Që nga fillimi i luftës shqiptaro- serbe në Kosovë, plotë të rinj udhëtojnë nga Perëndimi nëpërmjet Shqipërisë e vendeve të tjera për t`iu bashkangjitur UÇK-së. «Java shqiptare» shoqëroi njërin prej tyre deri në momentin kur ai u bashkua me UÇK-në.
Zürich- Bari-Kukës : «A nuk ju dhimbset jeta»? «Pikërisht për atë se me dhimbset jeta dua që ta mbrojë atë»- na përgjigjet njëzet e shtatë vjeçari Blerim M. duke rregulluar banesën e tij para se t`ia dorrëzojë çelësat pronarit të saj z. Joachim Brechbühl. «Ka kohë që përpiqem të bindë Blerimin se edhe prej Zvicre mund të ndihmojë Kosovën, mirëpo ai është një kokëfortë tipik shqiptar. Më vjen keq, ai është një djal i ri, jashtëzakonisht i sjellshëm dhe puntor»- thotë zvicerani Brechbühl nga Zürich-u duke lëshuar dhimbjen bashkë me mllefin nga faqet e fryra të fytyrës së tij. Blerimi, që nga ardhja e tij në këtë vend, para shtatë vitesh (si dezertor nga lufta kroato-serbe) ka punuar në firmën e z. Berhbyl si saldues. Vetë përpjekja e pronarit helvetikas për të bindur djaloshin me prejardhje nga Isniqi që mos të shkojë në luftë kallëzon se kemi të bëjmë me një njeri të sinqertë dhe të dashur nga të tjerët. «Nuk ka forcë që më ndal. Unë kam vendosur që të shkojë në vendin tim për ta mbrojtur. Si mund të qëndrojë këtu kur nuk dij fare se ku gjendet familja ime. Ka kohë që prej tyre nuk kam dëgjuar gjë…»- në krahasim me gjendjen shpirtërore të shefit, Blerimi duket sikur para disa minutash a orësh (sigurisht gjatë marrjes së vendimit përfundimtar për të shkuar në Kosovë) t`i ketë rënë një gurr i rëndë, një barë e madhe nga brendia e tij. Ai nuk duket fare i shqetësuar. Pas përqafimit me kosovarin, Joachimit i shpërthejnë lotët dhe përqëndron sytë nga ne duke thënë me plotë bindje; «Kosova do të fitojë…». Gjatë ndarjes zvicerani na u lutë që kur të kthehemi t`i telefonojmë për t`i treguar se a ka mbrritur në cak miku i tij.
Pranimi i Blerimit që «Java shqiptare» ta shoqërojë atë deri në hyrje të kufirit kosovar ishte edhe një fakt bindës që ky nuk i takonte asaj turmës së «humoristëve» të luftës që paralajmërojnë rrejshëm se do të shkojnë në luftë vetëm sa për të tërhequr vëmendjen e opinionit kah vetëvetja.
2.
Blerimi, para se të niset në Kosovë kërkoi ndihmë në ambasadën shqiptare që ata t`i japin ndonjë dokument për të hyrë, së paku, në Shqipëri legalisht. Në pragun e derës së ndërtesës së vjetëruar, në afërsi të urës «Monbijou», ku gjendet Ambasada Shqiptare, doli një grua mbi dyzet vjeçare me një buzëqeshje zyrtare e të ftohtë. Zonjusha, fytyra e së cilës vazhdimisht po merrte një formë tjetër, pa duruar që deri në fund të dëgjojë kërkesën e hallexhiut deçanas, bëri lëvizjen e pritur duke çuar dorën lartë; «ik ore, se nuk kemi mundësi t`iu japim asnjë dokument…» dhe përplasi derën sikur t`ia kishim paralajmëruar ditën e fundosjes së planetit.
3.
Fillimisht kishim menduar se shkuarja e Blerimit në Kosovë është e organizuar. Paragjykim që gjatë rrugës për në Kiaso u demantua. Sa më shumë që i afroheshim kufirit zvicerano-italian aq më tepër na ngacmonte kurreshtja për të ditur se si do të kalojë Blerimi në anën tjetër. Ai, përveç letërnjoftimit «F» për refugjatë nuk kishte me vete asnjë dokument. «Rëndë ka qenë për t`u futur në Zvicër, për të dalur nuk besoj se del ndonjë problem. Pas një ore do të takohemi në stacionin e trenave të Komos»- thotë ai me plotë siguri duke u ndarë prej nesh në qendrën e qytetit të vogël zviceran. Në kufi kaluam pa iu nënshtruar ndonjë kontrolle. «Po të ishte Blerimi me ne ndoshta do të kishte hyrë në Itali pa problem»- menduam përderisa shikonim policët e të dy anëve duke urdhëruar me dorë që të kalonim përreth kabinave të tyre pa u ndalur fare.
Kishin kaluar më se dy orë që pritnim në kthimin e Blerimit duke u endur lartë poshtë stacionit të trenave. Kohë pas kohë shihnim shqiptarë, si në çdo qytet të Perëndimit, që endeshin duke kërkuar me sy një Zot e di se çka. Ngadalë, frika se mos e kanë zënë Blerimin duke kaluar kufirin, ndërtonte pushtetin mbi mendjet tona. Jo, ai kishte kaluar telat dhe vijnte drejt nesh po me ato hapa të sigurtë si gjatë ecjes drejt vijës së kufirit për ta kapërcyer atë ilegalisht. E vetmja gjë që kishte ndryshuar në formën e tij të jashtme ishte një çantë tepër, të cilën ai deri para tre orësh nuk e kishte me vete. Duke na kërkuar falje për vonesën si arsyetim paraqiti nevojën për të blerë diçka. Cka? Ishim të bindur se parashtrimi i një pyetje të tillë, në atë rast do të ishte i tepërt. Mbi të gjitha, ne e dinim se ku ishte nisur bashkudhëtari ynë.
Pas hyrjes në territorin italian Blerimi na njoftoi për drejtimin kah duhet të ecim. Pas disa orëve mbrritëm në Bari. Aty duhej që përsëri të ndaheshim. Ne duhej të siguronim një vend për Rang-Roverin tonë në trajekt, përderisa Blerimi telefononte me dikë me zë të ulët. «Sipas të gjitha gjasave ne do të takohemi të nesërmen në ora 16. në Tiranë, vendin mund ta caktoni ju»- ai kishte siguruar udhëtimin ilegal nëpër Adriatik.
Rindarje në orët e parambrëmjes. Ai përsëri u zhduk duke u futur në thellësinë e një rrugice të ngushtë, ashtu si gjatë tërrë udhëtimit me të, me kokë përpjetë dhe pa shikuar kurrë pas.
Oficeri Naser K. që ishte i ngarkuar me pranimin e ushtarëve të rinj nga diaspora na tha; «Diaspora duhet që përfundimisht të kuptojë se është koha e anulimit të veprimit në baza partiake dhe ideologjike. Ajo duhet të kryejë misionin e saj si gjatë historisë duke ndihmuar në mënyrë sa më efektive luftën për çlirimin e njëmendtë të Kosovës. Nuk e dij se ç`morali kanë ata njerëz që edhe në këtë kohë të përlahen e copëtohen për monopole partiake kur në Kosovë bëhet një luftë e ballëpërballshme me armikun dhe ku nuk mungojnë as shqiptarët e vrarë. Veprimet e tilla, si në diasporë ashtu edhe në Kosovë, vërtet na shqetësojnë dhe nuk janë pa ndikim në moralin e Ushtrisë. Diaspora duhet të bëhet një trup i vetëm me një organ suprem duke i lënë partitë që të bëjnë gara pasi që të çlirohet Kosova nga UÇK».
Gjatë udhëtimit mbi siperfaqen e qetë të detit përpiqeshim të bashkojmë detaje të ndryshme të biorgafisë së Blerim M. që ai na i kishte dhënë gjatë rrugës nga Cyrihu deri në Bari me qëllim që të zbërthejmë faktorët që kanë ndikuar në pjekurinë dhe sigurinë që ky njeri ka në vete. Prindët (për të cilët ai me javë nuk ka dëgjuar gjë) e tij për nga profesioni janë mësues. Para se të shkonte në Armatën Jugosllave ai ka qenë student i vitit të dytë në Fakultetin Juridik të Prishtinës. Shtatë muaj në shërbim ushtarak; «atëherë nuk e dija se drejt kujt qëlloj. E dija që në anën e kroatëve luftojnë shqiptarë të shumtë. Poashtu pjestarë të një luftë të huaj. Nga ajo luftë kam mësuar se serbët nuk mund të fitojnë, ata ishin edhe në luftën me Kroacinë, të bindur që në fillim me këtë fakt, mirëpo pasioni i madh i tyre për të vrarë e luftuar nuk i lejonte që të ktheheshin prapë. Këtë e pranonin edhe oficerët me të lartë, nën komandën e të cilëve gjendesha unë, ushtari shqiptar në mesin e një ushtrie të huaj. Është periudha më e tmerrshme që e kam përjetuar. Të luftosh për një ushtri okupuese, qoftë edhe i detyruar, është jashtë çdo norme morale. Prandaj mendoj se me serbët diçka nuk është në rregull. Ai popull ka një problem të madh moral që nuk do ta lë të prosperojë kurrë. Atëherë po, nuk e dija se ç`bëja, ndërkaq tani e di, mendjen e kam shumë të kthjellët dhe e di se kjo luftë është e imja, e çdo shqiptari, e drejtë dhe e pashmangshme…»- lexojmë fjalët e Blerimit në blokun e shënimeve tona, duke shikuar anembanë me dëshirë për të parë ndonjë motoskaf që kalon pranë nesh.
Durrësi flen! Ne zbresim ngadalë dhe nisemi në drejtim të kryeqytetit të «Shqipërisë në miniaturë»- fjalë që Blerim M. e përmendte vazhdimisht rrugës.
Bajram J. (oficer i UCK-së, i plagosur në Deçan): «Ushtria nuk e ka për detyrëtë të bëjë politikë. Në kohërat e luftës, sipas retrospektivës ekzistojnë dy faktorë që përbëjnë strategjinë konkrete dhe atë: 1. Lëvizja politike që ushtron ndikimin në tryezat e diplomacisë dhe 2. Ushtria që lufton për realizimin e aspiratave çlirimtare të një Kombi në terren. Kjo arrihet vetëm atëherë kur të dyja këta faktorë janë të vendosur në qëllimin final të tyre me seriozitetin më të madh. Përndryshe çdo faktor politik që nuk e merr seriozisht realitetin e luftës në terren nuk është i denjë për t`u thirrur në emër të popullit, kjo do të ishte edhe alogjike. Si mund të kërkosh bisedime me Beogradin për zgjedhje paqësore nga zyrat kur nëpër male bëhet një luftë e vendosur për liri.
4.
E Mërkurë. Që në orët e mëngjesit sheshi i Tiranës vlon nga qytetarë të shumtë; kontrabandistë valutash; njerëz që nxitojnë në drejtime të ndryshme me gazeta në duar; grupe policësh gjysmë të fjetur ndalin vetura nën bustin e heroit kombëtar të shqiptarëve dhe lypësit që rrëmbejnë turistët që dalin nga dyert e hotel «Tiranës», siç e quajnë me dëshirë vendësit që nga koha e dikatorit Hoxha; pesmbëdhjetkatshi. Smoku dhe gazrat frymëzënës të karburanteve të papastra që lëshojnë automjetet bëjnë edhe më shumë të ngarkuar e disharmonik fillimditën e jetës intenzive të kryeqytetit. Pjesa më e madhe e shtypit merret me luftën e ashpër ndërmjet pozitës dhe opozitës. As vëmendja për Kosovën nuk mungon. Intelektualë emërmëdhenj – të këtij vendi të vogël, i cili është edhe më i varfëri në jug të Evropës – kërkojnë distancim nga lufta e UCK-së duke arsyetuar qëndrimin e tyre në këtë mënyrë; shteti i tyre ka problemet e veta të brendshme dhe…Për dallim nga kosovarët që ëndrrojnë në bashkimin e tyre me shtetin amë, këtu pak njerëz mendojnë njejtë, siç na tha një bashkëbiseduesi ynë, «nuk çanë kokën kush për Kosovën». Një tjetër, që fliste shqipen bile edhe më rrjedhshëm sa vetë shqiptari Blerim M. na tha; «kosovarët janë çmendur, ata e kanë mirë me Serbinë». Për t`u habitur. Nuk i dhamë vetes komoditetin dhe kompetencën për të krijuar bindjen se tre bashkëbiseduesit tanë përfaqësojnë mendimin e Shqipërisë, kjo do të ishte edhe kundër parimeve tona profesionale, mirëpo nga ana tjetër kuptuam edhe këmbëngulësinë e shumë intelektualëve kosovarë që kemi njohur në Perëndim përse e duan patjetër (fillimisht) Kosovën shtet të pavarur dhe neutral. Mund të presupozojmë se gjithë kjo ka të bëjë me kontradiktat e lartëpërmendura që ka në veti ky popull, i sulmuar nga shumica e fqinjëve të tij.
5.
Ora 16. Para hotelit «Dajti», në shkallët e tij, është ulur Blerimi dhe lexon një gazetë me faqe të mëdha e të pakta. Në krahasim me fytyrat tona të lodhura, ai dukej sikur të kishte pushuar tërrë natën. Asnjë shenjë nga rrugëtimi i gjatë dhe klandestin nëpër telat e kufinjve të Evropës dhe ujrat e rrezikshëm të detit, ku para do kohësh kishin humbur jetën shumë bashkëkombës të tij. Ndoshta është e saktë ajo thënia universale e besimtarëve; «Kur e ke qëllimin e mirë edhe Zoti të ruan». Disa metra më poshtë, përballë hotelit, gjendjej një kafeteri ku, sipas Blerimit, mblidheshin kosovarët. Aty, ai ka lënë një takim me ca njerëz, tek të cilët ka besim, mirëpo kësaj radhe nuk na dha asnjë garancë për mundësinë që ta shoqëronim edhe më tutje. Për këtë ai duhej të pyes njeriun që duhej të mbrrijë në çdo çast. Kafeteria, kamarierët e së cilës nuk mund të bënin kafe për shkak të mungesës së rrymës, ishte mbushur përplotë me djem të rinj. Ata, pa përjashtim, dallonin për nga veshja me njerëzit që shihnim rrugëve të Tiranës; të bënin përshtypjen sikut të ishe në ndonjë qytet të Zvicrës. Ndërkohë, një burrë i gjatë, me mustaqe dhe me një qëndrim patriarkal u ul veçmas në një tavolinë në skaj të lokalit. Të rinjtë i afroheshin sikur të kërkonin diçka prej tij. Fillimisht menduam se është ndonjë njeri që nuk respekton gjithaq higjienën ligjore dhe merret me diçka rebele, ashtu siç ishte e tërra atmosfera e jetës shqiptare. Kur pamë se edhe Blerimi iu afrua, atëherë u bindëm se ai është personi në të cilin Blerimi kishte besim.
«Për të ardhur me ne duhet t`i respektoni ca rregulla që kanë të bëjnë me sigurinë e këtyre djemve e sidomos familjeve të tyre»- na tërhoqi vërejtjen musteqoshi duke dhënë sinjal se do të na mundësohej që t`i shoqëronim e reportazhin për «Javën shqiptare» mos e përfundojmë në kafeterinë pa rrymë të Tiranës.
6.
Blerimi, musteqoshi dhe një djalosh tjetër që kishte emrin Luli do të udhëtonin me veturën tonë për në Kukës. Vetura jonë nuk ishte e vetmja. Para nesh ecte një kombi me dymbëdhjetë udhëtarë tjerë. Në automjetin me targa të Danimarkës ishin poashtu shqiptarë të rinj që ishin nisur drejt frontit. Musteqoshi që preferonte të flas sa më pakë ishte një oficer i UCK-së që vepronte herë në Shqipëri e herë në brendinë e rajonit të krizës. Kolegu i tij që gjendej në veturën tjetër ishte një ushtarë i plagosur para një muaji gjatë luftës në Deçan dhe ishte po ai që do të futej më këtë grup në territorin e Kosovës. «Baca», siç e quanin dy bashkudhtarët tjerë musteqoshin, çdo përgjigje e kishte të prerë. Pyetjes së Blerimit se prej cilit krah politik udhëhiqet UCK-ja iu përgjigj me ca fjalë të hekurta dhe plotë kujdes; «ne jemi ushtar të popullit shqiptar që kemi për detyrë ta çlirojmë Kosovën. E dij se atje ( e kishte fjalën për diasporën) ende ka paragjykime e dyshime në lidhje me këtë problem, mirëpo (duke iu drejtuar Blerimit) ne nuk i takojmë asnjë qendre politike. Ne do të pranonim një qendër politike vetëm atëherë kur partitë të kishin kuptuar e të ishin shkrirë në një Lëvizje të vetme Kombëtare me një qëllim të prerë siç e kemi ne. Ka asociacione politike që na kanë ndihmuar e ndihmojnë për të organizuar luftën tonë, gjë që është detyrë e çdo grupi shqiptar dhe me këtë ata mendojnë se kanë të drejtë të kontrollojnë politikisht UCK-në, mirëpo nuk është ashtu. Po të ishte se ne duam që të politizojmë e ideologjizojmë veprimet tona atëherë nuk do të kërkonim bashkimin e forcave politike si dhe nuk do të kërkonim ndihmë nga qeveria e Kosovës, që do të thotë se ne përpiqemi të bindim qeverinë dhe klasën politike shqiptare që t`i bashkohet luftës. Liria dhe Pavarësia nuk është monopol i asnjë partie apo ideologjie politike. Liria është monopol vetëm i popullit shqiptar. Nga ky parim niset UCK. Sikur edhe klasa politike shqiptare të kuptonte këtë gjë, ndoshta punët do të ishin koordinuar edhe më mirë. Atëherë më lehtë do të kishim mundur ta shporim armikun e lirisë së shqiptarëve». Zëri ushtarak i oficerit mbushi edhe më shumë me forcë dhe energji Blerimin, i cili më herët na kishte shprehur brengën në lidhje me atmosferën përçarëse të partive politike kosovare brenda e jashtë vendit. Nga kjo edhe ne u bindëm se UCK nuk ishte vetëm një organizatë luftarësh të dëshpruar që e kanë mjaftë nga shtypja e agresionit serb dhe pacifizimi i politikës së lavdëruar nga Perëndimi, që udhëheq presidenti i zgjedhur me referendum nga kosovarët Rugova, porse ajo është vërtet një ushtri që me qëllime të qarta dhe me kuadro të vendosura.
7.
Kukësin nuk e gjetëm të fjetur si Durrësin e as të çorientuar në raport me luftën në Kosovë si Tiranën. Nëpër murret e shtëpive dhe të gjitha vendet publike qëndronte shkruar; «Rroftë UCK-ja», «Kosovën nuk e japim» e të ngjajshme. Nga një plak i qytetim kuptuam se «aty nuk ka se ç`kërkon qeveria e Nanos e as melezët e pushtetit në Tiranë». Si të themi, një zonë neutrale në kufi. Shumica e qytetërve janë të armatosur dhe ndihmojnë vëllezërit e tyre kosovarë që shkojnë e vijnë. Para orëve të mesnatës derisa ne përpiqeshim që t`iu shkulim edhe ndonjë fjalë me zor nga goja ushtarëve të UCK-së, u paraqitën të rinjtë që kishin udhëtuar me ne; të veshur me uniforma ushtarake me shqiponja në krahëror, me armë në krah dhe me një pedanteri shembullore lëviznin sipas komandës së një oficeri që erdhi nga matanë kufirit. Edhe një ndarje me Blerimin. «Ceremonia» e përshëndetjes na bëri të kuptojmë gjendjen e para dy ditëve të zviceranit Brehbyl. Ai kishte njohur më gjatë Blerimin dhe e njihte më mirë, por as për ne që i kaluam vetëm dy ditë me të ndarja nuk ishte më e lehtë. Përderisa figura e tij bëhej sa më e padukshme ndërmjet ushtarëve të numërt të UCK që marshonin drejt frontit për të luftuar për lirinë e popullit të tyre neve nuk mbetej asgjë tjetër veç se të përsërisim disa herë fjalët e Brehbylit; «Kosova do të fitojë…», «Kosova do të fitojë…»- fitorja shihej qartë vendosshmërinë dhe vullnetin e atyre fytyrave të Blerimëve të shumtë që ne patëm rastin t`i shoqërojmë drejtë luftës. Ata na bindën se vërtet «Kosova do të fitojë…».