Shqiptarët janë të natyrës agresive. Të tillë janë sepse i dhunuan gjatë gjithë historisë? Jo vetëm. Edhe te shqiptarët dhuna është vetëm akti final i një urrejtjeje që kultivohet e thithet çdo ditë e gjithandej.
„Grekët e konsideronin dhunën të domosdoshme, të pashmangshme“ me këtë fjali hap studimin e radhës filozofi i njohur koreano-gjerman Byung-Chul Han (Topologie der Gewalt:2011). Po si mendohet sot në raport me dhunën, aktualisht, në shekullin 21? I njëjti autor mendon se si kurrë më parë njeriu ka kuptuar se jeta është e shenjtë dhe se dhuna është duke u pakësuar. Vërtet?
HISTORIA
Thelbi dhe morali i sagës me Gilgameshin gjysmëperëndi dhe gjysmëkafshën Enkidu është solidariteti i detyrueshëm i qenieve në favor të koekzistencës. Ishtareja – perëndesha e dashurisë, paraardhësja e Afroditës – frymon Gilgameshin me obligimin që ta qytetërojë egërsirën. Epos, edhe pse antropocentrik, i këndshëm. Mirëpo, ja që ep tepër i butë. Nuk na ndez epshin sa duhet, nuk na nxeh ndjenjat deri në parashpërthim, s’na skuqin damarët në ballë as Enkidu e as Gilgameshi siç na mbush plotë energji e zjarr Akili i shpejtë, asgjësues. Miti makinë që heq koka më shpejtë se çdo sharrë ultramoderne. A do të ishte e mundshme ekstaza përshkruese e Homerit pa dhunën e tmerrshme të Akilit?
Jo pak historianë e filozofë lindjen e res publica – s (zanafillën e solidaritetit shoqëror, bashkësisë) dhe parrhesia-s (e drejta për të thënë gjithçka pa u sanksionuar) e lidhin me dramën e Lukrecisë, vajzën e Spuriusit. Skenat e tragjedisë, së ngjarë (?) rreth viteve 509-508 para e.s, rrëfyeshëm na i sjellin Titus Livius dhe Ovidi, ndërsa në pikturë Ticiani dhe Antonio Bellucci: Në Romë, në tendën e Sextus Tarkuini-t, birit të tiranit Superbus, mblidhen oficerë e ushtarë për të përfolur gratë. Romaku Collatinus preferon të lavdërojë gruan e tij. Rrëfimi do të ketë qenë aq erotik saqë përndez keq epshin e „princit» Sextus. Një natë më vonë i njëjti futet në dhomën e Lukrecias për ta dhunuar. Romakja reziston deri në çastin kur dhunuesi i thotë se pasi ta vrasë, do ta shtrijë pranë një skllavi dhe do të shpif ta ketë vrarë për kurvëri. Lukrecia dorëzohet. Pas aktit ajo thirr të atin, të shoqin dhe rrëfen dramën. Pas kësaj vret veten. Tragjedia shkakton aq shumë neveri, revoltë dhe dhunë saqë pas pak shembet tirania e Tarkuinëve. Kjo ngjarje thuhet të jetë miti i themelimit të Republikës (s’ka fakte relevante historike për këtë). A do të kishte lindur republika romake po të mos kishte ndodhur „dhunimi i Lukrecias“?
EDHE ZOTI OPERON ME DHUNË
Këto momente asociohen e konsiderohen si zanafilla e procesit të civilizimit. Që të tria këto momente – Gilgameshi, Akili dhe Lukrecia – kanë të njëjtën arkitekturë: fiksimi i njeriut për ta detyruar në sistemin e vetë social çdo specie tjetër që e percepton të egër, të kapshme, të dhunueshme (Gilgameshi + Sekstus); fitorja, hakmarrja ndaj tradhtisë, së keqes, triumfi i drejtësisë janë vetëm atëherë të mundshme kur synuesi disponon me forcën (Akili kundër tradhtisë trojane + romakët e bashkuar kundër tiranit Superbus). Dhe çka bën i forti për të realizuar qëllimet, idealet dhe synimet e bashkësisë? Ushtron dhunën deri në asgjësimin e tjetrit, kundërshtarit, armikut. Ky është morali edukues para- dhe postantik i humanitetit. Sipas logjikës së kësaj tradite dhuna del motori dhe burimi i vetëm që paska shtyrë njerëzimin të bashkohet kundër së keqes, ta çlirojë veten nga tiranët, t’i domestikojë kafshët e egra dhe të fitojë lirinë e shprehjes totale.
Po të njëjtin sistem e përdorin edhe religjionet: Që nga religjionet më të vjetra paraabrahamite nis udhën mendjes njerëzore (Epi i Gilgameshit si i pari) varka e Noes. Zoti përmbys botën sapo krijesat e tij rebelohen. Me dhunë fillojnë të zgjedhin problemet Kaini dhe Abeli. Davidi nuk njeh formë tjetër jete përveç t’ua vjedh gratë tjerëve, të vrasë armiqtë dhe të rri fshehur shpellave deri sa flet me Zotin që pastaj të njëjtat t’i bëjë në emër të tij. As urdhri për prerjen në fyt, flijimi i fëmijëve nuk mungon. Sodomi dhe Gomora, ferret si hadi, urdhrat që justifikojnë dhunën për ta sjellë njerëzimin në udhën e Jahwe-s, Krishtit, Allahut. Mëkati gjenetik, ndëshkimet dhe frika permanente janë vetëm disa nga komponentët e dhunës hyjnore.
Ja u bë shekulli 21 dhe as kokat më të ndritshme të njerëzimit nuk gjetën recetën se si të iket nga ky rreth djallëzor dhune. Shoqëritë që nuk njohin histori tjetër përveç asaj të nënshtrimit me dhunë dhe luftërave përjetojnë edhe sot krizat më të rënda të tyre në raport me agresionin në përditshmëri, me dhunën si mjet „adekuat“ për zgjidhje të problemeve, qofshin ato edhe më banale.
FABRIKAT E URRJETJES
Bota duket të jetë e programuar me dhunë e për dhunë. Po në këtë planet, brenda kësaj kulture universale, janë rritur shqiptarët. Kryesisht në anën e viktimës. Antropologët e në veçanti psikologët do të mendonin: pikërisht një masë kaq e shkallmuar nga dhuna e tjerëve dhe e vetja do të duhej – në kushtet e sotme – të bëjë të pamundurën për ta refuzuar dhunën si mjet zgjidhjeje problemesh! Po nuk është ashtu. Shqiptarët janë poaq agresiv si gjithë ballkanasit tjerë. Si gjithë ata që janë rrahur ose kanë rrahur historisë.
Përkundër këtij fataliteti, ose pikërisht për këtë, ia vlen të reflektohet në mos shqiptarët mund të bëjnë diçka më shumë në këtë drejtim: jo ta shporin dhunën por të luftojnë për ta reduktuar. Sidomos kur kihet parasysh fakti se dhuna është vetëm akti final i një urrejtjeje të akumuluar – pra një jete, një përditshmërie të tensionuar, e cila domosdo saboton, deformon, depresionon dhe bllokon shumëçka në përparimin e shoqërive shqiptare.
Si kultivohet ajo, urrejtja kolektive, si e rifabrikojnë shqiptarët dhunën ne mentalitetin e tyre?
Nga këtu qëllimisht përjashtojmë krahasimet me kulturat tjera. Çfarë roli luan ose ku e hasim më së shumti predikimin e dhunës?
Historia, letërsia, artet, folklori, tradita përbëjnë sferat më të ndjeshme nga të cilat shqiptari i sotëm determinon identitetin e tij. Këto sfera kanë ndikim parësor sidomos në shkollim, politikë, shoqëri dhe mendësi. Cili është kapitali përmbajtjesor i këtyre sferave? Kryesisht mite që ende mprehin shpatat për t’i mbyt armiqtë, saga mic-sokolësh të cilët me gjoks mbyllin grykat e topave; me letërsi fishtiane që vret e pret për shqiptari e të ngjashme. Heronjtë, martirët, më shumë ekspozohen si të pathyeshëm, si të egër, të dhunshëm se sa si njerëz, heronj që me të gjitha të mirat dhe të pakëndshmet e tyre njerëzore u flijuan për lirinë e të gjithëve. Pas atyre me motive të viktimës, pikturat dhe statujat më të preferuara janë ato të primatëve luftarakë, mundësisht duke hequr zvarrë ndonjë serb, grek, osman. Sekuenca historike si të imagjinuara ashtu edhe reale që paralelisht glorifikojnë ose demonizojnë dhunën, varësisht nga perspektiva e recipientit. Si duket kjo në përditshmëri?
SULLTAN MURATI DHE AVATARI
Parafytyrojmë duke dramatizuar ditën e një filloristi në mëngjes: Rrugës për në shkollë përshëndet gjithë ato përmendore heronjsh të armatosur që i kanë bërë roje natës shqiptare. I shtangur para portreteve të primatëve që kanë dhënë veten për atdhe mezi pret që zilja ta shpëtojë nga lënda e matematikës. Në orën e gjuhës analizohet himni i flamurit: flijim për atdheun, tradhëtorët, armiqtë. Mësuesi i historisë herë shndërrohet në Skënderbe, herë Isa Boletin e në fund në Adem Jashar që me shpatat, revolet dhe mitralozat e tyre mbulojnë me gjak fusha e male duke masakruar osmanë dhe „shkije“. Në të kthyer nga shkolla i bie përmes një turme ku flet një politikan kundër korrupsionit, krimit, tradhtisë së pushtetit, kërcënohet e kërcëllohet sikur që atë moment do ta nis luftën. I lodhët nga jashtë izolohet brenda: kap konsolën dhe luan Avatarin – sunduesin e elementeve. Mezi pret të mbarojë darka; i ati i ka premtuar se do ta shikojnë bashkë trilerin më të ri të Budakovës „Haraçi“. Ikë në shtrat dhe nuk flenë dot nga frika që mos i dalë në gjumë ndonjë sulltan Murat, Millosheviq, ndonjë nga ato figurat e gërditshme tek Avatari e në ato fytyrat e mafiozëve (reale, që i sheh rrugëve përditë) të „Haraçit“ as që guxon ta lejojë memorien të hyjë, as në ëndërr e as zgjuar.
Si do të sillet në shoqëri filloristi sot e çka presim prej tij nesër? I qetë, i relaksuar, mendjekthjellët që nuk e kap botën me syzet e urrejtjes ndaj dikujt? Vetëm të çemocionalizuarit mund të mbeten indiferent përballë një edukimi dhe formimi të tillë. E të tillë nuk ka, sepse si introvertët ashtu ekstrovertët e shoqërive e formuara në kushte të tilla kanë probleme me agresionin dhe e manifestojnë atë të internalizuar apo të eksternalizuar – shkarkimi i urrejtjes duke u finalizuar në akte dhune do të ndodhë.
RACIONALIZIMI KULTUROR
Pamë se dhuna nuk është specialitet shqiptar. Historia e civilizimit njerëzor është njëkohësisht edhe kronikë e dhunës brutale. Drejt rehabilitimit janë nisur suksesshëm shoqëritë, të cilat kanë arritur ta racionalizojnë historinë, ideologjitë dhe besimet e tyre. Së paku në institucionet e arsimit, media dhe sferat tjera të komunikimit publik është i nevojshëm një ndryshim radikal – jo se kjo do të ishte mirë për miqësi me të tjerët, porse askush nuk dëshiron të jetojë në një shoqëri agresivësh, brutalësh që as kontestin më banal nuk dinë ta zgjedhin pa duele me kallashnikovë. Ndryshimi nuk duhet të ndodhë duke falsifikuar historinë, as duke censuruar letërsinë dhe artet e djeshme, por duke i interpretuar të vjetrat dhe duke i krijuar të rejat pa urrejtje, pa sugjestione, adresime.
Asgjë e fituar me dhunë nuk mbahet pa dhunë – tha Mahatma Gandhi. Shqiptarët as minimal nuk përdorën dhunë vetë për lirinë e tyre, kështu që as që kanë nevojë të mbajnë atë me dhunë.