Nga tunelet në qeli, pastaj – në shtëpi!

DËBIMI I SHQIPTARËVE NGA ZVICRA (1)- Pas tre dekadave punë duke ndërtuar kanale, tunele, rrugë, nëpër shi, borë dhe acarr shqiptarëve në Zvicër u vijnë vendime të prera nga Policia: Deri më… të largoheni nga Zvicra! Institucionet përkatëse, që duhet të merren me këtë çeshtje heshtin. Hesht edhe shtypi vendës. Ligjet me të reja, të sjella nga dhoma e Minstrave u japin të drejta të plota policisë për të huaj të vendos se kush duhet të lëshojë Zvicrën e kush jo? Deri tani, asnjë asociacion qoftë zviceran apo shqiptar nuk ka ndier nevojën për t`u bërë një analizë ligjeve dhe regulloreve të kohëpaskohëshme duke i krahasuar ata me Konventat ndërkombëtare për të drejtat dhje liritë e njeriut!

 Jo rrallë, në aeroportin e Cyrihut dhe të Gjenevës sheh turmën e policisë me ndonjë shqiptarë duarlidhur në mes. Porsa shohim një skenë të tillë, natyrisht, na shkon mendja tek zullumi që mund të ketë bërë ai njeri. Përshpëritjet e udhëtarëve të rëndomtë kanë një kahje: i lidhuri është marrë me drogë! Dy vitet e fundit, këto skena duken pak më të çuditshme se sa ato të viteve 91-94. Policët, tani më nuk mbajnë të rrethuar, si zakonisht, ndonjë flokgjatë të ri me xhinsa të grisur në vendet më të ndieshme të trupit, por edhe gra, pleq e fëmijë. «Këta njerëz nuk janë kriminelë, por familje që kanë jetuar me vite të tëra në këtë vend. Ata kanë punuar më shumë se ne Zviceranët në ndërtimin e këtij shteti…» – thotë plotë dhimbje z. Nuspeter, avokat që është përpjekur t`i ndihmojë familjes Sejfuli nga Tetova, me qëllim për të mos e dëbuar nga Zvicra.

LAKNURI DHE GISHAT E PASIONUAR PËR KULTURAT E HUAJA

Politikës së famshme të tre rrathëve», rregulloreve speciale të Ministrit të drejtësisë në lidhje me ashpërsimin e të drejatve të të huajve dhe përqindja mbi 47 përqind e votuesve kundër ligjit anti-racist të qytetarëve Zviceran, gradualisht po iu xhevshet fytyra e vërtetë nga justifikimet maskuese. Pasojat e tyre janë mëdha dhe tragjike. Komisioni federal kundër racizmit organizon mbrëmje kulturore me ata të huaj që ende kanë mbetur. Në atmosfera të tilla askush nuk beson në përrallën mbi dëbimin ekspres të shumë familjeve dhe fëmijve të rritur këtu. Tamilët kanë përgaditur oriz që të djeg deri në nervin më të thellë të trurit, shqiptarët laknur dhe bakllava dhe turqit sarmë anadollake. Ndërkaq zviceranët ca parolla, në të cilat shkruan «ne i duam të huajt…ata na duan ne…». Ne të gjithë dashurohemi! Përderisa shumë fëmijë duhet të braktisin shkollimin, pikërisht në fazën përfundimtare të tij. Shumë të rinj janë të detyruar të zhgënjehen me jetën e tyre dhe të ikin në drejtim të panjohur. Reagimet e Sindikatave vendëse  nuk dallojnë fare nga fjalimet e stërgjata të partive tona politike. Pa efekt dhe ndikim në ndonjë rreth të caktuar, që do të çonte zërin kundër këtij diskriminimi të pavërejtshëm. Politikë, për të cilën z. Blloher do të thoshte: «Zvicra duhet t`u mbetet zviceranëve, sepse ata e kanë ndërtuar dhe atyre iu takon…». Padyshim se Zvicra u takon atyre që kanë ndërtuar këtë vend. Po kush ndërtoi Zvicrën?!?

TUNELET E MIQËSISË ME TË HUAJT

Në fillim të viteve të shtatëdhjeta, menjëherë pas kontratës zvicerano-jugosllave për shitje të forcës puntore, erdhën shqiptarët e parë në këtë vend. Ata u pritën ngrohtë dhe miqësisht. Natyrisht jo si ekspertë të ndonjë lëmie shkencore, por si puntorë fizikë. Në mes viteve 1979 dhe 1985, u ndërtua rrjeti i parë i plotë i rrugëve nacionale zvicerane, afër 30 spitale të mëdha shtetërore dhe kantonale, më se 15 tunele të gjata, u bë rrjeti i furnizimit me gaz të vendbanimeve të mëdha. U ndërtuan rrugët deri në majat më të larta të Materhornit dhe Korvaçit, u vunë linjat hekurudhore në gjitha skajet e vendit, u bë ndërtimi i më se njëqind hoteleve dhe vilave etj, etj. Sipas një burimi statistikor të Entit për Ekonomi Popullore, puntorët e huaj përbënin 80 përqind të numrit të tërrësishëm që mori pjesë në realizimin e këtyre punëve. Numri i puntorëve të rregullt shqiptarë, që punuan në këto ndërmarrje, sillet rreth katërdhjetë mijë (duke përjashtuar mundësinë e rritjes së këtij numri nga viti në vit). Pra njëzet përqind, sa mbesin tepër, kanë qenë inxhinjerë, arkitektë dhe adminstratorë zviceranë. Gjatë ndërtimit të këtyre tuneleve, rrjetit të gazit dhe të ngjajshme u krijua një «skuadër» invalidësh dhe viktimash, ndër të cilët edhe një numër i konsiderueshëm shqiptarësh.

FELENDERIMI PËR DY DECENIE PUNË: LARGOHU NGA ZVICRA!

«Këtu kam ardhur në tetor të vitit 1976, bashkë me dy vëllezërit e mi. Në vendlindje ishim të papunë dhe kjo ishte arsyeja se pse morrëm rrugën e gurbetit. Jo diçka tjetër, pasi rroga në Jugosllavinë e atëhershme nuk dallonte shumë nga kjo zvicerane…»- thotë Januz Limani nga Tetova. Atij i mungon këmba e majtë. Para njëzet vieteve vjen ky puntor në Zvicër. Në mënyrë kronike na tregon vendet dhe rrugët më të rëndësishme ku ai ka punuar si polir. Në maj të vitit 1991, gjatë ndërtimit të një tuneli të gjatë disa kilometra në afërsi të Bernit, ai humb këmbën. Në dhomën e tij, në murr ka varrur vendimin e policisë kantonale, ku është paracaktuar dita kur ai duhet të lëshojë Zvicrën. Januzi ka pesë fëmijë, më i madhi prej tyre Lulzimi nëntëmbëdhjet vjeçar ka lindur këtu. Këtu ka kryer shkollimin dhe ka absolvuar shkollën e informatikës. Januzi edhe pse ka vizën «C» ai duhet të braktis Zvicrën. Ky është falenderimi për punën e rëndë dydekadëshë që Januzit i jepet nga Zvicra, apo këtu qëndron ndonjë arsye tjetër, të cilën ne nuk na lejohet ta dijmë nga revolta që ai ka me këtë akt të policisë.

KASAPI, GJYKATËSI DHE VIKTIMA

Policia nuk do të komentojë shumë këto raste. Porsa ndonjë gazetar do t`i pyes për fenomene të tilla ata përgjigjen: «Emrin konkret…». Po si, emrin konkret. Raste të shumta deri tani na kanë mësuar se ç`pason pas kësaj pyetje. Para një jave pyetëm në komunën e Lindenit, e cila gjendet në mes Bernit dhe Friburgut, për Musafer Sejfulin, i cili ka poashtu tetëmbëdhejtë vite qëndrimi në Zvicër dhe me vizë «B» , se cila është arsyeja që ai bashkë me familjen e tij katër anëtarëshe duhet të largohet nga Zvicra, Kryetari i komunës (për nga profesioni kasap) na tha se «Sejfuli ka mbetur pa punë…». Qesharake. Tetëmbëdhjetë përvojë pune, zhduken për katër muaj papunësi. Më vonë marrim vesh se po e njejta komunë paska përzënë pa një muaji një familje tjetër nga Zvicra. Kujdes! Jo vetëm nga komuna por nga tërë teritori zvicran. Ankesat e tyre drejtuar Gjyqit Federal (Bundesgerisht) janë të kota. Ata nuk kundërshtojnë fare vendimet e kasapit nga Lindeni. Kur organet komunale bashkë me ato policore shohin se zgjohet interesimi i dikujt në lidhje me të drejtat e ndonjë të huaji, që duhet të lëshojë Zvicrën, ata pa një e dy hudhen në veprim. Musafer Sejfuli është rast tipik që dëshmon dëbimin-ekspres dhe pa fije të drejte të shqiptarëve nga Zvicra.

SKENARI I NJË DËBIMI

Ora 8.40. Dita e Martë. Musafer Sejfuli shkon tek shefi i tij për t`ia kërkuar borxhin. Para daljes nga puna Musaferi nuk ka marrë rrogë më se gjashtë muaj. Nga pronari i parafundit Peter Beriswil kuptojmë se Musaferi ka qenë ekspert për shtrimin e pllakave, ai shprehet kështu : «sikur të mos kishte konkuruar firma ime, nuk do ta lëshoja kurrë atë njeri aq të vyeshëm. Ai punonte sa dy tre punëtorë bashkë…». Shefi i fundit i Musaferit, pronar i firmës Wallen, në Bernë, i ka borxh 40 mijë franka. Ai i thotë ish-puntorit të vet se të hollat mund të ia sigurojë ditëve të ardhshme, sepse sipas tij, tek atëherë i merr të hollat për disa porosi të reja. Në orën 9. 45 Musaferi lëshon zyrën e ish-shefit të tij dhe niset për në Olten. Atje e ka kamionin me teshat e përgaditura për në vendlindje. Në dalje të Bernit e ndal policia: «Ju jeni z. Sejfuli. Qëndrimi juaj këtu është ilegal…». Ata kishin përshkrimin e saktë për mua dhe veturën time. Na thotë Musaferi në telefon. Tërë natën e kalon në burgun e Bernës, i cili gjendet në Genfergasse. Të nesërmen: ora 8.50, niset kombi ngjyrëhiri me tre policë dhe Musaferin për në Cyrih-Kloten. Në aeroport i dorëzohet policisë së vendit. Ata e lidhin dhe e mbajnë në një dhomë speciale për kësisoj rastesh deri pas orës 13.00. Deri atëherë kur, aeroplani niset për në Shkup. Gjatë tërë qëndrimit në polici, ai nuk kishte asnjë të drejtë që të flasë. Përveç dy lejeve nga dhjetë minuta për të telefonuar me ndonjë mik të tij dhe asgjë tjetër! Vetura, kamioni, borxhet që ia kanë shefat, sigurimet si ai;  invalidor, kundër pleqërisë, profesional, shëndetësor të paguara tetëmbëdhjetë me radhë, dhe të cilat i takojnë të huajit në rast të largimit të tij nga vendi përkatës, i mbetën Zvicrës për të vazhduar ndonjë projekt të ri. Kësaj radhe jo me shqiptarë. Politika e tre rathëve e ndalon këtë gjë. Tash sigurisht me tamilë, hungarezë apo…ku ta dijmë!!

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...