Racizmi lakuriq rrugëve të Zürich-ut

Nëpër rrugët e Prishtinës vërrehen pllakatat me vulën serbe „Shqiptarët jashtë Kosovës“, „Shqiptarët në Shqipëri“. Dymijë kilometra më larg, në metropolin zviceran Zürich, „lulëzojnë“ pllakatat me vulën e Partisë Popullore zvicerane SVP „Kosovo-Albaner-Nein“.

Duke ngrënë drekë apo darkë shqiptarët në Kosovë vdesin mbi sofrat e tyre nga granatat e ushtrisë serbe. Kjo është finalja e politikës raciste të Millosheviqit që e ka filluar që nga viti 1989 me qëllim për pastrimin etnik të Kosovës, duke deportuar shqiptarët jashtë vendit të tyre. Në të njejtën kohë në Zvicër, në Cyrih Partia zvicerane SVP del me pllakata „Shqiptarët nga Kosova-JO“ me qëllim të mosintegrimit të tyre. Kështu duke u bërë atyre presion për të ikur. Cili është dallimi në mes politikës së PS së Millosheviqit dhe SVP së Blloherit?

ZVICËR, 1940: J- 1998: A

Në shumë rrugë të metropolit më të madh alpik të Helvecisë janë ngjitur pllakate të mëdha ku shkruan; „Shqiptarët nga Kosova-Jo“. Mbi këtë thirrje të përçudshme, me shkronja fare të imta figuron një fjali që nuk përputhet në asnjë mënyrë me kërkesën e qartë të plasuar në kuq e zi ku thuhet: „rrjeti i kontaktit“. Dhe në fund qëndron nënshkrimi ngjyrëgjelbër, patjetër i autorit të palodhshëm të  përmbajtjeve të tilla: SVP e qytetit të Cyrihut.  Jo pak njerëz ndalen para murreve -ku Partia Popullore Zvicerane ka varrur fizionominë vetë- për t`u humbur nëpër shkronjat therrëse të qëllimit të saj. Disa tundin kokën duke konsideruar pllakatën si të ngjajshme me ato të viteve të dyzeta nëpër Gjermani e gjetiu, ca arsyetojnë atë e një grup tjetër me plotë injorim as që ia hudh sytë asaj. Nga shtatë kalimtarët e rastit, që të gjithë zviceranë, aq sa pyetëm para një pllakate të tillë,  ja si ishte përgjegja automatike pasi lexonin atë; „është një parullë që u thotë „JO“ shqiptarëve nga Kosova. Nuk e di saktë dhe konkretisht se për çka është fjala, ma merr mendja që  bëhet fjalë për largimin e tyre nga Zvicra ose ka të bëjë me një inicijativë të SVP kundër një projekti për të cilin gjithashtu nuk di të them shumë“- thotë Mariana Ackermann, pesdhjetëvjeçare nga Seebachu dhe shton „ shqiptarët e Kosovës vërtetë ia kanë nxjerrë fundin, mirëpo kjo është e tepërt dhe e dyshimtë, kërkesës së  SVP i vjen erë urrjetje më shumë se sa erë e një politike të mirëfilltë për popullatën e Cyrihut “.

Memet Berisha, një shqiptar i ri nga Kosova ka varur kokën, me sy gjysmë të mbyllur nga rrezet e rënda të diellit të pasditës, kthehet i bërë krejt pluhur nga vendi i punës. Ai më se nëntë orë ka punuar në katin e nëntë  të një godine të madhe të qytetit. Të njejtën punë ai e bën qe tetë vjetë. Qekurë ka ardhur në Zvicër si njëzet vjeçar. Ndalet para pllakatës dhe merr frymë sikur do që  mbi atë të lëshojë një mllef të madh që i qëndron në shpirt me qindra vjet; „është tepër shqetësuese, mirëpo jo diçka e re. Parulla të tilla për ne shqiptarët janë si një mallkim që na ndjek kudo, në çdo qosh të botës. Atdheun e kam lëshuar duke u „përshëndetur“ me thirrjet raciste e antishqiptare të kriminelit tash më të dëshmuar Millosheviq dhe po të njejtat parolla kundër ne shqiptarëve nga Kosova i gjej edhe nëpër murret e një vendi si Zvicra. Një vend për të cilin kam menduar se ka përvojë në këtë drejtim dhe se ka flakur sëmundjen neveritëse të racizimit. Tash ka mbetur që edhe ne shqiptarëve të na ngjesin nga një shkronjë të madhe në gjoks ku qëndron gërma „A“, që policët të na dallojnë në rrugë për të na bastisur e transportuar nga kemi ardhur. Kërkesa e SVP, kështu siç është duket si një kontinuitet i politikës serbe në Kosovë“. Këtë mendim e ndajnë edhe shumë pjestarë tjerë të komunitetit shqiptar në Cyrih, të cilët duke shikuar pllakatën përpiqen të gjejnë lidhjet direkte e konkrete ndërmjet Partisë Popullore „të Blloherit“ dhe Partisë Socialiste të Millosheviqit. A ka lidhje të tilla vërtetë? Nëse jo fizikisht, shpirtërisht sigurisht se po. Pasi orientimi politik i kësaj partie, respektivisht SVP së Cyrihut, është identik me atë të Millosheviqit kur bëhet fjalë për shqiptarët. Prandaj edhe tentimi i shqiptarëve në Zvicër për të bërë një krahasim të tillë nuk duket i palogjikshëm. 

Në shumë qendra e klube shqiptare të këtij qyteti mblidhen njerëz, pas orëve të punës dhe diskutojnë plotë frikë dhe shqetësim mbi hapin e pritur të SVP. Ky hap ishte i pritur pas inicijativës së lëshuar gjatë vitit të kaluar kundër projektit „Urat“ të Karitasit, i cili u aprovua nga komuna politike e qytetit me qëllim të integrimit të familjeve shqiptare në jetën shoqërore zvicerane. Projekt, i cili për dy vjet kushton 100 mijë franka.

SVP me referendumin që do ta mbajë me 7 korrik dhe parullat e lansuara nëpër rrugët e qytetit të Cyrihut ka lënduar të gjitha konventat e mundshme për të drejtat e popujve dhe të njeriut. Mirëpo për këtë nuk brengoset askush. Ata që brengosen nuk kanë se ç`të bëjnë, pasi këshilltarët juridik të kësaj partie janë angazhuar mirë për të shfrytëzuar të gjitha shprazëtirat e Ligjit Kundër Racizmit që inicijativa e tyre mos të akuzohet me ligj. Siç është thënë edhe më parë, dispozitat e këtij ligji të aprovuar nuk janë konkrete dhe të lënë përshtypjen sikur të jenë bërë vetëm sa për spektakël dhe arsyetim para faktorit ndërkombëtar. Përndryshe si ka mundësi që dikush të plasojë një parullë nëpërmjet të cilës shqiptarët e Kosovës; 1. poshtërohen si racë e padëshiruar, 2. djallëzohet identiteti i tyre kombëtar, 3. Familja e tyre paraqitet si një „sëmundje ngjitëse me pasoja vdekjeprurëse“ që nuk duhet të kontaktojë me familjen zvicerane, 4. Dinjiteti i tyre si njerëz vëhet në pikëpyetje dhe 5. karakterizohen si një grup armiqësor i shoqërisë zvicerane dhe si i tillë të paaftë për integrim. A përbëjnë këto pika një arsyetim me indikacione të mjaftueshme juridike, një „corpus delicti“ për të thënë se Inicijativa e SVP në esencë është raciste. Nëse bazohemi në teorinë e ekspertëve më të mëdhenj botërorë mbi  racizimin (Xhon Dolar, Levin e Uajt), atëherë dhimbshëm duhet të pranojmë se ksenofobët e SVP i plotësojnë të gjitha kushtet me luftën e tyre kundër komunitetit 150 mijësh në Zvicër për të qenë të tillë.

Sidomos kërkesa e SVP për të mos lejuar që Cyrihu të bëhet një qytet multikulturor është segmenti më i dhimbshëm dhe më i frikshëm i gjithë këtij teatri tragik. Në lidhje me këtë zviceranët duhet t`i parashtrojnë vetes pyetjen; „a nuk është kultura frankofone e Romandisë e huaj, ajo italike e Tiçinos dhe kultura e Romançave të Graubündenit, e jezuitëve etj. për politikën e SVP? Apo pas „kapitullimit“ të komunitetit shqiptar para këmbëve të politikës ksenofobe të kësaj partie do të vijnë në radhë edhe të lartëpërmendurit? Kur dihet se SVP ka nevojë gjithmonë për të gjetur „fenomenin“ për të bërë shtyllën e luftës së saj politike me faktorin e huaj, me gjithçka që nuk ka ngjyrën e flamurit të kuq zviceran me kryq në mes. Cili është dallimi i parullave të SVP-së me ato të Le Penit kundër të huajve dhe zezakëve në Francë.

Pse themi që politika e SVP është në tërrësi një politikë që urren, nuk durron dhe kërkon deportimin e të huajve nga Zvicra?

Ja përse; ajo ishte e para që kërkoi ushtrinë të vëhet në rrugë për të kontrolluar civilët me origjinë të huaj. Ajo është kundërshtarja frenetike e hapjes së Zvicrës karshi Europës. Ajo është e para që paguan disa qindra mijë franka për të stopuar një projekt që kushton vetëm 100 mijë franka (vajton për harxhimin e shumtë të hollave të shtetit a vetë paguan katërfish vetëm për të parandaluar një projekt që ka të bëjë me integrimin e të huajve). Ajo është e para që lansoi idenë se për shqiptarët nga Kosova që duhet ta lëshojnë vendin në të ardhmen të hapen burgje deportimi. Ajo është e para gjithmonë kur duhet t`u shpallet luftë huajve.

Si arrijnë të realizojë SVP politikën e saj tek elektorati i vetë?

Kësaj, dorën në zemër, i ndihmojnë edhe një grup i vogël shqiptarësh që jorrallë bien ndesh me ligjin zviceran, të cilët kjo parti i shfrytëzon si arsyetim për kampanjat e shpeshta kundër komunitetit shqiptar. Në anën tjetër ajo shfrytëzon mungesën e informacionit mbi komunitetin në fjalë. Për këtë arsye edhe përpjekja për të penguar kontaktimin e familjeve shqiptare me ato zvicerane. Po të kontaktonin shqiptarët dhe zviceranët në  mes veti atëherë ato do të njohin njëri tjetrin dhe nuk do t`u besonin më pallavrave të sëmura pseudopopuliste dhe demagogjisë politike të SVP-së. Me integrimin e shqiptarëve do të humbej edhe pjesamarrja e shqiptarëve në kriminalitet. Pikërisht këtë nuk e do SVP, sepse atëhetë më nuk do të ketë mjete për të luftuar kundër të huajve, gjë tepër sakrifikuese për një parti që politikisht jeton nga këto fenomene. Se SVP është kundër shqiptarëve nga Kosova dhe i urren marrëzisht ata tregon edhe parulla „Shqiptarëve nga Kosova-JO“. Po të kishte kjo parti vetëm me projektin diçka kundër atëherë pse nuk ka shkruajtur për shembull; „Votoni kundër projektit „Urat“. Atëherë do t`u mbetej pa thënë ajo qenësorja; përbuzja dhe poshtërimi i komunitetit të dytë për nga numri në Zvicër, siç janë shqiptarët.

Një dritë në tunelin e errët që ndërtojnë industrialistët dhe frimaxhinjtë e SVP (të cilët më së shumti kanë përfituar nga forcat e huaja të punës) solli interesimi i mas mediave zvicerane për t`iu kundërvënë këtij referendumi ksenofob. Shtypi dhe televizioni zviceran reaguan shpejtë duke thënë fjalën e tyre në lidhje me politikën dezintegruese të populistëve nga Cyrihu. E çuditshme dhe enigmatike është heshtja e institucioneve shtetërore si Komisioni Federativ për Cështje të të Huajve dhe ai Kundër Racizmit. Do të ishte e ndershme së paku që ata të marrin qëndrim në lidhje me këtë, së paku sa për të sqaruar opinionin zviceran se komuniteti shqiptar i Kosovës nuk është fajtori për borxhin prej 1300 milionëve frankave që ka kantoni i Cyrihut (SVP-pllakati) dhe se ende nuk ekziston statistikë zyrtare për atë se pjesmarrja e shqiptarëve në kriminalitet është 33 % ashtu siç do të manipulojë SVP duke nxjerrë shifrën, e cila përbëhet nga; serbët, maqedonët, sllovenët, kroatët, boshnjakët, malazazët etj, që nuk janë të pakët në Zvicër.

Përkundër informatave gjysmë të konfirmuara se shqiptarët janë duke përgatitur peticione dhe demostrata kundër këtij referendumi të SVP ende nuk ka dalur asgjë konkrete në sipërfaqe. Asociacionet, klubet dhe shoqatat shqiptare duhet të krijojnë subjektin e vet provizor që do t`i kundërvihej një politike të tillë, së paku për t`i dalur në mbrojtje dinjitetit të vet njerzor e kombëtar që nëpërkëmbet brutalisht nga pllakatat përbuzëse të SVP-së. Nëse kjo parti ka të drejtë ligjore për të hudhur në pleh dinjitetin e 150 mijë shqiptarëve nga Kosova edhe ata kanë të drejtë të dalin në shesh për të thënë se nuk do të lejojnë që dikush t`i përdorë si fajtor kujdestarë për dështime të ndryshme sociale dhe se duan të mirën e vendit ku jetojnë, prandaj edhe përpjekja për integrim.

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...