Ditari dramatik i Arbës

Romani formëditari [Onufri-Tiranë, 2004]«Kur qiejt përmbysen» i Valbonë Krasniqit, botuar nga Onufri i Tiranës i përngjan një dokumentari të suksesshëm mbi jetën dhe peripetitë e kosovarëve gjatë luftës. 

Kosova në korrik të vitit 1998. Tym. Detonime. Fshatra e qytete të tëra deplacohen për t’iu ikur masakrave të ushtrisë serbe. Turma njerëzish të kapitur vërdallen maleve pa ditur drejtimin. Gratë heqin zvarrë fëmijë e pleq. Arkivole. Varrime të njëpasnjëshme. Hije me uniforma që ngarrendin pas ndonjë femre trupdeformuar, flokëçartur dhe histerike. Banda qensh turinjpërgjakur përleshen anash kufomës së një plaku, së cilës i mungojnë gjysma e gjymtyrëve. Horror. Tmerr. Luftë. Kaos. Dhe malishevasja Valbonë Krasniqi alias Arba që nën flakët e luftës shënon gjithçka.

JETA ASHTU SIÇ ËSHTË – LAKURIQ

Protagonistja quhet Arba, një vajzë e re nga rrethi i Malishevës. Antagonistët janë hije me kosntrukte të papërcaktueshme. Arba bashkë me të afërmit e saj – si shumica e kosovarëve në atë kohë – janë të rrethuar nga flakët, bombardimet, dhunimet dhe plaçkitjet që i ushtrojnë njësitë paraushtarake serbe anekënd vendit. Në kulmin e kësaj pasigurie dhe frike Arba vendos që të mbajë shënime për atë se ç’ndodhë përreth. Fillon ditari. Ditari i ikjeve nëpër male, strehimit tek farefisi, në pyll e gjithandej. Ajo shkruan me gjakun e saj ditarin e urisë, vajtimeve, bujtjeve nën shi, nëpër shpella, pranë lumenjve, nën zhurmën veshplasëse që pjellin armët e dy ushtrive në luftë e sipër. Arba na vizaton jetën e atyremuajve lakuriq, pa i varur ndonjë pelerinë imagjinative trupit të saj të shëmtuar e të përmotshëm. Kjo dhe natyra aksiomatike e tregimit i japin mundësi, jo, e detyrojnë lexuesin e shënimeve të Arbës që t’i besojë asaj edhe atëherë kur ajo përshkruan zonën metafizike të viktimave të luftës; shpirtin, frymën, ndjenjat dhe dhimbjet e tyre. Në çdo plan ajo është autentike. E besueshme.

RRËFIMI NË KOHË TË LUFTËS

Rrëfimi formëditari «Kur qiejt përmbysen» i autores Valbonë Krasniqi është ditari real i luftës në Kosovë që vuri kapakun mbi krimet në shekullin që shkoi. Kronologjia fillon në korrik të vitit 1998 dhe zgjat rreth 14 muaj. Prologu – i cili mban flamurin, sa i përket kualitetit artistik të prozës – dhe epilogu janë kaptinat ku autorja flet në vetën e tretë, përndryshe gjithmonë në veten e parë, ashtu siç edhe e kërkon natyra e ditarit. Meqenëse motivi dhe tema e rrëfimit janë të bazuara kryekëput në realitetin që zhvillohet rreth e brenda autores është afërmendsh që nuk mund të flitet për një distancë që do të mundësonte përceptimin objektiv të situatave dhe fenomeneve mbizotëruese, por për një pjesmarrje të drejtëpërdrejtë subjektive të autores, e cila jorrallë është më intensive se sa duhet. Megjithkëtë «imponim subjektiv» që autorja ia bën receipientit ai ka lirinë për të përjetuar, gjykuar (tashmë) historinë e njëvjeçarit tragjik ballkanas pa rënë pré e ndonjë intepretimi të dhunshëm, ngase bërthamën, realitetin (luftën me të gjitha anët e saja) Valbonë Krasniqi e ka sjellur pa e tjetërsuar, ashtu si një «factum brutum» që s’le shteg manipulimi.

STILI …DHE BOTUESIT E PAPËRGJEGJSHËM

Valbonë Krasniqi rrëfen qartë, me një stil gjuhe të kthjelltë. Ndonëse shtresat e tonit janë aq evidente e të shpeshta dhe elementet lirike, epike e dramatike të teksit nuk mungojnë, në përgjithësi vepra anon ka zhanri i rrëfimit realist, raportit dokumentar e më pak në atë të prozës, romaneskes. Përndryshe duhej të eliminohej fare kjo mënyrë e rrëfimit «Sipas lajmeve më të fundit, forcat armike në postbllokun e Komaranit janë përforcuar edhe më tepër me forca të tjera, me artileri të rëndë…» (Fq. 35) ose «Sipas njoftimeve më të reja luftimet e rrepta…vazhdojnë të zhvillohen anembanë Kosovës…» (Fq. 74). Fjalori nuk dallon nga ai i ndonjë gazetari agjencie lajmesh.

Shikuar nga spektri semantik; dominon zhargoni shkollor, ai i mësuari ose i përvetësuari nga «fjalori zyrtar». Anipse herë pas here shfaqet ndonjë folje, pasthirmë ose shprehje autoktone, ato nuk kanë relevancë karakterizuese për tekstin si tërrësi.

Poqëse dorëshkrimi të kishte fatin e mirë dhe para se të botohet të binte në duar të ndonjë lektori dhe korrektori profesional nuk do të duheshin shumë intervenime që romani të dilte i nivelshëm edhe artistikisht ashtu siç e meriton. Lere se në horizont nuk zbulohet asnjë gjurmë që do të dëshmonte për interesin e botuesit në këtë drejtim, por edhe sajuesit grafik të librit për të mbushur letrën e planifikuar e kanë sallatosur tekstin (duke formuar dyreshtësha vend e pa vend, duke shkapërderdhur paragrafe në dëm të kontekstit etj.etj.) Shtëpia Botuese Onufri nuk ka qenë korrekt ndaj librit «Kur qiejt përmbysen» të Valbonë Krasniqit nga Malisheva e Kosovës me banim në Gjenevë të Zvicrës.

EPILOGU TRIUMFUES

Atje ku vite më vonë do të mbrinjë shënimet e Valbonë Krasniqit për t’u botuar, mbrrin Arba përpara. Ajo më herët shkel tokën e «bekuar» për kapuçbardhët e përtej kufirit. Shënimet e saja nuk dallojnë shumë nga ato të pelegrinëve të krishterë që për herë parë shkelin Jerusalemin. «Shqipnia. Ishte hera e parë që po e shkelja me këmbë tokën e saj kaq të ëndrruar…Shqipnia e Skendërbeut. Ajo Shqipni që e kisha takuar në vargjet e Naimit dhe Pashko Vasës», këndellet ajo si në ekstazë. Patos që fillon në Kukës, shtegton qyteteve tjera të vendit të shqipeve, pa u zbehur asnjëherë, as atoçaste kur Arbën e vizitojnë skenat tronditëse që ka përjetuar para se të braktisë Kosovën.

Me hyrjen në Shqipëri ndryshon hapësira, natyra tematike e rrëfimit, por personazhët mbeten po ata, larg luftës, në majë të shpatës së ekzistencës dhe në ankth për të afërmit me të cilët kanë humbur çdo kontakt…

Dhe NATO realizon atë që shqiptarët janë përpjekur ta arrijnë me shekuj: e çliron Kosovën! Eufori e ankthshme (për familjarët e shkapërderdhur) ndër refugjatët që mbledhin plaçkat e bëhen gati t’ia mësyjnë Kosovës. Pas pak ditësh Arba kthehet në Kosovë. Kthehet në shtëpinë e saj gjysmë të rënuar. Nga dhoma e saj kanë mbetur vetëm konturet. Era e lehtë e pranverës davarit hyrin që ka mbetur nga librat dhe fletoret e Arbës. S’ka gjë… Kosova e saj është çliruar e kjo është kryesorja.

«Tashmë çdo gjë kishte mbaruar! Rruga, nata dhe Tmerri! Çdo gjë…» me këtë mbaron edhe rrëfimi tronditës «Kur qiejt përmbysen» i Valbonë Krasniqit.

VLERA DOKUMENTARE E LIBRIT

Mund të thuhet se në krahasim me botimet tjera të kësaj natyre, pra me temë të luftës, libri i V. Krasniqit është njëri nga më fisnikët, më të sinqertit. Libri ka vlerën e dokumentit, dëshmive për luftën e Kosovës. Vlerë të veçantë ka ai edhe në rrafshin psikologjik – nëpërmjet përshkrimeve të drejtpërdrejta të gjendjes shpirtërore e fizike të personelit (brenda rrëfimit) mund të zhytemi pa pengesa në botën e viktimës, në cilëndo situatë të jetë ajo.

Pa hamendje, për ata që duan të dijnë se ç’ka ndodhur, ta ndjejnë dhe të kuptojnë luftën e Kosovës, vepra e Valbonë Krasniqit është njëra nga ato lektyrat e domosdoshme që duhet lexuar. Ose siç e formulon Ismail Kadare në parathënien e tij «Dëshmitë për mizoritë serbe në Kosovë, jo se do të plotësojnë tablonë e së vërtetës, por do të ndihmojnë edhe për shkëputje nga natyra e krimit… hakmarrjes… një lexim i këtillë i kujtimeve tronditëse të Valbonë Krasniqit do të jetë ai më i sakti dhe më njerzori». Kësaj s’ka se ç’i shtohet.

Related

Lùlu – demiurgu i subjektit të lirë!

Analizë romanit «Rebelimi i Lúlus» të autorit Albatros Rexhaj,...

Arshi, sllavët, Pipa dhe fashistët

Arshi Pipa konsiderohet ndër kritikët më të mëdhenj shqiptarë?...

Një ndodhi në Helveci

Për tre ditë rresht në kryeqendër të Zvicrës komedia...

Revolta e shkronjave

ESE / Mbizotëron spekulimi se intelektualët vegjetojnë. Ata bëjnë poza dandish dhe janë vetëburgosur qelive të imagjinatës së tyre që është larg realitetit dhe brengave aktuale të masave. Sa qëndron kjo akuzë?

Poetja e (r)evolucionit të trëndafilave

Poetja Blerina Rugova Gaxha suksesshëm ia del të trajtojë dhe shpërfaq letrarisht një proces deri më tani të patrajtuar askund (ose fragmentarisht e dobët), në asnjë fushë, gjini arti përbrenda kulturës që fabrikohet shqip.