Djegia e së vërtetës
Një turmë e madhe njerëzish, e aktivizuar nga këshilli i kishës së Romës bërtitnin rrugëve të qytetit si të tërbuar; «Vdekje, Vdekje!». Dhe përderisa Xhordano Brunoja luftonte me litarët që ia zinin frymën, njerëzit e kishës hapnin gjoksin për fuqinë e tyre të gjithpushtetshme mbi vetëdijen e masës që valëzohej duke i thirrur vdekjes. Funksionari i kishës që duhej të jepte urdhërin për djegien e tij luste Kryepriftin që mos realizojnë aktin e zakonshëm për ta pyetur të dënuarin për dëshirën e fundit, pasi atëherë ndoshta, ndoshta do të kishin probleme me popullin. «Ç`vlerë ka një fjalë e tij para ligjeve tona morale». Kryeprifti ishte më se i lidhur për injorancës së pashpirtë inkuizicionare të tij. Brunoja, tërë kohën shikonte në sy pushtetin, e jo masën. Dhe kjo nevrikoste Kryepriftin. «Nuk të dënojë unë por populli, për shkelje morale, për kundërshtim ndaj Zotit, prandaj s`keni pse më shikoni vetëm mua».
Pas një heshtje të gjatë, Brunoja përgjigjet: » E vërteta kryeprift të shikon në sy e jo unë. Sytë e tu nuk lotojnë nga fuqia e dobët, paravdekëse e syve të mi, por nga rrezet e ashpra të së vërtetës, që me fajin tënd, dhe pushtetit tuaj plot dogmë dhe moral të rrejshëm, digjni një epokë, digjni ardhmërinë e këtij populli të vuajtur, tmerroni kulturën e tij, dhe përmbysni kranarinë që e sollën bijtë e mëdhenj të këtij vendi si: Dantja, Bokaxhiu, Petrarka etj». Një heshtje e frikshme mbuloi Romën. Kryeprifti nuk priti shërbetorin e vet që të urdhërojë. «Digjeni të vërtetën…»! U dogj. Inkuizicioni dhe Kryepriftërinjtë jetojnë, bile edhe deri sot, kur unë jam duke shkruar këtë përshtatje. Gjithmonë, në çdo shekull ka njerëz që ngjiten shkallëve të ndonjë pushteti (kushdoqoftë ai) dhe krijojnë «superioritetin» duke marrë automatikisht të drejtën për të akuzuar «inferiorët», heretikët, që nuk dëshirojnë të rijnë të mbyllur në kafazin e tyre «moral». Duke i dënuar të padëgjueshmit. Ata që nuk i përkasin disiplinës së tyre puritane (apo spartane) e nuk i bashkohen zbatimit për të djegur me hekur të skuqur çdo instikt që çon në kënaqësi shpirtërore, ata vazhdojnë kultivimin e hipokrizisë si të vetmën frymë që u jep jetë të mëtutjeshme mbi gërmadhat e krimit kundra Kulturave të popujve. Kurse e vërteta mbetet gjitmonë o e burgosur nga pushtetarët, o duke ikur për të gjetur vend në ndonjë epokë tjetër të ardhshme.
Dëbimi nga Atdheu…
Në të kthyer nga eskursioni i tij i zakonshëm Herman Hesse, pasi gajtë luftës kishin ndryshuar shumë formalitete zyrtare shkon në zyrat e shtetit për të siguruar një legjitimacion. As që i interesonin njerzit që përreth hiqeshin zvarrë nga pasojat e luftës. Ai urrente luftën, dhe gjithmonë kur gjermanisë i vijnte erë baruti ai ikte nga bota, shkonte në ndonjë oazë të huaj mendimesh. Dhe aty, njëherë bëhej ushtarë për të mbrojtur kulturën Mykenike, e njëherë Agamemnon që ndëshkon Helenën për tradhëtinë e kurorës. Shëtitej, pa mos u ndeshur fare me ligjet kohore. Ndërkaq tani, kur përballë i qëndronte një ushtarak, që i kërkonte një letërnjoftim, çertifikatë apo çdo gjë që mund të dëshmonte identitetin e tij qëndronte si i humbur. «Unë jam Herman Hesseja, shkrimtar, kam shkruajtur dhjetra libra, e ty më thua se s`më takon legjitimacioni..». Oficeri, nuk kishte kurgjë kundra Hesses, por përfaqësonte kodin e rreptë ushtarak që nuk bënte lëshime për askend. «Atëherë më jepni një legjitimacion të vdekurish. Sikur të kem humbur jetën në luftë.. Ju lutem, mos më leni pa kurgjë… si do ta dëshmojë identitetin tim..». «Zotëri Hesse, me të vërtetë nuk mund të Ju ndihmojë në asnjë mënyre! Për të Ju dhënë një legjitimacion të vdekurish , duhet para të dëshmoni se keni jetuar..». U çmend Hesseja nga fjalët e fundit. Iu bë vetja as i vdekur e as i gjallë. Gjermania nuk e pranonte ate si qytetar, sepse në çastet më të rrezikshme ai kishte ikur prej saj. Atdheu i tij, në gjuhën e të cilit ushqehej dhe krijonte, e nxori nga regjistri i vet.
Dhe ne Shqipëtarët…?
Kjo ngjarje e Hesses më qëndron gjitmonë para syve kur stërlexoi «Lavdërimet e Atdheut» nga Lukiani. Më rrëqeth një dëbim kaq i pamëshirshëm i Atdheut ndaj qytetarit të vet. Në qetësinë më të madhe pyes veten: Kur një Hesse të madh e gjenial e nxjerrë atdheu i vet jashtë, çka do të ndodhë me ne të vegjëlit kur do të dalim përpara Atdheut tonë të përdhunuar ? Perëndi na beko! A thua vallë as vend për varr nuk na jep? Apo do ta mashtrojmë përsëri me ndonjë të qeshur çasti, si zakonisht nëpër Histori, që bile edhe të qeverisim pakëz para vdekjes.! Përndryshe se ç› na duhet ai atdhe (1994)