Jopoetët qëndrojnë anash si spektatorë të një karnevali intrigash pa ngjyrë. Spektatorë të tillë më së shumti ka në Cyrih.
Një kronist i papunë kishte pasur kohë për të regjistruar tridhjetë autorë librash të ndryshëm mbi pajtimin e gjakrave të përdhosur. Dyzet njerëz që praktikojnë zanatin e shkrimit (jo patjetër artistik) jetojnë të divorcuar keqas dhe pa gjyq në një vend të bashkuar para shtatqind vjetësh. Brigada e naivëve që vëzhgon karnevalin prej së largu do të mendojë se deri tek shkapërderdhja e kapitujve të «librit të mërguar» ka ardhur për çështje të kontradiktave që ka kritika inekzistente në lidhje me përkufizimin definitiv të zhanreve letrare ose për shkak se ai libër, përkundër kërkimit këmbëngulës, nuk i gjen dot kopertinat e tij adekuate. Ndoshta duket e pabesueshme, por është e vërtetë se shkronjësit emigrantë që përdorin gjuhën shqipe si mjet komunikimi, janë përleshur e bërë copë, jo gjatë diskutimit për probleme intelektuale, por për probleme të pronësisë së karrigeve nëpër klub-çajtoret e qyteteve ku i kanë përcaktuar organet zvicerane të azilit. Për ata që nuk i besojnë këtij realiteti do të japim dy shembuj tipikë sa për t`ua mbushur mendjen:
Skena e parë
Para shtatë viteve. U habitën të gjithë kalimtarët e stacionit hekurudhor të Cyrihut (këtë mund zëvendësoni me ndonjë qendër tjetër ku janë të përqëndruar kapuçbardhët) me puthjet e zhurmshme që këmbenin dy kolegët që nuk ishin parë disa vjet. Sherrmëdhenjt që kalonin aty pranë dhe që më parë nuk kishin përjetuar skena të puthjeve agresive ballkanase, mendonin se ata dy janë homoseksualë. Vetëm ata që i njihnin mund të kuptonin karakterin e shkumës së tyre që iu ishte varrur për mjekre si qenve të racës së bokserëve (i keni parasyshë, ato me hundë të shtypur). Të përqafuar u ngjitën shkallëve të metropolit për të kërkuar adresën që i ardhuri e kishte harruar rrëzë një mali dy mijë kilometra më larg. Jorrallë i shihnim ata së bashku duke u konsultuar kokë më kokë për kapitujt që i bënin për «librin e mërguar». Shembull i një miqësie, vërtet poetike.
Pas shtatë viteve. Ideja kishte lindur në një gjelltore të lagjes së barakave që kishte ngritur Kompania Humanitare e Anonimëve. Aty ishte vendosur që shkronjësve t`u bëhet një shoqatë artistike, e cila do të ishte në përkujdesje dhe mbikqyrje të shtetit, të kompanisë dhe të vetë lapsaxhinjve. Dy kolegët, të njohur si puthës maratonik, për shkak të moshës më të madhe nga të tjerët si dhe për shkak intrigës që ua kishin përgatitur më të rinjtë u shpallën si kandidatë të mundshëm për presidentë të shoqatës që do të mbante emrin «Kolonia e Artsitëve Universal», ose shkurtimisht «KAU» (një shakaxhi menjëherë kishte interpretuar ndryshe këtë shkurtesë si: Kolonia e akrobatëve të urrejtjes»). Siç e ka zakoni i zgjedhjeve, njëri prej tyre u zgjodh e tjetri mbeti me gishtin në gojë. Ai që nuk u zgjodh u çua në këmbë dhe përveshi krahët duke uluritur: T`i je injorant…as që të njoh si kryetar…jap dorrëheqje nga antarësia. Kaq e pati edhe miqësia. Ata dy edhe kësaj dite nuk flasin ndër vete dhe ia mohojnë njëri tjetrit zanatin e procesverbalistit të kohës. «KAU» humbi brirët, lopa mbeti pa qumsht, dy miqët u shndrruan në armiq.
Nëse ende nuk jeni bindur ja edhe rasti i dytë.
Skena e dytë
Një djal i ri i Kolonisë së barakave i kishte ardhë në majë të hundës injorimi që ia bënin autorët me çertifikatë dhe kishte vendosur ta bëjë atë. Shkoi tek njëri që posedonte diplomën e përdhunimit të gjuhës, bile edhe me fotografi, dhe e luti që t`i ndihmonte. Ai, në kundërshtim me vullnetin e tij të madh për të mbetur i vetmi me diplomë, u tregua zemërgjërë dhe pranoi për t`i dhënë kurs falas poetit të ardhshëm. I riu kur kuptoi se do të marr diplomë e jo çertifikatë, kënga i dëgjohej përtej murreve të mëdha të kolonisë. Mirëpo, i vjetri premtimin e kishte pasur me sherr dhe ja ç`bëri; i shkruajti një letër të fshehtë presidentit të kolonisë dhe kërkoi nga ai që të përjashtojë djaloshin e ri. Arsyetimi i trilluar në letrën e tij ishte kështu: «Anëtari numër 30 i kolonisë vuan nga skizofrenia». Për shkak se skizofrenia në botën artistike njihet si sëmundje ngjitëse, djaloshi u lidh me një jelek për të çmendurit dhe u dërgua tek presidenti. Me një bisedë të shkurtër presidenti kuptoi se, pronari i diplomës kishte bërë komplot dhe liroi djaloshin duke arrestuar poetin, i cili vazhdon të mbetet duke vujatur masën me burg të përjetshëm shtëpiak.
PërfundimiTashmë besoj se keni boll fakte për të kuptuar shkakun e përçarjes të autorëve të «librit të mërguar». Sidomos arsyeja e mbetjes së tij pa kopertina mendoj të jetë shpejguar në këtë shënim. Në të dyja rastet, shihet se shkaku i përçarjes nuk janë dallimet konceptuale rreth problemeve të ndryshme që i kanë intelektualët dhe poetët e njëmendtë, por xhelozia, egoizmi, dëshira e ç`mendur për të qenë i vetëm, vogëlsia e shpirtit, intriga, megalomania dhe hapësirat absolutisht të shprazta të trurit, ku mund të parkohen vetëm thashethemet dhe inicijativat dashakeqe.
Përderisa të gjitha përpjekjet për të siguruar ndihmë në tokë dështuan e shkronjësit e kolonisë nuk kuptojnë se arti bëhet vetëm duke pasur shpirt të mirë dhe sy të drejtuar nga e urta, e bukura, pozitivja dhe e mira, atëherë nuk na mbetet tjetërgjë veçse;
Meshë: të gjithë së bashku!O Zot i bekuar që qëndron në fronin më të lartë të gjithësisë, ndihmoje koloninë, dërgoi asaj një erë të lehtë të mirëkuptimit. Lëshoje një shi rrebesh që të lajë shpirtërat e tërbuar e të bërë katran të misionarëve të shkrimit. Perëndi hollova me dalta të padukshme kokat e trasha tridhjetë budallenjve që s`flasin njëri me tjetrin, detyroi ata që t`i heqin syzat e mendjemadhësisë se na nxinë jetën me intriga, shpifje dhe prodhime shablonesh injorante. Na ndihmo o Zot që edhe ne të pijmë kafe pa u lodhur t`i dëgjomë sharrjet e tyre për njëri tjetrin. O mbret i gjithësisë, e dijmë që ke shumë punë, mirëpo nuk kërkojmë vëmendjen tënde më shumë se një sekondë, nëse nuk mund t`i drejtosh me fjalë, kape stupcin, nëse ata nuk binden, atëherë na shpëto prej tyre….Amin! Zürich, 1993