Identitetet tona

Pse dy kolosët e realizmit socialist Qosja dhe Kadare sillen si autoritetet absolute të kopesë kur bëhet fjalë për identitetin fetar, kulturor e nacional të shqiptarëve? Ç’janë shqiptarët oksidentalë apo orientalë?


1. E drejta e tëhuajësimit
Ndikimet që e shoqërojnë individin gjatë formimit të tij janë ato më relevantet sa i përket asaj se ç`qëndrimi do të ketë ai rreth identitetit të vetë kulturor, fetar, nacional e social. Gjeneza, origjina dhe përkatësia kombëtare në këtë kontekst luajnë më shumë rolin e një curriculumi të paravendosur pa ndikimin e personit që bartë ato. Prandaj edhe fenomeni i tëhuajësimit vullnetar është fare i natyrshëm. Ai është i natyrshëm sidomos në kushtet e masave që kanë qenë të detyruara të jetojnë nën ndonjë diktaturë. Vetëm me të zbuluar pluralizmin si mundësi funksionimi njeriu ka mundësi për të kërkuar veten, për të vepruar ashtu siç ndjen dhe mendon.

Jo pak njerëz e kanë kompleks pse të kenë lindur të bardhë, të zi, myslimanë, të krishterë, budistë, rus apo francez dhe bëjnë çmos që të mos identifikohen me kopenë, së cilës i përkasin në të «vërtetë». Njohim plotë njerëz me famë botërore që kanë «braktisur identitetin nacional», kur turmat janë çmendur pas ndonjë ideologjie johumane. «Gjermania më përzuri dhe unë nuk kthehem më kurrë. Unë jam qytetar i botës», tha E.M. Remarku para se të vdiste në Tiçino të Zvicrës kur e pyetën se a do të kthehet ndonjëherë në atdheun e tij, në Gjermani.
Ishte e drejtë e tij të vendos se çfarë identiteti do të kultivojë si individ i lirë.

Hyjnë edhe kjo e drejtë – e drejta për ta ndërruar përkatësinë e trashëguar – në katalogun e të drejtave themelore njerëzore? Nëse jo atëherë Karta e të Drejtave Universale të Njeriut paska nevojë për reformim, nëse po atëherë gjithçka është e qartë. Nëse edhe në këtë epokë pjesa dërrmuese e njerëzimit, ose së paku ajo që sillet si krijuese e kartave mbi liritë, ende duhet të kacafytet duke mbajtur shtrënguar të drejtat e individit në pranga, atëherë defekti funksional i trurit të qenies humane qenka i përjetshëm.

2. Shqiptarët dhe liria individuale
Edhe shqiptarët duhet përfundimisht ta pranojnë si të natyrshëm fenomenin kur ndonjë pjesëtar i tyre nuk donë më të identifikohet me nacionalitetin e kësulëbardhëve, kur ndonjëri prej tyre konverton nga feja myslimane në atë të krishterë, nga komunisti në neoliberal, nga nacionalisti në kozmopolit e anasjelltas. Këtu s’ka asgjë tragjike: një individ vendos të ketë qëndrim ndryshe nga ajo e modës ose anasjelltas, nga ajo e shumicës dhe vepron sipas lirive që ka në disponim.

Sot ka plotë raste të tilla. Nuk mungojnë as njerëzit publikë e të njohur që vullnetarisht kanë ndryshuar ideologji, fe, përkatësi nacionale madje disa prej tyre edhe pamjen e jashtme ia kanë përshtatur idolit të tyre të ri. E drejtë e tyre individuale.
Përderisa individi këtë liri vërtet e kupton dhe koncepton si individuale shoqëria (me të gjitha segmentet e saja) dhe shteti nuk guxojnë dhe nuk kanë të drejtë në asnjë ndërhyrje. Kopeja ka të drejtë të çojë zërin vetëm atëherë kur ka argumente të mjaftueshme se individi përpiqet që me çdo kusht t’ia imponojë masës qëndrimin, bindjet e veta si absolute. Edhe më keq nëse ai individ ka marrë ndonjë mision nga ndonjë qendër e njohur me qëllime ekspansioniste ose thjeshtë nga ndonjë sekt keqbërës dhe që dhunën e konsideron të shenjtë.

Tash parashtrohet dilema kapitale: ku është kufiri ndërmjet lirisë individuale dhe përpjekjes për t’ia imponuar shoqërisë një zgjidhje egoiste ose të atillë që konsiderohet si atak kundër identitetit të shumicës? Kjo dilemë bëhet edhe më e komplikuar kur individi ka peshë dhe prezencë publike ose si duhet ta kuptojmë debatin e fundit të dy kolosëve të realizmit socialist shqiptar Qosja dhe Kadare, të cilët janë individë ama sillen si autoritete absolute, si «baballarë të kombit»?

3. «Marka» Kadare
Kadare është «bileta» aktuale e letërsisë shqiptare në atë universalen. Shqiptarët para Kadaresë nuk kanë pasur ndonjë «markë» adekuate për tu krenuar në sallonet ndërkombëtare të kulturës. Për këtë është i vetëdijshëm vetë Kadare dhe gjitha ata që e duan ose e kanë alergji. Tjetra: nuk janë minorë ata që rrahin tezën se gjoja Kadare nuk është prozator i mirë, porse falë sistemit enverist ka depërtuar në botë. Ky është një vic për idiotët. Perëndimi mezi ka pritur urdhrin e xhaxhit që t’i përveshet leximit të veprave të Kadaresë. Natyrisht se letërsia shqipe ka edhe prozatorë tjerë të mirë që mund të maten me Kadarenë, ama se Kadare si romancier e ka bërë vendin në majat e Parnasit nuk ka asnjë dyshim.

Është kjo që e shtyn Kadarenë të marrë guximin dhe të përpiqet të na bindë se cili identitet qenka ma i favorshmi për shqiptarët? Apo ai vetëm se e shpreh mendimin e vetë pa kërkuar nga turmat që ta imitojnë?
Kadare është institucion i adaptuar publik që ka peshën e vetë.
Të njëjtin «bonus» e ka edhe shkencëtari i letërsisë Rexhep Qosja. Edhe ky nuk e ka fituar autoritetin që ka me urdhrin e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, por në sajë të punës që ka bërë si shkencëtar. As Qosja nuk i ik dot përgjegjësisë publike.
Donë të thotë se këta dy nuk kanë të «drejta dhe liri individuale». Nuk kanë të drejtë të shprehin atë që besojnë, ndiejnë si qenie njerëzore?

Patjetër që kanë të drejtë, vetëm se këta, për dallim nga njerëzit tjerë, ata të «zakonshmit, të vdekshmit», duhet ta potencojnë një gjë të tillë bindshëm. Këtu qëndron problemi. Që të dy kur shfaqen publikisht, kur deklarojnë diçka – pavarësisht nga tema – sillen sikur të ishin pronarët e vetëm të së vërtetës universale. Ndoshta këtë stil e kanë për shkak të moshës, gjenit patriarkal ose për shkak të snobizmit të pavetëdijshëm, s’ka rëndësi. Me rëndësi është fakti se stili absolutizues i të dyve është një problem që sjell keqkuptime në masë dhe krijon konfuzione të panevojshme.
Qosja dhe Kadare – pas tyre edhe një divizion njerëzish publikë – akuzuan njeri tjetrin për intolerancë fetare, për shpëlarje të veprave nga elementet ideologjike komuniste dhe për më interesanten që ka të bëjë me identitetin shqiptarëve, për përpjekjen e njërit apo tjetrit për t’i shpallur shqiptarët me identitet oksidental ose oriental. Këto ishin akuzat kryesore, pa u futur në grindjet tjera të rezultuara nga motive personale.

4. Myslimanë a katolikë?
Ajo që ripolli debati i tyre është interesante: cili është identiteti i shqiptarëve? Oriental apo oksidental? Myslimane apo katolike?
Në aspektin nacional s’ka dyshim se shumica absolute identifikohet me elementet që e përcaktojnë përkatësinë kombëtare të një populli. Të rrallë, pra individë janë ata që janë të bindur se prejardhja e shqiptarëve s’është ilire, pellazge, etj. por mikste si te shumica e origjinave të popujve tjerë, pra sipas tyre nuk mund të flitet sot për raca e kombe të pastra.
Në aspektin fetar ndryshojnë sendet; nuk ekziston një opinion unik ose një informacion objektiv qoftë në lidhje me prejardhjen e qoftë me statistikat aktuale reale në lidhje me përbërjen fetare të shqipfolësve. Dihet se në Maqedoninë perëndimore feja islame është me e potencuar, dihet se në Kosovë feja – sidomos te ata të besimit islam – është sekondare apo edhe formale dhe se elitat kulturore demonstrojnë anshmëri prokatolike, dihet poashtu se në Shqipëri ateizmi vazhdon ta ketë fjalën kryesore para religjiozitetit ashtu siç mban primatin interesi ekonomik karshi atij nacional. Kjo është fiziologjia sa i përket strukturës religjioze të shqiptarëve si tërësi.
Nga ana tjetër ekzistojnë grupe, celula e individë, të cilët përpiqen të bëhen prezantuesit e «origjinal, religjioz e historik» të shqiptarëve. Individë me peshë modeste publike që kanë konvertuar nga komunizmi në islamizëm e që i kanë ngarkuar vetes detyrën akute për të prodhuar sa më shumë teza në lidhje me përkatësinë «natyrore» islame të shqiptarëve. Fytyrat e të cilëve nuk dallojnë fare nga ato të atyre mjekroshëve të xhihadit.
Në taborin tjetër janë individë që tentojnë të krijojnë përshtypjen sikur historia e vlefshme shqiptare përfaqësohet vetëm nga intelektualët, shkrimtarët e studiuesit me prejardhje katolike. Të tjerët veçse dëme kanë shkaktuar.
Të dy këto tabore fanatike fatmirësisht kanë përmasat pra të celulave, grupeve pa ndonjë ndikim relevant në shoqëri. E pandershmja, moralisht degraduesja e këtyre grupacioneve dhe individëve është ajo se përpiqen që dhunshëm të imponojnë «të vërtetën», doktrinën e tyre individuale si absolute.

5. Orienti dhe Oksidenti nuk janë religjione
Keqkuptimi kapital ndodh me përdorimin e dy termeve kulturologjike oriental e oksidental. Gjithherë kur diskutohet mbi këto terme aludohet në islamizmin (Orientale) e botën e krishterë (Oksidenti). Si te orienti ashtu edhe oksidenti çështja fetare është vetëm një segment përbërës dhe jo më i rëndësishëm se ai i etnologjisë, arteve, shkencave etj. Pra kemi të bëjmë me dy kultura, dy botë që në vete përmbledhin shumë religjione e jo vetëm atë e këtë. Reduktimi i oksidentit në krishterim ose orientit në islam është qesharak.
Se cilit prej këtyre dy botëve i përkojnë shqiptarët ë aspektin kulturor është e qartë, sepse kriteri kryesor bartë vulën gjeografike. Ku gjenden shqiptarët? Në Azi, Tunguzi, Zulluland? Në Evropë de! Ndërkaq Evropa është oksidentale, këtë me gjithë fuqinë mitike që kanë shqiptarët nuk e ndryshojnë dot!
Aspekti tjetër është ai kulturori; si flasin e shkruajnë shqiptarë, në ç’familje bëjnë pjesë? Si popujt e orientit apo këta të oksidentit? Etj. Pa i radhitur të gjitha elementet mendoj se nuk nevojë për shpjegime të mëtutjeshme.
Këto janë vetëm disa nga arsyet pse debati Kadare – Qosja rreth identitet të shqiptarëve nuk është hiçgjë më shumë se sa grindje personale e dy intelektualëve që s’dinë të thirren në mendimin e tyre individual pa e përzier gjithë kombin në muhabetet e tyre.

6. Identiteti dhe liria e individit
Është pra e drejtë individuale e njeriut nëse donë të thirret në një identitet tjetër nga ai që i figuron në dokumentet zyrtare. E pranueshme. Ajo që individi nuk ka të drejtë është kërkesa dhe pritja nga opinioni që të mendojë e frymojë siç do ai, pavarësisht nga fama dhe pozita sociale. Këtë duhet ta kenë të qartë edhe Qosja e Kadare. Se si do të dal statistika rreth përbërjes fetare të shqiptarëve, se cila është pasqyra reale historike e prejardhjes fetare të shqiptarëve janë kompetenca të instituteve për statistikë, histori e të ngjashme jo e Qoses, Kadaresë, poetëve, bujqve, etj. Dhe si do që të jenë rezultatet nuk do të kenë fuqinë për të transportuar, çrrënjosur shqiptarët nga vendi ku janë! 

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...