahmeti: Ata duan shumëçka, mirëpo edhe vetë e dinë se Kosova është terreni i tyre shumë i gabuar. Kosova duhet të vë në praktikë përvojën e vendeve perëndimore. Këndej në Zvicër, posa shfaqet një grupim, të themi i rrezikshëm në shoqëri, ata fillimisht e studiojnë mirë. Pastaj përpiqen të flasin me grupet e involvuara, pra me rrjetet vetë. Mediat ndjekin dhe raportojnë për këtë proces. Ky stad është shumë efektiv sepse opinioni sheh se qeveria dhe shoqëria i merr seriozisht edhe ata që duken ta kenë humbur rrugën. Nëse rrjete dhe persona të tillë nuk pranojnë të kooperojnë për një kooekzistencë brenda demokracisë, pa nxitje, pa futur urrejtje demolohen vetë. Këtu në perëndim kanë humbur çdo përkrahje sepse u deklasuan si edhe të paaftë për të dialoguar. Elementët kryesorë, bërthama ndiqen dhe penalizohen sa herë që të hapin gojën dhe atë jo me burg por me shuma të mëdha të hollash dhe hiqen nga vetë organizatat nga prezenca publike, sepse u bëjnë më shumë dëm se dobi.

Tribuna: Korrupsioni atëherë mbetet problemi kyç?
Xhemal Ahmeti: Këtu është nëna e problemeve. Të gjitha raportet interne dhe eksterne flasin se shteti po edhe pjesë të shoqërisë janë të korruptuara deri në hundë. Qeverive të këtij lloji nuk iu intereson angazhimi konkret në zgjedhjen e këtyre problemeve, thjeshtë veprojnë sipas atij ligjit të hajdutëve që mezi presin të ngatërrohen dy komshinj në oborr për të hyrë t’ua vjedhin shtëpinë. Qytetarët e frustruar – jo patjetër nga skamja sepse janë bërë gati imun gjithë këto shekuj – kur shohin se si sillen e çka ndërtojnë politikanët e tyre kërkojnë adresën e parë të mundshme për ta zbrazur mllefin, i cili jo rrallë manifestohet me kyçjen në organizata destruktive, infiltrimi në kriminalitet ose ikin jashtë.
Prandaj Kosova kërkon personalitete politike që dinë të bëjnë riintegrimin e shoqërisë, që reagojnë shpejtë ndaj problemeve akute dhe ofrojnë platforma dialogu, zgjidhjesh e jo që përmbyllen kancelarive të tyre sikur jashtë të sundojë parajsa sociale.

Tribuna: Mund ta marrim edhe këtë si“nëna e ngecjes së demokratizimit“, pra korrupsionin?
Xhemal Ahmeti: Natyrisht. Pse Qeveria – përkundër ofertave – nuk krijon ose nuk angazhon institute a qendra që do të merren me inspicimin e demokracisë në terren dhe në burokraci? Pse nuk pranon vërejtjet e kritikëve dhe auditorëve të ndryshëm? Sepse konsiderojnë veten të kenë ngrënë urti me lugë ende pa lindur? Jo. Sepse kanë frikë se ata që gjurmojnë defektin qendror të mosecjes së demokracisë do ta hasin pikërisht nepotizmin, korrupsionin në administratë, nëpër ministri, tek ata vetë.

Tribuna: Imazhi i Kosovës, thonë të jetë i keq, shumë i keq në vendet e perëndimit për shkak të këtyre raporteve që flasin për korrupsion, nepotizëm e çka mos tjetër. Çka ju thotë një perëndimor kur bie fjala për Kosovën?
Xhemal Ahmeti: Ato që i thoni, themi për çdo ditë vetë, këtu në Tribuna e mediave shqiptare gjetiu. Këtu në Zvicër, Gjermani, Europerceptimi ndahet në tri kategori: Qarqet diplomatike që njohin problemet me thellë atje, mendojnë se Kosova, përkundër të gjithave, ka ecur para, mirëpo nuk është ende e aftë (si qeverisje) sa duhet për në Evropë dhe se po lejoi krizat ndërfetare, ndëretnike kështu siç i injoron me komoditet nuk do t’i ketë punët mirë. Mediat dhe në shoqëri ka ndryshuar imazhi i kosovarëve, respektivisht shqiptarëve komplet. Për të mirë. E kjo nuk ka të bëjë aspak me situatën në Kosovë apo me kampanjat e ministrive për larje të imazhit, por me suksesin bombastik të sportistëve, shkencëtarëve, drejtorëve të hoteleve më të vjetra dhe luksoze, pra të vetë emigracionit shqiptar në Zvicër. Kategoria e tretë e perceptimit është ajo e vetë emigracionit, i cili për shkak të gjendjes në Kosovë, sidomos gjenerata më vitale e saj, distancohet nga ëndrra për tu kthyer. Kjo e fundit madje është më tragjikja dhe më e dëmshmja.

Tribuna: Së shpejti mbahen zgjedhjet në Kosovë.
Xhemal Ahmeti: Po. Dhe kësaj qeverie pakkush jep një asnjë shansë mbijetimi. Për këtë duket të jenë edhe vetë qeverisët të sigurt. Vetëm ndonjë mrekulli do t’i shpëtonte të mbeten në koalicion me dikë në pushtet. Shumë kosovarë shpresojnë që kësaj radhe të zgjedhin kombinimin që nuk lejon mbetjen në vend. Zgjedhjet e fundit komunale demonstruan një vullnet, një syçelje të mediave për të mos u korruptuar më politikisht. Ky mesazh i mediave kapi me shumë efekt masat, të cilat vepruan të përbashkuara në prishjen e matematikës që partitë – të gjitha – kishin bërë për vete. Nëse shoqëria civile dhe mediat e vazhdojnë këtë strategji zgjedhjet e ardhshme për të gjitha partitë do të jenë të katastrofale, por jo edhe për demokracinë dhe vendin.

Tribuna: Cila do të mund të ishte alternativa?
Xhemal Ahmeti: Kështu siç janë asnjëra parti nuk do të sjell shpëtimtarin dhe tokën e premtuar. Mirëpo flitet se disa prej tyre i kanë hy punës intensivisht për të rikonfiguruar veten në drejtim të bindjes së masave me strategji dhe personalitete të reja. Cila parti do ta dëshmojë këtë, pra cila do të ketë kapacitete dhe programin adekuat ajo do ta marrë timonin dhe pushtetin, jo vetë por me parti tjera. Se cila do të jetë ajo është ende shumë herët të thuhet. Po përsërisim: në nivelin që janë dhe planet që kanë paralajmëruar do të shtrydhen edhe më shumë, nëse nuk ndërrojnë kurs. Kjo nuk do të thoshte keq për Kosovën, sepse populli me këtë do ta detyronte zviceranizimin e vendit: duke mos ia dhënë votën asnjë shumice absolute ajo do t’i detyrojë sa më shumë parti të qeverisin bashkë, me konsensus, konkordancë dhe me kompromise – ashtu edhe siç bëhet edhe politika e mirëfilltë.

Related

Pragmatizmi racional si çelës suksesi?

Intervistë e Lirim Gashit me Jon Lekën. Intervista është...

Përparësitë e Thaçit dhe defektet e Kurtit

INTERVISTË / Na ndajnë edhe pak ditë para zgjedhjeve...

Maqedonia ndodhet në krizë ekzistenciale

Protestat e fundit nuk patën asgjë fetare dhe nuk nisi nga oborri i xhamisë. Protestat janë politike por të organizuara keq dhe organizatorët e protestës ndaj rastit “Monstra” dështuan sepse mungonte referenca konkrete edhe në dënimet dhe aferat tjera. Tash Maqedonia gjendet në një krizë ekzistenciale. Maqedonia as që ka luksin, as forcën e as trurin që në plan afatgjatë të tallet me të drejtat e shumicës së dytë etnike – shqiptarëve në atë vend. Publicisti Xhemal Ahmeti, flet për Express.

Bllokadën e thyejnë vetëm bllokuesit

Analisti politik Xhemal Ahmeti mendon se partitë politike nuk...

Imazhi i thyer i Helvecisë

Hovi i populistëve dhe politika e imigracionit. Populizmi i djathtë...