Embassy of the USA

Psikografi primatësh III – Organizatat dhe institucionet 7 / Se pa amerikanët nuk do të ishte kjo Kosovë kështu siç është e dinë ndërkohë çdokush. Pa ndikimin, veton dhe përkrahjen e amerikanëve europianët do ta kishin ngatërruar gjendjen kosovare edhe më shumë se ç ‘është. Ambasada amerikanë në Prishtinë shpesh është edhe më efikase në mbrojtje të Kosovës se sa vetë qeveria e saj. 

Ambasadori i Francës s’mund të krahasohet me kolegen e tij amerikane Tracey Jacobson – si nga përgjegjësia ashtu edhe për nga ndikimi. Kjo pabarazueshmëri nuk ka të bëjë me atë se diplomacia franceze është më pak e denjë, kjo s’ka të bëjë as me hipotezën triviale që pandeh; «Yankee»-it të mos hapin ambasadë pa i hequr zvarrë pas vetes edhe shërbimet e tyre të tepërta sekrete. Historia është më serioze. Tjetër.
Ambasadat amerikane janë ndryshe nga të tjerat që nga ajo ditë kur George F. Kennan shkroi (me pseudonimin X: 1946) dhe publikoi në «Foreign Affairs» të famshmin «Telegrami i gjatë». Dokument mbi të cilin më vonë formulua e ashtuquajtura «containment policy» në doktrinat e Truman -it dhe Eisenhower-it dhe që më reagimin rus (Zhdanovi:1947) ndaj tyre u hap faza e «teorisë së dy kampeve». Ekzekutoret operacionalë të politikës kundër përhapjes së dominimit sovjetik gjithandej botës ishin ambasadat – deri në rënien e murrit të Berlinit.
Pas mbarimit të Luftës së Ftohtë ndryshuan detyrat e përfaqësive diplomatike, mirëpo jo edhe kompetencat, ndikimi i tyre i madh në përpilimin e politikave të State Departamentit dhe Presidencës amerikane ndaj vendeve e rajoneve gjithandej globit.
Prandaj sot, në qëndrimet materiale të qeverive evropiane ndaj Kosovës, depeshet e përfaqësive të tyre diplomatike ndikojnë nga zeroja deri në njëzet përqind, gjersa vendimet amerikane shpesh janë vetë analiza dhe sugjerimet e ambasadës për vendin ku vepron.

PERCEPTIMI DHE KRITIKA – Pjesa dërmuese e kosovarëve (shqiptarëve poashtu) i admirojnë madje deri në kultëzim amerikanët. Ky respekt ka arsye: ishin SHBA-të ato që iniciuan, lobuan, përgatitën dhe detyruan të tjerët e sidomos europianët rezistues (besimi në kontinuitetin jugosllav) dhe OKB-në spektatore indiferente (Bosnja) që ta shpëtojnë, çlirojnë dhe pavarësojnë vendin e plisbartësve.
Për shkak të kësaj simpatie masive proamerikane kritika shpesh kualifikohet si mungesë karakteri kritikësh «bukëpërmbysësh». Paragjykim banal. Ai, stereotipi, thonë të jetë kot sepse kritika antiamerikane ndër shqiptarë qëmoti qenka programatike dhe buruaka nga tre segmente konkrete të shoqërisë: nga islamistët, ekstremi i majtë dhe minoritetet e «popujve humbës» gjatë luftës së fundit. Islamistët (radikalët) – ashtu si dikur komunistët e më vonë shtetet nën ndikimin e sferës ish sovjetike sot proruse – menduakan se sa më i madh të jetë ndikimi i «pax americana»-s aq më të bllokuar mbeten ata në instalimin e doktrinave dhe kulturave që i shohin si më të shëndetshme për kosovarët. Po si minoritarët serbë që mendojnë se sa të jenë amerikanët aty duhet dhëmbëkërcëllueshëm ta mbysin ëndrrën e kthimit të kohëve të vjetra. Të fundit plus “jetuakan ende nën presionin e shtetit amë që për t’i mbajtur nën kontroll i ushqen me tonelata mitesh nga «lost cause» – kultura e saj. Të majtët, antiimperialistët kosovarë paskan mbetur në fillim të viteve të 50-ta të Frantz Fanonit dhe harrojnë për nder të ideologjisë se Kosova është një rast ku çdo tendencë imperialiste amerikane nuk do të kishte asnjë kuptim (as kapitalist, as kulturor, as gjeobiologjik as hiç)”, na thotë një ekspert i marrëdhënieve Kosovë – SHBA.

ANALIZA Tezat mbi ekzistencën e grupeve me disponim antiamerikan qëndron. I vetmi problem që ka përshkrimi lartë është ekzagjerimi: grupet dhe rrymat antiamerikanë nuk kanë potencialin e nevojshëm destruktiv për tu marrë aq seriozisht sa merren. Ato perceptohen gabimisht  si të tilla gjatë ndonjë skandali për tu shuar pastaj bashkë me të.

Sjellja e ish ambasadorit Dell ishte Hotdog-u me i lezetshëm për taborin e kritikëve të bashkuar: një aristokrat, që sillet kafeneve të kryeqytetit me botues gazetash e dandish të politikës lokale, tallet me demokracinë e vendit duke i nxjerrë primatët (presidenten) nga xhepi, respektivisht zarfe. Skandali që u plasua po nga të njëjtët dandi, të cilët Dell dikur i financonte dhe me ta rregullisht bashkëkuvendonte deklasoi diplomacinë amerikane të jetë antidemokratike, tutore, imponuese. E vërteta mirëpo është krejtësisht diçka tjetër: Kosovarët, respektivisht qeveria e tyre e keqpërdorën ambasadorin “cowboy” të intervenojë duke ia hiperbolizuar panikun se vendi do të ngatërrohet në krizë institucionale në fazën më të pakohëshme të saj. Ai pastaj jo që bëri një propozim, por edhe u ngatërrua krejtësisht jashtë kulturës diplomatike amerikane në përjetësimin e propozimit. Christopher Dell gaboi me këtë akt, i cili assesi nuk përbën asnjë milimetër të veprimtarisë së tij prokosovare gjersa ishte në funksion.
Tracey Jacobson është diplomatja tipike amerikane, e cila nuk bën si Arvziu në Tiranë i cili miqësohet e çmiqësohet dhe shpeshherë duke u sjellë ashtu siç duan që të sillet islamistët, të ekstratëmajtët dhe gjithë antiamerikanët tjerë; ajo deri më tani, edhe më shumë se paraardhësit e saj ka luajtur rol jashtëzakonisht konstruktiv enkas në fazën e marrëveshjes e sa herë që është rritur trysnia, duke marrë pakushte anën e vullnetit politik kosovar. «Edhe atëherë (sot) kur duket të vendosin europianët për çështje të Kosovës, pa pëlqimin, kundërshtimin apo ndikimin e amerikanëve nuk lëviz asgjë» – siç thotë akuzueshëm njëri nga diplomatët e BE-së.

DIAGNOZA Amerikanët do të mbeten edhe gjatë në Kosovë. Ambasadorja Tracey Jacobson dhe stafi i saj ia rikthyen autoritetin dhe seriozitetin përfaqësisë diplomatike, por edhe organizmave tjera amerikane që veprojnë në Kosovë. Ajo madje edhe kur rrethe të caktuara në SHBA bënin çmos që ta hiperskandalizojnë bllokimin e saj në hyrje të parlamentit kosovar veproi në mënyrën më profesionale të mundshme dhe në favor të Kosovës duke përheshtur eksesin. E kjo flet shumë për një miqësi dhe respekt të thellë e jo për tutorizëm apo diçka tjetër. Sjellje që – që po vazhdoi kështu, pa zarfe dhe në vijën tradicionale të diplomacisë amerikane – veçse le pagojë atë pakë kritikë edhe ashtu faktebosh!

URË!

*(Çelësi i vlerësimit: KOT – për akterët që janë sa për të qenë. GROPË – për organizatat destruktive, veprimtaria e të cilave bllokon, retardon ose pengon progresin shoqëror dhe URË – për subjektet me karakter kompetitiv dhe që – edhe me gabimet e mundshme – kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe përparimin e shoqërisë.)

Related

Pedagogët

Nota me pare. Profesorë që me dekada nuk kanë bërë update në dije. Pedagogët nuk respektohen më si dikur. Pse? Në ç’situatë gjenden shkollat shqiptare?

Serbët

Serbët e veriut janë më të torturuarit e Kosovës. Jo nga shumica por nga shteti i tyre amë, i cili i keqpërdor për strategjira politike që s’kanë asfare të bëjnë me fatin e tyre. Përkundrazi ata përdoren kundër ardhmërisë së tyre.

Katolikët

PSIKOGRAFI PRIMATËSH IV – GRUPET 3 / Po të...

Myslimanët

PSIKOGRAFI PRIMATËSH IV – GRUPET 2 / Myslimanët janë komuniteti më i madh religjioz ndër shqiptarë. Dhe më i pandehuri të sabotojë rrugën sekulare dhe proevropiane të Kosovës. Ata heshtin. Vetëm radikalët e tyre flasin.

Stresorët

Psikologjia e grupeve - Opinionistët 1 / Opinionbërësit mediave shqiptare sillen sikur jo vetëm ta kenë studiuar por edhe ta kenë përjetuar personalisht zhvillimin kulturologjik të humanitetit.  Në fakt më shumë përballemi më një shumicë „intelektualësh“ stresorë se me të atillë me tru të kërcënuar ndonjëherë nga brisku i Ockhamit.