Atdheu i poezisë

Kuptohet se promovimi si poet nuk fitohet me mendjemadhësi, egoizëm (deri në ekstazë), inkosekuencë e më hiç duke kopjuar e përvjedhur stilin, ritmin dhe konstruktin krijues të tjetrit (fenomen shumë prezent, deri në banalizim, tek krijuesit e porsalindur. Bile kohëve të fundit krijuesi i mirëfilltë ka edhe frikë të dalë publikisht, sepse të nesërmen e sheh konstruksionin e vetshpikur krijues të vjedhur nga një «autor» tjetër).

KAOSI I NJË SHPIRTI
Kur një ndjenjë e caktuar të ngushton në brendinë tënde më të thellë, ti si një qenie pa durim dhe me plotë rreziqe e huqe kërkon shpëtimin, shprazjen dhe njëkohësisht mbijetimin. Ikjen apo çlirimin nga ngulfatja, përhumbja dhe përmbysja në zymtësinë dhe terrin e çekuilibruar të shpirtit tënd. Vetëdija nuk është në gjendje të përpunojë rrethanat që të sollën në ate gjendje shpirtngushtësie dhe vetmohimi. Pa shumë mundësi për të zgjedhur: o të shndërrohesh në skulpturë-gurri o të derdhesh shpirtërisht diku. Por, ku…? Cila është ajo fushë që sakrifikon veten për të pranuar vrerin dhe qelbin tënd shpirtëror. Asnjëra- mendon ti dhe shtrihesh mbi hijen tënde të grimëzuar, i gatshëm për tu vetsyrgjinosur. Pranon procesin e shkatërrimit dhe i dorëzohesh vetshkrirjes. Ngushëllimi yt i vetëm mbetet përmbyllja jote në mes murreve të heshtjes me shpresë se ajo një ditë do të flasë e do të tregojë medikamentin adekuat për shpëtim. Po, a flet heshtja?

KUR HESHTJA FLET
Poezia. Ja shpëtimi !Foli heshtja -thanë gjatë shekujve të gjithë ata që i stërmundoi, sakatoi dhe i viktimëzoi epoka, në të cilën jetonin. Retina më e hollë dhe më e ndjejshme e artit krijues, që polli mendja njerzore. Gjinia me e plakë në moshë dhe më e re në fytyrë. Papritmas konstaton se kjo bukuroshe hyjnore është shpëtimi i vetëm shërrues i mekanizmave të sëmurë të mendjes dhe shpirtit human. Kjo është ura, nëpërmjet së cilës ti futesh në brendinë tënde për të nxjerrë jashtë tërë atë mllef të akumuluar gjatë jetës. Jashtë kthesave, dështimeve, zhgënjimeve dhe horizonteve gjysëm të thyera të qenies tënde. Konflikti spiritual fillon të duket si i zgjedhur. Ndërgjegja e përgjakur del ngadalë nga zinxhirët e Absurdit-mbret, që është sundimtar i vetëm i pikëpamjeve tua mbi jetën. Qartësia të krijon barasvlerë. Kaosi lëviz, përplaset dhe struket në pavetëdijen tënde të fshehur pas vetëdijes gjysëm të plasur. Universi i nostalgjisë tënde futet në luftë me kontradiktën e pamëshirshme, e cila deri tani ka përçarë çdo qelizë të përbërjes tënde të brendshme. Shtërngon fort mundësinë e shpëtimit dhe i përkushtohesh asaj deri në frymën e fundit. Edhe pakë dhe shpirti yt ekuilibrohet, përpiqet për tu çliruar, të jetë më kompakt. Dhe për këtë qëndron duarhapur qytetarja më e previlegjuar e mbretërisë së letërsisë-Poezia.

NË MES SHPËTIMIT DHE ZHGËNJIMIT
Tani vjen faza parahyrjes, ajo është sa shpresëdhënëse aq edhe zhgënjyese: ti e di se ku mund të shprazesh, po si..? Për të hapur dyert e kësaj mbretëreshe të duhet një koncentrim jo vetëm qëllimi e pasioni, por edhe përgjakim ndjenje, xhveshje deri në frymëzënie, shprazje qenësore, derdhje të energjisë, mllefit, ndarje nga çdo sferë ordinere e karakterit tënd formal dhe ecje mbi çdo horizont (deri tani të pazbuluar). Marsh mbi zjarr dhe zhytje në detra tmerri e gëzimi pa mos njohur teknikën e notimit në to. Koncentrim absolut mbi veten deri në përmbyllje totale, ikje nga realja e botës dhe universit, të cilin ti jeton: dalje në rafshin e artit poetik pa barttë me vete komplekset nostalgjike të kohës, brum i cë cilës je.
Për të bërë këtë proces, i cili padyshim se për ti është dërrmues dhe tejndiesor, kërkohet zgjuarsia dhe urtësia deri në gjenialitet. Gjenialitet? Për të hyrë në pavionet e kësaj gjinie nuk të mjafton vetëm përvoja: sistemi, teknika, rima e më në fund përpjekja e të përsosurit të fjalës dhe fjalisë (Këto faktorë tash më të zbuluar dëshmuan se pse nuk mundet çdo shkronjës të bëhet poet). Thjeshtë, për këtë të nevojitet një transormim i egos sate në pasqyrë ndershmërie që prek telat gati të padukshme të artit poetik.Dhe kjo varret e tëra nga shijimi i mprehtë i së bukurës dhe aftësia për të bartë ndjenjën nga brendia yte në përbërjen e vargut dhe strofës që pretendon për ta ndërtuar.
Ky dyluftim që ti po bën me shpirtin tënd të le përshtypjen se tani përmbytesh. Në të njetën kohë urren grindjen dhe kultivon ate në shkallën më të lartë. Dashuron jetën dhe u lutesh hyjnive të të shporrin nga ajo. Kjo kontradiktë vetëvrasëse të ndjek deri në shpërthim. Deri në shpërthimin tënd mbi letrën tash më të vjetëruar sa vetë mundimi yt për të gjetur rrugën e shpëtimit dhe…

KUR PLAS NDJENJA LIND POEZIA
…dhe më në fund plas ndjenja del si një përbindsh i çoroditur, plotë flakë dhe ngjitet në pergamentin që ke parasyshë, bëhet vargu. Vargu i parë i poezisë tënde. Faza e parë e shpëtimit tënd! Një gurrë më pak në zemrën tënde deri në këtë çast e pandieshme. Rrahjet shpeshtohen. Pasioni përzihet me dashuri marramendëse. Madhështia e shpirtit jep sinjalin e parë, çon flamurin ngjyrqielli të mbijetesës, triumfit dhe RILINDJES. Shkronjat e gjakuara shembin çdo barikadë nervi e antagonie me qëllim për të depërtuar ushtria e mbretërisë artistike që meriton sundimin mbi vetëdijen tënde.

Nuk je në gjendje të parakuptosh ate startim lehtësimi të pabesueshëm. Dhimbjet, dëshira e syrgjinimit, vetvrasjes, vetshkatërrimit, përdhunimit të ndjenjës dhe mendjes, banimit në terr dhe ngulfatjes nga zymtësia e ashpër e kohës nuk mbeten as si fluskur në memorien dhe shpirtin tënd tash më krejt të shpërlarë e pastruar. Ai varg i vetëm ka eliminuar çdo shigjetë që mund të helmojë në të ardhmen tënde qenien duke tentuar të të shëndrojë në barasvlerë me kotësinë dhe hiçin.Varg pas vargu deri në pambarim vazhdon jetën poezia yte. Shekull pas shekulli ajo zgjatet, zgjerohet dhe ngulet në gjak e shpirt të çdo pasuesi tënd.
Poeti, kjo qenie e përjashtuar me të drejtë nga «shteti» ideal i Platonit, kurrë nuk do të bindet me konditat e konfirmuara filozofiko-tradicionale mbi jetën, vdekjen, luftën, të bukurën, origjinën, dashurinë, urrejtjen etj. Shpirti i trazuar poetik vazhdon me ngulm të ndjek gjurmët e pashpirtshme të sakrifikës dhe vetësyrgjynosjes. Aty ku ushtron pushtetin poeti paravdes çdo besim në kultet «e shejnta» të njerzimit. Kulte që injoranca e çdo epoke i ka ushqim ekzistence dhe përforcimi të dhunës së saj mbi ndërgjegjen e plasur të vetëdijes apokaliptike. Jo të gjithë krijuesit e poezisë së sotme mund të rradhiten në listën e atyre poetëve përbindësh që nuk njohin sistemin e imponimit të traditës dhe përvojës në vargun e tyre therrës. Kjo sortë njerëzish është e paktë, e rrallë. Ata lindin herë në veri, herë në jug , herë të bardhë e herë të zi. Askush deri sot nuk pati mundësi të flasë për ngjyrën e lëkurës së tyre, për gjuhën apo për ndonjë veti tjetër që mund të përcaktonte lidhshmërinë gjenetike në mes tyre. Pothuaj çdo shekull numëron vetëm disa qenie të tilla, të jashtëzakonshme dhe brutale për «ligjet e adaptuara» psikologjike në fuqi. Dhe ky brutalitet përcillet me një buzëqeshje të paregjistruar për logjikën e përhirtë humane. Praktika e deritashme e studimit të letërsisë botërore na mëson për pamundësinë mbylljes së një krijuesi të përmasave të tilla brenda kornizave të gjuhës, popullit dhe hapsirës ku ai është duke vepruar. Përkundër pengesave që paraqet procesi teknik i përçimit të fjalës artistike nga një gjuhë në një gjuhë tjetër, vlerat e tilla nëpërkëmbin çdo kufij të mundshëm dhe prekin denjësisht kulmin e artit të përbotshëm poetik.

EKSPLICIT PËR JOPOETËT E KOHËS SË TASHME
Kuptohet se promovimi si poet nuk fitohet me mendjemadhësi, egoizëm (deri në ekstazë), inkosekuencë e më hiç duke kopjuar e përvjedhur stilin, ritmin dhe konstruktin krijues të tjetrit (fenomen shumë prezent, deri në banalizim, tek krijuesit e porsalindur. Bile kohëve të fundit krijuesi i mirëfilltë ka edhe frikë të dalë publikisht, sepse të nesërmen e sheh konstruksionin e vetshpikur krijues të vjedhur nga një «autor» tjetër). Dihet pra, përse shumë shkronjës që derdhin ditë e natë vargje në letrat e tyre nuk mund të bëhen poetë. Është krejt e qartë përse poetët lindin kaq rrallë e përmallë. Poezia ka ligjet e veta tejet të rrepta, zakone jashtëzakonisht të ashpra, dinjitet dhe integritet të pashpueshëm. Kot përpjekja e të pashpirtëve për të pushtuar altaret e saja. Poezia nuk mund të jetë produkt i teknikës mekanike shkencore, robe e rimës dhe shkrimit të bukur e as hajnisë së pirratëve të fjalës dhe stilit. Ajo është shpirt në vete. Mbretëri në vete. Hyjni e gjallë në mes krejt botëve dhe universeve egzistuese. Poezia ka vetëm një atdhe-shpirtin e çiltër, të pastër, joekstravagant njerzor. Kjo është arsyeja që sot ka aq pakë poetë koha e tashme e popullit tim. Të tjerët ngarrendin bashkë me lapsat e tyre përbrenda një rrethi. A do të plas rrethi…? A do të kuptojnë ata se poezia është shpirt e jo lojë fjalësh të gjata e të shkurta për të mbushur libra dhe për t`i konkuruar artit dhe poezisë me jopoezi dhe anti-art? A do të bindet shtërngata e shpirtit pa konstrukt dhe pa kuptim egzistence se ate nuk do ta përligj kurrë poezia? Apo vrapi i tyre shekullor pas kotësisë do t`i mësoje për karakterin që kanë!

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...