Ligjërata e fundit e Roland Barthes-it

«Vita Nova». Kështu quhej romani, të cilin donte ta shkruaj Roland Barthes.

Një roman nga kritiku më i rreptë letrar i shekullit 20, i cili në esenë e tij «vdekja e autorit» kishte shpallur autorin si instancë parazitare, të vdekur dhe pa rëndësi për veprën letrare? Paradoks?

Projekti «Vita Nova», i cili që nga prilli i vitit 1978 e deri me shuarjen e autorit të tij mbizotëronte bisedat e salloneve dhe mediave letrare, nuk u realizua. Barthes nuk arriti ta bëjë romanin e tij sepse u shkel nga një kamion i ngarkuar me qumësht .

Për dallim nga dorëshkrimi i Albert Camus –së, i cili i dekodua nga një staf redaktorësh dhe e veja e tij Francine Camus, kështu duke «përfunduar» dhe botuar romanin e tij të fundit «Njeriu i parë», në studion e Roland Barthes u gjetën vetëm disa lista lemash. Një mind mape , nga e cila nuk mund të mësohej asgjë konkrete se si do të mund të dukej romani i «rrezikshëm» i njërit nga etërit më dominant të semiologjisë postrukturaliste.
Në vend të romanit u gjetën tre seri ligjëratash me temën «Përgatitja e romanit», të cilat Roland Barthes i kishte mbajtur para studentëve të Collège de France gjatë semestrave të viteve 78 – 80. Ligjëratat u botuan fillimisht në frëngjisht e këtyre ditëve edhe gjermanisht.
Botimi i këtyre ligjëratave domosdo risjell dilemën rreth konceptit teorik të Barthes-it: Demonton ai teorinë e vetë, të hedhur në esenë «Vdekja e autorit», me analizat mbi Marcel Proust-in, Franz Kafka-n, Leo N. Tolstoi-n e të tjerët?
Me riaktualizimin e diskursit mbi Roland Barthes parasëgjithash ama duhej të aktivizohej shpërthimi i një bombë tjetër, shpërthim që kushtimisht e përlanë edhe një figurë tjetër të rëndësishme: është vërtet Jacques Derrida themeluesi i Dekonstruktivizmit?

2. VETËDEMOLIMI?
Në librin «Përgatitja e romanit» Barthes demolon jo vetëm tekstet e autorëve të sipërpërmendur, por edhe biografitë, fotografitë dhe çdo material tjetër që ka mbetur trashëgimi nga ekzistenca e tyre. Ai i analizon ato duke demonstruar procesin e shkrirjes së curriculumit nganjëherë banal të autorit në veprën e tij artistike dhe anasjelltas. I shpërndanë përvojat reale të autorëve në elemente të veçanta dhe i barazon ato me skena fiktive nga veprat e tyre. Nëpërmjet fotografive dhe dokumenteve tjera reale e ndërton një psikogram të njeriut Marcel Proust. Psikogram, të cilin pastaj e shtron mbi tavolinë krahas psikanalizës së bërë mbi njërën prej figurave fiktive të Proustit dhe konstaton se jo vetëm në vija të përgjithshme figura fiktive i përngjan autorit, por edhe më shumë ata janë të ngjashëm në detaje. Me një fjalë: ata kanë kryesisht shpirt të njëjtë, personazhi fiktiv dhe autori. Këto eksperimente Roland Barthes i bën – siç shihet – duke marrë në ndihmë instrumentet e psikanalizës.
Ajo që nuk përkon ndërmjet autorit dhe botës brenda veprës së tij është ajo që i takon artit dhe vizioneve të tij mbi universin. Personazhet mund të jenë të vrazhdë, kriminelë, storia mund të jetë një horror i vërtetë, siç mund të jetë vetë autori dhe jeta e tij, mirëpo nëse autori ka arritur që storien ta rrëfejë gjuhësisht bukur me imazhe aq tërheqëse – si Flauberti – saqë lexuesi vërtet të besojë se një botë e tillë ekziston, atëherë lind romani i përkryer.
Në këtë mënyrë, pra duke kërkuar kauzalitetin që sipas tij shpjegon arsyet se pse figurat e Kafkës janë kryesisht vrasës apo gjykatës apo pse figurat e Leo Tolstoit janë aristokratë, besimtarë dhe njerëz mondan që flasin frëngjisht, Barthes dekonstrukton autorët nëpërmjet teksteve të tyre dhe shpesh klith triumfueshëm: «një fuqi e mrekullueshme transformimi», siç bën gjatë analizës për Proustin.
Është pikërisht kjo «metamorfozë e mrekullueshme» , të cilën ai e identifikon tek Proust dhe Kafka, mirëpo që më së shumti e përjeton, respektivisht praktikon vetë. Tezat, me të cilat Barthes dikur i kishte tmerruar sallonet akademike e që flitnin për «vdekjen e autorit» transformohen në ligjëratat e tij të mëvonshme në konstatime rreth «amshueshmërisë» së autorit. Autori, pra, si instancë jo vetëm përbërëse, por edhe që me vetëdije apo nënvetëdije ndikon në krijimin e veprës letrare.

3. PËRGATITJA E ROMANIT
Në ligjëratën e parë Barthes flet për origjinën dhe shpërthimin e inspirimit. Nga vjen ideja që e frymëzon një njeri të zakontë t’i përveshet procesit të mundimshëm të krijimit të një vepre letrare? Ideja dhe inspirimi për Barthes-in janë dy situata frymore e shpirtërore që nxisin një autor ta nis një projekt letrar, pra romanin, por ato nuk mjaftojnë për t’i krijuar skenat, imazhet dhe gjithë elementet tjera që kërkon një prozë e mirëfilltë nëse ai, pra autori, nuk e ka distancën e mjaftueshme ndaj asaj që ka përjetuar më parë. Autori – në këtë analizë –del pra si një regjistrues estetik i proceseve frymore e shpirtërore të epokës, funksion të cilin e arrin me sukses ta bëjë veç pas tjetërsimit të tij, konkretisht pas transformimit të tij në një qenie jashtë kohës dhe mendësisë në të cilën jeton fizikisht. Vetëm në këtë mënyrë ai disponuaka me mjeshtërinë e rikonstruktimit apo dekonstruktimit të realiteteve shumëvariantëshe.
Ligjërata e dytë dhe ajo e treta trajtojnë fuqinë, metodën dhe aftësitë narrative që duhet t’i ketë një autor për ta krijuar romanin ose artefaktin në përgjithësi. Në këtë kontekst ai merr si shembull poezinë trevargjësh humoristike japoneze. Për Barthes haikut janë interesante, sepse poetët japonezë si Sumi Taigi kanë ditur qysh në shekullin 18- të ta bëjnë atë imagion aq mjeshtërore që përjetësisht e kërkon shkenca e letërsisë perëndimore. Bashkë me imagion, por kësaj radhe nëpërmjet shkronjave – shenjave e jo sekuencave të dritës, krijohet një fotografi më e përkryer e frymës dhe shpirtit të epokës se sa ajo që njohim ne. Barthes thotë «më e përkryer», sepse mbetet në pozitat e tij fillestare teorike: autori shfrytëzon realitetin dhe përvojat e tij, mirëpo gjatë procesit të krijimit dekonstrukton ato për të rikonstruktuar një realitet tjetër, një botë tjetër, të cilën autori as ka jetuar e as e ka parë. Gjatë këtij procesi de- dhe rikonstruktimi autori kalon nëpër stacione herë të tmerrshme e herë të këndshme si: dështimi, snobizmi, frika, mania, tjetërsimi nga njëra anë dhe imagjinata e fuqishme, lehtësi pas realizimit të një fjalie të përkryer, ndjenja e superioritetit karshi të zakonshmëve dhe të vdekshmëve nga ana tjetër etj.

4. KRITIKA DHE TEORITË
Disa kritikë gjermanë, anglofonë e francezë i konsiderojnë këto «lëvizje» të Barthes si shenja të një «skizofrenie teorike» (ithtarët e teorisë anglosaksone të duos Wellek und Warren). Ata madje justifikuan edhe njëherë qëndrimin e tyre se kjo «na qenka arsyeja se pse shumica e veprave të Barthes janë të panjohura dhe se ai asnjëherë nuk u pranua si serioz nga akademitë shkencore». Sipas këtyre kritikëve kemi të bëjmë me një revolucionar eksesiv të Semiologjisë, ama pa ndonjë relevancë të madhe për shkencën e letërsisë si tërësi.
Se këto teza nuk mund të qëndrojnë këtë e kanë dëshmuar studimet e shumta postmortum mbi Roland Barthes-in, të cilat kanë vulosur peshën e këtij mendimtari në kuadër të Semiotikës strukturaliste. Ajo që irriton edhe më shumë në këtë drejtim janë tentativat e disa teorikëve e kritikëve për të deklasuar teorinë e hershme barthiane mbi «vdekjen a autorit« si një episod adoleshent të diskursit shkencor letrar, pra si ekskursion joserioz i njërit dhe vetëm njërit nga kritikët dhe filozofët më të rëndësishëm të shekullit që shkojë (kritikja gjermane Ina Hartwig).
Problemi banalizohet dhe kritikat zbehen rëndë sapo të shtrojmë para vetes historinë e tezës së «vdekjes së autorit». Barthes është njëri nga ata shkencëtarë e filozofë që kanë reflektuar mbi këtë lloj roli të autorit në raport me veprën e tij letrare. Michel Foucaults në veprën e tij «Çka është një autor» (1969) flet për të njëjtën gjë. Ky kërkon zgjimin e kritikës para se letërsia dhe artet të katapultojnë në një «Histori biografish njerëzish të mëdhenj». «New Criticism»-i anglosanksonik ndërtohet po mbi këtë botëkuptim, i cili vetëm me «vdekjen e autorit» e sheh «lindjen e lexuesit». Dijetari nga Piemonti Umberto Eco në veprën e tij Opera operta (1962) madje është njëri ndër të parët që hedh konturet e një filozofie të tillë interpretimi.
Teorinë e «Scriptor» -it Barthes e formulon në esetë e tij mbi Honore de Balzacs (novela «Sarrasine») dhe gjatë interpretimeve të teksteve të Proust – it, Valéry- së dhe Mallarmés gjatë viteve 1968 – 1969, që do të thotë gjashtë e shtatë vjet pas publikimit të librit të Umberto Eco-s.
Në këtë kontekst kronologjia është e qartë dhe ecë në këtë linjë: Eco – Barthes – Foucault, për të vazhduar më pastaj si «doktrinë» e teorive dhe shkollave të shumta letrare deri në të ditët e sotme.
Nëse teoria në fjalë vërtet është një eksperiment i dështuar, atëherë Barthes qenka i pari – në krahasim me të tjerët që ende nuk rishqyrtojnë tezat e tyre (Eco) – që e modifikon veten dhe kthen autorin ndër të gjallët, paralelisht duken ngritur një teori tjetër të rëndësishme: atë se si përgatitet romani.

5. «RIVARRIMI» I AUTORIT
Në këto ligjërata Roland Barthes s’ka dyshim se e «ringjallë» autorin. Ai nuk është më kategorik në lidhje me rolin statik të autorit gjatë krijimit të veprës artistike. Mirëpo as në këto reflektime ai nuk i ndan atij ndonjë rol superlativ. I mbetet deri në fund besnik frymëzuesit të tij Friedrich Nietzsche dhe filozofisë së tij, e cila priret nga formulat si: «Arti është shpikur për të na lehtësuar peshën e rëndë të realitetit». Që konkretisht do të thotë: nëpërmjet artit ne dekonstruktojmë realitetin për ta bërë atë të durueshëm. E, autori në këtë kuptim është Dekonstruktori. Ai që di se si deformohet realiteti dhe si ndërtohet romani.
Është kjo arsyeja, pra braktisja e teorisë rreth «vdekjes së autorit» se pse Barthes donte ta shkruaj një roman dhe ta pagëzojë atë «Vita Nova» – duke asociuar me Danten? Kritika dhe akademitë vazhdojnë që Roland Barthes-in ta reduktojnë në autor të vetëm të një eseje, asaj «vdekja e autorit». Kështu është më lehtë. Më lehtë është pra të fiksohesh në një tekst të shkurtër të një autori se sa të bësh punën e mundimshme e ta studiosh veprën voluminoze (e cila ende vazhdon të botohet) të tij, e cili nuk gjendet vetëm brenda ca kopertinave librash, por është e shkapërderdhur gjithandej: revista, gazeta, dorëshkrime, ligjërata e libra. Barthes-it mund t’i vidhet ca kohë deri tek njohja e merituar nga «zyrat» akademike dhe kritikët «seriozë», humbës ama sigurisht se nuk do të jetë ai, por ata që vazhdojnë të bartin titujt e kritikëve dhe shkencëtarëve letrarë pa njohur si duhet njërin nga gjenitë e kritikës së shekullit 20-të.

Related

Bobitë, Kadare dhe prometheu

Nuk mund të jesh kundër këngës. As kundër Bob...

Saga mbi derrin në Berlaymont

Recension rreth romanit më të ri të autorit austriak...

Houellebecq – profet apo maniak?

Autori në modë Michel Houellebecq e ka një program...

Madame Bovary, ose arti si mjet tradhtie ndaj femrës

Ajo shkaktoi shembjen e Trojës. Ajo nuk i rezistoi...

Xhamilja ose puropoetika

Dashuria në letërsi – një megatemë komplekse apo aq...