Striptizkultura

Kultura në krizë! A nuk i përngjanë kjo britmë atyre të kohës së «priudhës së errët», kur fati i zhvillimit të mëtutjeshëm, i intelektit të qytetërimit, kishte mbetur në duart e pseudo-Dionisit dhe Erigenës? Atëbotë të humbjes së madhe të të gjitha dokumenteve të frymës humane

Sado i vjetër të jetë ky alarm aq edhe i ri është. Sidomos për ata popuj që këtë nocion e kanë zbuluar shumë vonë dhe ende gjenden në kërkim të planeve arkitekturale se si duhet ndërtuar atë. Përderisa në atë pjesë të globit ku mendohet se «përkryerja kulmore e kulturave të veçanta çon drejt një kolizioni asgjësues të tyre», vërehet hutia në stilin «se si mëtutje», sepse «gjithçka tash më është bërë», diku tjetër bëhet një luftë e ashpër mbijetese për të shpëtuar atë që eshtë dhe shumë pak kohë mbetet për të hulumtuar energjitë e përparimit të saj, madje edhe në kontekstin e ngushtë të nocionit (kulturë), pra në zhvillimet shpirtërore të një shoqërie: gjuhë, shkencë, letërsi, art.

Kultura shqiptare në krizë! Në krizë ka qenë gjithmonë ajo. Veç se tash ajo gjendet në një kohë të palëkurë, me anatomi të zhveshur, të dukshme. Skeleti i saj përbëhet kryesisht nga eshtra të kauçuktë. Danditë me pozat e tyre «elitore» e kanë kryefjalën. Ata që mendojnë se imitimi është shpëtimi. Kopjimi i modeleve të huaja të frymimit shoqëror – poshtë identiteti dhe origjinaliteti! Dhe më e keqja, siç na thotë përvoja, imitohet keq, huazohen ato «vlera» të modës që në vendet nga vijnë konsiderohen poashtu si krizë. Nga krizë në krizë! E si tjetër?!

Akademitë e shkencave janë shndrruar në «klube pensionerësh» që gjithë ditën luajnë shah dhe vrasin miza. Nganjëherë tubohen për të bërë llafe për «fatet» e kombit dhe fryhen duke pirë çaj rusi dhe birra. Simpoziumet, seminaret dhe konferencat për nga koha dhe rezultatet u përngjajnë atyre plenumeve të kohës së xhaxhit apo shokut marshall. Pasuesit e tyre u dërrmuan duke përkthyer shtrembërisht citate të intelektualëve të huaj e duke i përdorur ato kryekëput për të dëshmuar «mundin e madh në studim e sipër», angazhim që është i barabartë me atë thënien e ëmbëltorëve të Pollogut drejtuar «hyzmeqarëve» të vetë: «kur nauk kije punë më, lauje derën me puçën». E ç’duhet bërë kur mungojnë mend?

Në mungesë të lidhjeve, shoqatave apo asociacioneve serioze të shkrimtarëve, artistëve etj. janë ngitur në «çdo katund» klube «shkrimtarësh e letrarësh» që më së miri do të kryenin punën e regjistruesve të popullatës apo atë numëruesve të gjëve të gjalla se sa të na plasin sytë me prodhimet e tyre «letrare». Shkrimtarët, shkenctarët dhe artistët që zotërojnë mundësi intelektuale për të lëvizur konstruktivisht diçka në drejtim të përparimit kulturor janë katapultuar në rob të luftës për ekzistencë materiale dhe mbahen të bllokuar qosheve nga bërrylat e pseudove, të cilët bëjnë dasëm në sajë të modës dhe strategjisë së automarketingut që kanë zbuluar nga shou-estrada dhe «kultura» perëndimore.

Sa më shumë cullakëri dhe vallëzim proerotik aq më shumë popullaritet – është deviza e mediave shqiptare në fushë të muzikës. E se këngëtaret e kanë zërin e njejtë me piskamat e atyre shtrigave të kohës së inkuizicionit: s’ka gjë! Moda e do kështu. As subvencionet e misnitrive per këso punësh nuk mungojnë. Ato mungojnë për projekte serioze shkencore e diçka tjetër në këtë drejtim.
Striptizkulturë, striptizmuzikë! Art brekësh të palara, ekspozita krevatësh të pshurrosur dhe kornizash me kombinime të atilla që as ngjyrat nuk ia njohin vetes fytyrën. Hë, art abstrakt he budallenj – i dëgjojmë zërat e «avantgardës shqiptare». Nëse çdo paformësi, çdo barkqitje teknike dhe derdhje pa kontroll të ngjyrave mund të kualifikohet si e tillë, pse jo? Pastaj punë shijesh do të na thonë. Përsëri pse jo: «Çdokush sipas shijes së vet, tha gruaja, përderisa puthte lopën» (François Rebelais)!

Në krizë është kultura shqiptare, diagnozë tjetër fatkeqësisht nuk ka. Dhe për ta përmbyllur këtë «vaj», do ta përdori një thënie të Halil Matoshit (korrespondencë private), thënie e cila, gjithë këtë gjendje që përshkruaj këtu e sjell dhe përdefinon me një fjali: «…jo këtu nuk ka gjallëri, ka vetëm luftë llojesh për ekzistencë. Darvinizëm cullak»!

Related

Letrat e First Husband-it 

Prindon Sadriu nuk e ka me tjerët. Ai vuan....

Homofilët, homofobët dhe deviatorët

Homofilët diskriminohen. Lufta e tyre është e arsyeshme dhe do ketë...

Forca enigmatike e një kulture

Është komplet e kuptueshme që njerëzit lodhen duke luftuar...

Kanti dhe imperativi i zvarranikut

Ti mund të jesh, arsyeja, vullneti i lirë dhe...

Metafora e «derrit të lumtur»

(Kushtuar derrave të lumtur të kulturosferës shqiptare: pushteteve politike,...