Demodefektet

Cilat segmente të shoqërisë janë përgjegjëse për «edukimin» e demokracisë dhe pluralizmit në shoqëri? Shteti, mediat, «elitat intelektuale», institucionet arsimore, iniciativat qytetare, politika e të listës. Nëse analizojmë veprimtarinë e këtyre faktorëve në raport me zgjedhjet e 8 qershorit ç’ rezultati do të na del?

Dramaturgu George Bernard Shaw besonte «demokracia të jetë procesi, i cili garanton që ne të qeverisemi jo më mirë se sa që e meritojmë». Kjo thënie politologjike dhe cinike e gjeniut irlandez do të ishte substanca e çdo sistemi shoqëror me demokraci pluraliste për ta vlerësuar në është defektive apo progresive nëse do të përjashtonim të gjithë faktorët ndikues që konfigurojnë, tjetërsojnë, riorientojnë mendësinë e masave para se ata të lëshojnë votën në kuti. Kjo ndodhë në të gjitha demokracitë, pavarësisht standardit jetësor në të. I vetmi dallim brenda këtij procesi ndërmjet demokracive në stadin e startit dhe atyre të konsoliduara qëndron në mungesën e imunitetit ndaj manipulimeve tek masat e tipit të parë (shoqëritë e transicionit). Ose siç e formuloi më bukur e saktë filozofi dhe psikiatri gjerman Karl Jaspers kur konstatoi se «Parakushti për mundësimin e demokracisë është ratio, arsyeja (racionaliteti) e masave, të cilën ajo (demokracia) së pari duhet ta krijojë». Kur përkthejmë këtë tezë të Jaspers –it kuptojmë dy gjëra: E para; Instalimi i sistemit pluralo-demokratik dhe e dyta; iluminimi, racionalizimi dhe edukimi i masave me sistemin e ri. A kanë ndodhur ky zhvillim në shoqëritë shqiptare?

SHTETI

Shteti i Kosovës që nga fillimet e tij nuk ka investuar në këtë drejtim. Nuk njihet ndonjë aksion apo program i ndonjërës nga qeveritë që do të merrej me supervizionimin e zhvillimit të demokracisë në sfera të ndryshme të funksionalitetit të saj. Në asnjë formë nuk ka ndodhur analiza në raportin shtet – qytetarë – demokraci. E vetmja organizatë (bjerrakohëse për ndryshe) që gabimisht është perceptuar si e këtij drejtimi është agjencia antikorrupsion, e cila për «mision» nuk ka demokracinë për luftimin e mafisë. Të tjerat – ojq’të – kanë shërbyer më shumë si dekor i një «ekskursioni» të përkohshëm militarist se sa me instruksione të vyeshme.

Mund të spekulohet në shumë variante se pse qeveritë nuk kanë vepruar ose nuk kanë qenë të interesuara. Një pjesë thotë sepse është e korruptuar e tjetra pjesë mendon Kosova mos të posedojë ende kuadrot për një vetanalizë të tillë të sistemit politik. Si të parët ashtu edhe të dytët kanë pjesërisht të drejtë. Megjithatë më shumë duket të jetë mosgatishmëria e qeverive për një proces të tillë e jo mosekzistenca e kuadrove në shoqëri – të tillë Kosova ka plotë.

ARSIMI

Institucionet e arsimit në këtë drejtim kanë kopjuar qeverinë. Nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim, qoftë edhe si diskurs interuniversitar (me studime, disertacione, kurse). Përkundrazi ato kanë bllokuar për shkak të paaftësisë së kuadrove akademike edhe iniciativat që kanë dalë nga studentët (me punime e tema) në këtë drejtim. Se qeveritë mund të kenë interesin e natyrshëm në lënien pas të kulturës demokratikë në masë (sa më pak marrin vesh qytetarët aq më i sigurt sundimi) është e logjikës, po cili është interesi i arsimtarëve, mësuesve, pedagogëve në këtë drejtim? Ndoshta as ata vetë nuk e dinë. Dhe ky spekulim duket të jetë realiteti. Ministritë e Arsimit, Shkencës, Kulturës si promotore të «edukimit» janë njëkohësisht defektet më të mëdha të shoqërisë kosovare.

«ELITAT«

Edhe gjatë këtyre zgjedhjeve nuk pati diskurs ndërintelektual rreth alternativave dhe programeve politike në garë. Pati analiza, kollumna, qëndrimi pro et contra mjaftë, por nuk pati debat ndërmjet «të urtëve» rreth neoliberalizmit, neomarksizmit, nacionalizmit, të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, nuk pati analiza vlerësuese për punën e ministrive të veçanta, nuk pati reflektime se ku ngec e ku ec demokracia dhe pluralizmi në Kosovë. Kjo manifeston mosekzistencën e ndonjë «elite« intelektuale që djersitet me tru e objektiv për përparimin e shoqërisë. Vlerësuar deri pas këtyre zgjedhjeve formula e Jaspersit modifikohet detyrueshëm në këtë rekonstruksion: «Demokracia kosovare ende mbetet e paaftë për të prodhuar racionalizëm, sepse ajo ende nuk ka ardhur, por vetëm ka paradërguar mantelin e sajë si paralajmërim».

MEDIAT

Mediat në Kosovë nuk janë pasqyrë e asaj që ndodhë në shoqëri. Shumica prej tyre edhe në këto zgjedhje (përveç Tribunës që u vu në shërbim absolut të AKR-së dhe Behgjet Pacollit dhe ndonjë tjetre) mbajtën po atë kurs kritik ndaj alternativave si qysh muaj e vite më parë. Kryesorja mirëpo, lavdërimi që shkon në konto të tyre është fakti se ato – të vetmet në shoqëri – zhvillimet i matën dhe vlerësojnë me peshoren e demokracive të konsoliduara dhe shtetet ligjore perëndimore. Gjë i bie se vetëm mediat (seriozet) në Kosovë janë demokratike, gjithçka tjetër mbetet në parademokraci.

FACITI

Radhitëm gjitha segmentet e shoqërisë për të involvuar sa më shumë faktorë në dështimin shqiptar të radhës. Për të zëruar faktin se jo vetëm qeveritë dhe partitë janë përgjegjëse për status quo-të, anomalitë, por e gjithë shoqëria ose pjesët kryesore të saj, të cilat duhet të rimendojnë ekzistencën e tyre dhe të munden të bëjnë një masterplan funksionimi drejt prosperitetit edhe kur qeveritë nuk duan të janë timonieret.

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...