Gjenerata krijuese që është ngritur në kohën e sundimit komunist ka për synim shpërlarjen publike nga fajet e bëra në të kaluarën. Gjatë kësaj shpërlarje e pësojnë shumë faktorë, sidomos gjenerata krijuese në lulëzim e sipër. Krijohet përshtypja sikur shqiptarët kanë vetëm një vetëdije, atë historike, dhe atë të historisë së individëve të caktuar krijues që mëtojnë të marrin „hallallëk“ para shkuarjes së përjetshme në mbretërinë e Hadit
„Gjenerata e re duhet të pres në rend për të thënë fjalën e vetë publike rreth çështjeve kulturore“ pat thënë një njeri i „mençur“ i letrave shqipe. Këtë konstatim ai e përdori në momentet e rënies së sistemit komunist. Dakord! Po pse? Cila është arsyeja e kësaj pritjeje? Papjekuria, puberteti intelektual apo … ?! Me gjeneratën e re nënkuptohet garda e atyre njerzve që kanë lindur vonë, të cilët nuk kanë pasur mundësi involvimi në proceset përdhosëse të kulturës me etiketat ideologjike ruso-kineze. Faji i vetëm i kësaj gjenerate është lindja e tyre e vonuar dhe pafatësia për të marrë pjesë në cenzurimin e mendimit dhe shprehjes për dyzet e pesë vjet me rradhë, të çdo shkronjësi pa dallim ngjyre e race. Deshti apo jo, kjo gjeneratë e papërlyer me krime të tilla karshi kulturës, është e detyruar tu bindet „urdhërave“ të tilla publike. Me të vetmen arsye: gjenerata e vjetër, pra ajo e bërë pis me mëkate në të kaluarën, vazhdon ende të mbajë monopolin mbi fjalën publike, pavarësisht nga paaftësia për të modernizuar e përparuar sistemin dhe metodën e punës, pavarësisht nga pamundësia për t`i ikur seleksionimit brutal të vlerave sipas konditave inkuizicionare bizanto-komuniste. Këshilltarët e përvojshëm publikë i rekomandojnë kësaj gjenerate pritjen për hir të pastrimit të disa çeshtjeve „madhore“. Cilat janë këto çeshtje madhore? Akuza e ndërsjellë, rehabilitimi , arsyetimi ndaj viktimave të djeshme apo qëndisja e një maske të re publike?
I.
Në priudhën komuniste, për të botuar një libër është dashur të keshë në faqen e parë „pasaportën“ për shtëpitë botuese. Në qarqet kulturore e letrare pasaportë i është thënë citatit të zgjedhur nga fjalimet e diktatorit, i cili është vënë në faqen e parë tek shumica e librave të botuara qoftë artsistike apo shkencore. Sidomos për krijuesit e rinj që ende nuk kishin fituar besimin tek pushteti kjo gjë ishte me rëndësi të veçantë. Disa prej tyre bile shkruanin poezi, poema e romane kushtuar dikatorit e ideologjisë, kështu për të dëshmuar besnikërinë dhe lojalitetin ndaj sistemit. Në këtë mënyrë u mundësohej atyre lindja publike. Kokëfortët që nuk pranonin sakrifikimin e ndjenjës dhe artit të tyre për t`iu servilizuar e nënshtruar pushtetit mbaronin pas murrit judaik të anonimitetit ose më e keqja izoloheshin e burgoseshin me vite të tërra. Të ndalemi tek kokëfortët. Kush i denonconte ata? Në mbarrë hapësirën kulturore shqiptare, pjesa dërrmuese e cenzorëve dhe redaktorëve ishin krijuesit shqiptarë (gjenerata e vjetër) , ata pra që bënin „formalitetet“ e duhura për të peshuar tensionin politik të çdo teksti a vepre në trajtim e sipër. Ata denonconin njëri tjetrin para komiteteve ideologjike të pushtetit. Më barbarja në këtë kontekst është fakti se denoncimet, në të shumtën e rasteve nuk ishin të prirura nga shkaqe ideologjike por nga sëmundje tjera si: xhelozia, inferioriteti dhe frika për mos-humbjen e paritetit në klanet e instaluara ideologjiko-kulturore. Kjo është esenca e sistemit në bazë të të cilit kanë vepruar (qoftë edhe jovullnetarisht) laboratoritë e pastrimit ideologjik të letërsisë dhe arteve tjera në përgjithësi. Nuk mund të injorojmë të vërtetën se në këtë proces ka edhe përjashtime të imëta. Ka njerëz që në një mënyrë apo tjetër perfide, me qëndrimin e tyre të përheshtur dhe dinak kanë arritur të mbesin të virgjër. Përkundër faktit se ato janë të paktë, ata sot shërbejnë si një faktor baraspeshimi dhe janë dëshmitarë të gjallë të së kaluarës komuniste të kulturës shqiptare.
II.
Që në momentet e para të heqjes së ligjeve që kishin të bëjnë me deliktin verbal e deri në ditët e sotme shtypi shqiptar po përjeton dridhje dhe vaj publik në kor. Në të njejtën kohë; vajtojnë viktimat kokëfortë, akuzojnë dëshmitarët e painvolvuar dhe përçiret gjenerata e vjetër pas rehabilitimit, duke arsyetuar veten me domosdoshmërinë e mbijetimit në epokën e lartëpërmendur. Ndjenja e fortë e hakmarrjes dhe urrjetjes tek anatemistët dhe dëshmitarët e dënuar me heshtje për vite të tërra, nuk i lejonë ata të jenë tolerant. Ata mendojnë se „të vjetërit“ nuk metamorfozohen kurrë, qëllimi i tyre është pushtimi i sërishëm i proceseve kulturore. Porsa të sigurojnë kontrollin e nevojshëm përsëri do të vazhdojnë me strategjinë e tyre kriminele ndaj fjalës publike, arteve dhe mendimit të lirë. E vetmja gjë që të shtypurit si duket e kanë harruar është realiteti se ata, po ata të djeshmit janë duke kontrolluar institucionet më të rëndësishme kulturore dhe publike. Po t`i hudhim një sy shtypit (në relacionin Shqipëri – Kosovë- Diasporë) do të vërrejmë se ai është shndrruar në një poligon ku nuk diskutohet asgjë tjetër (në aspektin e proceseve kulturore) përveç ngacmimeve ndërmjet palëve në konflikt. Në njërë anë shtypi është bërë si një fabrikë për : prodhimin e maskave të reja, „pastrimin“ e pardesyve ideologjike dhe dëshmive (imagjinative) për sakrificën patriotike të leninëve të djeshëm. E në anën tjetër si : zë i ndërgjegjes së „pastër“ të disa individëve me potencial të mjaftueshëm manipulimi publik dhe si fletë justifikimesh për rrëshqitjet e padashura në kohën e „Ali Bungut“. Viktimat bashkë me gjeneratën e re mbesin përsëri jashtë çdo vëmendje. Atyre u rrofshin „odat e burrave“!
III.
Duke u ballafaquar me këtë gjendje mund të konstatojmë lehtë përse mungon trajtimi, shtrimi dhe debati i mirëfilltë publik shkencor mbi shumë çeshtje kapitale kulturore që patjetër duhet diskutuar e zgjedhur. Si duket për ta nuk ka vend. Hapësira që është në disponim shfrytëzohet nga telashet e të së kaluarës, pra historisë. Krijohet përshtypja sikur shqiptarët kanë vetëm një vetëdije, atë historike. Dhe atë të historisë së individëve të caktuar krijues që mëtojnë të marrin „hallallëk“ para shkuarjes së përjetshme në mbretërinë e Hadit. Ardhmëria del si një fjalë e huaj dhe e padëshirueshme. Përderisa të pastrojë problemet rreth gradës së fajësisë së çdonjërit në procesin e përdhunimit brutal të kulturës , gjenerata e vjetër duket se nuk do t`i lëshojë vend askujt.
Kjo është arsyeja themelore përse duhet të pres gjenerata e re për tu marrë me probleme të rëndësishme të jetës kulturore shqiptare. Këto janë çështjet madhore të gjeneratës sonë të vjetër e në përfundim e sipër: shpërlarja publike nga mëkatet! Edhe sa decenie duhet të presin gjeneratat e reja deri sa të lahen (ose të ndoten edhe më shumë) hesapet e pararendësve të tyre përplotë huje dhe vese bigamësh të papërmisueshëm politikë. Ndoshta këto burra të „kulturës“ një ditë do të munden të shpjegojnë edhe fajësinë e Zotit dhe natyrës në lidhje me lindjen e vonuar të intelektualëve të rinj. Ku ta dijsh? Vetëdija kulturore shqiptare ka përjetuar fenomene nga më të pamundurat, përse mos llogarisim edhe në këtë lloj senzacioni.
Akti më dinjitoz i „gjyshëve“ tanë intelektualë do të ishte; që ata të dilnin në pension, duke lënë veprat e tyre artistike në duart e gjeneratës së re. Me qëllim që kjo gjeneratë, nesër të mundet pa paragjykime të përcaktojë nivelin e vlerave të tyre krijuese. Infektimi i gjeneratës së re me frymën revanshiste mbi probleme që ajo fare nuk ka faj është më shumë se krim për ta dhe ardhmërinë e kulturës shqiptare. (1999)