He ç’a kali je! Po le mor at punë o budallë! Ishte reagimi tij pasi që i thash se e kam vendosur ta shkruaj historinë kulturore të shqiptarëve në gjermanisht. Herën e fundit kur e takova në Zürich, gjatë një takimi me ministrin e atëhershëm të Kulturës Haraçija, pyetjes sime: Ç’a je tu shkrujt tash? Ii përgjigj në këtë mënyrë: Pasha perëndinë nuk kam vakt t’ shkruaj. Pse? Gjithë natën njehi pare! - më tha.
Teki Dervishi iku duke e tallur jetën. E jeta jepte e merrte për ta bërë për vete. Ndërkaq Koha ende ka mbetur foshnjë për ta kuptuar frymën e Demiurgut dhe Gjeniut që Boheminë e përdorte vetëm atëherë kur ia ngushtonin rrethin Bernardinët.
Atë çast kur u përballa me lajmin tmerrmbjellës për vdekjen e tij isha duke u marrë me Diken e Parmenidit. Atë perëndeshën administratore për shpirtëzimin apo ç’ shpirtëzimin e qenieve. Mund t’i shkojë çdokujt ndërmend se ç’i kam bërë asaj pjelle të imagjinuar. Mllefi ama nuk më ndihmoi fare që ta shpor dhimbjen. Iu vërsula bibliotekës për të gjetur veprat e tij: «Bregu i Pikëllimit» dhe «Palimpsest për Dush Kusarin» gjendeshin në mes të veprave të Balzakut, Flaubertit, Hesses, Markezit dhe Shekspirit. Të vetmet libra shqip që nuk popullojnë bodrumin tim të pluhurt. Tjerat i kam rrëmbyer përkohësisht nga biblioteka të huaja. Veprat e shumta të Teki Dervishit. Shumicën i pata huazuar nga një mik joni i përbashkët dhe i kam lexuar me shpirt në fyt, para se ky i fundit të luajë mendsh nga frika se i humbi diku. Sapo përqendroja sytë në një fragment të «Palimpsestit», dëgjoja zërin e tij duke lexuar veten. Sikur ta kisha pranë. Po, atë, gjeniun, Teki Dervishin, atë qenie pas fjalës dhe mendimit të së cilës detyrueshëm vrapon përjetshëm çdo dykëmbësor o për ta kuptuar o për ta përjetuar.
*
E thirri një mikun tonë të përbashkët. Këtij i është shterë zëri edhe ma keq se mua. Vuan. Nuk e kupton botën. «Na mbyti, na iku», thotë ai. Nuk e thirra për ta ngushëlluar, por për t’u ngushëlluar. Pas librave nuk kisha më asnjë shishe uiski. Tmerr. Pas gjashtë viteve abstinencë shpëtimin e vetëm e shihja të gota ngjyrë-ari.
Njeriu është mjeshtër në durimin e humbjeve. Mirëpo jo të humbjeve të kësaj natyre. Jo kjo humbje është kokëfortë, e egër, gërryese. Jo. Vdekjes duhet t’i bëjmë atentat. Ta ngurrojmë në ato rrathët e Dantes për mos e parë kurrë më dritën tonë të jetës.
E pyes një mikun tim mos di ndonjë formë se si vritet vdekja. Ai vazhdon të rrëfejë sekuenca me gjeniun, të cilat ringjallin Teki Dervishin sikur të bashkëbisedonte me ne.
Zëri i tij na rrëqeth, na bën të heshtim: O shpirtin ma hëngrët! Qesh dhe nis të rrëfej se ç’ka është duke i bërë Apolonit, shefit të gjenive të Parnasit. «Sikur me qenë i Gjakovës», thotë për Niçen, të cilin e kishte shpëtuar nga thikat e pamëshirshme të perëndive të Orakullit të Delfit.
«Si të thërrasin atje e pyesim të dytë njëzëri.
«Demiurg, de!», Na bërtet.
«Si?», të habitur ne.
«Ika se po vinë Gëteja, Hesiodi, ja edhe Makiaveli po qenka me ta. Këta duan të ma shpjegojnë Kombin. He Bernardinët e…Ika».
*
Pse Demiurg? Më ra ndërmend Timaiosi i Platonit. Në këtë vepër filozofi grek Demiurg e quan ndërtuesin e Kozmosit. Atë qenie (perëndi) që ndërton botën materiale sipas ideve më të larta të frymës. Shpaloj fjalorët e greqishtes së vjetër, për t’i depërtuar edhe më thellë etimologjisë së termit. Grekët e antikës Demiurg e kanë quajtur atë që ka «vepruar për popullin», pra termi është bashkuar nga dy fjalët «demos» (popull) dhe «ergos» (veprim).
Edhe njëherë habitshëm pyes pse jo gjeni ose i preferuar i muzave të artit ose …? Rastësisht më prehen sytë në veprën e profesorit dhe mikut tim çek Filip Karfik «Shpirtëzimi i kozmosit», një studim i kosmologjisë platonike. Ngadalë i bie në fije vendimit të zotërove të Olimpit.
Teki Dervishi është Demiurg sepse është themeluesi i parë i një kozmosi paralel letrar në kohën kur realizmi socialist kishte nisur t’ua marr shpirtin arteve shqiptare. Teki Dervishi (pa përjashtuar Pashkun në këtë kontekst) ishte ai falë të cilit sot bota nuk flet dot për «periudhën socrealiste të arteve shqiptare 1945 –1989», por për letërsinë pluraliste shqiptare, pra për një Letërsi me dy qendra (botëkuptimore): me një socrealiste dhe me një postmodernë, e cila në vete lulëzonte për nga drejtimet, rrymat dhe stilet. Në më shumë se 90 vepra letrare e më vonë edhe me publicistikë Teki Dervishi i mbillte popullit të tij në tru, shpirt dhe frymë, liri. Arti i tij ishte qëndresa, çdo shkronjë e tij një plumb i rënde e demolues për muret e robërisë. Çka ka më sublime, më të shenjtë se me art t’ia shpëtosh një populli shpirtin nga helmi i totalitarizmit, ose t’ia shpëtosh atij frymën nga sistemi pervers i komunizmit moskovit.
Së paku ata të Olimpit, Apoloni dhe Dionisi bashkë me divizionin e perëndive dhe gjenive, ia kanë dhënë titullin që meriton gjeniut tonë. Demiurg e përtej Demiurgut.
*
Dakord. Mos kemi shteg tjetër përveç dorëzimit? Tekiu atje, përtej kësaj botës sonë, ka zgjedhur problemin, madje perënditë e kanë veshur me privilegje që këtu tek na as që mund t’i ëndërronte ndonjëherë, e çka të bëjmë ne këndej, si t’ia bëjmë me mungesën, me dhimbjen tonë? Sa shumë njerëz që ikin.