Ndalohet hyrja për kosovarët!

Në diskotekat dhe klubet e Helvecisë: Në shumicën e klubeve zvicerane shqiptarët e kanë të ndaluar hyrjen. Arsyeja: «Ata janë agresivë dhe brutalë», na thonë pronarët. Kosovarët e mohojnë këtë. Faktet janë në anën e tyre, se megjithatë nëpër listat e policive vendasit e mbajnë vendin e parë. «Lajm» gjurmëve të një diskriminimi.

Bernë, 12 qershor – «Ata ecin në grupe dhe kah të shkojnë demolojnë», thotë zëdhënësi i prokurorisë shtetërore të Bazelit Peter Gill. Prokuroria e ka fjalën për kosovarët dhe ithtarët e Hiphop-it. Në shumicën e diskove dhe bareve të natës zvicerane hyrja për ballkanasit është e ndaluar. «Ata i ngucin femrat, i rrahin shoqëruesit e tyre dhe sapo të dehen pak thyejnë gjithçka që u del përpara», thotë njëri nga rojet e lokalit të njohur të vallëzimit «Adagio» në Zürich. Walter M. e ka fytyrën krejt vara. Fillon të na i numërojë me gisht: «këtë e kam nga një shqiptar i juaj, këtë nga një turk, këtë nga një italian, këtë nga një shqiptar i juaj…», përderisa Walteri na numëron varët e tij të pafundme të fytyrës, dy të rinj drejtohen drejt hyrjes «Dokumentet»! I urdhëron ai. «Më falni se dukeni si shqiptarë, prandaj…», u tha pasi vërejti që bëhet fjalë për dy pakistanezë. Të njëjtën skenë e hasim në shumicën e lokaleve, sidomos në ato të Zvicrës gjermanofone. Të rinjtë shqiptar flasin për racizëm dhe ksenofobi. «Na urrejnë burrë. Unë asnjëherë nuk kam bërë asnjë të keqe», thotë Bekim Podvorica (22) që na shoqëroi neve gjatë hulumtimeve. «Jo nuk e kemi për ksenofobi por për siguri», kundërshton Walteri që nuk e la të hyjë brenda dhe «shikojeni këtë fotografi. Është gruaja ime». Portreti, të cilin Walteri e kishte në ballinën e kuletës ishte e një afrikaneje. Walteri është i bindur se studenti, shqiptari me origjinë nga Mitrovica nuk do të kishte bërë diçka të keqe, mirëpo «kështu janë rregullat. Ju vetes ja keni bërë». «Jo vetëm», reagon Naseri «ma merr mendja që këto varët i keni më shumë sepse nuk e leni njerëzit të hyjnë e brenda e jo duke u përpjekur t’i nxjerrni jashtë». Walteri mbetet pa fjalë. Një grup të rinjsh e shpëton. «Më falni se vijnë klientë».

«Në shumicën e zënkave që ndodhin klubeve janë të involvuar ballkanasit, kryesisht kosovarët. Pas tyre vijnë Hiphop-ët. Dhe kjo është e dokumentuar me shifra e fakte», na prezanton statistikat Gill. Nga 141 zënkat në rajonin e Bazelit – një pjesë e të cilave kanë përfunduar me të lënduar rënde, madje edhe të vdekur – 83 prej tyre shkojnë në konto të të huajve, kryesisht ballkanasve, ku pjesën dërmuese (pas zviceranëve) me 22 «si kolektiv» e përbëjnë shqiptarët. A janë reprezentuese këto shifra edhe për kantonet tjera? E pyesim Peter Gill. «Po», thotë ai. Atëherë e pyesim edhe njëherë. «Nga ata 141 vetat sa janë zviceranë»?. Ai llogarit mbi gazetën e tij. «58» na përgjigjet. «Dy herë e më tepër se sa janë shqiptarë», konstatojmë ne. Ai «po». Ne «Ani» dhe «a mendojnë pronarët e lokaleve t’ua ndalojnë hyrjen edhe zviceranëve?» e pyesim. «Kështu nuk krahasohet dot», çon krahët përpjetë ai. «Në shifrat e Peter Gill-it shqiptarët marrin pjesë me 18 përqind. Pra 6 herë më shumë në krahasim me numrin e tyre në Zvicër, i cili është gati 3 përqind e popullatës. Ndërsa zviceranët marrin pjesë me 40 përqind, pra dy herë më pak se sa numri i popullatës». Nëse shifrat e matematikanit nga Zürich-u Bruno Gustavs qëndrojnë atëherë Gill ndoshta ka të drejtë se një krahasim i tillë nuk qëndron. «Gill nuk mund të bëjë llogari të tilla. Shifrat asnjëherë nuk janë relevante për ta definuar «fajësinë kolektive» të ndonjë grupi, ose më qartë thënë për ta diskriminuar një grup etnik», na thonë në Entin Federativ kundër racizmit. «Dhe para së gjithash shifrat e Gill-it janë reprezentuese vetëm për Bazelin, sepse nga kantoni në kanton ndryshojnë ato». E vërtetë. Në kantonin e Gjenevës numri i shqiptarëve në këtë fenomen pothuaj nuk është as simbolik edhepse ai kanton njihet si njëri nga ato ku janë të përqendruar emigrantët shqiptarë.

Ky fenomen tashmë ka hyrë edhe në agjendat e politikës zvicerane. Deputeti i partisë së katolikëve zviceranë CVP Simon Epiney i ka shkruar disa letra parlamentit dhe kryeministrisë për të ndërmarrë diçka kundër këtij fenomeni. «Unë mendoj se shteti duhet të ndërmarrë diçka kundër kësaj forme të dhunës, sepse kështu të huajt do të diskriminohet edhe më shumë. Kështu ia nis; njëherë me lokalet e natës dhe ku ta dimë se ç’vjen pastaj», parasheh Epiney. Mirëpo Kryeministria nuk çanë kokën shumë, ajo i shkruan si përgjigje deputetit «U mbetet barë të huajve (edhe shqiptarëve) që të sillen ndryshe dhe mos të bien në sy si agresivë dhe njerëz brutalë. Për gjithçka tjetër, kompetencat i kanë gjyqet». Muajin që vjen fillon gjykimi i një grupi të tillë në Bernë, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët. Bëhet fjalë për një grup të rinjsh 17-21 vjeçar që para dy vjetëve e demoluan gjysmën e qytetit të Bernës, vetëm se një disko ua kishte ndaluar hyrjen.

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...