Kritika letrare si zbavitje popullore

Shumë shkrimtarë ankohen se mungon kritika e mirëfilltë letrare. Pasi që ata e ditkan se ç’eshtë kritika letrare, atëherë, ata sigurisht se posedokan një vizion të qartë dhe një përgatitje të tillë shkencore, saqë mund të japin linjat se si duhet të duket «kritika e mirëfilltë letrare». Si urdhëroni të nderuar, po presim!

Titulli «kritik letrar», në kushtet shqiptare, del po aq i keqpërdorur si ai i «gazetarit». Jo vetëm autorët, shkrimtarët, poetët e gazetarët ia varrin biografisë së tyre krejt lehtësisht në formë medaljoni këtë «epitet», por – siç na rastis shpesh të vërejmë nëpër media – edhe sharraxhinjtë, ndërtimtarët, këpuctarët, policët, politikanët e farkëtarët tentojnë të profilohen në këtë drejtim. Natyrisht që ka ndonjë që është i detyruar – për shkaqe të ekzistencës – të bëjë ndonjë punë tjetër nga ajo se ç’e ka për dhunti, por gjykuar sipas «mallit» që na ofron shumica e kësaj kategorie, shohim se kemi të bëjmë me një invazion që vijnë nga guximi mendjemadh i injorancës drejt fushave të ndryshme intelektuale. Këtë fenomen madje nuk e hasim vetëm kur është fjala te kritika letrare, por edhe në shumë fusha të tjera të kësaj natyre. Gjithkush është gjithçka –model që banalizon atë logjikën e hierarkisë dhe sistemin e dijeve dhe specializimeve inelektuale duke i degarduar ato detyrueshëm në maksimën: Çdokush është askush dhe anasjelltas!

Ky mentalitet domosdo se pjell opinionin ekzistues: s’kemi kritikë letrare!

Është kjo arsyeja, pra banalizimi – për shkak të yryshit masovik të «popullit» për t’u marrë me intepretimin e veprave letrare? Kritika letrare si zbavitje popullore. Senzacion! – që çon në mohimin total të kritikës apo pas këtij problemi janë strehuar çështje tjera, më serioze, më esenciale?

1.

Konstatimi që mohon ekzistencën e kritikës letrare më së shumti përhapet e përsëritet nga shkrimtarët, pjesërisht edhe nga vetë studiuesit e letërsisë, kritikët apo gazetarët që merren me letërsinë e jo nga ajo kategoria që përmendëm më lartë (sharraxhinjtë, këpuctarët…).

Më aktivët në këtë kampanjë, domethënë qenkan shkrimtarët, poetët bashkë me surrogatët e tyre, të cilët kanë ardhur në përfundim se nuk paska kritikë të mirëfilltë letrare. Pasi që e ditkan këtë punë, atëherë ata sigurisht se posedokan një vizion të qartë dhe një përgatitje të tillë shkencore, saqë mund të japin linjat se si duhet të duket «kritika e mirëfilltë letrare». Gjithë stahorët katakombave të univerziteteve të botës dhe pretendentët për t’u bërë interpret letrarë pa dallim moshe, gjinie, race e konfensioni do të gjunjëzoheshin para tyre si egjiptasit e vjetër para faraonit. Mirëpo, fatkeqësisht, nuk është kështu, sepse më të zëshmit në këtë piskamë kolektive mbi kokën e kritikëve janë pikërisht ata shkrimtarë e autorë që sheshazi duket se kanë nevojë për një «fajtor kujdestar», një objekt a subjekt që mendojnë se u ndihmon për të maskuar paaftësinë e vetë për të krijuar diçka me peshë dhe vlerë artistike ose janë autorë, të cilët qëllimshëm nëpërmjet mohimit pëpiqen të tërheqin vëmendjen e shoqërisë, pohimin e vetvetes – troç: raste për psikoterapinë e jo për kritikën letrare!

Në këtë plan shumë shkrimtarë nuk dallojnë nga «masa e zakontë» që tek «kritika letrare» ka gjetur shërrimin e inferioritetit, sepse sapo ndeshemi me ndonjë recension, kritikë, ese letrar që kanë shkruar për ndonjë vepër shohim se dallimi nuk është i madh, në shumicën e rasteve për të mos thënë s’ka asnjë dallim. Tutti identico!

2.

Është e vërtetë se kritika shkencore letrare shqiptare ka mbetur në nivel të eseistikës historike mbi epokat, stilet e rrymat apo në nivel të reportazhit monografik për shkrimtarë të caktuar të historisë së letërsisë e artit. Natyra eseistike, monografike e reportazheske e trajtimit të letërsisë nuk lejon që të bësh fjalë për kritikë shkencore, por maksimalisht për një «teori hipotetike të letërsisë shqiptare», ashtu siç edhe e kemi. Ngushëllimi i ca prej këtyre teorikëve se «le të bëhet letërsi e mirë atëherë do të ketë edhe kritikë të mirëfilltë» është infantil dhe poashtu një përpjekje për të gjetur një «fajtor kujdestar» për paaftësinë personale, të cilin edhe e gjen qysh në stacionin e parë: shkrimtarët, se kush tjetër!

Kritikët me talent (jo elozhistët, ata të preferuarit e klaneve, ideologjive dhe tarafeve) që mund të bënin e bëjnë analiza objektive dhe kualitative nuk mungojnë. Ajo që mungon është procesi i konceptimit të kritikës letrare brenda zhanrit, dallueshmërisë ndërmjet të të ashtuqujturës kritikë praktike (recensioni, fejtoni, eseu, polemika etj) dhe asaj shkencore (studimore, teorike). Këtu, si duket ekziston një keqkuptim që edhe ka rezultuar në një degradim ku mungon ose dyshemeja ose kulmi. Në emër të kritikës shkencore, teorike bën jetë stili fejtonistik i (para)gjykimit, (mbi ose nën)vlerësimit dhe (gjoja)interpretimit e në vend të kritikës praktike vepron anarakia e hobi-interpretëve, gazetarëve pa fije përvojë teorike, që ta shpifin cilindo libër që përgojojnë – edhe pse duken si «akte subjektive» të një lexuesi të sinqertë ato tekste s’përmbajnë asnjë argument të vetëm, përpos emrit dhe mbiemrit të autorit me pasionin për t’u bërë publik.

3.

Pra dolëm tek mediat si stadiumi ku ndeshemi me gjendjen e çdo segmenti të shoqërisë, pra edhe të kritikës letrare. Gazetat, revistat, interneti, teleivizioni etj. janë pasqyra prej ku mund të bëhet analiza mbi kualitetin dhe gjendjen e kritikës letrare shqiptare. Fatkeqësisht. Për arsye se sidomos në këto faktorë gjejmë kofirmimin e opinionit rreth inekzistencës së kritikës letrare. Në pjesën dërrmuese të paraqitjeve nuk i bie dot në fije se me çfarë sistemi vlerësimi autori trajton prozën, poezinë, dramën e të ngjajshme. Pa asnjë argument. Pa informacionin themelor rreth veprës. Pse kjo? Sepse për të bërë kritikë letrare megjithatë nuk mjafton vetëm shija, ajo është e rëndësishme, por jo alfa dhe omega e formulimit të një kritike objektive e të argumentuar. Veçanarisht për shkak të «ligjit» të përbotshëm në shkencë se çdo gjykimi, vlerësimi dhe konstatimi duhet t’i paraprijnë përvoja dhe njohuritë. Konkretisht: për të dhënë mendime rreth një romani a poezie, duhet së pari të dish se cilat kriterie (themelore) e përcaktojnë një vepër si të tillë, pastaj duhet të zotërosh njohuritë teorike e teknike të intepretimit – krejt këto elemente që rrallë, tepër rrallë i gjen nëpër artikujt e rubrikave të kulturës.

Sa gazetarë që prezentojnë letërsinë në mediat shqipe e plotësojnë këtë kusht parimor për t’i pranuar si kritikë letrar? Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjen gazetat dhe gazetarët e tyre!

4.

E qartë: hobikritikët, sidomos sharraxhinjtë, prapëseprapë e kanë një funksion; ata mbulojnë gropat që i le pas veti e ashtuqujatura kritikë «zyrtare», «akademike» e mediale. Nëse shkrimtarët vendosin të bëjnë punën e vetë dhe nuk përpiqen të prezentohen si robotë universalë të kulturës, pra edhe në stade ku s’marrin erë, nëse gazetarët mundohen të informojnë si duhet e nuk përpiqen të fanatazojnë aq shumë saqë as vetë në fund nuk e dijnë se për kë e kishin fjalën në fillim të tekstit, atëherë ndoshta edhe kritikë të “mirëfilltë” letrarë do shfaqen mbi sipërfaqe. Pasi kritika letrare shkon në drejtim të një shkence ekzakte, «liria e metapoetizimit» ka sa e më shumë pak vend frymimi gjatë intepretimit dhe zëvendësohet me faktin konkret, duhet t’a përballojmë realitetin që na sjell definicioni i Erik Satie-së: «Ka tre tipa kritikësh: të rëndësishmit, më pak të rëndësishmit dhe fare të parëndësishmit. Dy tipat e fundit nuk e ekzistojnë fare….». Që për rrethanat shqiptare mund të përshtatet kështu: «ka tre tipa kritikësh: kompetent, më pak kompetent dhe pa fije kompetence. Dy të fundit nuk ekzistojnë fare». Kush (e ku) janë të parët?

Related

Bobitë, Kadare dhe prometheu

Nuk mund të jesh kundër këngës. As kundër Bob...

Shkrimtari si asocial

Roli i shkrimtarit «si instancë» pas rënies së komunizmit...

Shkrimtar interneti?

«Shkrimtar interneti», «shkrimtar letre», ç'janë këto etiketa? Sipas logjikës...

Cyberpoetika

Në World Wide Web tashmë bëjnë jetë krijimet e...

Pledoaje për kritikën letrare

«Nëse deri tani nuk u ka rënë vetë ndërmend...