Histori vetëmashtrimi permanent

Epikuriani Ovid thoshte se «në premtime është secili i pasur sa të dojë». Këtë maksimë si duket e kanë shpirtëruar politikanët e gjithë botës. Ata premtojnë tokeqiell saherë që ta synojnë ndonjë post që varret nga vullneti, respektivisht vota e demosit. Veçanërisht vendeve në tranzicion premtimet janë aq absurde saqë edhe matematikës ia shpifin ekzistencën.

Nëse iu besojmë neoromantikëve atëherë shqiptarët qenkan njerëz të besës, «fjalës së burrit». Kur atyre ua përmend politikanët shqiptarë që nga kyçja e tyre në të e deri sot sillen sikur të kenë të bëjnë me një shtresë që ua ka shpëlarë trutë ky apo ai armik. Tezë pakëmbeduar: pse pikërisht mjeshtërinë e të pavërtetës e kanë përvetësuar e tjerat «vese» të huaja jo? Apo për të fshehur dështimin e edukatës shtëpiake, të fisit e gjakut akuzohen tjerët. Më shumë do të jetë ajo që mendonin hebrenjtë e vjetër kur tërhiqnin vërejtjen: «nëse i ke premtuar fëmijës diçka plotësoja, përndryshe e mëson të gënjejë» (Talmudi). Po ja që pranojmë se vesi i premtimeve pa bazë, rrenave qenka e huazuar për shkak të sundimit të tjerëve mbi shqiptarët e gjorë.

Po sot? Çka thonë ata, neoromantikët, patriotët e racës së përkryer? Politologët dhe historianët që kanë ndjekur fushatat elektorale që nga rënia e së kuqes me yll të drapëruar e deri sot kanë filluar të besojnë në antitezën rreth besës, e cila përafërsisht duket kështu: «shqiptarët oportunistë për shkaqe mbijetese e kanë ushtruar rrenën aq shekuj saqë edhe në monolog nuk mund të bëhen të sinqertë». Nga sociopsikologjia dimë poashtu se gënjeshtarët dhe manipulantët nuk e kanë më së miri në shoqëritë ma masa të pashkolluara, por në ato shoqëri të hapura për iluzione, të atilla që rrenën e konsiderojnë si mjet simpatik komunikimi dhe nuk sanksionojnë kënd për një gjë të tillë, siç veprohet vendeve të qytetërimit oksidental.

TRADITA E PREMTIMEVE

As premtimet historike, me shekuj, ato në të cilat kanë besuar gjenerata nëpër epoka, ende nuk i ka realizuar shqiptari. Që pas Skënderbeut e deri sot shqiptarët kanë luftuar duke premtuar se do ta shpëtojnë kombin nga njëra, e dyta, e treta, e katërta robëri. Secila «elitë» kohësh ka premtuar lirinë, pavarësimin dhe ka vdekur, ka rilindur si inventar mitologjik është pluhurosur, harruar rizbulur e kështu pafundësisht në rotacion, pa e përjetuar dritën e lirisë vetë. Të fundit dikur ua lejojnë të tjerët. Jo se nuk luftuan e dhanë çmos, porse kurrë nuk arritën dot të imponojnë vullnetin e tyre ashtu saqë tjerët të ishin mbështetur me shpinë për murri. E kjo pafuqi u ndodh si zakonisht shoqërive të paafta për të menaxhuar veten, për tu konsoliduar pa ndihmën e tjerëve. Pse? Mund të ketë edhe shumë faktorë tjerë, mirëpo sigurisht se vlen si më kapitali edhe mentaliteti i vetëpërceptimit të rrejshëm, i ushtruar dhe farkuar në habitusin e shqiptarit dhe i cili historikisht dhe me faktografi duket të jetë haraçi kryesor i fatumit të kësaj etnie. Shqiptari duket të jetë «gjenetikisht» i koduar që çdo dëshirë të veten ta shndërroje në religjion, në besim që patjetër të ndodhë, sikur të kishte në pronë globin, të reshurat, urtinë tokësore e kozmike e gjithçka tjetër. Dëshmia se historia e tij do të ketë qenë kështu manifestohet edhe tek shqiptari i sotëm, në retorikën, sjelljen sociale të tij. Ai mund të operojë si lider, politikan vetëm nëpërmjet indoktrinimit të masave duke premtuar të pamundurën.

Për ta konkretizuar dukurinë edhe më kapshëm:

EKSPERIMENTE

Çdo parti politike sot e dinë që nuk do të mundet të sundojë përjetësisht. Nisur nga ky fakt ata premtojnë zgjidhje problemesh brenda katër viteve. Përveç kësaj në sistemet ku sundon demokracia pluraliste ato janë të detyruara që të qeverisin me koalicione dhe me bekimin e parlamentit për çdo «aksion» që kërkon kapital të lartë apo vendime të rëndësishme për vendin. Nëse një parti, për shembull, premton «bashkimin kombëtar» me ndonjë pjesë tjetër të etnisë atëherë ajo del të jetë e sigurte se brenda këtij afati kohor të mundet të bind diplomacinë ndërkombëtare për ndërrimin e kufijve; ajo ka siguruar shumicën relevante në masë (referendum) për të ndryshuar kushtetutën dhe për tu bashkuar; ajo ka strategjinë se si do të ndodhë i gjithë procesi konkret praktik; ka marrë pajtimin e shtetit apo pjesëve tjera (referendum poashtu) që kanë vullnet të bashkohen… dhe të tjera të këtij lloji. Nëse gjitha këto partia nuk i ka bërë atëherë ajo vetëm premton duke gënjyer me paramendim. Ose shembulli i dytë: Partia premton 200 mijë vende pune. Domethënë ajo të ketë kontratat kondicionalë me investorë, me hapësira dhe segmente ekonomike për biznes, me komuna; ajo duhet të ketë përkrahjen e Bankës Botërore (pasi vendi pjesërisht ende buxhetohet nga ta); të ketë siguruar shumicën në parlament (që ende nuk ekziston) për biznes-planet e hartuara; të dijë se ekzistojnë kuadrot në rajonet ku do të zhvilloheshin projektet dhe kështu me radhë. Gjëra këto (disa) të pamundshme sepse janë të varura nga procese të një legjislacione e burokracie që ende nuk dihet se si do të jetë e kompozuar.

Shembuj të këtillë mund të numërojmë në disa faqe dhe për secilën partinë veç e veç.

Na merr mendja se edhe qytetarëve nuk ju duhet aq shumë kokëçarje për të konstatuar se premtimet janë kot. Një dyshim i thellë ndaj shumicës së premtimeve të partive edhe manifestohet gjithandej mediave, rrjeteve sociale, rrugëve, kafeneve, odave e gjithandej. Atëherë përse rizgjidhen të njëjtit njerëz për disa mandate. Të njëjtët të cilët po të njëjtat premtime i kanë bërë shumë herë dhe pa u skuqur fare dalin para masave me të njëjtën këngë?

Sepse edhe në mentalitetin e masave nuk ec diçka në rregull.

ILUZIONIZMI SI STIL JETE

Shqiptarët janë njerëz të tipit që shumë shpejtë dhe pa u menduar as disa sekonda përgjigjen flasin. Për këtë arsye ata gati në çdo pyetje kanë një përgjigje – kryesisht gabim. Për këtë arsye bëhet njeriu që as llogaritjen elementare nuk e ka mësuar si duhet ministër i ekonomisë, ai që as dy libra nuk i ka lexuar ministër i kulturës e kështu deri në pafundësi. Një tip mentaliteti që i shkon formulës së Laotse-së i cili qysh në shekullin 6 para e.s. ishte i bindur se «njeriu që thotë shpejtë po, zor se e mban fjalën».

(Vetë)mashtrimi ka lëshuar rrënjë dhe elitat, shkollat, mediat nuk bëjnë asgjëfare për të edukuar njeriun racional, i cili nuk do të prirej nga dëshirat e veta ireale dhe premtimet e politikanëve të bazuara po në ato ëndrra absurde, por do të sanksiononte megapremtuesit për t’i shkolluar të ardhshmit që të premtojnë vetëm të mundshmen dhe që zhgënjimi mos të shndërrohet në trazira masash. Votimi i të njëjtëve – premtuesve astronomikë – është vendim me paramendim për jetëzgjatjen e një shoqërie me mentalitet vetëmashtrimi permanent.

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...