Branko Thanasi ose kur historia bëhet njeri

Asimilimi «t’merr ndërkomb edhe t’mbytën», i tha Branko Thanasi alias Manojlovski publicistit dhe drejtuesit të «InfoMagazine» në «KlanKosova» Kushtrim B. Sadikut. Rekasi si vox vivendi i historisë dhe dramës disashekullore shqiptare në Maqedoni.

«Asimilimi ta ngrinë zemrën» – tha shqip shqiptari ortodoks Branko Manojlovski. Gjuha e tij dallon nga ajo e shqiptarëve tjerë të Maqedonisë. Është më e pastër. Më e çlirët nga sllavizmat dhe turqizmat që ende kreolojnë thellë të folmen e shqiptarëve të Maqedonisë. Ai është në moshë. Rrëfimi nis në lashtësi, atje edhe ku starton drama e popullatës së kësaj ane. Pasardhësi i Thanasëve të Rekës së Epërme është vox vivendi i më shumë se «25 brezave», jo vetëm atyre ortodokse, por i të gjithave. Intervista e Kushtrim B. Sadikut shpërtheu nga shtresat subkutane të kujtesës ballkanike një megakauzë, e cila nuk është vetëm pjesë e historisë së dërmuar dhe ashkëluar shqiptare, por rëndësirë për historiografinë në disa dimensione: ajo demonstron peshën shkencore të «oral history»-së, respektivisht atë të dëshmitarëve të gjallë të kohës dhe proceseve; shpalon polindividualen kulturore të «homo balcanicus«-it; ajo rinënvizon gjuhën si mediumin feniksor në ruajtjen e kontinuitetit të identiteteve dhe të kujtesës duke përmbysur tezën rreth fuqisë së ideologjive [religjioneve, doktrinave e mendësive] në tjetërsimin afatgjatë e total të identiteteve historike.

Për çfarë asimilimi zemërguri flet Branko Thanasi?

Quhet Branko Manojlovski, me nënë Zafiran dhe baba Manojlon, i lindur me 19.08.1941 në fshatin Kiçinicë, Reka e Epërme, jo larg Gostivarit. Shkollën katërvjeçare e kryen në Beliçicë, kurse tetëvjeçaren në Gostivar. Shkollën e mesme e ka mbaruar në Tetovë, ndërsa studimet në Zagreb. Në vitin 1969 ka emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej kur është edhe shtetas amerikan. Që kur ka filluar të vij në vendlindje, i frymëzuar edhe nga demokracia amerikane, prezantohet siç ishte dhe është – Shqiptar!

RELEVANCA HISTORIOGRAFIKE

ROMA – Deri para dyzimit të perandorisë romake në lindore dhe perëndimore (395) rajoni i Maqedonisë së sotme nuk është objekt përshkrimesh, madje as indeksuese. Kjo vlen për kronikat dhe «historitë» antike dhe disa nga ato romake e më vonë edhe bizantine, të cilat flasin për fise ilire-greko-barbare. Ato romake disa herë potencojnë se enklavat e këtij rajoni, gjatë viteve 313 -314, menjëherë pas pagëzimit të Konstatinit të Madh si dhe shpalljes së shtetit të tij të krishterë në masë çpaganizohen dhe euforishëm pranojnë religjionin e krishterë perëndimorë – më vonë katolik [Brox: 1998].

Përmendjet kryesisht gjeografike e kulturore (mbi traditat, sjelljet, ritet, gjuhën) intensifikohen kah fundi i shekullit 4, atëherë kur Hunët dhe Gotët  përlajnë ato vise [Errington: 1986 dhe Turatsoglu: 1997] pa mbetur fare aty.

BIZANTI – Në «historitë» e tre kronistëve të parë bizantinë Eustathios nga Epiphaneia, Euagrios Scholastikos (536 -600 – Historia e Kishës) dhe Hesychios nga Mileti (600 >) ndryshon kjo gjendje. Në mënyrë herë pas here të detajuar raportohet mbi rezistencën e armenëve (përmbi Turqinë e sotme) dhe ilirëve në Maqedoninë jugore, perëndimore e veriore kundër diktatit bizantin. Valët e asimilimit me dhunë mbi banorët e viseve të Maqedonisë së sotme, qoftë në periudhën bizantine – sidomos gjatë sundimit të Justinianit – e qoftë atë protobullgare e bullgaromadhe i përshkruajnë edhe historianë tjerë të rëndësishëm të kohës duke filluar nga Prokopios – i Caesarea-s, Agathias-i (500 – 700) e deri te Niketas Stethatos dhe Johannes Zonaras (800 – 1200). I fundit, Zonaras, është interesant se shkruan pikërisht për zonën që Kushtrim B. Sadiku në intervistën e tij me Thanasin e quante «trekëndshin ndërmjet Kërçovës, Dibrës dhe Ohrit/Strugës»: Zonën ku Basileios I. për të shfarosur «sektin e palianëve» (degë e krishterë brenda Bizantit me qendër në Armeni, e cila refuzonte kultet, ikonat, hierarkinë dhe ceremonitë kishtare, por preferonte modelin e komunës burimore të krishterë sipas Palit)  dhe për të vënë në fuqi bazilikat [Ligjet e mbretit – 60 libra] e tij bën gjenocid dhe zhduk mijëra njerëz. Zonaras natyrisht se ka shkruar në favor të Basileios kur ngulëkëmbë duke festuar asgjësimin e «palianëve», sepse pjesa dërmuese e studiuesve të kohës sonë si R. M. Bartikian (1961), Nina G. Garsoïan (1967) Seta B. Dadoyan (1997) dokumentojnë se bazilikat asnjëherë nuk u pranuan nga vija e vendbanimeve postilire (sot: Resnja, Ohri, Struga, Kërçova, Gostivari, Tetova dhe pjesa perëndimore e rrethit të Shkupit).

OSMANËT – Në përputhje kontinuitative me këtë linjë argumentesh janë edhe kronikat osmane të shekullit XVI dhe XVII, të cilat për lexuesin e sotëm u risollën në faksimile nga studiuesit Nicolle David (1995 dhe 2000), të John Haldon –it [2002], Faroqi, Suraiya (1999), Edgar Hösch (2011), Alexander Demandt (2008) e shumë të tjerë.

Deri në shekullin XVI të gjitha burimet osmane flasin për «derrat» e njëjtë që i rezistojnë asimilimit islam në këto anë. Në listën e fiseve disa herë të përmendura janë: Leket, Stepet, Gjonet, Derrallët, Bagerët ose Bagërdanjët, Tanasët ose Thanasët (kjo sepse ne ciriliken e vjetër nuk ekziston “th”), Monojlitë, Skurët, Çupet, Gurbët, Skondët, Gërgurët, Bashët ose Beshët, Garcet, Matrancët (nga matranci) ose Matrangët, Pinjollët, Likruçet, Muhaxherët e Moravës, Gjinët etj. Këto emra mbajnë sot «fiset» e Rekës, Kërçovës, Pollogut [Tetovë, Dobërdoll, Zhelinë], Shkupit e kështu me radhë. Rezistenca e këtyre viseve – sipas burimeve – zbehet pas lejimit nga osmanët të kishës sllavo –greke që të instalohet këtyre anëve. Kah fundi i shekullit XVI dhe fillimi i atij XVII tashmë «arnautët» vihen para dy alternativave: ose me kishë ose me xhami ose asgjësim! Këtu nis ngritja e dy identiteteve të Brankos në «kaur» dhe «turq», sepse do pranojnë si më pak të keqe ortodoksinë sllavo-greke e do si më pak të keqe islamin osman. Ky asimilim vazhdon deri në vitin 1912 – 1913.

(JUGO)SLLAVËT – Pas dekretit të AVNOJ-it për krijimin edhe të një «identiteti» sllav në Ballkan [Maqedonia], qysh në vitet e 50 ish-Jugosllavia jo vetëm ortodoksët shqiptarë të Rekës por edhe ata myslimanë të Kërçovës e Mavrovës i regjistron si maqedonas, duke ia shtuar çdo emri «ovskin» [Shqiptarët e Kërçovës që ende kanë «ovskin« dhe të ashtuquajturit torbeshë].

SOT – Në dy zonat më të asimiluara ku jetojnë sot «kaurët» dhe «turqit» shqiptarë të Maqedonisë, në Gostivar dhe Rekë, nuk ka ndonjë dallim të madh përveç këtij: Tek «kaurët» e gjeneratave të vjetra [në 17 fshatrat Rekës] ka ende që flasin shqip, ndërsa tek edhe të vjetrit «turq» flitet turqishtja dhe maqedonishtja e shumë më keq ose fare gjuha shqipe. Megjithatë ky nuk është problemi: Edhe pse ortodoksët shqiptarë dhe torbeshët në saj të oportunizmit dhe servilitetit kanë përqafuar mendësinë jugosllave dhe i kanë do pak figura kyçe në politikë, nuk krahasohen dot me ato «shqiptare», të cilat kanë qenë shumë më aktive dhe masive në mbështetjen e sistemit dhe komunizmit maqedonas. Përderisa ortodoksët shqiptarë dhe torbeshët kthehen, ata myslimanë ikin dhe pretendojnë homogjenizimin e popullatës së kësaj ane me  opsionin turko-islam para atij shqiptar. Paradoks por fakt. 

18 SHEKUJ NË NJË NJERI?
Për këtë histori asimilimi, për këta «turq» e «kaurë» flet Branko i Thanasëve alias Manojlovski. Një histori shtypjeje e kanosjeje permanente për asgjësim. Ortodoksi shqiptar i Rekës Branko me prononcimin e tij bëhet mediumi që lidhë e shpjegon 18 shekuj të ekzistencës së gjuhës dhe kulturës shqipe, por edhe të asimilimit që si duket nuk ka ndodhur pikërisht ashtu siç na manipulojnë historiografitë zyrtare shqiptare e ballkanike. Sidoqëtëjetë si nëpër histori kështu edhe sot oportunizmi, serviliteti dhe ngarendja «vullnetare e euforike» pas «zotëve të huaj» ka luajtur poashtu një rol eminent në polihybridizimin e qenies së plisave. 

Related

Fantomi i operas – ose historia e shëmtisë, artit dhe dashurisë

Personazhi i fantomit të operës është fascinumi më i...

1960 – 2013: Epokë e artë e shqiptarësh?

Natyrisht që popujt e tjerë të Jugosllavisë (përveç elitës...

Cyberpoetika

Në World Wide Web tashmë bëjnë jetë krijimet e...

Rrymat letrare të postmodernës shqiptare

Letërsia shqipe (si tërrësi) e krijuar pesë dekadave të fundit mund të kualifikohet si gjithçka tjetër, por jo edhe si letërsi e realizmit socialist.

Pledoaje për kritikën letrare

«Nëse deri tani nuk u ka rënë vetë ndërmend...