PSIKOGRAFI PRIMATËSH IV – GRUPET 3 / Po të kishin shqiptarët historinë e tyre të religjioneve do të rropateshin shumë më pak për të dëshmuar ekzistencën e tyre dinamike dhe faktoriale në antikë dhe mesjetë. Katolikët janë dëshmia e gjallë e këtij kontinuiteti historik!
HISTORIA – Krishtërimi është religjioni i parë monoteist që përlanë tokat ballkanike. Së paku katër shekuj më herët, para se ky religjion të përvetësohet dhe të bëhet diktat imperatorial (Justiniani 527 – 565), ai duket të ketë depërtuar – nëpërmjet komunave të para krishtere, të inicuara nga misionari hebrenj Pali i Tarsos viteve të 40-50-ta, të kohës sonë — edhe ndër fiset ilire. Pas ekzaminimit të mbishkrimeve të Soly-t, Kytheria-s dhe Romës nga shkencëtarët si Rainer Riesner, M. F. Unger dhe T. B. Mitford mbetet shumë pak vend për spekulimin gjoja fiset ilire deri vonë të kenë qenë pagane. Nga vitet 80 – 126 duket që fiset kryesore ilire, veçanërisht gjatë fazës ilegale, t’i kenë takuar fése së krishterë. Me këtë madje historiografia shqiptare do të mundte të përforcojë edhe më thellë versionin historik të origjinës ilire dhe autoktonitetit të stërlashtë shqiptar në Ballkan, sepse asgjë më mirë se pikërisht ky religjion ua siguron atyre kontinuitetin deri para e pas mesharit të Gjon Buzukut, Pjetër Bogdanit e deri te dominanca e katolikëve në formimin e identitetit shqiptar dhe përpilimin alfabetit jostambollian (siç kërkonte Mit’hat Frashëri) e joarab (siç donte mamati) të tyre. Kjo dominancë madje do të vazhdojë në mënyrë intensive deri me pushkatimin apo internimin masiv të tyre nga Enver Hoxha.
Sot asnjë studiues dhe historian serioz nuk mund të mohojë se falë pjesëtarëve të këtij komuniteti (aktiv edhe si fetarë), i cili më shumë se në shërbim të Kishës dhe religjionit ishte kombëtar, mbijetoi gjuha dhe shqiptari në këtë formë siç është sot.
Pas Luftës së Dytë Botërore ndryshon struktura e intelegjencies (nëse mund ta quajmë kështu) shqiptare. Ajo ideologjizohet si ateiste. Nga këtu nuk kemi më kisha që do të shërbejnë si shtabe patriotësh. Ato deri ka mesi i viteve të 80 -ta e xhamitë deri edhe më vonë, do t’i mbahen linjës servile ndaj shtetit.
Riaktivizimi i klerit katolik në interes të drejtpërdrejtë të kauzës shqiptare do të ndodhë paralelisht me shfaqjen e lëvizjeve shqiptarë për pavarësimin e Kosovës. Nuk mund të gjendet asnjë vit brenda 1990 e deri 2007 pa një lobim domethënës e shpesh – për politika të caktuara shtetesh- edhe vendimtar të klerit katolik në favor të zgjedhjes së çështjes së Kosovës dhe atë që nga Vatikani e deri në State Departamentin amerikan.
TRASHËGIMIA DERI SOT – Shkaku përse ndër shqiptarët e shkolluar gjenë aq pak „pro-islamë“, apo „pro-oriental“ dhe më shumë „pro-katolikë“ (kategorizuar në mënyrë banale konform stereotipeve të përditshmërisë) është pikërisht kjo: fryma, historia dhe trashëgimia kulturore e gatuar ndër shekuj nga intelektualë me bindje oksidentale, respektivisht proeuropiane. Nga ky kontekst buron edhe simbioza shenjuese dhe automatike prokatolik-proevropian si antipod i asaj proislam – antieuropian.
Në senduiçin e kësaj beteje kulturore gjenden katolikët e sotëm shqiptarë. Betejë që në fakt nuk është e tyre, por më shumë e të gjithëve, respektivisht e mendësisë mbizotëruese proevropiane kundër tendencave për fetarizimin e politikës, kulturës dhe përpjekjeve për ta riinterpretuar historinë shqiptare ndryshe se ç’flasin faktet historike.
Brengosëse në këtë drejtim janë aksionet e disa „primatëve“ këtij komuniteti, të cilët duket sikur kopjojnë veprimet e fetaristëve të bllokut tjetër, atij grushti autorësh e publicistësh që filluan të fetarizojnë interpretimet letrare, krijimtarinë e vetë duke u përpjekur „ta thyejnë dominimin katolik“ mbi kulturën shqiptare. Po në të njëjtin sistem autorë të caktuar – me emra katolikë – kanë filluar ta fetarizojnë krijimtarinë e tyre dhe seleksionojnë aty ku mbërrijnë dhe edhe ku nuk duhet vetëm sekuenca të historisë së re që kanë të bëjnë me personalitete (kulturë, arte e politikë) të besimit katolik. Kjo sjellje i degradon edhe ata në nivelin e një grupi që nga frika më shumë dëmton se sa ndihmon veten. Megjithatë: edhe katoliku më fanatik nuk mund të jetë i rrezikshëm për shqiptarët që synojnë Evropën.