1.
Si 9 vjeçar sheh Dante Béatrice-n dhe humb kompasin e jetës. Kur pas nëntë viteve e sheh përsëdyti shpërthen dhe shkruan veprën e tij «Vita nova». Dy momente fare të shkurtra shoku dhe një dashuri e refuzuar nga kryeneçja Béatrice e çorientojnë njeriun e shekullit 13 aq thellë saqë i shkruan 14 233 vargje në kërkim të kuptimit të jetës. Lind «La Commedia» dhe gjuha letrare italiane.
Shikuar nga ky aspekt Béatrice nuk është ajo shtriga hundëpërpjetë që ka dërmuar shpirtin e një njeriu, por heroina, burimi, nëna e gjeniut. Po të kishte pranuar ajo gjimnastikën në shtrat me hollakun florentinas, ndoshta ai do të vegjetonte si gërmadhë e kafazuar nga epshi ose tërë jetën do ta kalonte duke ngarkuar e shkarkuar thasë anijeve të familjes La Polenta të Ravenës.
E ka ndier Béatrice misionin e Dantes dhe ka refuzuar dashurinë djegëse? Nuk na merr mendja. Historikisht nuk ekziston asnjë indikacion që do të lejonte spekulime se Béatrice të ketë qenë vërtet shtrigë.
Me këtë storie u përpoqa të depërtoj nga ndonjëra anë në natyrën tejet komplekse të femrës. Sipërfaqësisht Béatrice del si një personazh negativ që ia refuzon dashurinë një gjeniu të ardhshëm, mirëpo historikisht si një figurë që me veprimin e saj mund të jetë nëna e gjuhës italiane.
2.
Lëmë shekullin 13 dhe kthehemi në këtë nëntor hurikanësh pasmodernë. U kushtojmë ca momente Béatrice-ve tona; femrave shqiptare! Sa nënave tona, po në këtë moment agimi kur unë shtyp në tastierë, iu dridhen gishtat, këmbët e gjunjët nga të ftohti duke përgatitur mëngjesin që kur të çohemi ne që rimë gjithë natën zgjuar të mundemi ta masakrojmë dhe atomizojmë flinë deri në asgjësim; sa gjyshe tona ende pa shpërthyer drita ia kanë mësyrë pyllit për të mbledhur ashkla druri për zjarr; sa motra tonat druajnë nga dita e hënë se duhet të shkojnë në punë tek ndonjë epror trudërrasë, i cili as për nga shkollimi e as për nga mençuria nuk i afrohet dot asaj; sa nëna tonat kanë sakrifikuar ëndrrat dhe jetën e tyre duke pranuar «fatet» e imponuara nga rrethi, familja, duke u bërë «krahu» i burrit mësues, profesor, akademik, politikan, bandit, kumarxhinj; sa gra, motra e nëna tonat u janë nënshtruar nënçmimeve, ngucjeve, degradimeve të çdoditshme të patriarkëve arkaikë, duke i duruar detyrueshëm për të siguruar ekzistencën e familjes? Këtë këngë mund ta zgjasnim dhe me siguri se do t’ua kalonim 14 233 vargjeve të Dante Alighieri-t. Numri i atyre grave që nuk kalojnë për çdo ditë ferrit dhe purgatorit dantesk në shoqëritë shqiptare duhet të jetë shumë i vogël.
3.
E nisëm këtë kollumnë me historinë e Beatricé për të demonstruar kontrastin e çuditshëm; edhe atëherë kur veprimi i femrës duket i pashpirt ai mban funksion final pozitiv. Sidomos femrat shqiptare – me këtë shkallë gërryese altruizmi – kanë diçka të komplikuar në shpirt dhe frymë që meshkujt na merr mendja se nuk do ta kuptojnë kurrë. Prej ku gjithë ky durim, ky sakrifikim në çdo pozitë, në çdo situatë dhe në çdo rol social? Ku e gjejnë gjithë atë energji që përkundër gjitha flakëve dhe sfidave të përditshmërisë të mbijetojnë shumë ma dinjitetshëm se çdo hero shpatullgjerë që e kemi pas deri sot? Kësaj pyetjeje ndoshta nuk do të mundemi t’i përgjigjemi sot e as nesër, ndoshta një ditë përgjigjen do ta sjellin vetë ato. Nuk dimë.
4.
Që Beatricé nuk mbeti anonime për historinë mondane ka të bëjë me faktin se Danteja Dante ishte. Si t’ia bëjmë ne për të nderuar heroinat tona, që ato mos t’i gëlltis pluhuri i anonimitetit?