Roli i shkrimtarit «si instancë» pas rënies së komunizmit shqiptar, në fillim të këtij procesi është konfuz, pa përcaktim, pa adresë dhe pa funksion relevant shoqëror. Madje, nga shpërthimi i divizionit të akulturimit (= rënia e «industrisë» kulturore shqiptare në duart e lekut.
1. Historia
Ligjvënësit e popujve (Empedokleu) ose mësuesit e njerëzimit (Hiperion), kështu i quante Hölderlini shkrimtarët, poetët. Hölderlini kishte të drejtë, sepse historikisht përhapja dhe transmetimi i dijeve dhe arteve është meritë e atyre që shkruanin dhe bënin publike mendimet dhe përvojat e tyre. Përveç kësaj, janë pikërisht ato elita autorësh që në çdo epokë e deri në postmodernë u kanë prirë lëvizjeve dhe ndryshimeve shoqërore.
Megjithë anatemimet, shpifjet dhe ndjekjet që pushtetet në fuqi (të cilat kanë qenë të interesuara në ekzistencën e vetëm të një të vërtete) u kanë bërë autorëve, ata kanë gëzuar një statut të veçantë social, sidomos një respekt modest te masat, qoftë si ushqyes shpirtëror e qoftë si sinonim i luftës për më shumë liri njerëzore e qytetare.
Kjo është njëra anë e medaljes.
Ana tjetër është ajo se edhe pushtetet, ideologjitë e caktuara, tiranitë, diktaturat dhe monarkitë kanë përfituar ose madje edhe kanë ndërtuar e organizuar strategjitë e tyre të manipulimit dhe indoktrinimit nëpërmjet shkrimtarëve e intelektualëve që kanë pasur në dispozicion. Rasti i shkrimtarëve shqiptarëve në këtë histori është paksa më dramatik dhe turbulent se sa ai i të tjerëve.
Pa ikur tepër larg nëpër etapa historike, mjafton të ndalemi në epokën e romantizmit e pastaj atë të komunizmit shqiptarë, sa për të ilustruar konstatimet dhe për të bërë krahasimet e nevojshme.
a) Në epokën e Romantizmit, ose në prag të kombëtarizimit dhe alfabetizimit të shqiptarëve, ishin shkrimtarët, poetët at që i prinin këtij procesi, pa përfillur ideologjitë, doktrinat mbi të cilat ata ishin formësuar intelektualisht ose pa i marrë parasysh interesat e shoqërive, pushteteve, të cilave u shërbenin si qytetarë e shtetas. Që nga alfabeti e deri te formulimi i synimeve më të larta politike të konstituimit si shtet, gjithë promotorët ishin edhe shkrimtarë (mund të ketë ndonjë përjashtim).
Mirëpo edhe në këtë epokë nuk kanë munguar ata shkrimtarë që kanë marrë anën e sunduesit dhe janë përpjekur që masat të mbesin edhe mëtej të hipnotizuara e mos të kuptojnë rolin e lirisë dhe mëvetësisë.
b) Në komunizëm nuk ishte ndryshe. Edhe në këtë fazë historike, në të cilën mbizotëronte tendenca e sistemit për të shlyer gjithçka origjinale, specifike e nacionale nga truri dhe mbamendja e njeriut në favor të një doktrine të vetme, të asaj marksiste-leniniste, ishin shkrimtarët ata që nëpërmjet formave të ndryshme letrare, nëpërmjet simboleve të veçanta e të maskuara përpiqeshin ta shpëtojnë shpirtin human nga robotizimi total në interes të klasës sunduese. Edhe disidenca letrare – lufta e hapur e autorëve kundër sistemit – nuk mungonte. Për këtë dëshmon lista e autorëve të burgosur, të vrarë, të internuar ose të mërguar gjatë asaj periudhe.
Përderisa në romantizëm, shkrimtarët që parapëlqenin qëndrimin në gjendjen e «status quo»-se ishin në numër fare minimal, në komunizëm letrarët oborrtarë përbënin pjesën më të madhe «të racës intelektuale». Ata autorë që masovikisht ishin vënë në anën e sistemit, diktatorit dhe ideologjisë. Ca për arsye të karakterit të tyre servilesk, disa për shkaqe të karrierës e një numër i madh i tyre për shkak se besonin në «kualitetin» human të doktrinës së shtetit. Në këtë kontekst shkrimtarët, respektivisht veprat e tyre shërbenin njëkohësisht si «letërsi popullore» dhe material propagandistik shtetëror për të mbajtur masat në frymëzimin e paracaktuar. Veprat kualitative letrare që demonstronin të kundërtën ishin fare të pakta – ndoshta edhe për shkak të spastrimit të rebelëve, burgosjeve, internimeve – madje edhe jashtë murrit ku sundonte ideologjia.
Në romantizëm autori, shkrimtari kishte autoritetin e mësuesit të masave, konsiderohej se anon gjithmonë ka të shtypurit dhe i bën ballë pushtetit duke kërkuar prej tij vazhdimisht e sa më shumë liri për masat. Në komunizëm ndryshon situata dhe atë në disfavor të autoritetit të imazhit të autorit. Kjo rënie autoriteti, edhe pse do të vërehet definitivisht pas rënies së sistemeve, apo gjatë transicionit, zanafillën e vetëdemolimit e ka qysh në ditët e para të hyrjes në shërbim të ideologjisë. Shkrimtarët në mënyrë kolektive do t’iu thurin epopé diktatorëve dhe doktrinës, e cila ishte kundër lirive të asaj shtrese, të cilën intelektualët tradicionalisht e si të vetmit e kishin mbrojtur.
Shkrimtari në komunizëm e humb atë vlerën e fituar historikisht si instancë etike. Ai më nuk do të ketë peshë më të madhe se sa ajo e një funksionari të lartë të regjimit. Gjithçka që shfaqej e ekspozohej si ndryshe – pra gjoja se shkrimtarët edhe mëtej mbeten elita intelektuale autonome brenda shoqërisë – nuk ishte gjë tjetër veçse maskenbal, onani, vetëfryerje dhe tallje e pushtetit me «ajkën» servile e të degraduar në batalion për agjitim, manipulim dhe indoktrinim të masave.
2. Autori në fazën e transicionit
Roli i shkrimtarit «si instancë» pas rënies së komunizmit shqiptar, në fillim të këtij procesi është konfuz, pa përcaktim, pa adresë dhe pa funksion relevant shoqëror. Madje, nga shpërthimi i divizionit të akulturimit (= rënia e «industrisë» kulturore shqiptare në duart e lekut. Botimet masive për pare, marketingu i «emërmëdhenjve» në favor të protokollarëve të banalitetit të përditshëm; aktivizimi i lloj-lloj kopuku që në emër të kulturës, letërsisë e artit të jap drejtime, të shes moral, të botojë «vepra»…) shkrimtari banalizohet deri në nivelin e atyre ofiqarëve të kohës së Jugosllavisë që shkruanin emrat e fëmijëve ose nga e prapa ose gabimisht. Me prononcimin publik të çdo lloj «emisari artistik» fama e shkrimtarit ra në atë nivel si kurrë më parë: në bodrumet e injorancës! Reagimi i masave ishte ai që mund të rezultojë nga rrethana të atilla; injorim dhe nënçmim të individëve që kërkonin një status shoqëror si shkrimtar.
Fatalja në këtë histori qëndron edhe tek fakti se shumica e shkrimtarëve që gëzonin një lloj autoriteti në vend të distancimit nga proceset e përmendura më lartë bënin luftë që të integrohen në to…. (9 korrik 2007 )