Anathema

(Kushtuar artistëve të vërtetë shqiptarë që klasa e «priftërinjve inkuzicionarë» i anatemoi, burgosi, mohoi dhe dogji në turmat e drunjve të injorancës. Kushtuar gjithashtu shpirtërave lugetër të anatemistëve me qëllim që ata të përmirësohen e të heqin dorë nga thithja vampireske e gjakut më të pastër nga fyti i shpresës së zhvillimit kulturor shqiptar)

Anatema është fjalë e vjetër greko-latine, që do të thotë; mallkim! Rajonet, të cilat kanë qenë nën sundimin e kishës ortodokse janë quajtur; Thema. Nga kjo rrjedh edhe Anathema.

Çdo person, i cili ka kundërshtuar parimet ideologjike të kishës është anatemuar = mallkuar, mohuar, izoluar ose është djegur në vende publike. Lista e emrave të mëdhenj që e kanë pësuar një mallkim të tillë është aq e gjatë, saqë ende vazhdon të mbetet një plagë që pikon qelb edhe në trurin e sotëm të ndërgjegjes njerzore. Një plagë që vazhdimisht ushqehet nga anatemistët e ditëve tona. Nga ata që identifikojnë veten si qenie të inkrearnuara të priftërinjëve të kishës së Romës së vitit 1600 që dogjën Brunon në turmë të drunjve ose si inkrearnim i atyre priftërinjve të inkuzicionit që vranë Jeane d`Arc si shtrigë. Të tillët e çmendën edhe Niçen, detyruan në vetvrasje Eseninin dhe demoluan shpirtërisht artistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve. Kisha dhe inkuizicioni dikur humbën pushtetin dhe djegia publike u shpall «mbeturinë e epokave të primitivizmit». Mirëpo, fatkeqësia nuk mbaroi me kaq. Ajo u rilind në sistemet pasuese të rregullimeve të reja shoqërore, përkundër përdorimit të metodave që dallojnë nga ata të shekujve të mëhershëm, pasojat janë të njejta, në raste të veçanta bile edhe më të rënda. Që ky konstatim mos të mbetet i pajustifikuar ja disa shembuj aktual; komunistët si dje edhe sot (tashmë në mënyrë pak më të maskuar për shkak të humbjes së pushtetit) dënojnë e eliminojnë të gjithë ato artistë, të cilët përbuzin idealet dhe idolet e tyre «të shejnta»; të njejtën gjë e bëjnë edhe shtetet me rregullim shoqëror islam, mjafton të përmendim dy emra; Salman Ruzhdi dhe Taslima Nasrin. Që të dy të dënuar me vdekje për shkak se kanë shprehur mendimin e tyre të lirë në lidhje me fanatizimin e verbër të popujve të tyre. Siç shihet: Anatemistët nuk kanë vdekur!
E bëra gjithë këtë eksurzion nëpër gjenezën e fenomenit të quajtur «Anatemë» sa për të krijuar një parashpjegim të fragmenteve që do të shpalojë më poshtë, njëkohësisht të bëjë sa më të kapshëm karakterin perverz të anatemistit si dhe të përshkruaj sa më qartë pozitën tragjike të viktimës.

BRIGADA E VIKTIMAVE
Një djal i ri, nga një fshat i panjohur i hapësirës shqiptare, merr dorrëshkrimet e tij dhe niset drejt kryeqytetit. Ai është i bindur se poezitë që ka shkruar meritojnë botimin nga ana e Shtëpive Botuese të shtetit, sepse aty nuk ka asnjë fjalë apo varg që do ta fuste në telashe me sistemin ekzistues politik. Dhe kështu ai ballafaqohet sy më sy me një shkrimtar famoz, të cilin ai edhe e ka pasur njëfarë idoli. I gëzuar që kolegu i tij më i vjetë pranon dorrëshkrimin me një buzëqeshje të lehtë u kthehet dhive në malet e fshatit. Shkrimtari i zyrtarizuar as që ka mundur të ketë diçka kundër – ka menduar shkronjësi i ri- për shkak se ai ka bërë poezi mbi dashurinë, malet, ndonjë edhe për dhitë, njeriun, ndjenjën, erën, ujin, e kështu me radhë. Shkrimtari që ka qenë edhe shef i redaksisë së botimeve, në një nga mbledhjet e tyre, jep mendimin se ato peozi nuk bëjnë fare, prandaj edhe duhet t`i kthehen autorit pa vërjetje plotësuese. Ai has në kundërshtim me antarët tjerë, të cilët mendojnë se poezia e fshatarit ka vlera. Në realitet poezia e tij jo se ka poseduar vlera mesatare, por ka qenë shumë e mirë se sa ato të shkrimtarit të parë të vendit. Shkrimtari numër një kur sheh se do të ketë telashe me kolegët e tij, ai përdor variantin tjetër; ulet në sofën e tij, në banesë, dhe fillon «deshifrimin ideor» të dhive, maleve, dashurisë etj.
Të nesërmen ende pa gdhirë mëngjezi, komesariati i rrethit arreston poetin e ri si armik të popullit dhe shtetit. Në shtëpinë botuese zëvednësit e «priftit letrar numër një» urrojnë largpamësinë e shkrimtarit që u ka shpëtuar atyre kokën. Poeti i ri mallkohet, izolohet, rraset në njërin nga burgjet famkeqe të Shqipërisë dhe fillon të vizatojë me gjak në murr vijat që numërojnë ditët e terrorit. Anatamisti shqiptar dallon nga ato të kishës së mesjetës; atij nuk i ka interesuar gjithaq përbuzja e kulteve të ideologjisë në të cilën ai ka besuar, por vlera e re, konkurenca!
Pas dyzet vjetëve, tani gjendemi, para brigadës së njerëzve flokëthinjur që kanë kaluar jetën nëpër burgje falë pervezitetit të anatemistëve, të cilët edhe më tej vazhdojnë të frymojë ndër ne lirshëm. Çdokush njeh nga një viktimë të tillë. Ç`na thuan, për shembull, këta emra; Bilall Xhaferi, Kasem Tërbeshina, Visar Zhiti, Bashkim Shehu…Kush nuk ishte me ta dhe kush përbente stafin e shkrimtarëve të previligjuar nga shteti ? Babai im, sigurisht se jo, ai është ëmbëltor!

KULTI SATANIK I EGOSITËVE
Viktimat e anatemistëve janë artistët, ata që nuk mund të pranojnë konditat e një morali që poshtëron dinjitetin e njeriut. Ata që nuk mund të durrojnë duke i shërbyer një klase injorantësh që me debilitetin dhe aftësinë e tyre shpirtërore kriminele janë në gjendje të luajnë rolin e kanibalit vetëm për të qenë rob të sjellshëm para diktaturës së sistemit politik ekzistues. Anatamisti është njëlloj monstri-automatik që reagon ndaj çdo vlere që prish qetësinë e kultit satanik që ai ka të rrënjosur në shpirt. Anatemisti do me çdo kusht të jetë i pari edhe pse i ndërgjegjëshëm me faktin e mospronësisë së vlerës dhe virtytit human. Viktima është martire për shkak se nuk i trembet vlerës që përfaqëson, përderisa anatemisti është kriminel për shkak se nuk druan të përdor edhe metodën më çnjerëzore për të asgjësuar gjahun- njeriun e dijshëm, intelektualin kryeneç që nuk di të ulë bishtin para asnjë perandori apo kulti. Artisti njeh vetëm një perandori; artin. Anatemisti për një gjë të tillë nuk ka sy e as aftësi. «As armikut më të madh nuk i kisha dëshiruar që të gjendet në rradhët e juaja»-u kishte thënë një filozof përfaqësuese të Themas para se të digjet në sheshin e Konstantinopolit.

Kush e ka fituar luftën në arenë? Anatemistët apo artistët e ndëshkuar. Vetë tragjedia e brigadës së artistëve të anatemuar ka bërë POEZINË SUPREME. Arti është i çuditshëm; edhe ata që e luftojnë atë i shfrytëzon për vete, vetëm çështja është; të hyshë në historinë e tij si artist apo si anatemist! (1994)

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...