Blerta – nga lufta në shtratin e vdekjes

Në mesin e refugjatëve shqiptarë në Zvicër ka edhe një numër të konsiderueshëm femrash të reja. Disa prej tyre madje detyrohen në prostitucion.

Grupe të ndryshme kriminele nuk vizitojnë qendrat e refugjatëve vetëm me qëllim të rekrutimit dhe mashtrimit të të rinjve shqiptarë si dilerë dhe kurier në tregtinë e drogës, aty ata kërkojnë edhe vajza, femra të reja shqiptare, të cilat do t`u shërbejnë për zgjerimin e «biznesit» të tyre edhe në prostitucion. Jo pak femra të reja shqiptare, gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit ranë viktimë e këtyre pirratëve. Në vend që ata t`i gjesh në qendër duke punuar në integrimin e tyre, ata sillen stacioneve të njohura të Zvicrës duke iu zvarrur çdo kalimtari të rastit me çmimin e tyre ordiner për një natë. Në fillim të paraqitjes së këtij fenomeni ndër azilkërkuesit shqiptarë askush nga ky komunitet nuk donte të paranojë këtë realitet të hidhur. Askush nuk mundej të paramendojë se vajza jonë ka rënë në këtë pozitë të tregtimit me vetëveten. Edhe kësaj radhe (siç e kanë zakon shqiptarët) e tërë kundërvënia ndaj kësaj paraqitje është trajtimi i problemit nëpër kafene të Epa-s apo të stacioneve hekurudhore. Konkretisht nuk u angazhua askush. Ndërkaq, vajzat shqiptare vazhdojnë ende të jenë «malli» më i pëlqyer i kontrabandistëve të këtij lloji (fatkeqësisht, poashtu shqiptarë). As sot kur jemi të ballafaquar me këtë problem që kërkon një zgjedhje urgjente, kryebaballarët e odave dhe moralit me çorapë të palarë, nuk ngurrojnë që fajin t`ia hudhin dikujt tjetër, duke kualifikuar të dhënat mbi këtë problem si një shpikje, ekzagjerim të «armiqve» të popullit shqiptar. Kush është armiku?

Nëpër regjistrat e qendrave policore nëpër kantonet e Zvicrës zbulojmë me qindra emra shqiptaresh të involvuara në prostitucion, disa prej tyre tash më janë të shtrira nëpër spitale duke vuajtur nga infektime të ndryshme deri tek sida dhe droga. Kompetentët e policisë dhe Entit Federativ për refugjat nuk habiten përballë këtij fakti ekzistues. «Nuk janë vetëm shqiptaret të përziera në këtë «profesion», ka edhe zvicerane dhe femra nga të gjitha nacionalitetet që janë në Zvicër…» thotë njëri nga zëdhënësit e policisë kundër prostitucionit. Është fakt se nuk janë vetëm shqiptaret të involvuara në këtë «biznes» të tmerrshëm. Mirëpo është më se e vërtetë se ata nuk janë të involvuara në mënyrë të njejtë si të tjerat. Motivimi i hyrjes së shqiptares në këtë lloj shitje trupi ka të bëjë me presionin, mashtrimin dhe detyrimin, që kanë ushtruar të tjerët ndaj saj.

Blerta K. „Zot ma merr shpirtin“

Blerta K. tash shtatë muaj gjendet në njërin nga spitalet e Tiçinos. Në Zvicër ajo ka ardhur në moshën e saj shtatëmbëdhjetëvjeçare. Për herë të parë është paraqitur në Kiaso dhe mandej është transferuar për në Lugano. «U gëzova aq shumë, kur dy shqiptarë të moshës katërdhjet vjeçare erdhën në qendër dhe më ofruan që të punojë në një restorant të tyre në Cyrih…» fillon ajo rrëfimin e vet me lotë në sy. Blerta më tregon një fotografi të bërë para hyrjes së saj në spital. Ajo ka qenë në të vërtetë shumë e bukur. Shihet qartë fytyra e saj fëminore. Por tash jo më, ajo vuan nga disa sëmundje infektive. Trupi i saj përbëhet vetëm prej ashtit dhe lëkurës. Sytë i janë zmadhuar dyfish. «O zot pse nuk më shpëton, merrma shpirtin…» bën ajo kohë pas kohë.»…kur shkova në Cyrih, më vendosën në një banesë dhe pas disa ditëve kur pyeta për vendin e punës ata filluan të më rrahin. Më mbanin mbyllur në ate banesë, më keqtrajtonin. Herë pas herë më sjellnin nga një mashkull….» Tmerri dhe krimi nuk ka kufi. Dikur Blerta pajtohet me fatin që të dalë në rrugë, të fitojë ca të holla dhe të krijojë mundësinë që të ikë diku, por jo më në vendlindje. «Unë nuk e konsideroja më veten të denjë për të shikuar njerëzit e mi në sy, deshta të ikë diku, ku s`më gjen asnjë njeri që më njeh, diku krejt larg…» Kjo dëshirë e Blertës nuk u plotësua, Tek pas disa ditësh qëndrimi nëpër vijat më të rrahura nga prostitutet e Cyrihut ajo merret me një veturë të ndihmës së shpejtë dhe dërgohet në Spitalin qëndror të Cyrihut, nga aty pastaj në vendin ku është e regjistruar si azilkërkuese, në Tiçino. Përderisa ne bisedojmë me të të, në dhomë është prezente edhe mjekesha Sylvia P., ajo ka mbuluar fytyrën e saj me shpatullën e dorës dhe qanë në heshtje. » Unë jam duke përjetuar çdo ditë raste të tilla. Pothuaj jamë bërë imune. Mirëpo rasti i Blertës më prek thellë. Që nga ardhja e saj këtu, në spitalin tonë kam filluar të ndjej një bashkëpërgjegjësi…» thotë zviceraneja dyzet e pesë vjeçare, nënë e tre fëmijëve dhe vazhdon «Blerta i ngjanë aq shumë vajzës time të vogël… «.

Pasojat e mentalitetit patriarkal

Po Blerta u ngjanë shumë vajzave të tjera shqiptare e jo shqiptare. Ajo nuk është viktima e vetme e kriminelëve dhe përdhunuesve, të cilët nuk ngurrojnë që të shesin edhe motrat e veta vetëm për t`u pasuruar. «Sikur ajo të kishte punë dhe ndihmë nga shoqëria nuk do të mashtrohej që të shkojë deri në Cyrih për të punuar» – thotë kjo mjeke me plotë të drejtë. Kur lëshuam dhomën e Blertës shikonim njëri-tjetrin në sy dhe çdonjëri prej nesh përpara syve kishte vajzën e shtrirë në shtratin e vdekjes, të infektuar me sumëndjen e Sidës.

Enti Federativ për Refugjatë, organizatat humanitare si Heksi, Kryqi i Kuq dhe Heilsarme janë në dijeni për këtë: «Ne kur interesohemi për vizitorin, vetë femrat na thuan se i kanë të familjes, kështu ne na merret çdo e drejtë për t`u interesuar më tej…» thotë Xhovani Rosi, nëpunës social në një qendër për femra azilkërkuese të Luganos dhe vazhdon «ne përpiqemi të bëjmë gjurmimet tona në lidhje me çdo njeri, porsa vërrejmë se diçka nuk është në rregull me sjelljen e tij, mirëpo ka edhe femra të tilla që pranojnë një fat të tillë, vetëm për t`u pasuruar. Në anën tjetër, përveç policisë që viziton këtë qendër asnjë asociacion tjetër nuk shkel pragun për t`u interesuar mbi fatin e këtyre femrave. Ata janë të braktisura nga çdo interesim i mundshëm…» . Në fillim Xhovani Rosi është habitur me këtë fenomen tek shqiptarët «kisha dëgjuar për shqiptarët si popull me moral të fortë, njerëz që durrojnë dhunën dhe pushtimin që disa shekuj, asnjëherë nuk më kishte shkuar mendja se edhe ata mund të thehen kaq lehtë. Nuk janë këto femra-viktima fajtore për tragjeditë e tyre, por njerëzit që vijnë dhe i mashtrojnë ata, në të shumtë e rasteve ata janë bashkëkombas shqiptarë…» Po pra ata janë shqiptarë, por të cilit  soj? As ata që nuk ushtrojnë këtë zanat nuk janë më të mirë. «Involvimi i Blertës dhe vajzave tjera si kjo është rezultat i mosinteresimit të komunitetit tuaj dhe Enteve përkeatëse për çështje të azilit në lidhje me angazhimin e femrës shqiptare këtu në ndonjë proces të caktuar integrimi. Ju si komunitet jeni shumë i ndarë në mes veti sa i përket botës gjinore…» na tha më në fund përderisa përshëndeteshim  Sylvia P.

Dhjetra femra të tilla tashmë vuajnë spitaleve të Zvicrës si viktima të bashkëkombasve tanë kriminelë. Përderisa Blerta e sëmurë nga sida është duke numëruar ditët e fundit të jetës së saj, mashtruesit e saj tani gjenden në ndonjë kënd tjetër të perëndimit, në ndonjë qendër tjetër refugjatësh duke kërkuar viktima të reja. (Zürich, 1997)

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...