PSIKOGRAFI PRIMATËSH II – INTELEKTUALËT (4)/ Atë çka Hannah Arendt bëni në filozofi për demaskimin e sistemeve totalitare e bëri Ismail Kadare në letërsi.
INTERN – Kadare ia nisi me poezi. Fëmijërinë e kaloi në një atmosferë ndërmjet aristokracisë dhe skamjes, kohë kur s’dihej se me ç’ uniformë të huaj, e pushtuesi do përballesh në të gdhirë. U shkollua në Tiranë e Moskë. Pjesa dërrmuese e veprës së Kadaresë ka brum historik ose është kronikë e asaj që sapo shkoi. Deri në mesin e viteve të 70-ta, si në vepër ashtu edhe në socialitet, Kadare vallëzon sipas melodisë ideologjike pushtetore. Anatemon, dënon deklarativisht «liberalët dhe reaksionarët», integrohet në organizma dekorativo – demokratike të pushtetit. Disa nga romanet e tij dëshmojnë për një piedestalizim të qëllimshëm të kastës udhëheqëse të vendit. Dikur pushteti shqiptar «gaboi»: Kadare botoi jashtë romanin «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» i cili e katapultoi bibliotekave dhe kinemave të kryeqendrave të «imperializmit», duke e pozicionuar atë si shkrimtarin më të rëndësishëm përtej «perdes së hekurt». Paralelisht më këtë depërtim nis edhe «kryeneçësia» e shkrimtarit ndaj pushtetit. Shumica e kritikëve të jashtëm «thyerjen» e Kadaresë me sistemin e nënvizojnë me romanin «Kështjella», respektivisht me lindjen e personazheve Ugurlu Tursun, Mevla Celebia, Plaku Tavxha, sipas të cilëve autori nis që nëpërmjet figurave fiktive – historike të sulmojë hierarkinë, strukturën, injorancën dhe paranojën orveliane parakomuniste. Pas ikjes në Paris shqiptari gjirokastrit do ta nis një ribotim masiv të veprave, çka në të njëjtën kohë ishte edhe një retushim ose gjurmëshlyerje e indikacioneve dhe fakteve që e «denonconin» si servil të diktaturës. Ndërmarrje që si jashtë ashtu edhe brenda u prit keq.
Ca thanë për shkak të dëmit ndaj veprës si dokument kohe e të tjerët e morën si akt jo të sinqertë të tij. Në fakt mirëpo ai eliminoi të imputuarat e censurës, ato tumore që madje as ideologjisë në çdo kohë e në çdo variantë e lerë më letërsisë nuk i shkonin. Me një fjalë ai shpëtoi letërsinë, artin nga ndërhyrjet gjymtyrëdjegëse të çdo politike a doktrine pushtetore.
EKSTERN – Ish presidenti francez François Mitterrand me gjithë qejf bënte poza para fotografëve me veprat e Kadaresë në sfond. Veçanërisht elitat e perëndimit ishin dhe janë lexues të pasionuar të shkrimtarit shqiptar. Edhe sot është kështu. Me 41 vepra të botuara në mbi 30 gjuhë Kadare është më i përkthyeri i Ballkanit dhe zë vend prirës në listën e shkrimtarëve më të rëndësishëm të kontinentit. «Le Monde» e futi në listën e 100 shkrimtarëve më të suksesshëm të shekullit. Deri më tani ka marrë gati të gjitha shpërblimet e mundshme reputative. Përveç Nobelit. Komiteti i Oslos – tashmë është bërë publike nga ish anëtarë të kësaj instance – e ka problem «nacionalizmin» e ballkanasit kokëfortë. Kadare refuzon mainstreamin që përveç të mirave të popullit të tij para të huajve të bëhet edhe kritik i ashpër pse jo nganjëherë edhe hiperbolizues i veseve shqiptare. Një kritikë e stërcituar ilustron këtë qëndrim bukur: «Kur bëhet fjalë për vendin e tij Kadare është edhe më i verbët se sa që ishte Homeri» [Carolina Bădițescu:2012].
INTELEKTUALI – Kadare, veçmas deri para rënies së socrealizmit, ishte shkrimtari më i lexuar dhe më me ndikim i hapësirave shqiptare. Si i tillë ai ka luajtur një rol gati institucional në formimin e gjuhës dhe mendësisë së gjeneratave të tëra. Influencë të cilën edhe sot e ka ndoshta me intensitet të reduktuar por dominant. Gjatë polemikës me Rexhep Qosjen që shkaktoi eseu i tij «Identiteti evropian i shqiptarëve» [Shekulli: Prill 2006] u pa edhe njëherë më shumë se ç’ ndikimi ka qëndrimi intelektual euronacionalist kadarean tek «elitat» aktuale. Ndoshta ndikimi nuk është edhe aq i shëndetshëm (sa do superior të jetë) për shkak të kurthit të njëdimensionalitetit në krijimin e diskurseve shoqërore, mirëpo ai është siç është. Kadare është ndoshta «klasiku» i fundit shqiptar: është ndër ata që ende operon me urtinë antike të asistuar nga historia, mitologjia dhe kultura shqiptare. Ai nuk reflekton si kolegët e tij të kohës pasmoderne, por ndryshe, kadareisht.
URË!
[Çelësi i vlerësimit: KOT për danditë pompozë dhe pa përmbajtje. GROPË – për ata që më shumë dëmtojnë veten dhe shoqërinë sesa ndihmojnë dhe URË – për ata që vërtet duhen dëgjuar]