Autorët dehen me lëvdata të ndërsjella, citojnë vargje të njëri tjetrit në mënyrë teatrale, sajojnë recensione që kur t’i lexosh ke përshtypjen sikur të jetë ringjallur Danteja.
Kudo e kurdo që ta shohësh ai ta parashtron të njëjtën pyetje «a ma lexove librin më të ri?» Autori i mërguar ka botuar një kamion libra. Të gjitha me «poezi». Po të ishte ndonjë falsifikator i mirë dhe të prodhonte pasaporta ose kartëmonedha (natyrisht euro, dollarë e jo lekë) deri tani do të ishte bërë milioner. Më e keqja në këtë histori: shtegtari shpirtdjegur mendon se vërtet është duke bërë art. Dhe ne që herë pas herë e takojmë jemi aq të pakurriztë saqë kurrë nuk marrim guximin t’i themi troç që të heq dorë nga përdhunimi i gjuhës dhe letrës e të merret me diçka tjetër. Nëse jo për diçka tjetër, atëherë për të shpëtuar veten, sepse edhe nëse këshilla jonë do të kishte efekt negativ e autori do të përdhosej duke prodhuar libra me vagonë së paku nuk do të na lodhte në çdo takim më me atë pyetjen e mërzitshme «a ma lexove librin?».
Po jo vetëm ky autori i mërguar dhe ne të pasinqertit klubeve të ekzilit, që i themi «të lumtë» në sy e sapo e kthen shpinën ia shajmë lapsin e trurin, sillemi në këtë mënyrë.
E njëjta atmosferë mbizotëron gjithandej; në ndejat e zakonshme «letrare e intelektuale» restoranteve të Prishtinës, Tiranës e Tetovës, gjatë promovimeve publike (masmedia) dhe në trajtesat me «karakter» akademik. Autorët dehen me lëvdata të ndërsjella, citojnë vargje të njëri tjetrit në mënyrë teatrale, sajojnë recensione që kur t’i lexosh ke përshtypjen sikur të jetë ringjallur Danteja, çojnë dolli për kryeveprat e shumta që ia kanë dhuruar letërsisë shqiptare dhe… dhe sapo të shpartallohen, të mbesin vetë, përballen me dilemën e tmerrshme: «pse s’më lexon askush?». Dhe menjëherë rend përgjigja ngushëlluese «masat janë injorante. Kështu e ka fati i shkrimtarit»!
E ky ngushëllim nuk është asgjë tjetër veçse një vetëmashtrim! Autorët – si ai poeti në ekzil – jetojnë në ëndërr. E marrin veten për dikë tjetër. Kanë humbur kontaktin me realitetin.
Çfarë gjendje është kjo? Njerëzit e fahut, psikologët, këtë e quajnë skizofreni.
Kjo gjendje – të mos keqkuptohemi – nuk sundon vetëm në qarqet letrare, por edhe tek gazetarët, shkencëtarët, politikanët, etj. Është një problem i kulturës shqiptare sot. Masat jo vetëm që e ndjejnë një gjendje të tillë të shterpësisë dhe megalomanisë intelektuale por edhe e përjetojnë praktikisht në treg kur janë të detyruar të blejnë vetëm letërsi të përkthyer e t’u ikin tavolinave me grumbullin e veprave të poetit që e përshkruajtëm në fillim.
Shkrimtari irlandez Oskar Wilde e ka bërë diagnozën më të përshtatshme në këtë drejtim «dikur shkruheshin librat nga njerëzit e mençur dhe lexoheshin nga publiku. Sot librat shkruhen nga publiku dhe nuk i lexon askush», maksimë që një për një mund ta përvetësojmë kur duam të përshkruajmë se në ç’gjendje është letërsia shqiptare sot.