Fati i dashurisë në tregun e zi

Ka plotë njerëz që standardin e vetë jetësor në perendim përpiqen ta rregullojnë nëpërmjet një martese fiktive. Shumë të rinj e të reja të hipnotizuar nga qëllimi i pasurimit dhe sigurimit të qëndrimit në perendim u nënshtrohen diktateve të ndryshme për vite me rradhë. Diktate këto, që kanë të bëjnë me poshtërimin  e tyre si: skllav seksual, pastrues, shëtitës qensh e macesh etj. Ata pranojnë gjithçka vetëm e vetëm për të arritur qëllimin e ngulitur në kokë, kështu duke varfëruar e poshtëruar dinjitetin  dhe karakterin e tyre si njerëz.

Po të qëndrosh një kohë të caktuar në mesin e një familje të përzier do të vëresh se ke të bësh me një urë jashtëzakonisht të qëndrueshme dy kulturash dhe mentalitetesh që komunikojnë në mënyrë të mrekullueshme në mes veti. Është dashuria e sinqertë ajo që ka mundësuar bashkimin e dy gjuhëve, dy traditave, kulturave dhe dy njerzve me identitete të ndryshme kombëtare. Cdo martesë , e cila ka rezultuar nga dashuria e vërtetë është e suksesshme dhe e përjetshme. Ato martesa që janë bërë nga arsye të të tjera si: mëshira, sigurimi i vizës „B“, apo diçka tjetër dështojnë. Dhe jo vetëm kaq, ky dështim në të shumtën e rasteve sjell pasoja vërtet serioze, tejet të ngatrruara.

Anekënd rruzullit tokësor, veçanarisht nëpër shtetet e varfëra janë krijuar agjenci speciale për martesa. Çdo femër apo mashkull që do të kalojë jetën në perendim ka mundësi të paguajë një shumë të caktuar të hollash që t`i sigurohet burri. Ndërsa mashkullit që do të martohet dhe ka porositur femrën sipas shijes së vetë, i merr të hollat agjencia tjetër ku ai është paraqitur. Kontrabanda me martesa, tash më është bërë me traditë. Shumë të rinj e të reja bëjnë udhëtime të gjata duke qenë të frymëzuar nga ky akt, për të siguruar jetën e tyre. Ata martohen dhe presin katër vjet apo më shumë (varret nga ligjet e shtetit ku jetojnë) për të qenë plotësisht të lirë për të kontrolluar fatin e jetën. Mirëpo ëndrra e tyre thehet përgjysmë kur ata ballafaqohen me pasojat që lindin pas kësaj periudhe kohore, gjatë së cilës vuajtja dhe çrregullimet janë pikat kryesore të rendit të ditës.

 PASOJAT E NJË ËNDRRE UDHËTUESE

Familja Lokaj nga Ferizaji shet një hektar tokë për të siguruar të hollat e udhëtimit për të birin e tyre Florimin, të cilit ia mbushur mendja të udhëtojë jashtë vendit. Qysh në kohën e paraqitjes së kësaj ideje, ai ka ditur për stacionin e tij të fundit- Zvicrën. Sipas informatave që ai ka tubuar nga vendësit e tij me qëndrim të rregulluar në këtë shtet; ky vend ofron mundësi të pakufizuara për çdo njeri që do të rregullojë standardin e jetës. Për Florimin dhe çdo të ri në botë, kjo është ëndrra më frekuentuese dhe normale, që përdoret për të zbutur forcën e frikës nga detyrat e koklavitura të jetës. Florimi, në mënyrë të vet, e gatuan mirë këtë plan në kokë. Për të është shumë me rëndësi që mos i zhgënjejë prindërit: «Ata sakrifikuan pjesën më të mirë të tokës për të më hapur mua udhët e jetës» -thotë ai sot, pas katër viteve.

Në shtator të vitit 1992, me ndihmën e një agjencie turistike, udhëton Florimi për në Zvicër. Në fillim Florimi paraqitet si azilkërkues. Pas katër muajve merr përgjigjen negative dhe i caktohet një afat prej një muaji që të lëshojë Zvicrën. «Ku të shkoja? Me çfarë fytyre do t`iu dilja para syve prindërve të mi…» dhe një varg pyetjesh tjera që ky i ri, pa përvojë dhe i ngarkuar me plotë detyrime, i bën vetes. Ky i ka premtuar familjes së tij; «nuk do të vuani gjatë kohë, së shpejti do të fillojë të ju dërgojë të holla». Këto janë fjalët e përziera me lotë gjatë kohës kur nëntëmbëdhjet vjeçari përqafon të jëmën para nisjes. Për shqiptarët e Kosovës ky është një premtim i rëndë. Një premtim që duhet patjetër realizuar, ashtu siç është zakoni, me besa-besë. E vetmja alternativë, që i mundëson Florimit qëndrimin në Zvicër është martesa. Me kë? Për këtë do të kujdeset një kushëri i tij, i cili me vite të tëra është duke jetuar në Lucern. Ai njeh një njeri që merret me këto punë. I riu mendjevirgjër nga Ferizaji habitet kur dëgjon se edhe për kësisoj çeshtjes paska njerëz të angazhuar «profesionalisht».

 DHJETË MIJË FRANKA SI PARADHËNIE

Shkurt 1993. Para Entit Civil të qendrës së qytetit të Lucernit, një shqiptar dhe një zvicerane presin kohën e caktuar për t`u futur brenda. Pa krushq, pa shoqërues, pa asnjë dëshmitarë. Florim Lokaj, nëntëmbëdhjet vjeç dhe Sabina. Sabina Wyser para një muaji ka mbushur vitin e tredhjet e gjashtë të jetës së saj. Kjo gjë nuk i pengon Florimit. Ai dhe ajo e dijnë se kjo është një martesë e montuar vetëm sa për të fituar të drejtën e qëndrimit në këtë vend. Këto të dy, para aktit të kurrorizimit nuk janë parë kurrë më herët. As që ka qenë e nevojshme. Dhjetë mijë frankat (burrimi i të cilave është nga toka e shitur e prindërve) që Florimi i ka paguar kësaj zonje, me një peshë prej njëqind e dhjetë kilogramësh, i ka bartur «ndërmjetësuesi», poashtu shqiptar nga Gjilani i Kosovës. «Më erdhi shumë turp në çastin kur gjendesha para nëpunësit të Entit Civil. Kisha përshtypjen sikur ai e dijnte krejt këtë gjë. Distanca dhe sjellja e tij arrogante ndaj Sabinës më shkaktoi një frikë të ftohtë në shpirt», kujtohet Florimi duke përshkruar me saktësi ceremoninë e rrejshme të martesës së tij të parë.

TRYSNITË E PËRDITSHME TË GRUAS ME KURORË TË SHUMËFISHTË

Në mes Florimit dhe Sabinës (kupto: ndërmjetësuesit)  ekziston një kontratë; dhjetë mijë në fillim, dhe për çdo muaj nga katërqind franka. Afati; katër vite. Fatmirësisht, një muaj pas martesës Florimi gjen punë në një restorant të mirë, ku paguhet tremijë e pasqind franka në muaj. Kur Sabina vëren këtë gjë kërkon ndryshimin e kondicionit të kontratës nga katërqind në pesqind franka në muaj. Florimi është i detyruar të pranojë. Arsyeja: ajo ka edhe një fëmijë shtatëvjeçar, për të cilin Florimi deri pas martesës nuk ka ditur gjë. Senzacionalja: fëmiun Sabina e ka me «ndërmjetësuesin», që i ka «ndihmuar» Florimit për të rregulluar qëndrimin në Zvicër. Ndërkohë, i riu nga Ferizaji zbulon gjithashtu se ky është burri i shtatë me radhë i kësaj gruaje të palodhur për të vënë kurrorën me kë dhe sa herë t`i ofrohet mundësia e përfitimit. Përveç trysnisë financiare që Florimi detyrohet të durrojë gjatë gjithë kësaj kohe, atij i bëhet presion edhe në shumë sfera të tjera. P.sh; sa herë që dehet «shoqja» shkon ne vëndin e punës së tij dhe kërkon të holla apo pije. E thirr në telefon dhe kërkon nga ai që t`ia ruajë fëmiun deri sa të kthehet nga ndonjë miniaventurë, etj.etj.

Mars 1996. I lodhur nga kjo gjendje Florimi bën veprimin e domosdoshëm: padit Sabinën dhe shitësin e saj. Për gjithë këtë kohë Sabina & Co. kanë marrë, sipas llogarive të palës dëmtuese, 32 mijë franka zvicerane. Gjatë deklarimit në organet përkatëse kupton se policia njeh mirë problemin në fjalë. Ata dijnë bukur për aktivitetin e kompanisë së Sabine Wyserit. Ajo nuk është vetë. Me të janë edhe shtatë femra të tjera që jetojnë nga kjo lloj tregëtie. Viktimat e tyre i sigurojnë nëpërmjet ish-burrit të saj nga Gjilani. Kontrabandë me martesa. Shitje kurrorash!

HUMANITETI SI MASKË

Në pjesën industriale të qytetit të Lucernit gjejmë banesën e Sabinës. Dielli i mëngjesit i bën mirë fytyrës së saj të bardhë. Është shtrirë në një shezlongë dhe nevrikoset me çdo qenie që për një apo dy sekonda i vjedh ngrohtësinë e rrezeve. Fëmiu është duke luftuar me ca mbeturina të një veturë të shkatrruar para shtëpisë ku banon ajo. Në fillim mendoi se jemi nga «Betraibungsamti» (Ent, ky për probleme financiare): «Neii, wieder fo betribigsamt, jedi tag, virkllëh ish c`koce…» (dial: Joo, përsëri nga …çdo ditë, vërtetë është për të vjellur). Kur i treguam se nuk jemi prej atje nga pandeh, ajo u lehtësua. I thamë se jemi të interesuar për procesin gjyqësor që ka me Florim Lokajn. «Nuk është e vërtetë se i kam marrë dhjetëmijë franka. Ndërsa nga treqind franka në muaj më ka dhënë në formë ndihme. Më besoni ai mund të improvizoj tani gjithçka, por nuk është e vërtetë…». Deklarata e Sabinës është totalisht në kundërshtim me ate të Florimit. Ajo pranon se me Florimin është njohtuar nëpërmjet ish-burrit të saj, mirëpo jo në ate mënyrë si e paraqet «burri» i saj në ndarje e sipër. «Mua më erdhi keq sepse më fliste për situatën e rëndë në Kosovë, se gjoja e kërkojnë ushtarë dhe unë pranova propozimin e tij. Këtë nuk e kam bërë vetëm për të, para tij kam ndihmuar edhe të tjerë», pranon Sabina, duke qenë e bindur se ne jemi duke e besuar. Për ndonjë dënim që mund të pasojë nga akuza e Florimit ajo shprehet kështu: «kështu janë shqiptarët, u bënë mirë, pastaj të kërkojnë llogari për këtë!». Ndoshta edhe do ta besonim Sabinën, sikur të mos kishim biseduar edhe me palët e tjera, të involvuara në këtë teatër sa komik aq edhe rrëqethës.

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...