Revoltat shqiptare

 Kur pashë se si dy komandosë të pushtetit kishin shtrirë përdhé një protestues vetëvendosa të reflektoj mbi natyrën e revoltave shqiptare. Ja çka doli:

1.
Shqiptarët kurrë në historinë e tyre nuk kanë qenë as shpikës, as nxitës e as promotorë të ndonjë revolucioni përmasash universale. As në kontekstin lokal nuk kanë trazuar ndonjë tullë në atë formë që do t’i fascinonte të tjerët – për shembull ndonjë fis lartë poshtë planetit – për t’i marrë model. Po po, ma merr mendja se do të na hidhen në qafë historianët romantikë dhe do lehin deri sa të përmbyset ndonjë çati duke na numëruar ngjarje pas ndodhie, duke u përpjekur me gojënplotë e faktehiçë të na bindin për kosmorevolucionet (sish që planetëve dhe yjeve ua kanë prish hierarkitë) e racës së plisave. Dhe në fund pasi të kenë kërkuar djersitshëm krahasime nëpër ato pak libra që kanë, do të bëjnë si çdoherë: në mungesë të fakteve do të na shpallin spiunë të Beligradit, Jerusalemit apo Riadit. Aq na bën ne! S’jemi as spiunë e as nihilistë, por një gjeneratë ndoshta që kemi vendosur mos të fryhemi, dehemi më përrallat e burrave tonë të mëhallës, të cilët në shoqëritë normale qëmoti do t’i kishin detyruar t’i nxjerrin trutë në pension.

Hasta la vista në muzeun historik!

2.
Shqiptarët nuk janë specie revolucionare, mirëpo janë mjeshtër të revoltës. Jo mjeshtër të atij tipi revolte si ajo e Albert Camus –së (Njeriu në revoltë, 1953) që përdhosi Sartrin, sepse Camus ia futi shkelm parakomunizmit moskovit, por shqiptarët janë mjeshtër të njëlloj revolte tipike – pra si gjithherë specifike – shqiptare. Revoltat shqiptare janë, spontane, të pakontrolluara dhe parasëgjithash të pamenduara. Domethënë konform mentalitetit tonë «jugor», gjak- e trunxehtë. Kështu e ka mentaliteti jonë. Pa prit e kujtuar eksplodojmë, qortohemi, rrihemi, përgjakemi, pajtohemi, dashurohemi dhe në fund martohemi. Kështu na ka sajuar natyra dhe pasi nuk kemi mbaruar si racë po duket se në zinxhirin e ekzistencës biologjike finanliteti i afektit tonë kolektiv paska funksionin e shumimit dhe jo anasjelltas. Për fat! Çka leshin do bënte bota pa Shaqirët, Belushët, Nënë Terezat dhe Rita motrat tona? Padyshim se do të mbijetonte ama jo në këtë mënyrë gjallëriplotë.

3.
U kuptuam: nuk e kemi fjalën për revoltën si pjesë e karakterit tonë human. Ka dhe specie tjera me këto veti – thotë primatologu famoz Frans de Waal. E kemi fjalën për revoltat si ato që «vetëvendosësit» i kanë bërë ritual ditor për të shprehur protestën e tyre legjitime kundër defekteve të tepërta të pushtetit kosovar. Për revoltën politike mendojmë kësaj radhe.
Në fillim të çdo veprimi grupor njeriu normal pyet (jo strategu se ai e di mirë): për çka? Tash: ekzistojnë dy alternativa analize.
E Para: VV ka menduar se do të depërtojë me dhunë dhe do të marrë në duar institucionet e vendit? Dakord e tepruam VV nuk është rast për psikiatri saqë mos e di se kjo punë nuk ndez. Edhe Qeveria kosovare me gjithë deliktet e çdoditshme kundër arsyes së shëndoshë dhe normalitetit kaq paranojake megjithatë nuk është. Po? Jo bre!
E dyta: Nëpërmjet formave të tilla në histori – atëherë kur nuk kanë funksionuar parlamentet, mediat dhe demokracitë si sot – lëvizjet masive kanë sensibilizuar masat për t’i nxitur dhe përgatitur për revolucione, siç tentuan arabët kohët e fundit dhe na mësuan se ajo mënyrë revolte nuk ndez më si duan ato që i nxisin. Edhe këtë punë e dinë vv-të. Ani për çka atëherë ajo kacafytje si ato ujqit që shqyejnë një lepur në drejtime të kundërta? Ashtu kot? Për çështje marketingu mediatik?

3.
Në reagimet e masave gjatë dhe pas revoltës po përjetojmë një rënie dramatike të simpatisë ndaj VV-së. Kjo nuk nënkupton automatikisht spekulimin se «mileti» riflirton me mënyrën e sundimit të Hashim Thaçit & Co, por flet për një dimension krejt tjetër. Optimizëm pur: Kosovarët e paskan kuptuar shumë më mirë se Albin Kurti dhe Hashim Thaçi se para se të dalin rrugëve dhe të hanë «dajak» të pyesin: Për çka? Këtë na konfirmoi edhe një mik i jonë nga Prishtina, cili thellë probleme ka me modelin qeverisës ekzistues dh i cili na ulëriu në telefon; «po ç’a po mendon Albini pash Zotin a Abdulvahidi i shkretinave jemi ne a?»
Kësaj radhe me përulje ua heqim kapelën kosovarëve!

4.
E kur këtë tekst që doli kështu siç doli ia lexova një mikut tim duke pritur prej tij të më thotë «bravo Xhemë se ma knaqi shpirtin», siç më thotë zakonisht ai ma prishi ditën duke ma fut në këtë mënyrë: «po po lehtë e ke ti të filozofosh nga fotelet e Zvicrës nuk i ke ndiej ti pendrekat e Hashimit në shpinë». Ma ftohu. S’ka gjë. Ku e di ai se ditën kur Albini me kaçurrelat dhe këmishën e tij të bardhë doli në skenë, një laraskë zemërgjere ma uronte ditëlindjen e dytë dhe të 19-të në qelinë e një burgu jugosllav. Ku i di ai gjithë ato biografi tonat.

Related

Letrat e First Husband-it 

Prindon Sadriu nuk e ka me tjerët. Ai vuan....

Homofilët, homofobët dhe deviatorët

Homofilët diskriminohen. Lufta e tyre është e arsyeshme dhe do ketë...

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...