Kritika letrare në printmedia

Autorët ankohen se nuk ekziston kritika letrare nëpër mediumet e printuara. Nuk ka kritikë të mirëfilltë që trajton veprat e reja letrare. Sa është e vërtetë kjo? Ku qëndron defekti që pengon prezencën e rubrikave të konsoliduara e të rregullta për librin e sapobotuar?

Është e vërtetë se mungojnë rubrikat e rregullta, emrat e rregullt që do të përfolnin librat në mënyrë objektive dhe duke iu përmbajtur kondicioneve profesionale të printmediave, pra jo duke shkruar elozhe, poezi mbi poezinë apo prozë për prozën, por kritikë informative, artikuj edhepse me një gjërësi e natyrë gjuhësore ndryshe nga shkrimet publicistike, por megjithatë  të ngritura në bazë të atyre pesë a gjashtë W-ve të famshme gazetareske. Nëse iu bëjmë një analizë shkrimeve «kritike» që janë botuar nëpër rubrikat apo shtojcat e kulturës nëpër media, atëherë me keqardhje duhet të pranojmë se faji kyresor prapëseprapë nuk është i përgjegjësve të këtyre mediumeve por vërtet stagnuese shfaqet paaftësia e autorëve që përpiqen të merren me kritikë letrare e s’dijnë t’iu përshtaten rregullave profesionale të gazetarisë. Sidomos gazetat e përditshme (ato që kanë për synim profesionalitetin sipas standardeve) janë të detyruara të tregohen refuzuese ndaj idesë për krijimin e një rubrike të rregullt ku do të përfolej libri. (Dhe atë jo kushtimisht të flitet vetëm për atë libër që «ia vlen të dal në gazetë», por për të gjitha ato vepra që plotësojnë standardet e të qenurit vepër letrare) Mbasandej vënia në peshore e kualitetit të tyre është një problem krejtësisht tjetër.

Nga ana tjetër askush nuk beson se këto media nuk mund të sigurojnë për redaksitë e tyre nga dy a  tre kritikë letrarë që në mënyrë të rregullt do ta ndjeknin (ama edhe do ta lexonin) librin e do ta diskutonin atë publikisht. Le ta marrin shembullin e atyre mediave të huaja: nuk e kziston asnjë gazetë as e përditshme as periodike në perëndim pa kritikun e vetë të rregullt letrar, pa rubrikën e vetë të rregullt për librin.

Si trajtohet sot vepra letrare? Lavdërimi i tepruar ose sharrja deri në asht,  janë dy kriteret themelore në të cilat bazohen përfolësit e vlerave letrare nëpër mediat shqiptare. Le të jetë ky hiperbanalitet për shkak të mungesës së institucionit të kritikës së letërsisë shqipe, mirëpo ku ka ngecur ajo përpjekja e letrarëve dhe estetëve shqiptarë për të përmirësuar ose për të problematizuar këto çeshtje nëpër masmediat shqipe. Heshtja e tyre absolute mban përgjegjësinë për kultivimin e mëtejmë të fenomeneve të këtilla akulturore.

Shpesh, nëpër faqet e gazetave shqipe sheh ndonjë tekst të mbititulluar si «recension». Lexuesi i privuar nga e drejta e ndërhyrjes, i cili luan vetëm rolin e konsumatorit të fjalës publike, është i detyruar të pranojë atë  si të tillë. Me një mbititull të tillë paralajmërohet publikimi i ndonjë vepre të re. Autorët e teksteve të tilla, harojnë përgjegjësinë që kanë ndaj lexuesit dhe japin konstatime nga më të çuditshmet pa qenë koshient për të arsyetuar mendimin e vetë. Ata thjeshtë shkruajnë; „ky është më i miri“ ose „ai është më i keqi“ pa ndier nevojën për të treguar konkretisht shkakun!

Në fund të një shkrimi, poashtu të mbititulluar si «recension», lexojmë konstatimin; «X është poeti më i mirë i (filan) gjeneratës së shkrimtarëve shqiptarë». Autori i atij shkrimi pompoz që nga shkronja e pare e tekstit e deri në fund shihej se është një injorant i kategorisë së asaj sorte që me shumicë i gjen nëpër mediat shqipe.

Për të demostruar sa më ashpër «dashurinë» ndaj poezisë së lirikut në përfolje e sipër, autori kishte rishkruar (besojmë me dorë të vetë) vargjet dhe i kishte futur ndërmjet fjalëve të veta, kështu që më në fund, pas një llogaritjeje të thjeshtë dilte se ai nuk kishte thënë më shumë se sa nja dhjetë fjali të fshehura ndër citatet që përmbushnin pothuaj gati një faqe gazete të formatit klasik. Ato dhjetë fjali, që të gjitha, rrotulloheshin rreth të njejtës gjë; «X. është poeti më i mirë, gjenial, kolosal…».

Nëpër sallone apo në kafene edhe po të kërkoi dikush llogari për ndonjë konstatim të përshpejtuar, mund të refuzosh që të pijsh më tej me të në tavolinë dhe të çohesh e të ikësh, ndërsa fjala e thënë publike të nënshtron përpara një obligimi, përgjegjësie më të madhe, për arsye se çdo konstatim duhet të jetë i argumentuar, i «dokumentuar», përndryshe ai mund të konsiderohet si një shpifje publike. Keqpërdorim i lexuesit dhe mediumit ku plason mendimet. Autori i konstatimit të lartëshënuar pa fije turpi donte t`i imponojë lexuesit të sinqertë mendimin e tij, pa ndiej nevojë që t`i sqarojë lexuesit; përse poeti X është më i miri! Për ne që kemi mundësinë të sigurojmë librat mund të shohim se autori i «recensionit» ose është gjetur ngushtë gjatë hulumtimit për të gjetur ndonjë vlerë, të cilën do ta bënte si shtyllë në tekstin e tij ose nuk e ka lexuar fare librin dhe gjithë frymëzimi i tij fillonte dhe mbaronte në kopertinat e librit në fjalë. Kjo e dyta është më e sigurtë, sepse librat, për të cilat flasin «kritikët» e tillë jorrallë përmbajnë vlera që mund të përfliten, mirëpo me parakushtin që ata, pra «kritikët» së pari duhet të mbledhin nervat tok e t’i lexojnë si duhet e mos flasin përmendsh. 

Po të ishte vetëm një pretendent i tillë publik, ndoshta as nuk do ta regjistronim fare në kronikën e keqpërdorimeve, mirëpo soji i pseudokomentatorëve të tillë, është prezent me gjithë makinacionet e mundshme të akulturimit. Ndonjë vëzhgues i aftë i proceseve letrare do të thoshte se gjithë kjo tragjedi ka ardhur nga mungesa e «institucionit» të kritikës si dhe vazhdimit të sistemit të trashëguar socrealist. Mirëpo e vërteta qëndron edhe diku tjetër. Një segment të dukshëm përbën edhe tipi i mentalitetit anadollak i disa shkruesve shqiptarë, të cilët në vend që të punësohen si ofiqarë në administratën e shteteve ku jetojnë, aq sa e kanë edhe aftësinë, atyre nuk u vjen fare turp për t`u marrë me kritikë të letërsisë, duke shkruar «recensione» që s’janë gjë tjetër se sa përdhunim i pashembullt i fjalorëve terminilogjikë e mitologjikë, pra aventurierë të tipit siç është shembulli më lartë.
Denoncimin e paaftësisë e bëjnë vetë, sepse, në çdo tekst të ri harojnë se në të kaluarin kanë shpallur më të mirin dhe kështu summa summarum u dalin të gjithë poetët me vlera të njejta.

Ka njerëz që sakrifikojnë shumë gjëra për të bërë emrin publik. Dhe për këtë gjë shërbejnë mediumet. Natyrisht, për të qenë mediumet më kualitative, ato duhet të sigurojnë kuadro të përgatitura mirë profesionalisht. Mjafton të hapish faqet e çdo gazete shqiptare, sidomos atë të kulturës, për të konstatuar se sa e plotësojnë ato këtë kriter – në kontekst me veprën letrare! Mëkati më i madh qëndron edhe në faktin se as përpjekja e përmirësimit nuk duket në horizont. Kultura shqiptare, sipas mediave që kemi në duar, përdoret vetëm si mjet elozhi, vetkënaqësie dhe onanie personash ambicioz që kanë fatin të jenë afër mediumeve, kështu duke zmadhuar fatkeqësine e kulturës e në veçanti atë të letërsisë shqiptare. Për këtë një përgjegjësi të pamohueshme mbajnë shkrimtarët, studiuesit dhe estetët e njohur shqiptarë, të cilët heshtin si në varr, duke u lënë vend lloj-lloj injorantëve për të bërë publik debilitetin e vetë në dëm të letërsisë!

Related

Bobitë, Kadare dhe prometheu

Nuk mund të jesh kundër këngës. As kundër Bob...

Shkrimtari si asocial

Roli i shkrimtarit «si instancë» pas rënies së komunizmit...

Shkrimtar interneti?

«Shkrimtar interneti», «shkrimtar letre», ç'janë këto etiketa? Sipas logjikës...

Cyberpoetika

Në World Wide Web tashmë bëjnë jetë krijimet e...

Pledoaje për kritikën letrare

«Nëse deri tani nuk u ka rënë vetë ndërmend...