Më tepër se jeta

Eksodi, dashuria, lumturia, krimi, vdekja, atdheu, dështimi, ngritja dhe përplasja janë stacionet gërryese nëpër të cilat kalon poeti Bujar Salihu për të ndërtuar planetin e tij të dashurisë «Më pak se jetë». Në çdonjërën poezi ka një fotografi tejet të çiltër të një fenomeni a segmenti jetësor nëpër të cilin përshkohet apo rrethohet qenia njerzore. Kushdo që të marrë në duar këtë libër patjetër, patjetër se do të gjejë së paku një intermeco të jetës së tij, të vizatuar në mënyrë të përkushtueshme dhe mjeshtërore. (Botoi Shtëpia Botuese «Rilindja» – Prishtinë)

Pas përmbledhjes së parë me poezi «Në xipat e vetmisë» (shqip dhe frengjisht), poeti kosovar me qëndrim në Zvicër, Bujar Salihu kohëve të fundit botoi edhe një përmbledhje tjetër që titullohet «Më pak se jetë». Në përmbledhjen e parë vërehen dukshëm përpjekjet e para të një autori, i cili gjendet në kërkim të stilit, origjinalitetit dhe pavarësisë së vetë si krijues. Ndërsa për përmbledhjen e dytë nuk mund më të flasim me një gjuhë të tillë. Përmbledhja e dytë «Më pak se jetë» është vepër që i jep të gjitha përgjigjet e duhura për ta quajtur atë si të arrirë artistikisht. Kjo vepër dëshmon se Bujar Salihu është një poet i merituar lirik me një stil dhe gjuhë të veten.

LIRIKA

Eksod ndjenjash. Luftë në mes teorisë mbi vyrtitet dhe realitetit armiqësor ndaj dashurisë. Udhëtime të gjata për të mbrrirë në majat e ëndrrës për lirinë. Dështim. Dhembje për «qentë» e vrarë nga eksperimentet e pamëshirshme të jetës. Shëtitje nëpër të gjitha sferat e paprekshme e të errësuara të vetëdijes për të gjetur dritën e kuptimësisë dhe arsyes për ekzistencën e urrejtjes ndërhumane. Dhe më në fund përsëri kthim në kthetrat e Uni-t. Kthim tek humnera më madhe dhe shkaktare e gjithë eskurzioneve të tmerrshme që shpirti i krijuesit detyrohet për t`i përjetuar padrejtësisht. Poeti i ri (natyrisht, për nga mosha) Bujar Salihu me përmbledhjen e tij të dytë «Më pak se jetë» e ka bërë këtë ecje nëpër labirinthet e stërmundueshme të universit ndiesor duke mos dalë jashtë kufijve të ashpër të Uni-t. Pasi Uni është ai që atij si poet ia ruan përkatësinë lirike.

Un-i nuk është elementi i vetëm që përcakton një poezi si lirike, por kryesori. Në kuptimin e «poezisë ndiesore subjektive» lirika është monolog i një njeriu, i cili ndjejshmërinë e përshkruan me fjalë. Ai demostron gjithë luftën e tij të brendshme shpirtërore duke e pikturuar atë me fjalë. Identifikimi i gjithë kësaj karakterizohet nëpërmjet formës shprehëse të Uni-t. Pas Uni-t një rëndësi të veçantë luan edhe muzika e fjalëve; ritmi dhe tingulli. Salihu në mënyrë kompetente ka shkrirë Botën, Sendet dhe Uni-n në një njësi të vetme. Pse e diskutojmë këtë fakt kaq gjatë e nuk kalojmë menjëherë tek vlerat e poezisë së këtij autori të merituar? Ja përse! Kohëve të fundit jemi mësuar pa bërë një a dy ta kualifikojmë një poezi si lirike vetëm pse autori vazhdimisht potencon involvimin e vetes me «objektin» komunikues të poezisë së tij. Gjë që nuk do të thotë se automatikisht me këtë ka lindur një Un i formuar dhe meritor. P.sh: një poet i këndon një «objekti» të caktuar, të marrim Kleopatrën ose Pulëbardhën (e stërpërsëritur të poetëve shqiptarë të kohës së sotme). Edhe pse poeti vazhdimisht është prezent me formën e tij rrëfyese të ndjenjave ai hyjnëzon Pulëbardhën. Pra pulën me penda të bardha. Ose Kleopatrën famoze për shkak se ai ndjen një dashuri të madhe ndaj saj dhe gjithë atributet erotike që ia mvesh kanë të bëjnë me përkryerjen tërrësore të kultit të dashnores së tij shpirtërore dhe fantazeske. Prej këtij përkushtimi të madh ndiesor, pretenduesi që ka për qëllim të bëjë një poezi lirike zhytet në vetën tjetër pavërejtshëm kështu duke humbur sovranitetin e Uni-t të tij dhe krijon një Odè, një gjini tjetër letrare, si ato të Klopshtokut, Holderinit dhe Weinheberit, të cilat shumica e studiusve i konsiderojnë si himne. A është Bujar Salihu poet lirik? A ka mundur të ruajë këtë sovranitet të Uni-t? Këtë na e dëshmon pjesa më e madhe e poezive të tij në përmbledhjen «Më pak se jetë», sa për ilustrim mund të citojmë vargjet e poezisë «Prano të vdesim herët» fq. 55 ku thotë; Prano të vdesim herët e dashur/ sepse është njëlloj si të mos vdesim kurrë/. Një verzion tjetër. Pse Salihu nuk thotë; «Më thuaj të vdesim herët e dashur/ sepse është njëlloj sikur të mos kisha vdekur kurrë/. Edhe vargjet e improvizuara plotësojnë kushtet e të qenurit lirikë të poezisë. Aty ka muzikalitet, ndjenjë, tingull dhe është e përzier veta e autorit. E vetmja gjë që i mungon është forca e Uni-t. Pra është dashnorja e cila duhet të vendose se a do të vdesë apo jo poeti. Ajo duhet të thotë fjalën e fundit e jo krijuesi. Në këtë mënyrë forca e Uni-t do të kalonte kushtimisht tek ajo. Mirëpo fatmirësisht, fakti është ndryshe, krijuesi i imponon «personazhit» të tij një veprim në mënyrë urdhërore, kështu duke mbajtur të drejtën e superioritetit sundues; Uni-n në poezi. Ai është faktori që ka vendosur se si duhet të duket jeta e dy dashnorëve në të ardhmen. Bujar Salihu është poet i formuar lirik, pa rrëshqitjen më të vogël.

FIGURACIONI DHE SIMBOLIKA

Eksodi është një ndër preokupimet e trajtuara në poezinë e Bujar Salihut. Një nga segmentet e tematikës së gjërë në poezinë e tij. Duke filluar me poezinë e parë të përmbledhjes «kapelat e eksodit», pastaj me «Mërgimi», «Pritjet e…»,»Dhëmbësutë» «Udhëtimi i ëndërt» e deri te «asgjë nuk lexoj dy herë», të cilat gjenden në përbërjen e dy cikleve të para. Ne për çdo ditë shohim turma njerëzish që lëshojnë atdheun e tyre dhe nisen në një rrugë të pafund ikjeje. Asgjë e re! Një lëvizje e tillë ka historinë aq të vjetër sa vetë zanafilla e teorisë mbi ekzistencën e universit. Informacion i zakontë; njerëzit shpërngulen dhe kaq. Kështu do të interpetonte poezitë e B. Salihut ndonjë kritik i mërzitur nga librat e porsabotuara. Ose poezinë «Kapelat e eksodit» do ta kuptonte si një pasaportë individuale të gjendjes sociale të poetit. Edhe ai është vetë i eksoduar dhe nuk do t`i lexonte fare shënimet biografike në fund të librit. Mirëpo poeti nuk ka për qëllim që ne si përjetues të poezisë të na informojë në lidhje me eksodimin e njerzve. Qëllimi i poetit është që të bëjë zbërthimin e lojës në prapaskenë të këtij fenomeni. Ç`ndodhë përveç marshit të qetë të njerzve në ikje e sipër. «Rreth bardhësisë së qetë të yjeve sillet terri» (poezia «K. e eksodit» fq 5.) Simbolika e këtij vargu është figurativisht shumëkuptimëshe dhe kontradiktore me realitetin shkencor të përvojës. Ne dijmë që yjet fluturojnë nëpër terr, e jo errësira të sillet rreth yjeve. A mund të ndjek dielli pas plisat e poetit që shkojnë drejt perëndimit- për nga aspekti astronomik i fjalës kjo lëvizje del si një nënçmim i fshehur i një shpirti rebel që do të ndrrojë rregullat e lëvizjes në orbitë. Po nëse deshifrojmë errësirën në fat, yllin me një të ikur dhe rrugën e diellit deri në perëndim me një udhëtim rrotullues, do të zbulojmë realitetin e një rotacioni të përjetshëm të gjithësisë tonë: Fati i errët sillet vazhdimisht rreth të ikurve që shkojnë drejt perëndimit. Ata ecin në një rreth formëdielli dhe gjatë tërë historisë deri sot ky marsh nuk u ndal kurrë. Shpërngulja këtu na del si proces i përjetshëm mondan. Kështu duhet kuptuar gjuhën e poetit . Në mbrëmje mbaron rruga e diellit, por vetëm për diapazonin e banorëve të tokës. Ndërsa për ligjet mbiplanetare rruga e tij vazhdon në rreth deri në pambarim. Kështu është edhe fati i të ikurve në plan të gjërë. Poeti Bujar Salihu e vizaton këtë realitet me gjuhën lirike që rezulton nga shpirti i përgjakur i një qenie tejet sentimentale. Ai ka arritur në mënyrë artistike me kompetencë ta shkruajë peozinë e një vaji të madh të fatit njerëzor të të gjitha kohërave- eksodin e shpirtërave të përndjekur.

FILOZOFIA E TEKSTIT

Që një qenie të vëhet në procesin e ikjes duhet të jetë e shtyrë nga ndonjë faktor. Kryesisht shkaku i detyrimit të ndezjes së mendjes për të ndërmarrë këtë hap ka karakterin social. Karakter ndërlidhës ndërmjet poezive të Bujar Salihut mbi eksodin me ata «Reprizë», «Pamje Migjeniane» etj. që kanë të bëjnë me dhimbjen e poetit ndaj viktimave të çrregullimeve sociale. Migjeni në letërsinë shqipe është i njohur si «poet social», ndërkaq në gjuhën poetike të krijuesve të kohës së sotme është edhe një personifikim i vuajtjes dhe padrejtësisë sociale bashkë. Autori i veprës «më pak se jetë», studimin e vet mbi poetin Migjeni, pra monografinë e tij e shkruan me 56 shkronja dhe një pikëpyetje; «Nga kolla e keqe/ edhe sonte në lagjen time/ vdiq një fëmijë/ po Migjeni?». Migjeni vazhdon të rilind në vdekjen e çdo foshnje të kohës pasmoderne. Vdekje që shkaktohen nga ndarja e padrejtë e ushqimit. (Ka mundësi që këtë poezi Salihu ta ketë shkruar kur ka dëgjuar për faktin se qindra milionë fëmijë anembenë botës janë të rrezikuar nga vdekja për shkak të mungesës së ushqimit dhe asistencës mjekësore). Autori drejtësinë sociale e konsideron si një kusht për mbrojtjen e dinjitetit të qytetëruar, e jo si ndonjë utopi të ngarkuar me parime ideologjike të njërit apo tjetrit botëkuptim të dështuar. Thirrja e tij për këtë drejtësi ka më shumë të bëjë me vetëdijen e shëndoshë të qytetëruar që ndjen përgjegjësi për bashkëqenien e vetë, pa pasur nevojë për ndonjë koncept teorik dhe ideologjik, por thjeshtë me ushtrimin e shpirtit për të qenë i bardhë dhe solidarë. «Po sosen kandilat/ dhe uni vazhdon» janë këto dy vargjet e fundit të poezisë «Pamje migjeniane» (fq.59) të Bujar Salihut. Kandilat mbarojnë dhe drita e jetës shuhet. Vetëm Uni mbetet si trashëgimi shpresëdhënëse për një jetë tjetër, më të mirë dhe më të drejtë nga kjo e para. Është po ai Un për të cilin folëm në mënyrë të zgjeruar lartë.

METODA E MEDITIMIT POETIK

Dashuria, Lumturia, Krimi, Vdekja dhe Atdheu janë pesë komponentë tjerë që previligjohen në veprën «Më pakë se jetë». Atyre u bëhet një operim për të qenë të tejdukshme që nga rrënjët e deri te shpërthimi i kulmtë dhe masiv.

Në faqen 48 të përmbledhjes ka një poezi që titullohet «Planet dashurie». Miliarda faqe letër kanë shkruar poetët për të shpjeguar udhëkryqet, lartësitë, dështimet, plagët, zjarret, kulmet, humnerat, lumturitë, epshet, kënaqësitë, tragjeditë që sjell dashuria. Dhe përsëri nuk është mjaftë. Pothuaj nuk ka qenie që nuk ndeshet me problemin e përpjekjes për të kuptuar dashurinë. Edhe vetë monstrumët më të mëdhenj të mbamendjësisë njerzore janë ndeshur me «vesin» e të dashuruarit. Duke pasur parasyshë gjithë këtë përpjekje të madhe universale poeti Bujar Salihu ua bën të qartë pasardhësve që do të vazhdojnë të kenë po të njejtën tendencë që mos të dorrëzohen gjatë këtij kërkimi fisnik. Dashuria duhet kërkuar përjetësisht sepse; «ne do t`u shfaqemi si ëngjuj/ t`u themi/ se planet dashurie jemi…». Gjithë ata që ecin pas kërkimit të dashurisë përbëjnë planetin e poetit të quajtur «Më pakë se jetë». Përkundër vetpranimit të autorit se kjo nuk do të thotë edhe lumturi. Ai është skeptik në gjetjen e formulës së lumturisë së përgjithshme; «Cdokush e dëshiron lumturinë/ pse atëherë/ kaq shumë të palumtur/» (fq. 56). Vargjet pyetëse, nga pasardhësit, duhet të merren si një nxitje për gjetje të jetës së lumtur shpirtërore pavarësisht nga rrethanat e ashpra që i imponon mekanizmi plotë thika i jetës.

Daktiloskopimi i gishtave të krimit mbi kokën e poetit bëhet nëpërmjet nxehtësisë shkrirëse të diellit. Jo atij dielli, me kënaqësinë e rrezeve të të cilit ne qeniet e rëndomta përjetojmë shumim të hormoneve, por me atë diell që posedon forcën e terrorit nëpërmjet rrezeve ultraviolete për të krijuar miliona kancere nëpër trupin tonë prej mishi e gjaku. Autori e ka titulluar poezinë «Përmasë krimi» me qëllim për t`i ikur përcaktimit definitiv të efektit të krimit. Pse? Pse poeti nuk thotë që; «ky është kulmi i krimit ndaj Uni-t tim»? Sepse, sepse edhe vetë shkaktari i këtij krimi të madh është një qenie- viktimë që keqpërdor diellin për të dëshmuar prezencën e tij në kozmos. Ndjenja e inferioritetit, e trashëguar epokë pas epoke. Poeti Salihu ka mëshirë për viktimat e çdo lloji. Ai e quan mëkat atë që s`bën kurrgjë për atdheun e vet, sepse nga kjo lindë çoroditja dhe sëmundja për të shkatrruar atdheun e tjetrit. Ai që di të dojë atdheun e vetë nuk ka forcë shpirtërore për të shkatrruar lirinë e tjetrit. Kështu që krijon dy viktima përnjëherësh, atë të të robëruarit dhe atë që robëron. Në këtë lëmsh vdesin që të dy brenda një luftë që s`ka asnjë kuptim. Kjo është poezia «Mesazh» e Bujar Salihut në faqe 51. Ajo ka merituar plotësisht titullin që ka. Atdheu është pronë e pakontestueshme dhe shejntëri që s`duhet cënuar askujt, pavarësisht nga karakteri i tij diversiv apo tejtolerant.

I vetmi komponent që nuk e trajtuam këtu mbeti Vdekja. «Vdiset / në pritje të gjatë/ vdiset për të përmbyllur/ funksionin invers të jetës/». Është kjo poezia «Mbi vdekjen» në faqe 70. C`të themi mbi vdekjen. Bujar Salihu e ka bërë antologjinë e shuarjes së jetës me këtë poezi. Njeriu nuk është i koncentruar, ç`është e vërteta, gjatë jetës së tij vetëm në atë se si dhe kur të vdes, mirëpo ai jeton gjithmonë me të vërtetën në kokë se një ditë do të duhet të shkojë në një botë tjetër. Kjo e bënë atë që të mendojë krahas luftës për të gjetur dashurinë edhe mbi vdekjen. Funksioni invers i jetës përmbyllet. Cka pastaj? Varret nga ajo se ç`ke ndërtuar gjatë gjithë atij funksionimi të «gjatë» në jetë. Vetmohimi i shterpë në këtë kontekst nuk kërkohet. Ajo që kërkohet është efekti pozitiv i produktit që qenia sjell deri në momentin e mbylljes së «perdeve të jetës». Po ai produkt përcakton amshueshmërinë apo vdekjen e përhershme të Uni-t të çdokujt. Prandaj poeti me vargjet e tij, të cilat po i vëzhguam vetëm sipërfaqësisht, do të na duken si meditime filozofike, kërkon këmbëngultasi të drejtën e jetës pas aktit të fundit të dramës. Pas epilogut përpiqet të ndërtojë një variantë tjetër të jetës së asaj drame apo komedie. Në qoftë se ai vazhdon luftën, siç e ka filluar, në këtë mënyrë, nuk është fare larg rezultati i kërkuar.

STILI

Gjuha dhe përmbajtja në poezinë e Bujar Salihut krijojnë një harmoni muzikale dhe të pasur në planin ideo-artistik. Tematika është e gjetur dhe jo e imituar apo ribërë në bazë të një versioni ekzistues, të ndonjë paraardhësi që mund të konsiderohet si frymëzues i drejtpërdrejtë i krijimtarisë së tij. Salihu është origjinal dhe i pavarur. Ajo që dukshëm vërrehet tek ky poet është zgjedhja e fjalëve dhe fjalëformimi kompetent, kombinacion që atij i jep statusin personal në aspektin tekstual të ndërtimit të vargut dhe gjuhës në tërrësi. Pra ka fjalët e veta, të ndërtuara nga pasioni për të krijuar një «mjet personal të komunikimit» poetik. Vepra «më pak se jetë» është dëshmia se në Letërsinë Shqipe në mënyrë dinjitoze hyri edhe një poet lirik i kompletuar dhe kompetent për atë që bën. Për nga tematika dhe stili poeti Bujar Salihu është një zë tejet origjinal i kohës së sotme me mesazhe për të ardhmen dhe njëkohësisht njëri nga zëdhënësit e një gjenerate të re poetësh pa seli të përcaktuar sociale e gjeografike.

Related

Lùlu – demiurgu i subjektit të lirë!

Analizë romanit «Rebelimi i Lúlus» të autorit Albatros Rexhaj,...

Arshi, sllavët, Pipa dhe fashistët

Arshi Pipa konsiderohet ndër kritikët më të mëdhenj shqiptarë?...

Një ndodhi në Helveci

Për tre ditë rresht në kryeqendër të Zvicrës komedia...

Revolta e shkronjave

ESE / Mbizotëron spekulimi se intelektualët vegjetojnë. Ata bëjnë poza dandish dhe janë vetëburgosur qelive të imagjinatës së tyre që është larg realitetit dhe brengave aktuale të masave. Sa qëndron kjo akuzë?

Poetja e (r)evolucionit të trëndafilave

Poetja Blerina Rugova Gaxha suksesshëm ia del të trajtojë dhe shpërfaq letrarisht një proces deri më tani të patrajtuar askund (ose fragmentarisht e dobët), në asnjë fushë, gjini arti përbrenda kulturës që fabrikohet shqip.