Përveç atyre që besojnë se sa më radikalë të bëhen aq më e dukshme do t’iu bëhet silueta publike, askush vërtet nuk beson në idenë e vjetruar të rilindëseve shqiptarë. Kundër tezës së krijimit të së ashtuquajturës «Shqipëri etnike» flasin një mori faktesh. Shumica e tyre nuk kanë të bëjnë më faktorin ekstern, siç pandehin shumica e analistëve, por janë argumente interne. Pse shqiptarët kanë hequr qëmoti dorë nga teza e lartpërmendur. Disa teza dhe antiteza.
Në Tiranë e Prishtinë (kujt i kujtohen polemikat e Halil Matoshit me etnonacionalistët) disa herë u nis një debat publik rreth çështjes se sa aktuale është kërkesa e disa qarqeve e individëve shqiptarë për krijimin e Shqipërisë Etnike, pra asaj Shqipërie që sipas diskursit në fjalë, do të përbënte një shtet në të cilin do të jetonin të gjithë shqiptarët e Evropës Juglindore. Debati u përmbys, nga njëra anë për shkak të sjelljes joserioze publike nga ana e ithtarëve të idesë megashqiptare e nga ana tjetër se në të nuk u kyçën edhe intelektualë tjerë të kthjellët, kështu duke lënë Halil Matoshin të vetëm.
Kohëve të fundit sërish është shtuar tendenca e brohoritjes së zëshme të parullës së vjetër. Sidomos Lëvizja «Vetëvendosja» e Albin Kurtit ndihmon duke zgjuar lugetërit e vjetër të ideologjisë etnonacionaliste. Dhe jo vetëm ajo. Organizata minore politike dhe individë me autoritet në katunde të ndryshme të Maqedonisë Perëndimore përpiqen që idenë e «Shqipërisë etnike» ta manifestojnë si bosht të programit të tyre politik. Në realitet kemi të bëjmë me një rikonstruktim, që vetëm mantelin e ka të modës e që në substancë është e njëjta gafë e vjetër politike. Pse gafë? Sepse ideja nuk është më komode as si mjet për zbavitje retorike. Megjithatë ia vlen ta dekonstruktojmë idenë dhe të shohim se cili është synimi i agjituesve të sajë.
ANTITEZA E PARË: VULLNETI POLITIK
Para do ditësh presidenti shqiptar në një intervistë për të përditshmen «Tagesanzeiger» të Zürich-ut , pyetjes së Enver Robellit rreth bashkimit kombëtar iu përgjigj me një «jo» kategorike, duke nënvizuar se me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur, kufijtë në Ballkan janë vizatuar përfundimisht. Deri sot ende nuk më ka rënë – përveç atyre monologëve publicistikë dhe vetëm në kohëra opozite të Arbër Xhaferit -që ndonjë përfaqësues legjitim shqiptarë, qoftë në Kosovë, Maqedoni apo Shqipëri të ketë sinjalizuar opsionin për ta modernizuar programin njëfletësh (dekalogun) të ballistëve në një program adekuat për shqiptarin e shekullit njëzet e një.
As organizatat si «Vetëvendosja», as ato celulat megashqiptareske në katundet e Pollogut dhe as individët që gëzojnë një autoritet publik e që i rrahin telit të etnocentrizmit, përveç se në ndonjë periferi të trurit të guruve të tyre nuk kanë asgjë konkrete se si do të na dukej një aksion i tillë. Aksioni gjithëshqiptar për realizimin e ideologjisë, e cila që nga koha e rilindësve nuk ka mundur t’i kalojë kufijtë e një letre të madhësisë A4.
Njëra nga parullat më interesante dhe gati qesharake që del nga goja e këtyre prepotentëve politikë, kur pyeten se ku e kanë bazën e një kërkese të tillë, është: «Populli e donë bashkimin». Cili popull? Si shprehet një popull?
ANTITEZA E DYTË: ASPEKTI PSIKOLOGJIK I MASAVE
Leksioni i parë i demokracisë dhe pluralizmit: Populli përfaqësohet nëpërmjet subjekteve të tij politike, të cilat i zgjedh me shumicë. Tash parashtrohet pyetja: pse ai populli komplet i etnonacionalistëve nuk i zgjedh ata gurutë, politikanët- parti e shtet vetë dhe organizatat që mezi marrin frymë nga vuajtjet e mëdha që ua shkakton jeta e shqiptarëve nëpër «vilajete» të ndryshme, por zgjedh Sali Berishën ose Edi Ramën, Ali Ahmetin ose Arbër Xhaferin me hijen e tij, Hashim Thaçin ose njërin nga ata konkurrentët brenda LDK-së. Asnjëra nga këto forca politike e njerëz (së paku kur marrin pjesë në pushtet) nuk e shohin idenë e «Shqipërisë etnike» as si element interesant elektoral apo madje as si vetëzbavitje retorike. Përveç kësaj, çdonjëri prej nesh ka kontakte me kapuçbardhë si vetë, andej e përtej kufijve. I është dashur dikujt prej nesh t’i pijë do litra raki për ta dehur dhimbjen e shkaktuar nga vaji i vëllezërve tironas, tetovarë a gjakovarë , të cilët veçse nuk plasin duke pritur momentin më të lumtur të ekzistencës së tyre? Nuk na merr mendja.
ANTITEZA E TRETË: REPETICIONE MBI POLITIKËN NDËRKOMBËTARE
Ndoshta shqiptarët duhet t’ia bëjnë si të parët e tyre para rilindësve dhe t’i kthehen oralitetit. Mendoj ta mësojnë historinë e tyre më të re (1989 – 2009) përmendsh. Nëse jo për diçka tjetër, atëherë si medikament imunizimi ndaj ideologëve që ende nuk kanë mbërritur në epokën digjitale. NATO dhe SHBA – përkundër stërqitjeve të disa qeverive evropiane, Kinës, Rusisë e ca sateliteve tjera brenda globit – e sollën Kosovën këtu dhe kështu si gjendet – pa mohuar në këtë kontekst kontributin e shqiptarëve në këtë plan. Këto organizma e vende as që duan të dëgjojnë për ringjalljen e strategjive e programeve të bazuara në gjene etnike e zinxhirë biologjikë ushqimi politik. Bashkësia Ndërkombëtare (cilado instancë) dhe vendet e evroperëndimit nuk e preferojnë ndryshimin e kufijve, dekonstruktimin e shteteve ekzistuese apo rikonstruktimin e shteteve të reja. E gjitha bota si duket nuk e donë «Shqipërinë etnike».
REKAPITULLIM
Qytetarët e katundarët shqiptarë nuk paskan kohë të vuajnë e dehen për një idê koti. Bota jashtë gardhit të nahijeve shqiptare as që donë të dëgjojë për aksionet e unitaristëve minorë që vërdallen skutave të Ballkanit e xhunglave të Koréve. Partitë më të mëdha e më të vogla e dinë që një ide e tillë nuk ndez dhe ka për bazë një ideologji që bie ndesh me të gjitha idealet republikane, kantiane e me të gjitha konventat e mundshme që përpiqen t’ia heqin racës njerëzore syzet e biologjizmave.
Përkundër respektit ndaj Albin Kurtit dhe «Vetëvendosjes», duhet të themi se ajo nuk del e sinqertë siç kemi menduar deri tani. Nuk i dinë gjithë këto Albin Kurti dhe Lëvizja e tij? Nëse i dinë e megjithatë i bie tupanit të idesë etnobiologjike, atëherë tallet me miletin. Bën gafë.